Tashmë u bënë 10 vjet që kryeministri organizon konferenca, evente, mbledhje dhe simpoziume për të njoftuar pasurinë që do të na vijë nga zbulimet e naftës në Shpirag. Njoftime të ngjashme me këtë të sotmin ka bërë në vitin 2014, pastaj në 2016-n, në 2019-n, vjet në korrik dhe tani me ç’duket i duhet sërish një lajm që të mahnitë qytetarët dhe të japë shpresë në të ardhmen.
Një ditë më parë postimi i këtij lajmi nga vetë kryeministri shpërtheu rrjetin brenda 1 ore, dhe nga pikëpamja e fushatës së marketingut personal, nafta e Shpiragut ka ngjitur dhe ushqyer ndër vite ëndrrën e shqiptarit se pa punuar, një mëngjes do të zgjohet dhe do ta shohë veten të pasur. Edhe veshjet që kishin antarët e kabinetit ishin shumë të bukura, fotografitë dhe pozat akoma dhe më të bukura. Këtu, atij zotërisë që i bën PR-n i shtrëngon dorën dhe i thua “Të lumtë!”.
Puna është se prapa gjithë kësaj fushate që po zgjat prej dy ditësh dhe që është propaganduar shpesh në të shkuarën, dallohen dy probleme me të cilat një udhëheqës i ndershëm nuk do të bënte pazar. I pari është etik dhe lidhet me tentativën e mashtrimit të publikut disa herë me fushata të tilla, dhe tjetri financiar. Pra, kryeministri organizon udhëtime, takime, konferenca, shpenzon orë pune të tij dhe administratës me taksat tona, që të na gënjejë po ne.
Po përse kjo histori duket si trillim? Potenciali për naftë në zonën e Shpiragut është zbuluar këtu e 2 dekada më parë nga një kompani e vogël. Pusi i parë nuk kishte leverdi ekonomike dhe u braktis. Kërkimet i nis më pas Petromanas që gjen potenciale të mëdha dhe naftë cilësore dhe i shet të drejtat e kërkimit kompanisë Shell. Njoftimi zyrtar i fundit i Shell për ecurinë e kërkimeve është në 2019-n. Në një shtesë kontrate me qeverinë tonë të nënshkruar vjet, i jep vetes 7 vjet kohë për kërkime të tjera. Shell është po ashtu një kompani e listuar në bursë dhe lajme të tilla që është shumë afër nxjerrjes së naftës vetëm do t’i rritnin vlerën e aksioneve. Këtë ajo nuk e ka bërë, në fakt po e bën kryeministri.
Edi Rama tha sot në konferencë se “ Jemi në një fazë të avancuar dhe në prag të testimit përfundimtar”. Pra, në prag të testimit, i cili ende nuk është bërë. Po ashtu mes ngjyrave dhe florinjve të Lindjes së Mesme të fjalimit, dallohet një tjetër frazë “Informacionet lidhen me rezultatin e testit dhe nëse nuk bëhet e mundur nxjerrja, mbetet për një kohë tjetër kur teknologjia të avancojë.” Sërish asgjë e sigurt, asnjë lajm i ri. Lajm i ri nuk ishte as investimi me vlerë 7 miliard euro i Shell, se është thënë dhe vjet nga zv/kryeministrja Balluku.
Nëse nafta në Shpirag do të nxirret dhe pasurojë Shqipërinë, do të gëzohesha pa masë, dhe besoj jo vetëm mua, por këdo që jeton dhe do vendin e tij. Çështja është që kjo histori po përdoret për të fituar pikë politike nga një qeveri që ka frikë të dalë në media nga skandalet që e kanë mbuluar dhe i duhet një shkak apo një shpresë. Ironia është që të gjithë këtë, ajo e financon me taksat tona, ndërsa edhe në pastë diçka të vërtetë, mburrjet i bën me punën e një kompanie private.
Në një film që po shihja (Miss Sloane), një senator që merrte urdhra nga lobi i armëve, tentoi t’i bënte rezistencë kërkesës për të thirrur një person për dëgjesë publike, m.q.s. dëgjesa zhvillohej me taksat e amerikanëve. Melonit nuk i kanë mbaruar telashet për 80 euro faturë që tha fillimisht se u pagua me paratë e buxhetit të shtetit, dhe debate të ngjashme kanë rrezikuar postin e krerëve të shtetit në rajon se i kanë bërë një xhiro me anijen shtetërore homologut. Këtu tek ne nuk ka asnjë ndjesi, asnjë reagim. Përkundrazi, jemi shumë të lumtur me përrallat që na tregon mbreti.