Jetojmë në epokën e luftês sê kullave e lajmeve të vonuara, sipas strategjisë së kampit më të fortë “ushtarak”.
Do jetë kulla më e lartë në Tiranë.
205 metra e sipërfaqe 70 mijë metra katrorë.
Do quhet “Mount Tirana”
U aprovua ndërtimi më 1 tetor 2022 nga një konkurs i Bashkisë ku anëtar jurie qe vetë Kryeministri.
Asgjë nuk bëhet pa praninë e lejen e tij.
Vendodhja; ish gropa e Sejdisë!
Në fillim e mbushën me dhè për të gënjyer se e bëmë park, tani e bëjnë gropën mê të thellë për të helmu tokën me beton.
Pranë kësaj kulle thuhet se do ndërtohet dhe një tjetër kullë po pjesë e këtij konkursi.
E kanë vendosur po ata; shtet e bashki, këtu e 10 muaj më parë!
Bashkërisht gatuajnë gjithcka, bashkë me informacionin!
Jemi në kohë lufte kullash!
Lajme që kaluan pa b’zonë, me leje ndërtimi nga një këshill bashkiak kukull. Sic qe dhe leja e lëshuar paligjërisht për të ndërtuar në truallin e Teatrit, aprovuar më 19 qershor 2023, në ditën e fundit të punës së Këshillit të vjetër Bashkiak.
Pasi shkatërruan duke vjelur cdo pëllëmbë të truallit të Ansamblit historik të qytetit kanë dalë të shtrydhin gjithë perimetrin e qëndrës së Kryeqytetit.
Tirana po shkulet e pushtohet si një kamp emergjence urie struktura hekurash, gurësh, celik e beton që mbushin këtë hapësirë për të ngopur pushtetin.
Në lindje, në veri, në perëndim në jug, majtas e djathtas nga Dajti o nga Durrësi, kudo që të hedhësh sytë sheh vec beton, cimento, gura, tabela, e një lëmsh urbanistik që as impresionistët e artit nuk do ta kishin mundur kurrë ta pikturonin.
Zhurmë e vinca, kate e figura gjeometrike nga më të cuditshmet veshin horizontin vertikal të qendrës së Tiranës e që vec fantazuesit indiferente e papërgjegjës të asaj cka po ndodh me këtë qytet, i quajnë arkitekturë moderne.
Kullat duket sikur garojnë se kush është me lartë se tjetra, ndërsa njerëzit që shëtisin pranë tyre kanë harruar të ngrejnë kryet.
Rrugicat që të cojnë në sheshi Skenderbe janë pyllëzuar me shkurre që rriten pa asnjë rregull natyror, e thahen pa u lulëzuar.
Bimësia karakteristike e natyrës së zonës është betonizuar duke tharë burimet e helmuar tokën.
Këto jane kullat e Tiranës!
Nuk numërohen më; i gjen pas cdo kthese ajri mbi qiellin e qëndrës së Tiranës.
Janë kulla helmi qe po i marrin frymën sipërmarrsëve të ndershëm.
Janë kulla qe po mbajnë peng jetën e familjeve shqiptare
Jane kulla plehrash qe thajnë pemët, lulet, natyrën shqiptare.
Janë kulla me të cilat po eleminohet historia, arti, kultura shekullore
Janë kulla me të cilat kërcënohen banorët e rinj e autoktonë të Tiranës.
Janë kulla diktatoresh qe vjedhin prona e banesa autoktonësh.
Janë kulla lavatrice që pastrojnë kapitalet e pista të ortakërise oligarke të orgjisë politike.
Janë kulla eksodi që largojnë femijët nga prindërit.
Janë kulla genocidi që zhdukin memorien e një kombi.
Janë kulla shërbimi ndaj ilegalitetit.
Por ne banorët, qytetarët e Tiranës njohim vetëm një Kullë,Sahatin që shënon orën e një qyteti e të një kombi, e mat kohën!
Kohë që në këtë qytet kurdiset sipas porosive të orkestrës së pushtetit.
Po jetojmë në epokën e luftës për Kulla!
Për t’i shpëtuar asgjesimit nga balozët e kullave, duhet të ligjërohen referendumet e të vendosin qytetarët!