U nda nga jeta nga jeta gjuhëtari Bahri Beci anëtar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
Lindi në Shkodër, ku kreu dhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1958). Prej këtij viti ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë derisa doli në pension (1997). Në v. 1975-1977 kreu një specializim në fushën e fonetikës eksperimentale në Institutin e Gjuhësisë dhe të Fonetikës në Paris. Drejtor i IGjL dhe kryeredaktor i revistës Studime filologjike (1992-1997). Në vitet 1977 – 2001 lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Orientale (INALCO) në Paris.
Fushat kryesore të veprimtarisë së tij shkencore janë dialektologjia dhe fonetika. Ka botuar disa monografi e skica dialektore për të folmet e Luznisë, Reç-e-Dardhës, Grykës së Madhe (rrethi i Dibrës), për të folmet e krahinës së Matit dhe të Shkrelit (Malësi e Madhe). Krahas tyre ka botuar dhe artikuj që trajtojnë çështje të përgjithshme të studimeve dialektore, si klasifikimi i të folmeve
të shqipes, tiparet dalluese të dy dialekteve të saj dhe lashtësia e tyre, marrëdhëniet midis dialekteve dhe gjuhës letrare. Vepra kryesore në këtë fushë është Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës (1995). Është bashkautor i Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe . Në fushën e dialektologjisë historike dhe të historisë së gjuhës ka botuar përmbledhjen Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre. Autoktonia e Shqiptarëve në dritën e të dhënave të dialektologjisë historike shqiptare (2002). B.B. ka dhënë lëndën e fonetikës në UT dhe ka botuar tekstin Fonetika e gjuhës shqipe (2004).
Botime të tjera të tij: Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri (Pejë 2000), Probleme të lidhjes së shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit (Pejë 2002). Delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972).
Vepra shkencore e Bahri Becit karakterizohet nga sinergjia e studiuesit në ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proces formimi të thelluar bashkëkohor perëndimor. Kjo vepër, kjo trashëgimi, do të jetë gjithnjë këshilltare e domosdoshme e brezave të rinj të studiuesve. Miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët, studiuesit dhe studentët e tij të shumtë përulen me nderim para kësaj vepre.