Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga posti i tij duke e arsyetuar atë me “shkaqe familjare”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e pranoi dorëheqjen e tij duke e falënderuar “për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”.
Armend Mehaj, shtetas norvegjez me prejardhje nga Kosova, u emërua në detyrën e ministrit të Mbrojtjes në qeverinë e kryeministrit Albin Kurti pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
Ministri Mehaj shkroi po ashtu në një postim më të gjatë në rrjetet sociale se ka dhënë dorëheqje për “shkaqe familjare”.
Kryeministri Kurti tha se ka emëruar në postin e ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedoncin, një ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe më pas si shef i departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.