Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se ai ka shkuar me propozim konkret në takimin e 14 shtatorit. Sipas tij, propozimi i tyre bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes që nënkupton që çdo nen duhet të përfshihet në planin e zbatimit të sekuencimit.
Ai tha se parimi i gjithëpërfshirjes nuk është i pazakontë në planet zbatuese të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Por Kurti theksoi se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, kishte koordinim dhe sinkronizim të qëndrimeve mes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
“Në aneks përcaktohet në tri klauzola specifike që çdo nen i marrëveshjes bazike duhet zbatuar dhe gjithashtu që palët nuk duhet të shprehin obstruksione në ndonjë nen. Në takimin e parë, bilateral me Borrellin dhe Lajçakun, më është kërkuar që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar me nenin 7 të marrëveshjes bazike në lidhje me nenin 10. Ua bërë të qartë se një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnim pa u dakorduar në mënyrë të plotë për planin e zbatimit të sekuencuar. Aq më shumë për shkak se Vuçiqi ka një kohë që deklaron se nuk ka pranuar një marrëveshje me Kosovën dhe do ta zbatojë atë vetëm në përputhje me linjat e kuqe të Serbisë”, tha ai.
Kurti shtoi se në takimin trilateral “u ekspozova përballë një skenari që Lajçaku e kishte dizenjuar kohë më parë”.
Ai ka thënë se pasi propozoi një plan të sekuencimit të punuar nga Republika e Kosovës, presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy sipas tij thanë, që ky plan është shumë jorealist.
“Unë në plan nuk kisha shpikur e shtuar asgjë. Pasi u refuzova në sinkroni nga Vuçiçi e Lajçaku, ua shtrova një pyetje bazike: ‘Pasi po refuzoni propozimin tim, më thoni nëse Serbia ka bërë ndonjëherë ndonjë propozim të ndonjë plani të sekuencimit’. Lajçaku tha që po, me bindje të plotë, gjithashtu edhe Serbia tha po. Unë u kërkova ndonjë dokument, por nuk m’u dha. Pas shumë insistimeve, m’u soll një dokument që m’u tha se është propozimi i Serbisë për planin e sekuencimit”.
“Pasi përfunduan takimet dhe pas daljes time në media, ndërmjetësi lëshoi një dokument sekuencimi që tha se Vuçiçi e pranoi e Kurti e refuzoi. Një informacion i tillë është i pavërtetë… Dokumenti i tillë i Lajçakut ishte refuzuar më 19 korrik nga z.kryeministri Bislimi. Pse kjo katrahurë informacioni nga zyra e Lajçakut…? Më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër marrëveshjes në përgjithësi… Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në plotëni ose nuk mund të zbatojmë atë që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur”.
I pyetur nëse do të kërkojë zëvendësimin e Lajçakut në procesin e dialogut, Kurti tha se zyrtari i lartë evropian nuk i jep llogari atij, por ai duhet t’i japë llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian.
“Unë besoj që ajo çfarë kemi thënë këto ditët e fundit, e në veçanti sot, është më se e mjaftueshme që të ketë llogaridhënie të atij, atje [në institucionet evropiane]”, deklaroi Kurti.