Duke parë një foto të Richard Grenell me Çim Pekën të shoqëruar me një status të tij botuar tek syri.net reagova në rrjetin social si më poshtë: “Syri.net me strategun Çim Peka është i verbër”.
Pati edhe komentues që reagimin tim e gjetën të papërshtatshëm se iu “bie ndesh interesave të PD-së, pasi në Shqipëri shtypi është i uzurpuar nga PM Edi Rama!”
Si bashkëbotuese, mund të them me plot gojën se Voal.ch është një medium i lirë që shpreh qëndrimet e pavarura nga politika dhe konform interesit kombëtar, që do të thotë se largimin e Edi Ramës nga pushteti e sheh obligues, por kjo s’do të thotë që të mbajë qëndrime konformiste ndaj establishmentit të PD, ku përfshihet padyshim edhe Çim Peka, sepse ky establishment e ka sjellë në pikën më kritike këtë forcë politike.
Së pari, duhet të theksoj se, qëkur Syri.net u bë ekran për Baton Haxhiun i zhgënjeu mbështetësit e PD dhe elektoratin, prandaj mendoj se elementët me integritet brenda PD-së duhet të distancohen prej tij!
Tek Çim Peka është i ftuar i përhershëm Alban Dudushi. Ky i fundit, ndërkaq, fton në mënyrë të përhershme tek emisioni i tij Avenir Pekën. Dhe kështu muhabeti shkon vaj, ndërsa etika për vaj me det!
Por, pa humbur kohë, po e sjell statusin e Çim Pekës që më bëri të dal me qëndrimin tim në rrjetin social:
——————————
“Shënime nga një bisedë me ambasadorin Richard Grenell.
Gjatë një bisede kafeje me ambasadorin Grenell në Shqipërinë e Jugut këtë verë, tre të dhëna nga ai:
1- Le të themi që në listën e 50 politikanëve më të korruptuar në Ballkan, me sa di unë, Berisha nuk duhet të jetë objektivi i sanksioneve amerikane. Republikanët kanë kërkuar të shohin provat e Blinken dhe ai nuk ka treguar asnjë. Dyshoj në ato prova.
2- Këmbimi i territoreve për Kosovën dhe Serbinë nuk është diskutuar asnjëherë nga unë dhe nuk kam dëgjuar askënd ta diskutojë këtë kur isha në qeveri. Prandaj, ajo kurrë nuk iu prezantua Presidentit Trump. Zgjidhja më e mundshme është normalizimi i marrëdhënieve përmes shkëmbimeve ekonomike.
3- Hashim Thaçi po mbahet padrejtësisht në Hagë dhe përgjegjës është Jack Smith.
P.S. Rick Grenell nuk është as antishqiptar, as pro-serb. Ai thjesht ka punuar dhe vazhdon të punojë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Qëllimi i tij i vetëm është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ai beson fuqishëm se derisa trupat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë, populli i Kosovës nuk do të shohë kurrë një ekonomi të madhe. Cila kompani private perëndimore do të investojë në një vend që ka nevojë për sigurinë e NATO-s për të ruajtur paqen?!”
————————–
Çim Peka tek pika 1. konsumon me demek hallin e Doktorit, diçka tashmë të konsumuar shterrshëm nga Grenell tek studio e Çim Pekës edhe në intervistën e tij me Grida Dumën. Pra tema e non-grata ishte sa për të larë gojën, për t’i treguar Doktorit sa Çim Pekës i digjet shpirti për të!
Në pikën 2, se tek Trump nuk është hapur tema e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë dhe se Grenell e sheh normalizimin midis dy vendeve përmes shkëmbimeve ekonomike është një bullshit. Si mund të ketë normalizim të shkëmbimeve ekonomike kur të gjitha marrëveshjet e firmosura prej 2013, nga nisja e dialogut në Bruksel e deri sot, përfshi edhe targat, nuk janë implementuar nga Serbia, çka do të krijonte lehtësi të interesit bilataral!
Ndërsa ASM është ndarja mbi baza etnike në Kosovën multietnike në Kushtetutë, si një Republikë Sërbska! Nuk ka vend në BE që pakicat të respektohen si pakica serbe në Kosovë, por ASM është në funksion të destabilitetit. Kosovën është duke e vizituar këto ditë ish Kongresmeni Joe DioGuardi me eksperten e Ballkanit Shirley Cloyes dhe një grup nga bordi i AACL. Si Joe DioGuardi ashtu edhe Shirley përpara kamerave përsëritën të njëjtën gjë: I thanë jo ASM! Jo ASM-së i ka thënë edhe shefi i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Senatori Menendez.
Tek pika 3, Çim Peka në sintoni dhe rezonancë të plotë me Edi Ramën, sjell qëndrimin tashmë të njohur të Richard Grenell se “Hashim Thaçi mbahet padrejtësisht në Hagë dhe për këtë përgjegjës është Prokurori Amerikan Jack Smith”. Me gojën e tij, Riç Grenell ka treguar se ai me Thaçin dhe Vuçiç po përgatiteshin të nxirrnin jashtë ligjit Gjykatën Speciale, por ai bëri gabim që lajmëroi një zyrtar nga Thesari, i cili ia prishi planet! Rrjedhja e ngjarjeve tregoi se Riç Grenell i kishte bërë hesapet pa hanxhinë!
Që kur u ndryshuan administratat Richard Grenell është një person privat që bredh nga Serbia në Shqipëri dhe që lobon hapur për interesat serbe duke mbajtur qëndrime brutale ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, bile ai është nxitësi i rrëzimit të qeverisë Albin 1 dhe, po ta lexosh nëpër Twitter, sipas Grenell, shkaktar i trazirave të prillit është Albini dhe prandaj insiston për nxjerrjen nga burgu të Hashim Thaçit, duke ndërhyrë hapur në institucionin e drejtësisë. Ç’ne Çim Peka të merret me Prokurorin Jack Smith dhe Hashim Thaçin ?!
Kam lexuar në Twitter se si vetë Amerikanët Republikanë e konsiderojnë emërimin e tij pranë presidentit Trump një skandal që nuk do të përsëritet kurrë më që Grenell të shohë një zyrë publike me sy, por, për çudi, ai tani është kthyer në personazh për Çim Pekën dhe Syri.net, nën koperturën se Riç Grenell mbron Doktorin, pasi sjell të dhëna se administrata Amerikane nuk ka fakte për ta sanksionuar!
Mbas tri pikave, Çim Peka, si strateg i politikës së jashtme të PD, sjell konkluzionet! Sipas Çim Pekës, Grenelli nuk është “as antishqiptar dhe as proserb”. Çim Pekës i janë errur sytë, nuk e di se përse, por Grenell është dekoruar nga Vuçiçi me dekoratën më të lartë të shtetit serb me motivacionin se ka bërë “avokaturë të Serbisë”! Me këtë dekoratë Serbia ka nderuar Lavrovin. Pra, Grenell është dekoruar se ka mbrojtur interesat e Serbisë. Dhe interesat e Serbisë të Vuçiqit, Vulinit etj bien ndesh me interesat e Kosovës, ndërsa Çim Peka po i bën jehonë Riç Grenellit me dekorata, duke përdorur recetën demagogjike se “Rich Grenell kërkon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë!”
Por kulmi i aventurizmit dhe papërgjegjshmërisë së Grenell është teoria e largimit të NATO-s nga Kosova, çka bie direkt në kundërshtim të hapur me interesat e Kosovës, Perëndimit dhe vetë NATO-s.
Çim Peka përsërit në emrin e Riç Grenell “se prania e NATO-s në Kosovë nuk lejon investitorët e huaj”, kur është vice versa, se prania e NATO-s dhe bazës Amerikane Bondsteel është garanci për sigurinë dhe investimet e huaja.
NATO-n jashtë Kosovës e do Serbia e Vuçiqit, e do Rusia e Putinit, edhe Riç Grenell që avokaton për interesat e Serbisë!
Po Çim Peka që i bë jehonë Grenellit kujt i shërben?!
Interesave të PD natyrisht që jo e jo!
Ndërsa sa për Aleancën Veri-Atlantike, lufta në Ukrainë ka treguar se sa e rëndësishme është NATO në Kosovë dhe Ballkan!
Rroftë NATO!
Prandaj reagova në rrjetin social se: “Syri.net me strategun Çim Peka është i verbër”.
Çim Peka nuk përfaqëson opozitën e cila e ka domosdoshmëri të jetë denjësisht e përfaqësuar.