Ervin Dine jep dorheqjen nga organet drejtuese të Vatrës.
Të nderuar Vatranë,
Ditën e martë me 27 qershor 2023, në mbledhjen e kryesisë, i kërkova kryetarit të “Vatrës”, z. Elmi Berisha, ta pranojë dorëheqjen time nga Kryesia e “Vatrës”, duke ngelur kështu vetëm një anëtari thjeshtë i saj. Arsyet e dorëheqjes do t’i detajoj si më poshtë, por së pari do të shpjegoj edhe arsyet për të cilat i jam bashkuar “Vatrës”.
Kam emigruar me familjen time në vitin 1990, në moshën 11 vjeçare, prej një kampi interrnimi, dhe gjithnjë ëndrra ime ka qenë për t’u kthyer sërish në Shqipëri, mbas një përvoje shkollimi, edukimi, shërbimi në mënyrë profesionale në këtë shtet ku jetoj prej 33 vitesh, e më pas kam menduar t’i shërbej edhe kombit tim në rrugën drejt demokracisë.
Mbasi jeta mori ritmet e saj dhe ende s’më është dhënë rasti t’i shërbej atdheut, mendova dhe besova që antarësimi në “Vatrën” e Konicës dhe Nolit, e cila edhe sot (së paku si emër me kontribut në histori) mbetet një dritë për Shqiptarët kudo që ata janë. Për mua një eksperiencë e tillë do të ishte edhe mënyra më pozitive që t’i afrohesha komunitetit shqiptar në Amerikë, të cilin e kam ndjekur edhe përmes kontributit shumëvjeçar të tim eti, Dine Dines, që edhe pse në dukje isha pak larg, me problematikat e Vatrës kam qenë gjithnjë afër. Pra, s’është fjala për mungesë vullneti por angazhimet profesionale, (prej shumë vitesh punoj si drejtues i lartë në ndërmarrje të rëndësishme, si (Enterprise dhe Amazon) më kanë penguar disi. Shpjegoj gjithashtu se kam kryer angazhimet shkollore (mbarimi i shkollës në Columbia University), angazhimet ushtarake (kam shërbyer 8 vjet në US Marines), angazhimet familjare (jam prind i dy fëmijve të mitur, dhe kam dy prindër të moshuar) dhe vetëm kur gjeta pak hapësirë të lirë, i jam bashkuar “Vatrës” me vullnet të mirë që të kontribuoj sadopak ndaj çeshtjes shqiptare, e të shfrytëzoj gjithë njohjet e mia për të qenë i dobishëm për komunitetin shqiptaro-amerikan, si dhe të luftoj për demokratizimit e shoqërisë dhe politikës shqiptare, kudo që ata përbëjnë një bashkësi unite.
Koha kur u angazhova në “Vatër”, gjeta një lidership të ri, me eksperiencë brenda institucioneve shqiptare, e kjo me dha besim se ishte fjala për një fillim të ri të kësaj organizate serioze, e cila do të trajtonte problemet dhe aktualitetin shqiptar me një frymë të re, duke angazhuar brezat e rinj që janë lindur e po edukohen në Amerikë, i bindur se kjo do të shërbenin më pas edhe si model që mund të shërbente si në Shqipëri edhe Kosovë.
Por, jo gjithçka kisha menduar e besuar u përputh me realitetin në “Vatër”. Mbas një eksperience thuajse pesëvjeçare me “Vatrën” mund të shpreh mendimin se “Vatra” mban një barrë të madhe historike e trashëgimie dhe se ajo duhet të luaj një rol të rëndësishëm në formimin e mendësive të reja dhe ndërgjegjsimin e politikës Shqiptare. Që të ndodhë kjo, “Vatra” duhet me çdo kusht së pari të rregullojë strukturat e saj, duke përdorur eksperiencën e shumë vatranëve me kontribute e përkushtim dhe duke afruar rininë e diasporës që këtë eksperiencë ta përdorë si një urë lidhëse të një brezi me një tjetër, të një historie të lavdishme me një frymë që gjeneron ide dhe jo grindje, të një të kaluare me të ardhmen, duke pasur si modele vetëm figurat me përkushtim pozitiv!
Vatra, ku kam kontribuar këto pesë-gjashtë vite më shumë është marrë me vetveten se me komunitetin. Dhe unë mendoj, por jo vetëm unë, se sot jemi në pikën më të ulet të përfaqësimit të saj. Pa u shëruar dhe demokratizuar jeta e brendshme e saj ne nuk mundemi, ta mbajmë lart emrin e saj të dikurshëm! Ky grupim drejtues, ku bëj pjesë edhe unë, duhet të heqë dorë nga trajtimi i problemeve në fasadë, nga përjashtimet me breshëri të figurave të reja, nga bllokimet në rrjetet sociale, nga deklarimet “armiq e kompllotistë” të çdokujt që mendon ndryshe!
Kryetari i Vatrës duhet të marrë me dinjitet barrën e lidershipit, e të kërkojë të ngrejë ura dhe jo t’i shkatrrojë ato! Të mos i shmangemi ballafaqimeve kur lypet përmirësimi i drejtimit.
Dy vjetët e kaluara për arsye të Covidit, nuk u bënë mbledhje në “Vatër”, kështu vatranët nuk patën asnjë forum ku t’i shprehin mendimet, projektet, shqetësimet apo sugjerimet e tyre. Për fat të mirë, Covidi prej gadi dy vitesh na ka lënë të qetë, por inercia e mungesës së takimeve në “Vatër” vazhdon si në periudhën e pikut të kësaj sëmundjeje.
E theksoj se ballafaqimet dhe takimet me vatranë janë të domosdoshme për “Vatrën” e së nesërmes, ato i japin jo vetëm kryetarit, po edhe kryesisë mundësinë e harmonizimit dhe koordinimit të punëve, po lejojnë edhe transparencën e domosdoshme prej një kryesie në të cilën vendimet gjithnjë e më shpesh po merren në klandestinitet; e shpesh ato vendime janë diskutuar veç nga një rreth të vogël e të ngushtë të kësaj kryesie, gjë që ka bërë që shkalla e zemërimit midis vatranëve dhe drejtuesve të tyre të prekë pika të skajshme nervozizmi!
Gazeta “Dielli”, e cila kohë më parë kishte qenë një dritë për komunitetin Shqiptaro-amerikan, tashmë është kthyer në një makinë propagande e sukseseve dhe totalisht bllokuese ndaj mendimit ndryshe, duke bllokuar këdo, që “celulë e kryesisë” brenda kryesisë e konsideron si “non-grata”.
Këmbëngul që përjashtimet në “Vatër” janë të paparanueshme e sidomos përjashtimet me opinion. Si nënshtetas amerikan, së pari duhet të bazohemi në Kushtetutën Amerikane, që i akuzuari ka të drejtën ta mbrojë veten përballë një akuze. Meqë jemi para “faktit të kryer” dhe kemi gjetur si zgjidhje “proceset gjyqsore” me disa që janë përcaktuar si “armiq” s’na kushton asgjë të presim që ligji ta thotë fjalën e vet, e sidomos kur pretendojmë t’i besojmë ligjit dhe Kushtetutës Amerikane.
“Vatra” mund të ecë përpara, vetëm përmes demokratizimin e saj, duke filluar nga kryesia, tek këshilli (që ka bërë vetëm dy mbledhje) në afro dy vjet, nga projektet e realizuara që lidhen me kulturën kombëtare, nga liberalizimi i gazetës simbas modeleve të botës demokratike dhe jo stereotipet e shtypit shqiptar të Kohës së Qyqes, nga transparenca finaciare si çdo organizate amerikane, ku çdo tre muaj bëhet një raport financiar dhe s’i lihet vend askujt të hedhë akuza nga më të ndryshmet…
Duke qenë se të gjitha këto që parashtroj sot në kët akt dorheqje, thjesht nga kryesia e “Vatrës”, gjithçka e kam bërë haptas në gjitha organizimet, mund të them se kjo dorëheqja nga “kryesia e Vatrës” vjen nga mungesa e trajtimit të problemeve dhe apatia totale e gjendjes aktuale brenda saj. Duke qenë se mendoj dhe besoj se “Vatra” duhet të jetë zëri i lirisë për gjithë shqiptarët, kudo që ata janë, së pari ajo duhet t’i trajtojë me seriozitet problemet institucionale brenda vetes. Duhet që Bibloteka e Vatrës, kjo pasuri kombëtare e dhjetra brezave që sot ndodhet në gjendje të mjerueshme, të ketë një trajtim urgjent, sepse një institucion si “Vatra” nuk funksionon pa një biblotekë ku mund të shkojë si studiuesi i historisë, një student, po edhe cilido shqiptar që kërkon të dhëna, pra ne nuk po e respektojmë historinë e “Vatrës”.
Kuvendi i kaluar pati shumë shqetësime si nga vatranët e pranishëm po edhe ata që s’ishin aty. Katër vjeçari i mandatit nuk ka kaluar, mbas shums thirrjeve nga vatranët e ri e të vjetër ende sot e kësaj dite nuk ka një mbledhje për trajtimin e kësaj çeshtjeje.
Gazeta “Dielli” s’është pronë personale e asnjë Vatrani por e të gjithë shqiptarëve. Editori, i ndjeri Dalip Greca e ngriti nivelin e gazetës me etikën profesionale, butësinë e komunikimit dhe përkushtimin e tij, jo vetëm me njohjen e komunitetit po edhe me historinë e saj. Është përgjegjesia jonë të kemi një gazetë demokratike ku të lejohet mendimi i lirë, të ketë hapësirë për debat qytetar edhe të trajtohen çeshtje me të cilat jo gjithmonë mund të jemi dakort, por në fund le të fitojë vota.
Transparenca financiare është e domosdoshme për shendetin e një organizate dhe e drejë e çdo vatrani që kontribuon me antarësi se ç’po ndodh në vatër. Çdo kërkesë për transparencë financiare të mos trajtohet si akuze, por si një përgjegjesi.
Në përfundim, dorëheqja ime nga kryesia e Vatrës vjen si rezultat i pamundësisë për të influencuar në trajtimin e këtyre çeshtjeve elementare, por kam shpresë të shërbejë si një zgjim për këtë kryesi që të trajtojmë çeshtje që na shqetësojnë ne vatranët po edhe mbarë shqiptarët.
Nëse trajtimi i këtyre çeshtjeve që parashtrova do të merren seriozisht, dhe kryesia do të punojë drejt kësaj rruge dhe jo përjashtimeve apo gjyqeve, unë jam besimplotë se Vatra do të ringjallet. Nëse vazhdohet me rrugën e prapaskenave, moskomunikimit, përjashtimeve atëhere do të mbetemi në kët baltë e batak të pafund dhe dritë në fund të tunelit s’do duket për askënd.
Me respekt, Ervin Dine