Dukuria “SLAPP” e ka historikun e saj dhe të dëmeve që iu sjell lirisë së mediave dhe lirisë së mendimit në shoqëritë ku këto liri mbrohen.
Mjafton ta kërkosh në Google këtë akronim dhe do të vijnë menjëherë kryetituj të tillë pohues si “SLAPP-et- një sulm kundër demokracisë dhe lirisë së mendimit (SLAPPs – Ein Angriff auf Demokratie und Meinungsfreiheit), pyetës si “Çfarë është një padi SLAPP: përkufizimi, Qëllimi, Shembuj dhe Mundësitë e parandalimit” (Was ist eine SLAPP-Klage: Definition, Intention, Beispiele und Präventionsmöglichkeiten), sqaruese si “Përdorimi i SLAPP-eve për t’ua mbyllur gojën gazetarëve, OJQ-ve dhe Shoqërisë Civile” (The Use of SLAPPs to Silence Journalists, NGOs and Civil Society) dhe plot të tjerë të njërës dhe të tjetrës e të tjetrës natyrë.
SLAPP, Strategic Litigation Against Public Participation (Padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike) në anglisht, prej nga vjen ky akronim ka kuptimin e shuplakës, të goditjes në fytyrë, gjermanisht: Ohrfeige, Schlag ins Gesicht; italisht: schiaffo; frëngjisht gifle – është një akronim për të shprehur keqpërdorimin e ligjit, pra abuzimin me ligjin. Me një fjalë, SLAPP-et janë abuzime me ligjin.
Kjo dukuri në Shqipëri mori përmasa të revanshizmit antidemokratik në Shqipëri, sidomos pas vitit 1997, kur, krahas atentateve ndaj gazetarëve, u bënë gati të përditshme paditë “për shpifje dhe fyerje”. Çdo kritikë ndaj regjimit të ardhur me dhunë të përgjakshme quhej “shpifje dhe fyerje” në paditë që zyrtarët dhe institucionet bënin kundër gazetarëve, mediave, faktorëve të shoqërisë civile që synonin mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ndër të cilat janë themelore lirisa e mediave dhe liria e mendimit në përgjithësi.
Më 2005 qeveria e Partisë Demokratike mori vendimin që asnjë zyrtar, asnjë institucion qeveritar të mos ngrejë padi ndaj gazetarëve apo mediave. Dhe iu përmbajt këtij vendimi gjatë tetë viteve në pushtet (2005-2013).
Qeveria socialiste e riardhur në pushtet më 2013 e riktheu praktikën e viteve 1997-2005 dhe e përkeqësoi atë.
Më 23 maj 2023, në një artikull të VOA shqiptohej pikërisht ndjeshmëria ndaj këtij përkeqësimi. Gazetarët me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës shprehën shqetësimin se “janë shtuar edhe sulmet digjitale, si dhe ato që quhen padi SLAPP, që synojnë t’i frikësojnë gazetarët me shpresën se ata do tërhiqen.” Besar Likmeta dhe Aleksandra Bogdani të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, thanë se janë paditur nga biznesmeni Mirel Mërtiri dy vjet më parë, pas një shkrimi investigativ për aferën e inceneratorëve, për të cilën kishte interes publik. Gazetarët sqaruan se këto padi të njohura si “SLAPP” synojnë të shkaktojnë frikë dhe heshtje tek gazetarët.
“Është konsideruar i tillë nga organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve, pra si shembull i padive SLAPP, që synonojnë të detyrojnë gazetarët të tërhiqen. Por fakti qëndron se një çështje e tillë ka një kosto për gazetarët. Do përballesh për një kohë të gjatë në gjykatë. Çështjet zgjasin. Edhe nëse ti mund të kesh faktuar me prova dhe fakte shkrimin, kjo nuk i ndalon biznesmenët që paguhen me para publike, t’i përdorin këto para publike për të intimiduar gazetarët”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Besar Likmeta, kryeredaktor i BIRN.
Pra, siç nënvizon z. Likmeta, biznesmenët që paguhen me para publike, i përdorin këto para publike për të intimiduar gazetarët.
Mirel Mërtiri i telendis nëpërmjet gjykatave, me padi SLAPP-e, vite e vite me radhë gazetarët që shkruan të vërtetën.
Sot, po ta kërkosh “Mirel Mërtiri” në Google dalin me qindra mijë zëra, në shqip dhe në gjuhët kryesore ndërkombëtare, ku ai është një ndër kryepersonazhet e skandalit të inceneratorëve, i cilësuar si “superskandali i shekullit”. E, pra, ky Mirel Mërtiri është një biznesmen i paguar me paratë publike, është i paguar me paratë që ia ka dhënë politika aktuale në pushtet. Mirel Mërtiri është i arratisur jashtë vendit për t’i shpëtuar drejtësisë, por ai dhe kryepersonazhet e tjerë si Zoto e Gugallja vazhdojnë të paguhen me paratë publike, pra nga politika aktuale në pushtet, nga regjimi i Edi Ramës, i cili është edhe kryearkitekti i praktikës së SLAPP-eve në këto 11 vite në krye të pushtetit.
Në raportin e Këshillit të Evropës të botuar më 27 prill për mbrojtjen e lirisë së mediave nga kërcënimet, paditë SLAPP shihen si taktikë e zakonshme kundër mediave të pavarura the thekohset se “Zakonisht, prokurorët i kërkojnë gjykatës që të detyrojë gazetarët dhe mediat të heqin publikimet, të kërkojnë falje, të publikojnë korrigjimin dhe të angazhohen që të mos raportojnë për një temë të caktuar në të ardhmen.”
*Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Gionalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGPAD)