Ish-gazetarja ruse e revistës studentore “Doxa”, Natasha Tyshkevich, tha se për 40 orë ishte ndaluar në aeroportin Ndërkombëtar të Beogradit “Nikolla Tesla”.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të konfirmuar informacionin për ndalimin e gazetares ruse, por edhe për arsyen se pse ka ndodhur kjo.
Tyshkevich i tha Radios Evropa e Lirë se kishte arritur në Beograd nga Malta më 7 gusht dhe kishte përdorur “pasaportë për turistë” që i ishte lëshuar nga Gjermania, shtet në të cilin aktualisht ajo jeton. Megjithatë, asaj iu refuzuar hyrja në Serbi.
“E kam pranuar këtë dokument një vit më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë sepse pasaporta ruse më është konfiskuar nga policia ruse gjatë një procedimi penal”, tha ajo për REL-in.
Natasha Tyshkevich është një prej katër studentëve që kanë punuar për revistën e pavarur studentore në Moskë, “Doxa” dhe që më 2021 u dënuan me dy vjet “punë korrigjuese”. Këta studentë u dënuan për shkak të një videoje ku ata mbronin të drejtën e tubimit të të rinjve rusë.
Siç ka raportuar Guardian, ata ishin nën arrest shtëpiak për më shumë se një vit pasi u arrestuan në prill të vitit 2021. Ata u arrestuan sepse postuan në YouTube një video 3-minutëshe, në të cilën ata thanë se studentët që marrnin pjesë në tubimet në mbështetje të kritikut të burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalny, po përjashtoheshin jashtëligjshëm dhe po frikësoheshin.
Ndalimin në Aeroportin e Beogradit, ajo e konsideroi si shkelje të të drejtave të njeriut.
“Ishte vërtetë një ndalim që nuk kishte asnjë arsye ligjore. Unë vetëm mund të prisja në aeroport. Përjetova një sulm paniku para policëve kur më dërguan në qeli, por ata thjesht më bërtitën dhe më thanë që të hyja aty, duke më thënë se përndryshe do të më dërgonin në një burg të vërtetë”, tha gazetarja ruse për REL-in.
Sipas saj, gjatë ndalimit prej 40 orësh në aeroport, asaj iu dha pak ushqim.
“Miqtë e mi tentuan të më sillnin ushqim përmes qendrës për informim në aeroport, por policia refuzoi”, tha ai.
Tyshkevich i tha REL-it se më 9 gusht u dëbua për në Maltë, duke shtuar se do të kthehet në Gjermani.
Një tjetër aktivist rus ishte ndaluar që të hynte në Serbi më 13 korrik. Themeluesi i Shoqërisë Demokratike ruse, Peter Nikitin, u ndalua në Aeroportin e Beogradit “pa asnjë shpjegim”.
Nikitin, një aktivist kundër luftës, ka organizuar protesta në mbështetje të Ukrainës dhe ka kritikuar Qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin.
Edhe një tjetër aktivist nga Rusia, Vladimir Volokhonski, i tha REL-it se kishte pranuar një njoftim nga policia më 25 korrik se i ishte refuzuar leja e qëndrimit të përkohshëm në Serbi.
Volokhonski, politikan opozitar nga Shën Petersburgu, është zhvendosur në Serbi në maj të vitit 2022, për shkak të presionit dhe ndjekjes në shtetin e tij. Si shtetas i huaj, ai kishte leje të qëndrimit të përkohshëm në Beograd, derisa jo leje iu revokua.