Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mohoi të premten në mbrëmje dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ndërsa akuzoi siç tha, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara pёr mbështetje tё krimit”, për përpjekje për ta kthyer “ish sistemin e kalbur e tё korruptuar”.
Ai i bëri këto komente përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale disa orë pasi Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se arrestoi tre persona nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Mes tyre janë dy zyrtarë ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Hafiz Gara, drejtor për Rezervat Shtetërore dhe Irfan Lipovica, drejtor në Departamentin për Integrim Evropian, i cili më parë ishte sekretar në këtë ministri. I arrestuari i tretë sipas medias lokale është afaristi Ridvan Muharremi.
Operacioni pasoi publikimin e disa audio-regjistrimeve nga portali “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, të cilët gjatë një bisede pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.
Kryeministri Kurti tha se “97 për qind vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5 për qind të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore. Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
Kryeministri Kurti tha se qeveria e tij me përbën ndryshim rrënjësor kundrejt qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovës dhe “si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj”.
“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbështetje tё krimit. Edhe pse tё paktë nё numër, përfitimet e tyre kanё qenë shumëmilionëshe, andaj edhe nuk kanë se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po përpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artificiale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpërdorim tё detyrës zyrtare. Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.
Arrestimet e së premtes, nxitën reagimin e opozitës e cila kërkoi përgjegjësi nga zyrtarët e lartë qeveritarë.
Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj. janë pjesë e rezervave shtetërore që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast kizash kur këta artikuj mungojnë në treg.