Postimi i një dite më parë i kryeministrit Rama ku krahasoi shqiptarët që iknin në Itali në vitin 1991 me turistët italiane që tashmë vijnë për pushime në vendin tonë, ka shkaktuar reagime të ndryshme jo vetëm në mediat tona, por edhe ato italiane.
“Shqiptarët nisen për në Itali 1991! Italianët nisen me pushime drejt Shqipërisë 2023”, thuhet në mëmën që ka publikuar Rama ne gjuhen italiane, ndërsa e shoqëron me një foto nga eksodi i shqiptarëve. “…dhe prit, s’keni parë gjë akoma”, vijon kryeministri.
Por mediat italiane shkruajnë se kjo është një “shuplakë” e kryeministrit Rama për turistët italianë, teksa dhe nuk i kanë kursyer ironitë.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama i gëzohet numrit të turistëve italianë në Shqipëri dhe në rrjetet sociale publikon një fotomontazh që ngjall diskutime”, shkruan Il Giornale.
Ironia e kryeministrit shqiptar u shkaktua pas një sërë artikujsh, të cilët – edhe në Itali – nxirrnin në pah se si në fakt është rritur numri i turistëve italiane në vendin fqinj ballkanik, vijon gazeta.
Edhe Corriere, nuk ka mbetur pas, teksa shkruan se “kryeministri Rama ironizon eksodin e 1991-shit”.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama kujton përmes rrjeteve sociale se si kohët kanë ndryshuar – dhe rrjedha është kthyer mbrapsht. Në një postim në Instagram, kryeministri tregon dy momentet nga ulja e anijes “Vlora” në portin e Barit tashmë tridhjetë e dy vjet më parë”, vijon shkrimin gazeta italiane.
“Nëse më parë ishin shqiptarët që u larguan nga vendi në Itali pas gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste, sot janë italianët ata që “pushtojnë” Shqipërinë për të kaluar pushimet buzë detit përgjatë brigjeve nga veriu në jug, veçanërisht midis Vlorës, Sarandes dhe Ksamilit. “Dhe prisni, nuk keni parë gjë akoma”, është mesazhi i Ramës që shoqëron fotomontazhin ku etiketon Corriere”, shkruan mes të tjerash gazeta italiane.
Edhe “La Repubblica”, nuk e kurseu kryeministrin, teksa shkruan se e sheh të pavend krahasimin e turistëve me emigrantët. “Më 8 gusht 1991, rreth 18 mijë shqiptarë u strehuan në Itali me shpresën për të gjetur një të ardhme më të mirë atje, ndërsa në vitin 2023 italianët u shpëtuan çmimeve të larta duke kaluar pushimet në Shqipëri. E nëse ende flasim për eksodet, arsyet padyshim janë të ndryshme, por ka nga ata që e shohin të arsyeshme t’i lidhin ngjarjet përmes një kolazhi fotografik dhe më pas ta publikojnë në një rrjet sociale” – shkruan “La Repubblica”.