Donald Trump është paraqitur në gjykatë për herë të tretë, duke u deklaruar i pafajshëm në gjykatën federale për akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet e 2020. Në të gjitha këto dalje, gruaja e tij, Melania Trump nuk është parë gjëkundi.
Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë pasi në muajin prill, ajo mungoi në seancën historike të bashkëshortit të saj.
Melania ka refuzuar zyrtarisht kërkesat e shumta për t’u paraqitur në krah të Trump gjatë gjithë kësaj kohe. New York Times raportoi muajin e kaluar se ish-zonja e parë e SHBA-së, e cila nuk po ndjek protokollin e paraardhësve të saj në Shtëpinë e Bardhë, po fokusohet në mënyrën se si të ndihmojë me aplikimet në kolegj, djalin 17-vjeçar që ka me Donald Trump, Baron Trump. Ajo kujdeset gjithashtu që ta mbajë shumë të vogël rrethin e saj të personave me të cilët shoqërohet, duke zgjedhur të kalojë kohë me prindërit, djalin, “disa miq të vjetër” dhe veten në sallonet e bukurisë.
Edhe pse raporte të ndryshme thonë se ajo takohet me burrin e saj herë pas here për darkë, burime të tjera pretendojnë se nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me aktakuzat kundër tij apo me fushatën presidenciale të vitit 2024.
Ndërsa Trump është përpjekur të shfaqet përgjithësisht i patrazuar nga problemet ligjore, stafi i tij thotë se ai shpesh i frikësohej gruas së tij dhe reagimeve të saj ndaj zhvillimeve.
“Ai është i rezervuar, dëgjon shumë prej nesh, por ka frikë vetëm nga një person, Melania Trump”, tha Kellyanne Conway, një ndihmëse e Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Në prill, kur Trump fluturoi për në Nju Jork përpara paraqitjes së tij në gjykatë me akuzat se i dha ryshfet Stormy Daniels, ajo përsëri nuk ishte me të. Ish-presidenti kishte pranë tij një numër ndihmësish të fushatës, përfshirë djalin e tij, Eric. Melania dhe Ivanka nuk ishin askund.