– A zgjidhet?, dhe si?. Përveç (1) pajtimit me të qenët të huaj në vend të vet dhe (2) obstruksionit (që të dyja spirale kronike animoziteti dhe stagnimi), janë dhe katër mundësi: (3) emigrimi, pra kjo popullatë të braktisë territorin, për të cilin nuk mund të vazhdojnë të jenë si në hartë shenjat që tregojnë shkretëtirën (që varet kjo mundësi drejtpërdrejt nga masa e popullatës – pra një popullatë shumë e madhe nuk mund të emigrojë e gjitha -, dhe në përputhje me të, nga mundësi që vendi amë t’i akomodojë); (4) gjenocidi apo spastrimi etnik, pra që shtetikombi ku kjo popullatë është e huaj, të përdorë dhunën shtetërore në një nivel shtazarak për ta zgjidhur biologjikisht apo mekanikisht, por jo politikisht këtë çështje ( të vihet re se ky opsion i mundshëm në një sistem perandorak, aty ishte gjithsesi i natyrshëm, sepse në atë sistem territori është më i rëndësishëm se popullata) ( po ashtu, të vihet re se ky që ishte opsioni i fundit në një sistem perandorak, njëherë të ndodhë mund të shndërrohet në opsion të parë në sistemin e shtetevekomb) (në fakt për nga fëlligështia vetëm edhe e idesë dhe jo më e aktit, do të duhej që këtë mundësi as të mos e shtinim në skemë, por për fat të keq, kjo ka ndodhur gjithmonë përgjatë historisë dhe të kujtojmë që hera e fundit që ka ndodh, është ushtruar prej serbëve ndaj shqiptarëve më 1999).; (5) t’i krijohen kushte popullatës obstruksioniste ta ndjejë veten aty ku është si në vend të vet, pra si qytetarë të dorës së parë, duke i dhënë mundësinë e një organizimi politik paralel, gjë që do të thoshte ndryshim i natyrës së shtetit nga shtetkomb në federatë (siç synon në thelb Zajednica të jetë një shtet komplementar brenda shtetit kosovar) (dhe nëse do të ndodhte në mënyrë të pakuptimtë, pra për një popullatë dukshëm numërpaktë në raport me popullatën shtetformuese, do të ishte provë e dështimit të idesë së shtetitkomb dhe precedent për një epidemi federalizmi sektar jo vetëm brejtës për sistemin, por edhe në thelb anarkik e jofunksional në aspektin gjeopolitik) (kjo mundësi e federalizmit në fakt duhet parë si e njëjtë me atë të emigrimit, në varësi të numrit të popullatës: pra nëse popullata është e vogël më mirë emigron, e nëse është e madhe, më mirë të federalizohet aty ku është); (6) të lejohet popullata të ekzaltojë të drejtën e saj për të qenë më e rëndësishme se territori, duke e marrë territorin me vete tek kombi i vet, pra përmes zhvendosjes së kufijve (gjë që njëherë të ndodhë, po ashtu do ta vendoste në krizë sistemin gjeopolitik bazuar tek shtetetkombe, sepse do të çonte në rivendikime të pambarimta kufijsh dhe këmbime popullatash, çka do ta shndërronte politikën në futuristikë).
Të vihet re, se kjo skemë, lind nga mospranimi i mundësisë së parë, pra mospranimit të statusit minoritet brenda një popullate të huaj dominuese. Ky mospranim çon në obstruksion, dhe obstruksioni vjen nga mbështetja e shtetit amë, që në rastin e serbëve të veriut është një shtet gangster, pra që kërcënon me luftë për çdo çikërrimë. Obstruksioni pastaj bën të aktivizohet një skemë tjetër, kjo skemë. Nëse nuk duam të humbim territor pa mundur dot ta shmangim obstruksionizmin, e thamë që duhet të ndryshojë mendja shqiptare, e të jetë e gatshme për një luftë me Serbinë. Kjo do të çojë ose në luftë (të cilës tani s’ia dimë përfundimin), ose nëse Serbia del në blof (pra që ka bërë deklarata të rreme lufte) në pajtimin e tyre me të qenit të huaj në Kosovë, ose me obstruksion inercie ( meqë mburrja e shtetit amë bie), obstruksion tashmë i padëmshëm për Kosovën (sepse numri i serbëve në veri është shumë i vogël), e që do të dëmtojë vetëm popullatën serbe në territor. Ose me vullnet politik të palës shqiptare t’i lejojë territorialisht serbët t’i bashkangjiten shtetkombit të tyre, jo si një të drejtë që e fituan me forcë, por si një zgjedhje politike e armikut të tyre – palës shqiptare, që në këmbim do të kërkojë si kundërfavor të njëjtën gjë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Nëse nuk ndodh kjo, atëherë vetiu kuptohet që emigrimi ( i mirë për vetë popullatën e pakët serbe dhe i mirë edhe për Kosovën) nuk do të ndodhë, spastrimi etnik nuk do të ndodhë, për arsye e thjeshtë e të mjaftueshme, sepse është shtazarak e shqiptarët nuk janë shtazarakë, federalizmi përmes asociacionit po ashtu nuk do të ndodhë (s’duhet të ndodhë dhe nuk do të ndodhë) sepse shkatërron shtetësinë e Kosovës, e pra mbetet të lejohen t’i bashkangjiten territorialisht shtetkombit të vet, mirë për këtë popullatë sepse zhvillohet në përputhje me imagjinatën e vet, mirë për Kosovën sepse shërohet nga një plagë kronike që i kërcënon imunitetin (pa kërkuar dot në këmbim të njëjtën gjë për shqiptarët e Serbisë). Mirëpo në këtë rast nuk ka garanci se Serbia nuk do të vazhdojë të njëjtin obstruksion, shoqëruar me deklarata lufte tashmë në lidhje me serbët e tjerë të Kosovës që nuk kanë vijimësi territoriale me Serbinë,e herët a vonë do marrë prenë e radhës, në një të ardhme të përbërë, gjithmonë e më tepër as pa iu dashur të luftojë.
Qëndrimet e qeverisë së Kosovës gjatë krizës së këtij viti për t’iu përmbajtur parimeve dhe jo konjukturës, kanë shërbyer për ta vënë në dukje këtë lojë të dyfishtë të aleatëve në shpinë të Kosovës (e mjaftueshëm për të çdehur mendjen e turbulluar shqiptare). E sidomos për të mos lejuar që Serbia të fitojë me blof. Fakti që Qeveria e Kosovës po e bën këtë duke u fshehur pas forcave të aleatëve në terren, është një hile në luftë, (që do të thotë kthjelltësi që aleancat në themel janë pa miqësi) dhe në thelb një hile e drejtë, sepse vjen si përgjigje ndaj hiles së tyre. E drejtë sepse për hilet e aleatëve duhet të paguajnë forcat e aleatëve (dhe jo Kosova). (Vetëm se qeveria e Kosovës duhet të ketë parasysh se lufta me të vërtetë është hile, por nuk është vetëm hile.)
Po ashtu, mbajtja e policisë në territor dhe e kryetarëve të komunave në institucione, megjithëse një veprim me motivim problematik (pra sipas perspektivës së shtetitkomb që territori është më i rëndësishëm se popullata) është për këtë moment veprimi i duhur, sepse përderisa Serbia ka vendosur t’i bllokojë njerëzit e saj, aq më pak detyrim ka Kosova për këta, për këtë (dhe përderisa aleatët kanë vendosur të çlirohen prej miqësisë së shqiptarëve si diçka që i bezdis, atëherë shqiptarët nuk mund ta blejnë këtë mosfisnikëri si një mall që vlen).
Mbi kolaboracionizmin.
Një çështje e përhershme e statusit gjeopolitik të një shoqërie të caktuar, është edhe fakti sesi pjesë apo përfaqësues të ndryshëm të kësaj shoqërie, në rivalitet me njëri-tjetrin, apo pavarësisht njëri- tjetrit, vendosin kontakte me faktorë të ndryshëm gjeopolitikë (pra me faktorë të jashtëm apo të huaj për këtë shoqëri), me qëllim që të sigurojnë mbështetje për projektin e tyre politik, apo për atë që ato e mendojnë se është zgjidhja apo rruga e duhur që duhet të ndjekë shoqëria, ndërkohë që është e rrezikuar për një devijim përmes një rruge të gabuar, por fortësisht të mundshme. Bëhet fjalë për një fenomen në fakt të natyrshëm, të vjetër sa bota, të cilit vetëm vonë në shekullin e shkuar i është vënë emri kolaboracionizëm, në kontekstin e bashkëpunimit të qeverive kombëtare me pushtuesit, e përmes këtij konteksti dhe këtij emërtimi, duke i dhënë kuptim negativ – të papranueshëm në fakt.
E vërteta është që çdo operator kombëtar, çdo grup apo palë që brenda një shoqërie ka zhvilluar një praktikë dhe një projekt për udhëheqjen e asaj shoqërie në një drejtim të caktuar, në mënyrë të natyrshme vendos lidhje jashtë shoqërisë me të ngjashmit apo me të fuqishmit që mund ta përkrahin apo mbështetin në rrugën e vet. Vetëm se në situata ekstreme, si p.sh. në raste të pushtimit të vendit apo të një lufte civile, ky bashkëpunim e humbet vetvetishmërinë dhe pafajësinë dhe e vendos kolaboratorin në një situatë ku o fiton gjithçka, o humbet gjithçka.
Pra se qëndrimi ndaj kolaboracionizmit është çështje pragmatike: pala politike e brendshme që bashkëpunon me atë që rezulton fitimtar në luftën e jashtme shpallet po ashtu fituese, kurse pala politike që ka bashkëpunuar me humbësin e luftës së jashtme shpallet tradhëtar. Ose nëse bëhet fjalë për një luftë civile, ku të dyja palët kanë bashkëpunuar me faktorë të jashtëm për të përforcuar pozitën e tyre, pala që fiton luftën e konsideron virtut bashkëpunimin e saj me të huajin dhe sakrilegj bashkëpunim e kundërshtarit, duke e shpallur tradhëtar, duke konfonduar kolaboracionizmin me tradhëtinë.
Në të vërtetë, së pari kolaboracionizmi nuk është asfare tradhëti, pra nëse dikush apo disa kanë një projekt politik dhe ndër të tjera për ta bërë atë projekt të suksesshëm bashkëpunon me dikë të jashtëm, mirëpo në fakt dështon në këtë projekt, atëherë ky është një gabimtar fatkeq por jo një tradhëtar (vetëm nëse vërtetohet më shumë se kaq, si p.sh. rekrutime zanafillore apo pagesa të personalizuara).
Së dyti, koncepti i tradhëtarit si koncept politik është shumë i rëndësishëm për të qenë tërësisht identik me konceptin e tradhëtarit si koncept civil ndërindividual, prej nga ku edhe e ka origjinën. Pra në përditshmëri tradhëtar quhet dikush që ka shkelur me flagrancë një praktikë apo parim konfidence, duke e nxjerrë pa asnjë skrupull përfitimin e vet tek dëmtimi i tjetrit. Mirëpo, cili bën të njëjtën në politikë, pra në mënyrë të qartë dhe të paskrupullt, dëmton trupën e vet politike duke shitur shërbimin e tij tek armiqtë apo fuqi të huaja, në fakt nuk tradhëton dikë tjetër, por atë pjesë e së cilës është (bashkësinë që i përket). Në këtë kuptim tradhëtarit në kuptimin e vet civil, nuk i korrespondon ai që quajmë tradhëtar në kuptimin politik, por i korrespondon ai sipas çka më lart quajtëm kolaboracionist, për arsye se përmbushin një ngjashmëri thelbësore: akti i tyre gjykohet si poshtërsi në varësi të gjykimit të rivalit apo krahasimisht përmes kontrastit me sjelljen e patëmetë të tjetrit, rival dhe/apo konfident. Në të kundërt ai që quhet tradhëtar në kuptimin politik, ndryshe nga kolaboratori nuk ka një projekt politik (shoqëruar me një ligjërim dhe praktikë publike përkatëse) por vetëm interesa private të fuqisë, kontrollit, dominimit, dhunimit; po ashtu nuk ka një rival apo konfident, të cilin me poshtërsinë e vet do ta dëmtojë, por thjesht synon të shkaktojë dëm si provë e të mospaturit asnjë limit.
Dhe sado përbuzëse të jetë të qenit tradhëtar, tradhëtari në kuptimin politik është edhe më i ulët se tradhëtari në kuptimin civil, ndaj për ta dalluar këtë nivel fundor poshtërsie, po e quajmë këtu damtori, apo damtori i përhershëm ekskluziv, si shprehje e prirjes së një bashkësie për autodestruksion pavarësisht çdo rreziku të jashtëm. Po, mund ta quajmë edhe me një term në pamje të parë jopolitik, pra i mallkuari apo i nëmuri (i paracaktuari për të sjellë dëm), në kuptimin që është i dënuar t’i pëlqejë të dëmtojë bashkësinë e vet dhe ka nepsin e kontaktit me palë të huaja që ia garantojnë përçdoherë këtë.
Në fakt kur në mënyrë konstante gjatë këtyre muajve që Serbia praktikisht i shpallte luftë Kosovës, kryeministri zyrtar i Shqipërisë sillej sikur këto deklarata lufte nuk ekzistonin (duke dhënë pa të keq mesazhin frikacak se Shqipëria as nuk e përfytyron e jo më të jetë gati për një luftë), sikur një entitet politik si shteti i Kosovës nuk ekziston (kur deklaronte se aleatët janë zot shtëpie në Kosovë siç!?,), kur e sulmonte dhe detraktonte qeverinë e Kosovës meqë kjo e konsideronte Serbinë armike, aleatët pragmatistë dhe çështjen shqiptare barrë të padelegueshme, kur një dokument pa origjinë për statusin e popullatës obstruksioniste serbe, të papërgatitur nga ai dhe të pashpallur para bashkësisë politike shqiptare (dhe në fakt haptazi të pakonsultuar nga asnjë shqiptar – pra pa as garancinë më të vogël se ai dokument nuk ishte dëmtor) e dërgonte tek aleatët e deprimuar franko- gjermanë, as si korrier por si vasal pa vullnet dhe pa personalitet, dhe kur i mësuar si vasal i lutej maestros së vet të mos e poshtëronte në mënyrë të pandreqshme, dhe kur si vasal kërkonte ta trajtonte qeverinë e Kosovës si vasale, duke pretenduar në tym t’i mësonte gjeopolitikën, çfarë i bashkon të gjithë këtë zinxhir fyerjesh dëmtuese është dëmi i pandërprerë, permanent, i dukshëm, i paekuivok, i paracionalizueshëm, i rëndomtë, njëherazi dëm për mendjen shqiptare dhe çështjen shqiptare.
Si fyerës serial i mendjes shqiptare, është shumë larg riskut burrëror të kolaboracionistit (risk që e ndan fisnikërinë nga fatkeqësia), madje nuk ka as luksin të quhet tradhëtar, por damtor i përhershëm ekskluziv, pasiqë ndryshe nga tradhëtari nuk dëmton një rival, as konfident, (sepse ai nuk është rival me kryeministrin e Kosovës pasiqë s’ka asnjë mekanizëm që ta atashojë atë si palë politike në Kosovë; dhe bashkësia politike shqiptare nuk është një palë në raport me të, sepse ai është pjesë e saj); kështuqë dëmi që sjell është dëm i kulluar, dem që ekziston për hir të vetes, efekti imediat i të cilit (pra estetizimi i dëmit ) e shpie damtorin e përhershëm ekskluziv, përtej kufijve të së mirës dhe së keqes.
Mbi mustedaifinët ( të dobëtit, burrat, burracakët).
1. Ishte e domosdoshme, të hidhnim dritë mbi ligjësitë e gjeopolitikës dhe për natyrën e luftës, aleancave dhe territorit, për armiqtë dhe kolaboratorët, por sa më shumë shtonim prej kësaj njohurie, aq më tepër bëhej e qartë, që në fakt kjo njohuri nuk është sekrete, pra nuk është e vështirë të njihet e zotërohet, por është shumë e vështirë të zbatohet, e për këtë arsye, prej moskomoditetit që i sjell zotëruesit, shmanget, fshihet, falcifikohet e deri refuzohet. Mjafueshëm sa për të kuptuar se është i domosdoshëm një reformim i mendjes, për të përmbushur reformimin e realitetit.
Prandaj, për ta plotësuar të tërën, duhet po ashtu të hedhim dritë edhe mbi natyrën njerëzore, mbi atë cilësi që i bën njerëzit të marrin përsipër të sillen në përputhje me hakun e gjërave edhe nëse rrezikojnë të humbasin çdo gjë. Kur njerëzit e përmbushin këtë cilës, i quajmë me karakter, apo me personalitet, apo me kurajo, apo me koherencë, prandaj ne do të flasim posaçërisht më poshtë për burrërinë si cilësi bazë njerëzore me natyrë fortësisht politike, e cila cilësi i përmbledh edhe gjithë të mëlartmet.
Për ta bërë këtë do të kthehemi më në fund tek Libri i Sigurtë i Zotit, Kurani, me bindjen që çfarëdo të merret prej tij, nëse ia qëllojmë kontekstit, shërben si një ligjësi, zbatimi i së cilës sjell sukses dhe përkundrazi moskonsiderimi i saj mjafton për dështimin. Në të vërtetë, edhe pohimet e derikëtushme për çështjet e gjeopolitikës dhe luftës, janë në thelb brenda frymës kuranore, por zgjodhëm t’i paraqitim pa referenca të posaçme për të shmangur rrezikun e skolastikës, pra të trajtimit të Librit të Zotit si libër që studiohet, duke mos arritur pas kësaj të shihet si libër inspirimi dhe veprimi, me prakticitet akut. Referimi i drejtpërdrejtë që do të bëjmë më poshtë, besojmë se përmbush pikërisht këtë ambicje: të përfitojmë prej Kuranit jo vetëm saktësinë e padyshimtë të ligjësive, por edhe inspirimin për t’i ndjekur, (e të shmangim banalitetin e mosndjekjes).
Kështu, do ta konkludojmë me Kuran këtë raport mbi çështjen shqiptare, në fakt me me disapak ajete prej Tij, shkëputur prej Sures së katërt, En Nisa.
Zbritja e sures kuranore En Nisa (Gratë) në Medine, ka zgjatur për rreth 2 vjet, me shumë mundësi në periudhën mes Betejës së Uhudit dhe Betejës së Hendekut, pra mes viteve 4 dhe 6 të Hixhretit, apo mes marsit të vitit 625 dhe prillit të vitit 627.
Periudhë e vështirë (ndoshta më e vështira për muslimanët e parë Pas Hixhretit), karakteristika të së cilës ndër të tjera ishin shtimi i armiqësisë dhe shpallja haptazi e kësaj armiqësie ndaj muslimanëve, prej fiseve idhujtare arabe dhe prej Benu Israilëve (hebrenjve të Arabisë), një lloj kulmimi i rrezikut prej munafikëve – hipokritëve (atyre arabëve që shpallnin besimin pa besuar, për të përfituar në kushtet kur muslimanët në Medine sundonin qytetin) frikësimi dhe persekutimi i muslimanëve kudo që të ishin jashtë Medines (sidomos ata që kishin mbetur të kurthuar në Mekën e sunduar nga idhujtarët) dhe një lloj stepje dhe pasigurie e vetë muslimanëve në Medine (sidomos e burrave prej tyre) (dhe sidomos për këto dy kategori do të flasim mbështetur nga vërtetësia absolute e pohimeve të tekstit). Duke qenë se në tërësinë e saj Surja En Nisa rrok këtë gjendje, mund të vërehet sesi në këtë sure flitet praktikisht për të gjitha këto çështje. Por ne do të përpiqemi këtu të tregojmë sesi trajtimi i kësaj periudhe në këtë sure, sugjeron si lejtmotiv bazë që kategoritë (apo llojet e njerëzve) janë të përhershme dhe të paluajtshme, kurse përkatësitë tek to, mund të jenë kalimtare dhe të lëvizshme.
2. Pjesa narrative e sures ndër të tjera tregon gjendjen e muslimanëve të mbetur në Mekë nën sundimin e mushrikëve – idhujtarëve, pas Hixhretit. Pa patur mundësi të largoheshin, me pjesën më të madhe të besimtarëve të zhvendosur qindra kilometra larg dhe sidomos pa praninë e Profetit a.s. dhe nën ashpërsinë dhe mërinë në rritje të idhujtarëve mekas, ata ishin në një gjendje bazë dobësie, të ngushëlluar vetëm nga shpresa e rikthimit dhe triumfit të muslimanëve. Gjë që e përshkruan Zoti në Kuran: ” Ç’keni ju që nuk luftoni në udhë të Allahut dhe për shpëtimin e të shtypurve (mustedaifinë), për burrat, gratë dhe fëmijët që thërrasin: O Zoti ynë! Nxirrna nga ky qytet, banorët e të cilit janë keqbërës! Na cakto një mbrojtës dhe na dërgo nga ana jote dikë që të na ndihmojë!” Sure Nisa, ajeti 75.
Siç mund të kuptohet nga ky ajet, këta besimtarë ishin të dobët, të munduar, të papeshë, të paaftë për t’i dalë për zot vetes, pa vullnet për të përcaktuar ata vetë se ç’do të ndodhte me ta (termi mustedaifinë në arabishte ka këtë kuptim). E thënë më ashpër, një gjendje në të cilën burrat ishin me të njëjtin status me gratë dhe fëmijët, një gjendje në të cilën duket se Allahu nuk i qorton burrat që ankohen dhe kërkojnë ndihmë si të ishin fëmijë. Po përse Allahu nuk i qorton, pra përse ankimi i tyre dhe deklarimi i dobësisë si themel të të qenit, janë të pashmangshëm? Ka vetëm një shpjegim të arsyeshëm për këtë: muslimanët mekas para Hixhretit mbaheshin me aspiratën që herët a vonë thirrja e tyre do ta ndryshonte gjendjen e gjërave në shoqëri, duke e kthyer Mekën në një qytet musliman, por pas ikjes së pjesës më të madhe të besimtarëve dhe sidomos të më të rëndësishmëve ndër to, burrat e mbetur nuk mund të motivoheshim më me këtë aspiratë, pra as nuk mund ta përfytyronin se ndryshimi i gjendjes së popullit të tyre ishte një amanet për ta. Pra është pamundësia e kësaj aspirate (e në përgjithësi mungesa e çfarëdo aspirate) dhe mungesa e lidershipit, që toleron dhe justifikon rënien e burrave në kategorinë e fëmijëve dhe grave.
2. Pra, megjithëse kategoria e burrave është një kategori universale e përhershme njerëzore, mundësia për të qenë pjesë e kësaj kategorie, nuk është e dhënë njëherë e mirë dhe në mënyrë përfundimtare, sepse ekziston mundësia ekstreme që burrat të mos jenë dot të tillë dhe madje edha pa qenë medoemos fajtorë për këtë (ndaj edhe e quajtëm ekstreme). Dhe për burrat nuk mund të ketë gjë më të rëndë se kjo, të qenit mustedaifinë. Por në fakt ka diçka edhe më të rëndë: të qenët e burrave mustedaifinë (pa aspirata të rëndësishme, pa vullnet, pa fuqi) pa patur dot justifikim për këtë (pra humbja e pafalshme nga vetë burrat, e mundësisë për të qenë burra).
Dhe në fakt, mjafton po ky ajet që flet për mustedaifinët e justifikuar, që në fakt qorton riskun e të shndërruarit në mustedaifinë (të pafuqishëm, të pavullnet, të papeshë) edhe të burrave të tjerë, në këtë rast të atyre besimtarëve që nuk janë nën dhunën e sundimit të idhujtarëve, por që ngurrojnë të luftojnë për të çliruar vëllezërit e tyre mustedaifinë (fëmijë gra dhe burra mbetur në Mekë). Pyetja e kthjellët e në Librin e Zotit ” Ç’keni ju që nuk luftoni në udhë të Allahut dhe për shpëtimin e të dobtëve…” është dëshmi e luhatjes së rrezikshme të besimtarëve tashmë të shpërngulur në Medine, e luhatjes së tyre për t’u shndërruar ata vetë në mustedaifinë.
Në të vërtetë ajo që tek ajeti 75 i Sures Nisa vjen si pyetje, thuhet shprehimisht pak më lart, në ajetet 72 dhe 74:
” Në të vërtetë disa prej jush ngurrojnë të shkojnë në luftë. Nëse ju ndodh ndonjë fatkeqësi ndonjëri thotë: Vetë Allahu më ka shpërblyer mua, për t’mos u gjendur i pranishëm me ta” 4, 72.
” Le të luftojnë në rrugën e Allahut ata që nuk e kursejnë jetën e kësaj bote për jetën e ardhshme. Atij që lufton në rrugën e Allahut, dhe vritet ose fiton, Ne me siguri do t’i japim shpërblim të madh” 4, 74.
Përmendja e ngurrimit për të luftuar, pra për të manifestuar vullnetin dhe fuqinë dhe burrërinë, e zbutur nga përemri i pacaktuar kufizues ” disa” dhe çudia nga supozimi i ekzistencës së ndonjë arsyeje për të mos luftuar për çështjen e Allahut dhe çlirimin e të dobtëve, janë sinjalizime të të qenit mustedaifinë të një pale tjetër burrash, tashmë të lirë, të organizuar dhe të armatosur. Dhe sigurisht që kjo është edhe më keq se të qenit mustedaifinë të besimtarëve të mbetur në Mekë (sepse kjo paburrëri është e pajustifikueshme).
Po ashtu në këtë sure, gjejmë një rast tjetër të të qenit mustedaifinë, në një version edhe më të rëndë. Bëhet fjalë për ata muslimanë të mbetur në Mekë, të cilët pafuqinë dhe nënshtrimin e tyre ndaj idhujtarëve e çuan deri në atë pikë, sa duke mos e deklaruar pranimin e Islamit, rronin mes idhujtarëve duke ndjekur jetën dhe zakonet e tyre e duke u justifikuar me dobësinë e gjendjes. Gjë që çoi të përfshihen në ushtrinë apo repartet e mushrikëve (idhujtarëve) e morën pjesë në luftërat e këtyre ndaj muslimanëve, duke mos shmangur situatën e të qenit vrasës besimtarësh, apo të vrarë prej besimtarëve. Siç dëshmohet në Kuran, po në suren Nisa: ” Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që kanë ngarkuar veten me faje, u thonë : Ku ishit ? Ata i përgjigjen: “Ishim të pafuqishëm (mustedaifinë) në tokë” (Engjëjt) u thonë: A nuk ishte toka e Allahut e gjerë që të mërgonit në të? Këta janë ata (njerëz), vendbanimi i të cilëve është Xhehenemi; eh, sa i keq është ai vendbanim!” 4, 98.
Në fakt janë të këtillët që e paraqesin veten si mustedaifinë për t’u justifikuar për angazhimin e tyre kundër besimtarëve, por siç duket nga vijimi dhe fundi i ajetit, ata e kanë zgjedhur me vetëdije të jenë mustedaifinë, dhe se në të vërtetë ata luhaten mes besimit dhe mosbesimit, mes të qenit besimtar dhe të qenit hipokrit. Gjë që konfirmohet edhe nga dy ajetet pasardhës, ku nga dënimi i Xhehenemit me të cilin kërcënohen hipokritët si mustedaifinë të rremë, përjashtohen mustedaifinët e vërtetë, pra besimtarët e mbetur papeshë mes mushrikëve në Mekë : ” Me përjashtim të të pafuqishmëve (mustedaifinëve) prej burrave, grave dhe fëmijëve, të cilët nuk kanë as fuqinë, as mundësinë të drejtohen në rrugë, mbase Allahu i fal, se Allahu me të vërtetë është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.” En Nisa, 99.
Ky mospranim nga Zoti i statusit të mustedaifinëve për hipokritët, tregon se ky është një status i toleruar (dhe për hipokritët përfaqësonte një rritje në status), por paralajmërimi i besimtarëve në Medine, se edhe ata rrezikonin të bëheshin të ngjashëm me besimtarët e mbetur në Mekë, tregon se ky është një status i patolerueshëm për burrat muslimanë (për ta përfaqëson një rënie në status) të cilët janë të lirë dhe të udhëhequr nga prijësa të sprovuar, mes të cilëve madje, Profeti Muhamed a.s.
Po ashtu, tregon se dallimi mes burrave dhe mustedaifinëve është i përhershëm: sa kohë ka mustedaifinë, ka edhe burra të fuqishëm që u dalin atyre për zot (qoftë edhe një burrë i vetëm, siç shpallet po në suren Nisa, ajeti 83 : ” Pra lufto në rrugën e Allahut! Ti je përgjegjës vetëm për veten tënde. Nxiti edhe besimtarët, se mbase Allahu e pengon fuqinë e besimtarëve…”);por po ashtu është një dallim konvencional (pra që nuk varet nga atributet e burrërisë më vete): burrave u lejohet të jenë të pafuqishëm vetëm nëse kanë mbetur pa prijës dhe pa aspiratë. Mirëpo ndërsa mund të mos jesh burrëror në mënyrë konvencionale, nuk mund të jesh burrë konvencionalisht, të qenit burrë kërkon medoemos manifestim të atributeve burrërore. E kështu mustedaifinët mund të mos jenë përherë mustedaifinë, kurse burrat mund të mos jenë përherë burra. Me dallimin e rëndësishëm që burrat mund t’i humbasin cilësitë e tyre burrërore vetëm për pak kohë, sepse rifuqizimi është në dorë të tyre, parasëgjithash varet vetëm prej tyre; kurse mustedaifinët mund të jenë të tillë edhe përgjithmonë, pasi rimëkëmbja nuk është në dorë të tyre, por para së gjithash tek rrethanat dhe tek ajo që bëjnë të tjerët. E me gjithë këtë dallim të rëndësishëm brenda faktit që këto kategori janë të përhershme, burrat që gjenden tek njëra apo tjetra kategori, në kohë të ndryshme mund të këmbejnë vendet mes tyre.
3. Qartësia më e çmuar që na vjen nga këto ajete, është që me siguri ekzistojnë burrat e dobët, nëse zaptohen sistemisht duke mos i lejuar të kenë aspiratë, as të kenë prijës dhe as të drejtën për ta braktisur territorin dhe të shpërngulen (emigrojnë) prej aty. Dhe se po ashtu Zoti ka caktuar që të ekzistojnë për çdo masë burrash të dobët (mustedaifinësh) një masë burrash të fortë, të cilët janë të ngarkuar me obligimin t’u dalin për zot masës së parë.
Kjo na ndihmon drejtpërdrejt të plotësojmë edhe atë që mund të ketë ngelur mangët nga ky raport mbi gjendjen shqiptare. Kur ushtria serbe në vitet 1998 – 1999 sulmoi brutalisht popullatën civile shqiptare, fëmijët, gratë, pleqtë dhe burrat që u gjenden nën këtë dhunë, kaluan në statusin e mustedaifinëve (mbetën pa aspiratë, pa udhëheqësi dhe pa shtegdalje.) Tani pyetja që që prej atëherë është aty, por ende e pa përzanuar, është pyetja e ajetit 75 të sures Nisa, dhe kjo pyetje i drejtohet shqiptarëve të Shqipërisë zyrtare e posaçërisht burrave të shtetit dhe ushtrisë së Shqipërisë, sepse këtu është origjina e së keqes me të cilën kemi të bëjmë edhe sot: shqiptarët këndej kufirit (shqiptarët në Shqipëri) që nuk kishin të drejtë të ishin mustedaifinë, u sollën pikërisht si të tillë, duke i lënë në baltë të dobëtit (shqiptarët në Kosovë). Pra me termat e ndërtuar prej nesh: i bënë hile luftës, nuk iu përgjigjën luftës as me deklarata lufte, u lanë aleatëve barrën e luftës ( shoqëruar me tre pasoja për shtetin e ri: legjitimitet të gjymtë, aleanca të denatyruara, moskapacitet për t’iu përgjigjur armiqësisë me armiqësi), i konfonduan ekskluzivisht aleancat me miqësinë, mirënjohjen pa kushte me mazokizmin e lëvdimit të vetëdëmtimit, praktikisht shkatërruan kapacitetin e tyre negociues në vazhdimësi.
Me gjithë këto simptoma ligështie, nuk është çështje vetëm humbja e territorit në Veri, por rreziku i dobësimit të sovranitetin në të gjithë territorin, rreziku i një kërcënimi për luftë për çdo rast kur një serb i Kosovës e ndjen veten të diskriminuar kur shqiptarët ekzistojnë në prani të tij, dhe humbja e perspektivës për t’u zhvilluar si bashkësi pranë një fqinji që pasi dështoi të të zhdukte, shfaqet i deprimuar nga ky dështim dhe kërkon kompensim për këtë dështim. Këto janë pasojat e mospërgjigjes për pyetjen: ” Ç’keni ju që nuk luftoni në rrugën e Allahut dhe për shpëtimin e të dobtëve (……)?”
4. (Mbi emigrimin). Ata që përveçse janë të dhunuar e nuk kanë as mundësinë të përfytyrojnë ndryshim të gjendjes dhe janë pa lidership (apo pa kontakt me të) dhe as mundësinë të emigrojnë janë pa qortim burra të dobët. Kurani nuk i qorton ata që emigrojnë në kushte të bllokimit të zhvillimit si bashkësi, nga ku konfirmohet çfarë thamë më parë që popullata është më e rëndësishme se territori. Por lejimi për të emigruar nuk legjitimohet thjesht për të ruajtur jetët e njerëzve, por si një moment pauze kreative – reflektuese që këta njerëz dhe kjo bashkësi të zhvillohet dhe forcohet, të nxjerrë mësim që të mos e pësojë më statusin e toleruar të mustadaifinëve dhe të mos e lakmojë më hilen e të vetëparaqiturit si të dobët kur të tillë nuk janë.
Prandaj shqiptarët e sotëm të Kosovës që më 1999 ishin të justifikuar si burra të dobët deri në momentin kur i shpërngulën tërësisht si popullatë nga tërë territori, duhet të jenë të qartë se paradoksalisht ky dëbim ua hoqi në atë moment që ndodhi, justifikimin e të qenit mustedaifinë, sepse që nga momenti që vunë këmbë në territorin e Shqipërisë, bashkë me ushtrinë shqiptare apo shqiptarët në Shqipëri, kishin dy mundësi , ose luftë burrash në terren me ushtrinë barbare, ose si hipokritët e përshkruar në Kuran, mustedaifinë të rremë apo ndryshe burracakë. Por për aq sa koha e shpejtë me të cilën si pasojë e bombardimeve nga Nato dhe rezistencës së një pakice burrash në territor, ushtria serbe u tërhoq nga Kosova, ky përvijim burracakërie atëherë më shpejt u zhduk se u shfaq (bashkë me të cilën u zhduk edhe mundësia e reflektimit prej emigrimit).
Mirëpo tani është e njëjta: qenë të justifikuar para 24 vjetësh sepse nuk kishin mundësi të emigronin, por pasi emigruan duhet ta justifikonin këtë justifikim, duke u kthyer prej aty ku i dëbuan me statusin e burrave të fortë. Ky është rasti, kjo është mundësia dhe është pikërisht tani, apo pikërisht prej tani. Sjellja e sotme e popullatës shqiptare edhe në Shqipëri, por sidomos në Kosovë, përballë kërcënimeve të Serbisë, duket se po degradon në statusin e mustadaifinëve të rremë, pra të atyre që kanë mundësi të jenë burra por që shpresojnë ta paraqesin mungesën e kurajës dhe mosllogaritjen e sakrificës, si pamundësi objektive që nuk i ngarkon me përgjegjësi. Nëse nuk braktiset me vendosmëri ky status tani, çështja shqiptare do të jetë një zonë e errët në skenën gjeopolitike, kurse mendja shqiptare një zonë e turbullt ku të gjitha pyetjet mbeten pa përgjigje.
Për ta kuptuar më mirë gjithë këtë: argumenti më stresues rreth veriut të Kosovës është përfytyrimi i dëmit të humbjes së pasurive të Trepçes ( stres që e merr të mirëqenë që territori është më i rëndësishëm se popullata, ndërkohë që koncepti kuranor për emigrimin është që popullata është më e rëndësishme se territori dhe se hixhreti- emigrimi është një mundësi reflektimi, zhvillimi, fuqizimi dhe rikthimi).
Në këtë kuptim nuk është nëntoka e Mitrovicës ajo që përcakton fatin e shqiptarëve. Sepse nëse janë serbët popullata mbi territorin e minierës, atëherë ajo pasuri është e tyrja, paçka ( apo pikërisht) se ata do ta shfrytëzojnë në mënyrë kriminale për të thelluar padrejtësitë sociale në shoqërinë e tyre dhe për të militarizuar shtetin në një projeksion permanent kërcënimi ndaj fqinjëve. Dhe nëse është popullata mbi territorin e minierës, atëherë ajo pasuri është e shqiptarëve, paçka se ka shumë mundësi ta shfrytëzojnë duke abuzuar, duke shtuar padrejtësitë mes shqiptarëve e duke u bërë gjithmonë e më të varur nga frika e luftës.
Në fakt nuk ka shumë për të zgjedhur. Përveç paradoksalisht nëse këtë popullatë shqiptare e dëbojnë prej atje (edhe si pasojë e një kompensimi territoresh siç e kemi paraqitur këtu), atëherë ky largim i detyruar nga territori i vendlindjes , potencialisht mund të jetë një moment i kapërcimit të vetes, i reflektimit mbi zhbërjen e gjërave dhe mbi meritimin e dëmit, i përpjekjes për t’u zhvilluar në grup nën shenjën e kësaj përvoje ndëshkuese; pra për ta parë vendndodhjen e re si një territor që duhet zhvilluar si zonë e sigurtë prosperiteti dhe dinjiteti mes kësaj bote të pasigurtë e prej nga ku mund të kthehen më të fortë dhe më të vërtetë edhe njëherë atje prej nga i dëbuan. (Ndryshethënë: nëse ajo pasuri e nëntokës u jepet shqiptarëve, të gjitha të dhënat të çojnë në përfundimin se do të jetë një mundësi më shumë që ata të kaplohen nga përtacia, vetëkënaqësia, dobësia dhe abuzimi, e në të kundërt nëse është emigrimi që u jepet shqiptarëve, mund të shndërrohet në një një pasuri që po të dinë ta shfrytëzojnë, mund të nxjerrë prej tyre një popull tjetër, të çliruar nga përtacia, padrejtësitë, dobësia dhe inercia.