Suedia fitoi të dielën ndaj Shteteve të Bashkuara 5-4 me penallti duke eliminuar kampionet në fuqi nga Kupa e Botës për femra. Ndeshja, që u mbajt në Stadiumin e Melburnit në Australi, përfundoi me rezultatin 0-0 në fund të kohës shtesë, të dielën.
Kjo është hera e parë që ekipi amerikan kthehet në shtëpi pa një medalje në Kupën e Botës për Femra.
Futbollistja suedeze, Lina Hurtig shënoi penalltinë e fundit, por fitorja u desh të konfirmohet nga pamjet filmike pasi nuk ishte e sigurt nëse topi tejkaloi vijën e portës.
Heroina e ndeshjes ishte portierja suedeze Zecira Musovic, e cila e mbrojti portën 11 herë nga sulmet e kombëtares amerikane gjatë lojës, duke e çuar praktikisht lojën drejt penalltive.
Ndeshja u dominua nga ekipi amerikan deri në minutën e 85-të kur zëvendësuesja suedeze Sofia Jakobsson u fut në lojë, duke arritur të rrezikojë porten amerikane të pakten njëherë.
Futbollistja e njohur amerikane, Megan Rapinoe u aktivizua në lojë duke zëvendësuar sulmuesen Alex Morgan në minutin e nëntë të kohës shtesë, por nuk arriti të ndryshojë rezultatin. Ajo gjithashtu humbi një nga penalltitë për ekipin e saj.
Suedia tani do të përballet me ekipin e Japonisë në ndeshjen e çerekfinales, ndërsa Spanja përballet me Hollanden. Këto ndeshje mbahen të enjten më 10 gusht.
Ndeshjet e tjera eliminatore mes Anglisë dhe Nigerisë, Australisë me Danimarkën, Kolumbisë me Xhamajken dhe ndeshja në mes të Francës dhe Marokut pritet të mbahen të hënën.
Gjysmëfinalet e Kupës së Botës në futbollin për femra të organizuar nga FIFA në Australi dhe Zelanden e Re do të mbahen më 15 gusht, njëra në Aukland të Zelandes së Re dhe tjetra në Stadiumin Australia të Sidnejit.
Në këtë të fundit, më 20 gusht, mbahet edhe ndeshja finale.