Dihet se politika e jashtme e një shteti orientohet nga strategjitë e interesave të cilat i vendos dhe angazhohet për t’i mbrojtur si interesa kombëtare brenda kuadrit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Si njerëz të përpjekur dhe me kontribute të njohura brenda dhe jashtë Shqipërisë jemi përpjekur përgjatë 30 vjetëve në krye të Institurtit të Çështjeve Kombëtare (Albanian Institute of National Affairs) të mbështetim sa herë na është dhënë rasti të drejtat e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi para dhe pas shpalljes së pavarësisë. Kur Kosova shpalli pavarësinë e saj si Republikë më vehte dhe krijoi me ligj institucionet e saj atëhere ne si organizata të pavarura me ndikim në arenën ndërkombetare në fushën e paqes dhe zgjidhjes së konflikteve u tërhoqëm për ta lënë atë në dorë të vetë institucioneve të saj. Por kjo nuk do të thotë që ne të mos jemi të pandjeshëm mbi çështje të rëndësishme të vendit lidhur me demokracinë funksionale, keq qeverisjen, korrupsionin, sundimin e ligjit, shkeljen e të drejtave të njeriut apo dhe me mënyrën se si e trajton qeveria kosovare elitën intelektuale të Kosovës.
Në këtë kontekst ne kemi ndjekur në distancë veprimtarinë e shërbimit të jashtëm të Kosovës dhe prezantimin e saj në botë. Duke qenë përpara një shteti të ri i cili ende nuk ka mbushur një dekadë e gjysëm jetë është normale që të ketë edhe probleme. Dihet se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është themeluar në muajin mars 2008. Në themel të saj ligji nr. 03/L-044 për Ministrisë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 13 mars 2008, përbën njëkohësisht edhe gurin e themelit të shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës.
Personalisht kam patur fatin të njoh dhe të takoj gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë kohore shumë diplomatë të Kosovës që shërbejnë në Shqipëri, Europë, UK, Azi, Turqi etj dhe për disa prej tyre kam krijuar një respekt maksimal duke i cilësuar ata me të drejtë si asete të vyera për diplomacinë kosovare. Por nga ana tjetër nuk mund të hesht dhe të aprovoj teksa dëgjoj lloj-soj historish vulgare të ndonjë shefi të misioneve të Republikës së Kosovës në botë, të cilët sillen dhe e konsiderojnë Ambasadën si çifligun e tyre, ndonëse dukshëm tregojnë se janë jo vetëm të pa aftë profesionalisht, pa kurrëfarë merite, por edhe duke keqtrajtuar stafin e tyre diplomatik. Kjo është e papranueshme!
Në dijeninë time, jo vetëm unë, por edhe personalitete të tjerë të botës shqiptare, nisur nga qëllimi i mirë për të konsoliduar më tej parimet demokratike në ndërtimin e institucioneve por edhe shërbimin e jashtëm kosovar, për probleme të kësaj natyre ua kemi përcjellë drejtpërdrejtë ose përmes institucioneve tona krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës, përfshirë edhe ministrin e linjës përgjegjëse, por me keqardhje vërejmë se pak gjëra kanë ndryshuar këto vite dhe për ironi të fatit akoma më keq del në pah feudalizmi i ndonjë shefi të misioneve diplomatike kosovare që shtrihet nga Prishtina në Romë dhe anasjelltas…. Rasti më i paprecedent dhe më i freskët, historitë e së cilës kur i dëgjon të intrigojnë dhe të bëjnë të mallkosh origjinën e vendit ku ke lindur, të cilit ti mund ti kesh kushtuar edhe jetën tënde është ai me zonjëzën Lendita Haxhitasim, amabsadore e Kosovës në Itali. I ngazëllyer nga historitë e saj që dëgjon në çdo kafe mes diplomatësh, e cila për nga sjellja dhe qasja e saj të jep natyrshëm përshypjen e një njeriu që duhet të mbajë në supet e saj grada e shërbime të shquara për nga merita ndaj shoqërisë kosovare përderisa e kanë graduar si ambasadore. Nisur nga sa më sipër, u përpoqa të krijoj identiktin e saj, por askund nuk gjeta një CV zyrtare të saj. Në ndihmë për kërshërinë time më erdhi faqja e saj në Linkeldin dhe faqet e disa rrjeteve sociale. Me pak fjalë zonjëza Haxhitasim, sipas shënimeve të saj ka hyrë në shërbimin e jashtëm të Kosovës në vitin 2010 dhe pas nëntë vitesh punë në vitin 2019 ajo është katapultuar natyrisht pa asnjë meritë si Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës më e re në Itali. Në këto rrethana, ajo më 5 dhjetor 2019 i paraqiti Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës së Italisë, Sh. T. Z. Sergio Mattarella. Dy muaj më vonë nga Tirana, shkak që duhet të hetohet ky skandal si një konflikt interesi edhe nga autoritetet shqiptare, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Gent Cakaj, i katapultuar dhe ky nga Kryeministri Rama jashtë çdo kriteri ligjor në krye të diplomacisë shqiptare i emëron Romeon e saj, si diplomat shqiptar në Itali, Francesk Fusha, i cili rezulton se ishte betuar vetëm pak muaj më parë në Tiranë, duke u prezantuar ky dhe disa të tjerë atë ditë me bujë nga vetë ministri si brezi më i ri i diplomatëve shqiptarë. Duket që pas emërtimit si diplomat i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Itali një dashuri kosovaro-shqiptare mori krahë dhe tetë muaj më vonë më datë 06.11.2020 Ambasadorja beqare e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim dhe diplomati shqiptar në Ambasadën e Shqipërisë në Itali, Francesk Fusha janë martuar.
E gjithë kjo histori në dukje nuk do të kishte ndonjë vëmëndje përveçse titujve të ndonjë prej gazetave rozë, nëse nuk do të binte në sy sjellja e saj skandaloze ndaj kolegëve kosovarë dhe atyre shqiptarë ku marrëdhënet mes dy ambasadave janë ngrirë… Zakonisht këto lloj martesa do të shtonin dashurinë dhe miqësinë reciprokisht midis dy vendeve tona vëllazërore, por jo të sillte tërbimin e pa anë të shoqes Lendita Haxhitasim, sidomos ndaj kolegëve dhe ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Romë, një zonjë e nderuar, me kulturë të gjerë dhe me karierë të gjatë në diplomacinë shqiptare.
Me tu bërë shefe misioni, kjo thonë haptazi disa kolegë të saj, u be bejlereshë. Askush si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë nuk e gjen dot burimin e fuqisë së saj! Çfarë triumvirate? Por arroganca dhe bruitaliteti i saj nuk përfundon këtu. Nëse i referohesh rasteve të denoncuara në institucionet kompetente të Kosovës, ndaj sjelljes së saj ndaj diplomatëve si p.sh. znj. Dafina Bakija dhe Albina Gerxhalliu, e cila u detyrua të japë doreheqjen nga puna përballë agresivitetit në rritje dhe keqtrajtimit të saj. Dihet se Padituria me ndjenjën e inferioritetit që manifeston në funksione të tilla të larta, fyerjet, nënvlerësimi i punës së tjetrit, keqpërdorimi i kompetencave zyrtare dhe menaxhimi i keq i misionit diplomatik në Itali është pasaporta me të cilën ambasadoresha tregoi veten e saj në mënyrën më të keqe. Me të drejtë lind pyetja si ka mundësi që nga katër diplomatë që ka përfaqësia e Kosovës në Romë, tre prej tyre shpallen të padëshirueshëm nga vetë ambasadoresha dhe kjo na del fanar ndriçues në oborin e perandorisë Romane?!
Më i fundit, që ka ndjerë peshën e veprimeve të saj që nuk njohin asnjë limit është edhe miku dhe studiesi i mirënjohur zoti Bejtulla Destani. Të kontaktuar prej meje për të marë më shumë informacion si zonja Bakia ashtu dhe zoti Destani e konfirmuan rastin e mosmarrëveshjeve të tyre me ambasadoren Haxhitasim por refuzuan në mënyrë kategorike të komentojnë më tej thelbin e këtyre mosmarrëveshjeve, pasi ata kanë ushtruar më parë të drejtën e tyre të mbrojtjes, konform kërkesave të ligjit, duke paraqitur ankimet e tyre në organet përkatëse dhe presin vendimarrjen e tyre.
Për të gjitha rastet, jo vetëm në rastin e zotit Destani, jo si një mik dhe bashkëpunëtor i vjetër, por duke vlerësuar lartë kontributin e tij të jashtëzakonshëm për pasurimin e historiografisë shqipare e ndjej për detyrim moral dhe profesional të mbaj qëndrim kundër një sjelljeje të tillë të papërgjegjshme ndaj një prej njerëzve më të shquar të Kosovës dhe mbarë shqiptarisë në çështjet e historisë dhe të evidentimit të kontributit të të huajve për Kosovën dhe Shqipërinë. Me zotin Bejtulla Destani jemi njohur diku nga viti 1993-1994 bashkë me Prof. Dr. Luan Malltezin, i cili në atë kohë ishte kreu i Akivave të Shtetit të Shqipërisë, ndërsa Bejto studionte dhe punonte pa u lodhur dhe në kushte mjerane pa kurfarë ndihme financiare si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova e cila atë kohë ishte nën sundimin e Serbisë pranë arkivave Britanike duke i bërë një shërbim të shquar historiografisë sonë të deformuar nga regjimi komunist përmes publikimit të dokumenteve të reja por edhe mbajtjes së kontakteve me familjarët e personaliteteve të huaja që kishin kontribuar për Kosovën dhe Shqipërinë përmbi një shekulli. Kjo besoj se është edhe zanafilla patriotike e veprimtarisë së zotit Destani, për të cilin të mos e fsheh, ne e shikonim me adhurim që tre dekada më parë për arritjet e tij profesionale. Ndërsa panorama e ambasadoreshës si personazh i çudirave, një çupëlinë nga Peja që atë kohë mund të luante me kukulla ose maksimumi të pastronte oborin e shtëpisë nga bora apo gjethet e rëna nga era… Ndodh edhe kështu?!…
Por fajet për këtë situatë të rëndë dhe të papranueshme gjykoj se i ka jo vetëm Ministria e Jashtme e Kosovës, por edhe kreu i qeverisë dhe institucioni i Presidentit të Republikës, të cilët në vend që të disiplinojnë duke e frenuar nga ekseset zonjëzën ambasadore apo ta tërheqin parakohe nga misioni ata preferojnë të gjejnë si zgjidhje kthimin në Ministri të këtyre diplomatëve, sikundër rezulton rasti më i fundit i një diplomati me karierë të gjatë si zotin Destani, duke i berë kështu një dëm të madh jo vetëm diplomacisë por edhe kulturës dhe albanologjisë në tërësi. Po çfarë mund të bëjë zoti Destani në Prishtinë kur ai është larguar prej saj mbi 40 vjet më parë dhe për më tepër nuk ka as familjen aty, kur fare mirë ai mund të vijojë të japë shumë mirë kontributet e tij si përherë ku krahas detyrës së tij funksionale të punojë si gjurmues dhe grumbullues dokumentesh të rëndësishme arkivore, studiues e botues i apasionuar i materialeve arkivore e bibliografike që ndriçojnë historinë e kulturën tonë shqiptare përgjatë shekujve, këtë vetëm drejtuesit e shtetit dhe të Ministrisë së Jashtme e dijnë? Askush prej drejtuesve të shtetit të Kosovës nuk mund të pretendojë se nuk kanë dijeni mbi këto raste sepse jemi të sigurtë që shumë dashamirës të vlerave dhe kulturës ka trokitur domosdo në dyert e tyre për të mbrojtur vlerat që nëpërkëmben kaq harbutërisht. Në nenin 3 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme Ministrinë është sanksionuar se “MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME DHE SHËRBIMI DIPLOMATIK I REPUBLIKËS SË KOSOVËS, TË CILAT PËRBËJNË MINISTRINË DHE PERSONELIN E SAJ NË AMBASADAT JASHTË, JANË PJESË E QEVERISË SË KOSOVËS”. Në këtë kuadër, Ministri/ja e Punëve të Jashtme bën menaxhimin e Ministrisë, Ambasadave, gjithnjë në koordinim me Kryeministrin dhe Qeverinë, por duke u konsultuar edhe me Presidentin e Republikës, si dhe duke i raportuar Kuvendit të Republikës.
Në anën tjetër, misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës duhet gjithmonë të ruajnë pa anësinë e tyre politike, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojnë që të bëhen subjekt i përpilimit të qëndrimeve të cilat nuk janë në linjë me qëndrimin zyrtar të krerëve institucional. Për këtë arsye, në momentin e punësimit në shërbimin e jashtëm, diplomatët e Republikës së Kosovës parashihet që duhet të pushojnë çfarëdo lloj aktiviteti politik në të cilin kanë qenë të angazhuar më herët, duke u bazuar në pikën 1.2 të nenit 32 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Por ky detyrim ligjor nuk mund të ekzistojë për zonjën fuqiplotë Haxhitasim-Fusha, i cili obligon që “nëpunësi i shërbimit të jashtëm ka për detyrë të pezullojë aktivitetin e tij në një parti, organizatë ose shoqatë politike gjatë periudhës në shërbimin e jashtëm”. Referuar faqes së internetit të Institutit për Studime Politike Ndërkombëtare (Istituto per Gli Studi di Politica Internazionale -ISPI), i njohur ndryshe si institucioni i parë i mendimit italian i dedikuar studimit të dinamikës ndërkombëtare, zonja Lendita Haxhistasim rezulton si anëtare me titull, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, së bashku me bashkëshortin e saj Francesk Fusha, njëkohësisht diplomat i Republikës së Shqipërisë në Romë!?
Dihet se Ambasadat dhe Konsullatat kanë për mision përfaqësimin e vendit, dhe mbrojnë interesat e shtetit, në ato vende ku janë të akredituara (ambasadat), si dhe në rrethet/distriktet (konsullatat). Legjislacioni aktual i cili është në fuqi dhe rregullon fushën e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës duket se lë disa fusha të pambuluara, duke e lënë këtë në diskrecion të Ministrit të Punëve të Jashtme për të vendosur ecurinë e punëve në Ministri dhe nëpër misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër emërimet politike duket se cënojnë integritetin e këtij shërbimi. Kjo ka lënë shumë hapësirë për keqpërdorim, sidomos tek çështjet e rotacionit dhe atë të emërimeve nëpër misionet diplomatike dhe konsullore. Mos përcaktimi i rregullave të qarta ka lejuar dhe lejon që politika të interferojë që nga procesi i rekrutimit të diplomatëve të rinj deri te gradimi i tyre, emërimi në misione diplomatike, si dhe tek rotacioni i tyre, duke u zgjatur mandatin atyre të cilët kanë mbështetje politike edhe në rastet kur me ligj specifikohet ndryshe. Në mënyrën se si funksionon aktualisht Shërbimi i JashtëmiI Kosovës, të gjithë shërbyesit në misione të cilët kanë grada diplomatike dhe konsullore, janë subjekt i trajtimit të barabartë financiar në përuthje me gradën të cilën mbajnë. Kjo gjë e bën të vështirë funksionimin adekuat të misioneve, por edhe jetesën e diplomatëve për shkak se standardi i jetesës dallon nga njëri vend në tjetrin dhe është trajtim i padrejtë kur të njëjtën pagë e marrin si diplomatët të cilët shërbejnë në Prishtinë për shembull, me ata që jetojnë në vende të tjera. Vlen të përmirësohet dhënia e gradave diplomatike dhe duhet të saktësohet dhe roli i ministrit për dhënien e gradave nga ana e Komisionit të Gradave dhe Disiplinës. Ministrit mund t’i lihet e drejta, sipas kritereve të përcaktuara në ligj për të shtuar një gradë më tepër se sa ajo që ka rekomanduar Komisioni, mirëpo kjo nuk duhet lënë në diskrecion të tij, uljen e gradës të cilën e jep Komisioni, për t’ju shmangur një herë e mirë ndëshkimit të padrejtë sikundër ka ndodhur më parë, si dhe padrejtësive të tjera të mundshme që bëhen për motive personale.