Papa Françesku gjatë takimit ekumenik ndërfetar të dielën në Ulan Bator
Në ditën e fundit të udhëtimit të tij në Mongoli, Papa nënvizon forcën e besimit dhe kritikon përsëri konfliktet, të cilat sipas tij mund të zgjidhen përmes takimit dhe dialogut.
VOAL- Papa Françesku lartësoi fuqinë e fesë për të zgjidhur konfliktet dhe për të promovuar paqen të dielën, në ditën e fundit të vizitës së tij në Mongoli, gjatë së cilës ai kërkoi të krijonte lidhje me Kinën fqinje. Duke folur në një takim në kryeqytetin Ulan Bator me dhjetë liderë të besimeve të ndryshme, pontifi 86-vjeçar ftoi liderët politikë që të frymëzohen nga feja duke zgjedhur “rrugën e takimit dhe dialogut”.
“Fakti që jemi bashkë në të njëjtin vend është tashmë një mesazh: traditat fetare, në origjinalitetin dhe diversitetin e tyre, përfaqësojnë një potencial të jashtëzakonshëm për të mirën në shërbim të shoqërisë”, tha Papa gjatë takimit të mbajtur në teatrin Hun që i ngjan një yurt tradicional mongol.
“Nëse liderët e kombeve do të zgjidhnin rrugën e takimit dhe dialogut me të tjerët, ata do të jepnin një kontribut vendimtar për t’i dhënë fund konflikteve që vazhdojnë të bëjnë kaq shumë popuj të vuajnë”, shtoi ai, duke cituar gjithashtu fraza nga Buda dhe Gandhi. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të Budizmit dhe Shamanizmit – dy besimet e shumicës në Mongoli – si dhe të Islamit, Judaizmit, Hinduizmit dhe Kishës Ortodokse Ruse, secili prej të cilëve iu drejtua Papës në një fjalim të shkurtër.
“Vëllezër dhe motra, sot ne mblidhemi së bashku si trashëgimtarë të përulur të shkollave të lashta të urtësisë. Në takimin tonë me të tjerët, ne duam të ndajmë thesarin e madh që kemi marrë, për të pasuruar një njerëzim të humbur kaq shpesh nga ndjekja dritëshkurtër e fitimi dhe mirëqenia materiale”, tha më pas Papa, duke cituar gjithashtu një shkrim të Budës që thotë “të mençurit gëzohen duke dhënë”, duke theksuar se është e ngjashme me thënien e Jezusit: “Është më bukur të japësh sesa të marrësh. “.rsi-eb