Dje kur hyj në Instagram shikoj një femër të mbuluar me çarçaf të bardhë mbi bar. Ka vdekur thotë, poshtë urës, e qëlluar me thika në gjoks dhe në trup barbarisht. Sytë mu mbushën me lotë.
Kafshët! Gjoksi dhe barku i femrës janë mëmësia e saj. Si mund ta dhunosh një femër aty ku sjell jetë? Aty ku është femër?
Ishte prostitutë? Po sa shanse kishte ajo të mos ishte prostitutë! Ishte njeri, si ty!
Por a kishte fëmijë? Më erdhi turp dhe ndot nga vetja. Nga shekulli im! Por…
Asnjë ndërgjegje nuk ka shteti për atë gruan që zvarritej rrugëve sepse e kish hedhur makina? As qëndrat e grave?
As policia rrugore? As dëshmitarët që e panë? Apo …” Nuk ia vlente!” Kjo është shoqëria jonë indiferente.
Johumane dhe paragjykuese ndaj individit mjeran e të pafuqishëm.
Epo, ajo shtresë ka nevojë për ndihmë.
Kudo që shkon nëpër botë na tregohet humanizëm, këtu injorohet varfëria. Bile nuk di as ku të drejtohet qytetari për të denoncuar në një qendër sociale, apo për ndihmë. Sepse refuzohet, injorohet.
E vdes në mjerim, maskarallëk, dhunë!
Po ne si qytetarë, a kemi ndërgjegje?
Kam gjithë ditën që më mbyt në kraharor një zhgënjim ndaj vetes e shoqërisë.
Kam logjikuar e menduar gjithë mundësitë e mundshme si mund të mbijetonte ajo femër e pafuqishme, që arrin të shesë trupin për mbijetesë. Fytyra e saj dukej plakë, trupi i mpakur, buzëqeshja e çiltër, por e dhimbshme, sytë të lotuar. Edhe vetëm 32 vjeçe.
Dukej ndryshe. E vrarë.
E vdekur, por e gjallë! Tani nuk është më. Vdiq vërtetë! E vrau me vdekjen e saj brenda nesh luksin, deliret, mirëqëniet dhe individin egoist! Indiferentin, sipërfaqësorin, vrastarin!
Nuk njoh gra të tilla e më duket vetja vrasëse sot. Kam lyer duart me gjak.
Me gjakun e heshtjes, pranimit të një shoqërie ku në vitin 2023 femrat vdesin në mënyrë makabre, monstruoze.
Të tjera gra bëjnë buzët, gjokset, tërheqin fytyrën, ecin me taka. Po ajo?
Mis varfëria, mis mjerimi, mis prostituta!
A kujdesej për veten? Kur kishte ngrënë për herë të fundit? Ku flinte? Lahej?
Kërkoj ndjesë, por këto burgje mendimesh më kanë pushtuar trurin dhe trupin sot. Jemi njerëz, dreqi ta hajë!
U shpjegojmë fëmijëve të drejtat edhe liritë e njeriut, por të rriturit nuk i dinë.
Para dy ditësh bashkëshorti vret gruan e më tej veten. Sa vdekje të tilla më!
As shteti nuk ndikon. Në tv shikohen vetëm VIP-a. Këta “VIP-at e rrugës” vetëm më lajme kur vdesin i marrim vesh. Ah shoqëri indiferente, shoqëri indiferente! Shtet indiferent! Po para Zotit a jemi njësoj? Ah zot indiferent!
Zot indiferent!