Çdo pagesë me detyrim është një tjetër taksë mbi shtetasit shqiptar nga qeveria.
Humnera e skandaleve të përditshme që ka përfshirë qeverinë shqiptare po tregojnë nga thellësia e saj sevetë kryeministri është ai që po qëndron si garantues i vazhdimësisë së një sistemi me themel korrupsionin që vazhdon të rritet. Çdo ditë e më shumë shtat-lartësia e tij po e ndjen zhytjen dhe po zbret tani tek ai realitetet i vështirë që ekziston në Shqipëri për t’u përballë me fytyrën e vuajtur të qytetarëve. 5 mijë lekëshin e hedhur në muajin Prill, një herë gjatë fushatës zgjedhore ai dhe qeveria e tij, tani do t’u a marrë çdo vit pensionistëve nga streha e varfër e banesës së tyre pasi menduan se zgjedhjet u kryen dhe votën ua mori.
Çfarë janë këto dy taksa?
VKM-ja e parë paraqitet e ndryshuar ndër vite nga 2006- 2018, ndërsa VKM-ja e dytë propozohet dhe serviret si një projekt me Bankën Botërore. Të shprehura në shifra rritja për taksën e banesës shkon në 74% dhe studimi i dëmeve nga tërmetet e rendisin Shqipërinë si vendin e 61-të në botë ose të parin në Evropë. Me detajet dhe shifrat krahasuese mund të merresh me ditë të tëra, por për rastin e saj fatkeq Shqipërinë e ka zaptuar rreziku i madh i shtetit të korruptuar dhe në mendjen e popullit të varfër mendja të shkon tek thënia; “Ruaju prej zjarrit, ujit dhe qeverisë!”.
Largpamësia e qeverisjes duket se ka shkuar me vite-dritë me “rikonceptimet vetëm përpara” dhe populli nuk arrin ta kuptojë.
Por ja se si mund të lexohet ndryshe realiteti pas dhënies së votës.
Zjarr dhe tym nga pyjet dhe inceneratorët. Ujë më pak nga furnizimi me orar dhe përmbytje çdo vit dhe së fundi qeveria jep zgjidhje me taksën e sigurisë nga tërmetet.
Por le t’i zbërthejmë.
Ruaju nga zjarri!… 420 milion euro borxh nga inceneratorët që nuk ekzistojnë dhe pronësia që sekuestrohet.
Ruaju nga uji!… përsa kohë ndodhin vazhdimisht përmbytje, thahen liqenet ujëmbledhëse për prodhim energjie, shtëpitë shqiptare furnizohen me orar.
Ruaju prej qeverisë!… tani gjen shprehjen në taksën me detyrim tek ajo më e reja, “siguria nga tërmetet” në taksë.
Vetëm kaq mjaftoi dhe zhurma në media veproi. Analizat filluan. Por sa herë që flitet për qeverisje të korruptuar, për varfëri, shtrenjtësim të jetës së popullsisë qytet dhe fshat, forcim artificial i lekut në tregun valutor, rënie të eksportit, abuzime me fondet e zhvillimit nga ndërkombëtarët, ndjekje të krimit ekonomik nga prokuroria speciale, kultivim kanabisi në reparte të specializuara të forcave të armatosura, 300 policë të dyshuar për lidhjet me krimin dhe shfaqje të dhunës dhe vrasje në zona të ndryshme të vendit të cilat janë vetëm një pjesë e listës së përditshme të ngjarjeve që mbushin lajmet, media qeveritare anashkalon problemet dhe vazhdon me propagandën “vetëm përpara”. Një parullë që realitetin e sheh ndryshe dhe ushqen lajmet vetëm me sukseset si; me bumin e infrastrukturës me rrugët, portet dhe aeroportet, fluksin e turizmit, apo shqetësimi për motin mbi temperaturat e larta të stinës së verës dhe “pushime të gëzuara” pa çka se ligjet mbi taksat shtohen dhe kalojnë lehtë në emër të zhvillimit dhe transparencës.
A mund të sillesh dot kështu me një popull dhe të mendosh se ai nuk është ndërgjegjësuar ende dhe vazhdon të heshtë?
Në mbyllje po sjellim vetëm një fakt i thjeshtë që mund t’i japë një rezultat arsyetimit.
Ju lutemi gjeni vetëm një lagje qytetase ku infrastruktura është 100 % funksionale me ujë dhe drita 24 orë, siguri kalimi në rast zjarri, hapësirë kalimi për urgjencat shëndetësore, rrjet telekomunikacioni dhe interneti që funksionon pa ndërprerë, ashensorë që kanë sigurinë teknike dhe punojnë normalisht në shumëkatëshet, pastrim plehrash, hapësira të gjelbërta dhe kënde lojërash, etj. Kjo listë do të vazhdonte gjatë në qoftë se do të plotësonim standardin dhe cilësinë e jetesës së shtetasve dhe nëse ajo do të ishte e plotësuar me cilësinë e shërbimit atëherë mund të vinim tek taksa e detyrueshme “për mbrojtjen nga tërmetet”.
E përderisa kjo përgjigje mbi shembullin e kërkuar nuk mund të jepet nga qeveria dhe mediat që propagandojnë vetëm sukseset, treguesi sot është se magnituda e korrupsionit që po shemb shoqërinë shqiptare. Qytetarët duhet të gjejë forca të protestojë, të adresojë problemet dhe të zgjedhin një qeverisje të duhur.
Veç zjarrit dhe ujit, Zoti na ruajt edhe prej qeverisjes.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Gionalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGPAD)