Mishel Fuko së bashku me Maks Weberin janë dy “mësues” të mëdhenj të politikës që i kanë mëshuar shumë parimit, se politika u takon profesionistëve, por si janë sjellë vallë këta “lloj” profesionistësh në politikën shqiptare? A s’është vallë në pikën e vet më të lartë të krizës përfaqësimi demokratik i kësaj legjislature kur përfaqësimin në demokraci një tjetër filozof i studimeve politike e ka quajtur si një “kompeticion midis elitash”?
Për të qenë të vërtetë, cilësia e përfaqësimit ose përbërja e parlamentit shqiptar ka filluar të bjerë dramatikisht që prej një dekade, duke mos pasur më në vetvete atë plejadë të tërë njerëzish të kulturës, dijes e profesionizmit, ata njerëz të idealit (qoftë të majtë apo të djathtë) që politika arriti t’i përfaqësonte në gjirin e vet në periudhën menjëherë pas shembjes së regjimit komunist.Kur u ngjit shkrimtari Dritëro Agolli në arenën e së majtës pa asnjë dyshim se ai bëri një hop cilësor në politik duke ngjallur më shumë besim dhe duke tërhequr më shumë me vete votues që ishin pjesë e këtij spektri, por kjo u shoqërua edhe me një sjellje të arsyeshme politike të tij në raport me të gjithë duke u bërë shembull i arsyes politike pavarsish nga ideologjia që ai besonte. Paralelen e saj në fakt në këtë drejtim e promovoi më herët Partia Demokratike, kauzën e së cilës e përqafuan me dhjetra regjizor, mjekë,inxhinierë, studiuies dhe intelektualë të cilët kishin krijuar një profil më të qart publik para se të merreshin me politikë dhe njerëzit u besonin.
Ata i kontribuan frymës që i duhej kësaj partie dhe ndihmuan qartësisht në ngritjen e besimit ndaj këtij formacioni. Ishte fillimi i tranzicionit në shpresat dhe pritshmëritë e mëdha ai që e frymëzoi këtë simbiozë. Pastaj politika bëri udhën e vet e një pjesë e inteligjencës dhe elitës shqiptare u tërhoq në aktivitetin e saj të përditshëm edhe për shkak të zhgënjimit nga politika. Legjislaturat vijuan ta humbnin joshjen tërheqëse dhe inkurajuese të intelektualitetit shqiptar në të gjitha fushat, duke e varfëruar deri në shterpëzim trupin e të përzgjedhurve të shqiptarëve ku në se marrim si referenc sot Partinë Socialiste që përbën edhe mazhorancn qeverisëse ajo është një shkretëtirë e vërtetë e mbushur me hajna, trafikant, njerëz të botës së krimit etj,etj. Po megjithatë, s’është vetëm kjo masa apo arsyeja kryesore për ta dëshmuar në krizë këtë përfaqësim. Nëse deri para këtyre dy legjislaturave mund të flisnim, me plot të drejtë, për një rënie të theksuar të vlerave e cilësive individuale të saj krahasuar me legjislaturat e mëparshme, zbardhja dalëngadalë e skandaleve, mashtrimeve e pjesëmarrjeve nëpër krime, afera të pista e deri në burgimin apo dënimin me arrest-shtëpie, ndjekje penale të zv.kryeministrit, disa ministrave, deputetëve e kryetarë bashkie, i dha përfaqësimit të sotëm cilësimin si më të përlyerit e më të njollosurit trupë parlamentare e të gjithë kohës së demokracisë shqiptare.
Madje për të qenë realistë, askush s’do të arrinte ta besonte ndonjëherë që pas 30 e tre vitesh, gjendja e përfaqësimit tonë të hynte në një krizë të atillë kulmore sa nevojitej që ajo me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve u tentua të zgjidhej me një ligj të veçantë, me ligjin e aq shumë përfolur të dekriminalizimit. Është pikërisht ky ligj damkosja e kësaj legjislature me nofkën e “atrofizimit” më të pashembullt të vullnetit të popullit, e kësisoj edhe të formës së qeverisjes në të cilën ndodhemi, si e keqja më e madhe që mund t’i shkaktohej shoqërisë së brishtë e të përvuajtur shqiptare, nëpërmjet bllokëzimit apo shfuqizimit të dialogut mes qytetarëve dhe institucioneve. Gjithkush ka parë dhe po shikon çdo ditë edhe sot, madje më shumë se kurrë gjatë këtyre viteve, “ecejaket” nëpër salla gjyqesh e emisionesh televizive të sa e sa deputetëve, kryetar bashkishë, e zyrtarë të tjerë të lartë qeveritar, për të mbrojtur veten nga akuzat, pa menduar ndonjëherë se ç’bëhet me detyrimin e tyre parësor, atë të përcjelljes në parlament të zërit të njerëzve?
Ndoshta, qemë mësuar me paaftësinë e profesionistëve të politikës, por kurrë ndonjëherë me “kriminalizimin” e tyre të pa imagjinueshëm siç po ndodh me panoramën e skandaleve të korrupsionit. Flitet shpesh për faktin se qytetari i zakonshëm është bërë qartësisht indiferent ndaj politikës, e për pasojë abstenues në votim. Por, nisur nga kjo gjendje në të cilën ndodhet sot përfaqësimi i tij politik, me shumë gjasë do të qe më mirë të flitej për një “përbuzje” të qytetarit ndaj politikës. E kjo britmë përbuzje nuk duhet anashkaluar, përkundrazi duhej trajtuar me shumë kujdes, sidomos nga opozita e sotme, që sigurisht po lufton që nesër të jetë në drejtimin e vendit, për të shëruar shumë plagë të mavijosur për të gjithë shoqërinë nga keqë qeverisja e sotme. Ligji i dekriminalizimit është, duhet zbatuar, por kjo nuk është asgjë para këtyre problemeve të mëdha. Një ligj i pashkruar etik dhe moral, për partitë, përfaqësuesit e tyre duhet të bëhet yll polar i përzgjedhjes së vlerave më të larta kulturore dhe profesionale të këtyre profesionistëve dhe kjo do ndryshonte diçka në besimin e njerëzve.
Partia Demokrtatike memdoj se e ka ndjerë këtë problem dhe është shprehur se ka një projekt për këtë ndryshim në politikën e saj. Por duhet të ketë ritme më të avancuara, që të arrihet shërbimi i duhur në kohë. Nuk kanë mbetur as dy vjet nga zgjedhjet parlamentare. Tërheqja dhe përfshirja e mjaft figurave me kredenciale morale, publike dhe profesionale të provuara, nuk është se do jetë e vetmja zgjidhje radikale për pritëshmërinë e fitores, por së paku do ngacmojë mëndjet mosbesuese të shumë njerëzve, sidomos të shtresës gri, për të besuar më shumë tek vlerat kombëtare, kulturore, demokratike ,morale dhe shtetëformuese të Partisë Demokratike.
Përndryshe populli do t’ia kthejë përfundimisht shpinën gjithë sistemit politik më keq nga çfarë u bëri edhe zgjedhjeve të pushtetit vendor më 14 maj e do të priret kah përmbushjes së interesave të tij në rrugë të tërthorta.