Nuk e mbaj mend as muajin e as ditën…, por buzëqeshjen tënde po. Atë nuk mundem ta harroj. Ajo ishte krejt ndryshe, ishte si një gazmend i ujshëm, që rridhte mollëzave të tua dhe ndizte një lloj drite valore te sytë e tu. Çdo buzëqeshje apo buzagaz yti ishte “sui generis” i metaforës që kishte paraprirë ligjërimin tënd. Ti nxirrje nga guaskat e mendimit vetëm perla, ndaj dhe buzëqeshja jote merrte forma të çuditshme, nuk ishte e njëjta dhe e paranjohur.
Dukej se çdo krijim yti ishte një përjetim i ri i botës. Herën e fundit u takuam atje, në rrugë, përballë shtëpisë sate, ngjitur me kioskën e orëndreqesit Ben Fishka.
Kishe një shishe birre në dorë, që ,me sa dukej, nuk ishte se po të pëlqente…
Ja nisëm bisedes me kujtimet e universitetit dhe me vizatimin antropo- karakterial të disa prej pedagogëve dhe miqve të përbashkët…
Eh, i dashur Madu…, JamArbër Marko! Ishin kohë të bukura, sepse kishim besim te frymëzimet, pa çka se shumë iluzione na rrethonin dhe ne , në mënyrë gati naive, u besonim, duke u përpjekur t’i modifikonim, duke shtuar nga liria jonë marroke…
Pas kaq vitesh, më 4 shtator ,u bënë 13 vite që ti hesht për ne të gjallët e vdekur , por nise të ligjëroje për të vdekurit e gjallë… Ndoshta, pa të bezdisur, le të vijojmë me një bisedë të munguar.
M’ u bë se më the “ po” apo jam gabim?
Po, po… vazhdojmë.
Unë : – Madu, sa i pafuqishëm është njeriu përballë lirisë?
Madu:- Liria nuk lind si një njeri, nuk krijohet si një gjendje, aq më shumë fizike; liria nuk është të qenit i pakufizuar si lëvizje apo si mendim…, janë këto, por si shfaqje të lirisë së pjesëshme…
Liria është si drita, ajo mat dhe hapësirën e errësirës; është fryma, ajo provon nëse je i gjallë apo je i vdekur; liria është si era që përkul pemët e pyllit, por vetë nuk përkulet, liria është monumenti i dinjitetit, që nuk ka nevojë as për mermer, as për bronz…
Unë:-Liria është të mos ndalesh për të njohur veten brenda teje, duke sfiduar pengesat dhe dogmat e duke krijuar pa u friguar, duke sfiduar moshën, periudhën dhe vetë kohën!
Madu:- Koha është gjëja më e pakuptimtë në ekzistencën universale dhe njëherësh një instrument që të duhet në jetë. P. sh, nëse je përballë detit, nuk ke nevojë për kohën. Nëse je në burg, ti e sendërton kohën dhe i lutesh asaj që të jetë me ty, të punojë për ty, të jetojë me ty e jo me të tjerë.
Nuk e di se ç’ bëhet me kohën tani andej nga ju, por lajmet që vijnë janë të zymta… Shumica janë me orë moderne në dorë, por janë as kohë përpara, as në kohë dhe as parasjellës së kohës nesër. Janë as antikohë…, janë pa kohë…, qenie jashtë motivimit…!
Unë:- Madu, gjithnjë kam dashur të shkëmbenim mendime për dy nënrealitete, atë jetësor dhe atë mendësor. A kanë lidhje? A komunikojnë?
Pra, a ka një kod që të shpie nga nënrealja jetësore te ajo mendësore dhe anasjelltas? Apo jeta reale fizike nuk ka se çfare fsheh, ajo është thjesht një shfaqje pa nënskenë, ndërsa përroi i brendshëm i njeriut ka qenë dhe mbetet vetë universi i vërtetë?
Madu:- Ti, si mendon, Përparim?
Unë:- Mendoj se gjithçka që ekziston ,që nga koha e mugëtirave dhe deri në amshimin transhedent, është një shfaqje jo e plotë dhe e saktë e shpirtërores, e cila , herë nuk është lexuar mirë, herë nuk është kuptuar si duhet dhe herë- herë është tradhtuar nga grykësia shtazore.
Madu:- Eh, më vure në mendime!
Gjithnjë ia kisha bërë vetes këtë pyetje:” Kush jam unë?”Dhe nuk gjeja dot përgjigje, sepse pyetja më vinte pa lejen time. Nga se jam i përbërë unë? Dhe tani që jam në Nekropol them se diçka kam pikasur në këtë algoritëm ekzistencial. Unë jam trup, mish, gjak dhe kocka , që më dhurohet nga fekondimi dhe që rriten nga ushqimi nënësor pak kohë e më tej nga mallrat e dyqanit. Pra, njerëzit janë produkte, si mallrat e tjerë, por mallra që hanë mallra. Si shpirt , unë jam blasfemi ndaj diktaturës, jam lexues papirusesh dhe krijues i poezive të pambaruara. Si zemër, jam një fëmijë që nuk u rrit kurrë për t’u bërë burrë apo plak. Si pasion, jam një djalë i dashuruar me dlirësinë!
Unë:- Madu, pse mendimi ka nevojë për metaforizmin? Mos ndoshta të vërtetat e formuluara si përkufizime janë klishe që të lodhin dhe që pengojnë mendimin të ribëhet nga vetja, për veten dhe për një ripërtritje të shpirtit njerëzor inpersonal?!
Madu:- Metafora e shpëtoi mendimin, njeriun dhe botën nga uniformiteti. Pa të, gjuha dhe peizazhi i saj do ishin si rreshtat e ushtarëve në garnizon. Duket sikur falë saj përpiqemi të përngjasojmë tipare të largëta të gjërave që përafrojnë artistikisht, por edhe kjo nuk mjafton.Dyert e së panjohurës janë kaq të çuditshme, saqë , për t’i hapur , duhen bashkuar ato që duken kaq larg me njëra- tjetrën, por që kanë tunele të nëndheshme. Metaforat kanë një alfabet muzikor nga më të pasurit, dhe e di pse? Sepse vetëm ato kanë magjinë e lindjes së asaj që nuk kishte ekzistuar më parë dhe kjo në mënyrë të pafundme. Unë nga kjo sëmundje u sëmura. Nga padurimi nën pushtetin e klisheve brohoritëse dhe hyra si një naiv në botën e paanë e të thellë të kombinimeve metaforike. Një lloj matematike që të bënte që gjithçka ta përjetoje ndryshe: edhe shikimin, edhe puthjen, edhe ndarjen dhe të ndërmjetmen jetë- vdekje , dhe ikjen pa kthim. Stilistika metaforike nuk është çështje gjuhësore…Po e patë dhe e vlerësuat kështu, është njësoj sikur të njehsoni të brendshmet e linjta me trupin e bukur, erën e fortë të parfumit me aromën e lëkurës së dehur.
Unë:- Pra, metafora nuk fsheh, por të udhëdrejton te e fshehura që i jep kuptim qenies njerëzore dhe frymës e të ekzistuarit. Metafora letrare është fizike, metafora shpirtërore është takim me shpirtin dhe pulsimin e tij krijues?!
Madu:- Po, Përparim i dashur, pikërisht!
Unë:- Sa më kishte munguar kjo bisedë, kjo botë e shenjësimit , e digjitalitetit të frymës dhe buzëqeshja jote, JamArbër Petro Safo Marko…!
Madu:- Mungesat korrigjohen, kur dashuria nuk ndalet në objekte që preken dhe shijohen… Duhet që , kësaj bote të dërmuar, t’i mbledhin gjymtyrët dhe t’i ushqejnë mendjen, sepse po vrapon si e çmendur, por nuk e sheh dhe nuk do ta pranojë se po çalon… Të lutem, çfarë dite është sot andej nga ju?
Unë:- Nuk është e shtunë…, ajo dita me pelerinë të vjetër të botës , si në poezinë tënde, është e mërkurë…
Madu:- Ah, ah…! Një ditë që ka dhe ajo misteret e saj…, por unë nuk do të kthehem…
Unë:- Siç e thua në poezinë tënde:
… Nuk do kthehesha
për të provuar po atë gjë që
kanë jetuar të tjerët…
Madu:- Pikërisht, sepse një kthim i tillë do të thoshte të dorëzoja me tradhti lirinë time…
Unë:- Faleminderit, JamArbër- Liria !
P.Kabo. 6 shtator 2023. Jamarbër Petro Marko, ky i burgosur i ndërgjegjes, e la këtë botë më 4 shtator 2010.