Ndërsa në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar debatet dhe kritikat nga partitë politike maqedonase rreth vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në dy komuna me shumicë shqiptare, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës tha se komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre janë të mira.
“Vizita e Kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut u bë me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me rastin e ri-emërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të rrugës që lidhë fshatin Vicë me fshatin Sellcë”, thuhet në një deklaratë me shkrim të zëdhënësit të qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Përfaqësues politik maqedonas në pushtet dhe në opozitë të cilët shkëmbyen edhe akuza të ndërsjella, e cilësuan si nacionaliste paraqitjen e zotit Kurti në Tetovë, ndërsa në tubim shfaqej publikisht një flamur i “Shqipërisë Etnike”, që kritikët e quajtën flamur të “Shqipërisë së Madhe. Po ashtu emërtimi i një rruge në komunën e Çairit me emrin e veprimtarit Adem Demaçi, sipas zyrtarëve maqedonas paraqet “ndryshimi i emërtimeve pa një konsensus të gjerë ndëretnik”. Rruga deri tani mbante emrin “Brigada e 2-të Sulmuese Maqedonase”, një formacion ushtarak partizan i Luftës së Dytë Botërore.
Analistë në Maqedoninë e Veriut thanë se vizita e kryeministrit Kurti gjatë së cilës ai nuk u takua me asnjë zyrtar të lartë qeveritar, mund të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.
“Sa i përket nivelit të marrëdhënieve ndërshtetërore, ne kujtomë që dy qeveritë për të herë të parë kishin mbajtur një mbledhje të përbashkët në shtator të vitit 2021, si rezultat i marrëdhënieve të mira dhe interesave të përbashkëta. Komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit Kryeziu.
Kryeministri Kurti u takua gjatë vizitës me udhëheqësit opozitarë nga radhët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Zëdhënësi Kryeziu tha se në mes të muajit qershor, kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në Forumin e Prespës, në Strugë, në kuadër të së cilit ai kishte zhvilluar takime edhe me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti.
Në shtator të vitit 2021, qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e rrugës që do ta lidhte Prizrenin në jug të Kosovës me Tetovën në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë vizitës në Tetovë kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij projekti, ndërsa nënvizoi se Maqedonia e Veriut duhet të mbahet më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë dhe sa më larg Serbisë.