Ukraina sulmoi me raketa një port strategjik në Krimenë e aneksuar nga Rusia të mërkurën, duke plagosur 24 vetë, thanë autoritet ruse. Sipas zyrtarëve rusë, dy anije që po riparoheshin në port u shkatërruan si pasojë e sulmit.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se Ukraina vuri në shënjestër qendrën e riparimit të anijeve me 10 raketa dhe tre anije pa njerëz në bord dhe se forcat ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 7 raketa dhe tre anijet e telekomanduara. Porti shërben si një bazë kryesore e flotës ruse të Detit të Zi.
Ndërkohë, zyra e Presidentit të Ukrainës tha se si pasojë e sulmeve ruse në mbarë vendin u vranë të paktën tre vetë dhe u plagosën 14 të tjerë. Në shënjestër të këtyre sulmeve ishte porti dhe infrastruktura civile në pjesën jugore të qytetit të Odesës, ku ndodhet qendra e eksportit të grurit në lumin e Danubit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se sulme të tilla ndaj infrastrukturës civile duhet të ndërpriten menjëherë.
“Ky është sulmi i 21-të ndaj porteve të Ukrainës që kur Rusia u tërhoq nga marrëveshja për eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi më pak se dy muaj më parë”, tha koordinatorja për ndihmat e OKB-së për Ukrainën.
Në përgjithësi, Rusia sulmoi 10 qytete dhe fshatra në rajonin e Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit të mërkurën.
Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është zotuar se Kievi do të rimarrë kontrollin e këtij territori, megjithëse, shumica e luftimeve mes forcave ukrainase dhe atyre ruse po zhvillohet në lindje të Ukrainës. Intensifikimi i sulmeve është pjesë e kundërofensivës ukrainase.
Ukraina tha të hënën se ka rimarrë nën kontroll disa platforma strategjike të nxjerrjes së naftës në Detin e Zi, të cilat u pushtuan nga Rusia në vitin 2015. Forcat ruse i kanë përdorur platformat për luftën elektronike dhe stacionimin e helikopterëve. Ukraina tha se kjo fitore një ditë do të ndihmojë në rimarrjen e të gjithë Krimesë.
Rrjeti ukrainas i lajmeve, RBC citoi një burim anonim në shërbimin e zbulimit të ushtrisë ukrainase, se gjatë sulmit ukrainas në Sevastopol të mërkurën janë dëmtuar anije dhe nëndetëse të ushtrisë ruse. Disa aplikacione ruse të mesazheve bënë njoftime të ngjashme. Ministria ruse e mbrojtjes tha se anijet e saj të dëmtuara do të riparohen plotësisht dhe do të kthehen në shërbim të forcave detare.
shtu siç ndodh shpesh edhe në rastet e tjera, zyrtarët ukrainas nuk komentuan menjëherë lidhur me sulmet, por duket se në mënyrë indirekte morën përgjegjësinë përmes publikimit të disa fotografive të portit të djegur dhe vlerësimit të punës së forcave ukrainase.
Kievi ka marrë përgjegjësinë në të kaluarën për sulme në Krime, por nuk ka marrë asnjëherë përgjegjësinë për sulme me dronë në Moskë dhe rajone të tjera në Rusi.
Një pjesë e të dhënave të përfshira në këtë artikull janë marrë nga Associated Press, Agence France-Press dhe Reuters.