Në kohë të lashta jetonte hani Sanad.
Një herë hani, pasi u mendua thellë, tre ditë me radhë, mori vendim të mërgojë duke i prirë popullit të vet për në në vise të tjera më pjellore, me kullota të pasura me bar. Udha deri në ato vende të
largëta ishte e gjatë dhe e vështirë.
Në prag të nisjes, kur po bëheshin përgatitjet, hani Sanad , një urdhër të papritur për të moshuarit:
-Pleqtë do të na pengojnë në udhëtim- tha hani- Asnjë plak nuk duhet të vijë me ne. Kush nuk i bindet urdhërit do të ndëshkohet rreptë.
Sado i rëndë për njerëzit e shëndoshë ky urdhër, ata iu nënshtruan fatit. Të gjithë dridheshin nga hani, askush nuk mund ta kundërshtonte atë. Vetëm djaloshi Kiren nuk pati zemër të linte vetëm të atin plak.
U morën vesh ndërmjet tyre, pa shumë fjalë: plaku u fsheh brenda një thesi të madh lëkure. Kështu fshehur nga hani e të tjerët, i riu do ta mbarte plakun për në vendet e reja. Atje të bëhej ç’të bëhej.
U ngrit populli me kopetë , me kuajt e devetë , ngarkuar me plaçka, hejbe e thasë , me hanin Sanad në krye dhe u vu në udhë me drejtim për në veri. Tok me të tjerët , brenda në thesin e madh prej lëkure, mbi shpinën e kalit udhëtoi dhe plaku i Kirenit.
Fshehurazi i biri ushqente të atin dhe i jepte për të pirë ujë, kurse në pushime në errësirën e plotë, zgjidhte thesin dhe nxirrte plakun jashtë, që të merrte frymë dhe të çmpinte këmbë e duar.
Kështu udhëtuan gjatë deri sa dolën buzë detit të gjerë. Këtu hani Sanad urdhëroi të ndaleshin të gjithë për të kaluar natën.
Një nga të afërmit e hanit, duke u endur gjatë bregut, vuri re se në fund të detit diçka shkëlqen dhe vetëtin. Hetoj mirë e mirë dhe zbuloi se ajo na qenkej një kupë e madhe e artë me trajtë të çuditshme.
Njeriu i hanit vrapoi për te i zoti dhe e bëri të ditur, se në fund të detit , pranë bregut shtrihej një kupë e çmueshme ari.
Hani Sanad, pa e shtyrë më tej, urdhëroi t’ia sillnin atë kupë, por askush nuk u bë burrë të zhytej në fund të detit.
Atëhere hani urdhëroi të hidheshin në det për kupën sipas shortit. I ra shorti njerit prej njerëzve të afërm. Ai u hodh dhe nuk u kthye më. I ra shorti një tjetri. U vërvit nga bregu thikë posht dhe mbeti në fund të detit.
Kështu humbën jetën shumë njerëz të han Sanadit.
Por hani i pamëshirshëm as që kishte ndër mend të hiqte dorë nga kjo tekë e tmerrshme. Sipas urdhërit të dhënë, u zhytën në thellësinë e detit dhe u mbyten njeri pas tjetrit shumë vartës të bindur.
Më në fund shorti i ra djaloshit Kiren. Ai më parë vajti atje ku kishte fshehur babanë e nisi të përshëndetej me të.
-Baba, – i tha Kireni – lamtumirë- Të dyve na erdhi fundi.
-Ç’ka ndodhur?- Përse u dashka të vdesim. ?- pyeti plaku.
Djali i kallxoi të atit se sipas shortit duhej të hidhej në fund të detit për një kupë të artë.
-Andej nuk është kthyer askush- i dha fund tregimit Kireni.- Dhe unë me urdhër të hanit do të mbytem ndën ujë, kurse ty do të gjejnë këtu dhe do të vrasin.
-Ç’bëni kështu more djemt e mi. Mbyteni në fund të detit dhe megjithatë kupën e artë nuk po e gjeni. Ajo nuk ndodhet në det . A e sheh atë mal që ngrihet mbi det ? Kupa e artë është në majë. Ajo që pandehni për kupë është pasqyrimi i saj. Si nuk e paskeni vënë re ?
-Ç’duhet të bëj atëhere ?
-Ngjitu në mal , gjeje kupën dhe dorëzoja hanit. Në mal mund ta gjesh pa shumë vështirësi, sipas shkëlqimit. Kupën mund ta diktosh nga larg.
Por ka të ngjarë që kupa të jetë mbi shkëmbin e lartë, në të cilin ti nuk mund të ngjitesh. Prit sa të shfaqen mbi shkëmb dhitë e egra dhe atëhere trembi. Dhitë do të vrapojnë e do të shtyjnë kupën. Mos humb kohë, hidhu dhe kape se mund të bjerë në humbëtirën e errët e të thellë të malit.
Djaloshi që atë çast shkoi në mal. U kap pas shkurreve , pas drurëve , në gurët e mprehtë. U ça në fytyrë e duar, u gjakos dhe grisi teshat. Më në fund arriti në majë. Sheh shkembin e lartë dhe pa se sipër shkëmbit shkëlqente kupa e bukur dhe e artë. E sheh, por ishte e pamundur të ngjitej atje. Ashtu siç e porositi plaku, priti daljen e dhive. Nuk zgjati shumë kohë: mbi shkëmb u shfaqën dhitë e egra. Ato qetë e qetë rrinin e vështronin posht.
Kireni bërtiti me sa kishte fuqi. Dhitë u trembën e harbuan nëpër shkëmb dhe goditën kupën e artë. Ajo u rrukullis posht dhe guximtari e kapi me shkathtësi.
I lumtur dhe i kënaqur, me kupën në duar, zbriti nga mali , vajti te hani dhe ia dorëzoi .
Hani e pyeti:
-Si arrite ta nxjerrësh nga deti ?
-Jo nga deti- u përgegj Kireni – por e solla nga mali. Në det ishte vetëm pasqyrimi i saj.
-Kush të mësoi kështu ?
-E gjeta vetë- ia ktheu djaloshi.
Hani nuk e pyeti më dhe e la të lirë.
Ditën tjetër hani Sanad dhe populli lëvizën për më tej.
Ecën gjatë dhe mbërritën në buzë të një shkretëtirë. Dielli përvëlonte tokën. Bari qe djegur i tëri. Përqark nuk gjendej as lumë dhe as përrua. Njerëzit dhe bagëtinë po i mudonte një etje zhuritëse.
Të dërguarit e hanit brodhën me kuaj anë e mbanë në kërkim të burimeve, po nuk qe e mundur të gjenin pikë uji.-,kudo tokë e thatë dhe e përvëluar. Njerëzit i zuri tmerri. Si do të jetonin pa ujë, si do të shpëtonin ?
Kireni i afrua të atit dhe e pyet:
-O at, më thuaj ç’duhet të bëjmë ?
-Lëshoni të lirë një lopë tre vjeçe dhe ndiqeni pas. Atje ku dotë ndalet dhe do të nuhasë, atje gërmoni.
Djali vrapoi dhe lëshoi një lopë tre vjeçe. Lopa me kokën e ulur endet nga një vend në tjetrin. Më në fund ndaloi dhe nuhati duke shfryrë me zhurmë.
-Gërmoni këtu ! – thirri Kireni.
Njerëzit gërmuan dhe brenda një kohe të shkurtër zbuluan një burim të madh. Ujët shpërtheu i pastër dhe i ftohtë dhe rrodhi nëpër tokë. Pinë që të gjithë sa deshën, u gëzuan pa masë dhe u gjallëruan.
Hani thirri Kirenin t’i shkonte pranë dhe e pyeti:
-Si munde të gjesh burim uji në këto toka të thata ?
-E gjeta sipas shenjave.
Pasi shuan etjen dhe u shlodhën njerëzit vijuan udhëtimin.
Ecën e ecën ditë të tëra dhe u ndalën të pushojnë.
Natën befas ra shi i furishëm dhe shoi zjarret. Sado që njerëzit u përpoqën, zjarre të tjerë nuk ndezën dot. Të mbërdhirë, të lagur e të cfilitur nuk dinin si t’ia dilnin mbanë .
Dikush vuri re një zjarr të largët në majën e një mali.
Hani Sanad urdhëroi të niseshin disa dhe të sillnin zjarr. Ata u sulën të përmbushnin atë që tha hani. Një, dy , tre, vetë u nisën për në mal. Posht një bredhi të dendur gjetën zjarrin dhe një gjahtar që dremiste pranë. Morrën nga një urë zjarri, po nuk mundën t’i sillnin atje ku kishin ndaluar njerëzit, sepse rrugës u fikën nga shiu.
U zemërua hani Sanad dhe urdhëroi të ndëshkoheshin të gjthë ata që shkuan e nuk sollën zjarr.
I erdhi radha të shkonte për zjarr dhe Kirenit.
-Si mund ta sjellë zjarrin nga mali ?
Plaku i tha:
– Mos merr urë zjarri, sepse udhës do të shuhet nga shiu e do të kthehet në hi. Merr me vete një qyp të madh, mbushe me prush dhe kështu zjarrin do ta sjellësh..
Kireni bëri ashtu si e mësoi i ati . Pruri nga mali një qyp plot me thëngjij të ndezur. Njerëzit ndezën zjarret, u thanë, u ngrohën dhe gatuan gjellën.
E mori vesh hani se kush e solli zjarrin, ndaj kërkoi shpetimtarin..
Kur Kireni i erdhi pranë, hani Sanad iu çirr gjthë inat:
-Kur ti e dinje se si sillet zjarri , përse heshte der tani?
-As unë nuk e dinja- i tha çiltër Kireni.
– Posi e mësove më vonë ?
Dhe ai vijoi ta pyeste gjatë e gjerë, sa më së fundi djaloshi pranoi se të gjithë urdhërat i plotësoi me ndihmën e këshillave të babait plak.
-Ku është yt at ?- pyeti i befasuar hani.
Djaloshi foli hapur :
-Gjatë udhës e mbarta mbi kalë, brenda një thesi të madh lëkure.
Atëhere hani urdhëroi t’i sillnin plakun.
-Dëgjoni o njerëz ! Unë po e tërheq urdhërin, që pata dhënë para nisjes. Pra, pleqtë nuk qenkan pengesë për të rinjtë- foli Hani Sanad,- dhe iu drejtua plakut me nderim. Hanit për herë parë po i çelej fytyra nga buzëqeshja. -S’ka arsye të fshihesh më. Ec lirshëm si gjithë të tjerët, por hipur mbi kalë dhe pranë meje.