Mos e ofendoni inceneratorin me 128 milionë euro!
Një pjesë e kolegëve në media, por edhe politikanë shpesh i referohen koncesionit të inceneratorit të Tiranës si ‘afera 128 milionë euro’. Kjo është e gabuar dhe duhet sqaruar një herë e mirë.
Shifra 128 milionë euro është kostoja e parashikuar nga kompania koncesionare për ndërtimin e inceneratorit. Pra ishte investimi që duhet të kryente kompania private. Por nuk është kjo shifër thelbi i koncesionit. Inceneratori i Tiranës është një biznes 1 miliardë euro dhe llogaritë për këtë janë shumë të thjeshta.
1-Bashkia e Tiranës sot paguan 10 milionë euro në vit për depozitimin e mbetjeve në Sharrë. Afati i koncesionit ishte parashikuar 30 vjet. Sikur popullsia e Tiranës të mos rritet fare dhe sasia e plehrave që gjeneron qyteti të mbetet kjo që është tani, 300 milionë euro janë vetëm pagesat e bashkisë së Tiranës.
2-Qarku dhe Durrësi
Kontrata është për të gjithë qarkun e Tiranës. Dhe qarku nuk është vetëm Bashkia e Tiranës. Veç saj janë dhe Bashkia e Vorës dhe Kavaja. Përtej këtyre bashkive, pasi koncesioni u dha atij iu shtua dhe qarku i Durrësit. Të gjitha këto janë 5 milionë euro shtesë në vit. Për 30 vjet bëjnë 150 milionë euro të tjera.
3-Dherat dhe inertet
Ky është burimi më i madh i të ardhurave të koncesionit të inceneratorit të Tiranës. Shikoni vetëm një llogari. Në vitin 2021 kompania Integrated ‘Energy BV’ arkëtoi 25 milionë euro. Nga këto 10 milionë euro erdhën nga pagesat e bashkive, 15 milionë euro të tjera ishin nga dherat dhe inertet e ndërtuesve. Kujtoni papaqet e policisë që rrinin gjithë natën në gropat e ndërtuesve. Pra, për 30 vjet dherat dhe inertet shkojnë 450 milionë euro të tjera.
Rezultati, 300 milionë euro nga Bashkia Tiranë plus 150 milionë euro nga bashkitë e tjera të qarkut dhe Durrësi plus 450 milionë euro nga dherat. Në total bëjnë 900 milionë euro.
Këto të ardhurat e tjera, nga shitja e skrapit, nga shitja e letrës etj etj vendosini vet sa të doni. Por në finale do të keni këtë rezultat. 1 miliardë euro. Kaq është koncesioni i inceneratorit të Tiranës.
Dhe ky është vlerësim konservator, që bazohet mbi supozimin se inceneratori nuk ndërtohet fare. Sepse po të ndërtohej duhen llogaritur dhe flukset e të ardhurave nga shitja e energjisë që do të prodhoje ai. Por kjo është në xhep. Ndaj mos e ofendoni kur i thoni afera 128 milionë euro.