Ajo që po ndodh sot në katër komunat me popullatë serbe nën juridiksionin e shtetit të Kosovës, është kollaj e rregullueshme nga pikëpamja e logjikës së shëndoshë: në kushtet e obstruksionit permanent të asaj popullate, favorizuar nga një shtet racist dhe kriminal dhe nga vijimësia territoriale mes atyre tokave dhe atij shteti, pra ajo popullatë (rrjedhimisht ai territor) lejohet të zhvendoset tek ai shtet, me çdo kusht me kushtin që e njëjta gjë (pavarësisht mungesës së obstruksionizmit) të bëhet edhe me popullatën shqiptare nën juridiksionin e shtetit serb, pra dhe kjo popullatë (e rrjedhimisht dhe ai territor) të lejohet të zhvendoset në shtetin kosovar. Procedura dhe klauzolat negociohen nën rreptësinë e reciprocitetit të vetëkuptueshëm dhe pas kësaj dy popullsitë dhe dy shtetet rrinë kundruall njëri-tjetrit në kushte neutraliteti, ftohtësie dhe vigjilence (madje detante të armatosur sa e gjithë sa, nuk shoqërohet me ndjesë botërore prej Serbisë për masakrat, gjenocidin dhe deportimin shtazarak të mbarë një populli). Mbetet kjo një zgjidhje e arsyeshme përsa ky obstruksion konstant, është premisa dhe shkaku, e jo pasoja e simptoma.
Sigurisht ky obstruksionizëm është një sëmundje kronike e sistemit gjeopolitik aktual konceptuar si sistem shteteshkomb, e si shërim për të shkëmbimi i territoreve, e cila zgjidhje, ve në krizë themelet e ekzistencës së sistemit; prandaj paraqitet e vështirë e deri e pështirë ideja e këmbimit të territoreve, sepse sugjeron idenë e një sistemi që bren veten.
E duke qenë të penguar për ta normalizuar anomalinë, nga vetë sistemi që e përfton këtë anomali, në këto momente shqiptarët dhe mendja shqiptare janë të çoroditur në kërkim të zgjidhjeve secila më e panatyrshme, ose më utopike, ose më e padurueshme se tjetra. Provë se mendja shqiptare ka humbur qartësinë në lidhje me kuptimin dhe ligjësitë e disa prej fenomeneve gjeopolitike më bazike e rrjedhimisht pëson të qenët një bashkësi e frustruar, e papeshë dhe gati e pavlertë e e pakuptimtë.
Në këto kushte është njësoj emergjente edhe të zgjidhet obstruksionizmi i popullatës serbe në anën veriore të shqiptarëve, edhe të shmanget deprimimi i mendjes shqiptare nga përballja pa filtra me thelbin dogmatik të sistemit të sotëm botëror. Në fakt e vërteta është se këto dy emergjenca janë dy anë të së njëjtës medalje dhe nuk zgjidhen veçeveç por bashkë. Siç e vërtetë është për natyrën e të gjithë çështjeve të rëndësishme, pra se kërkojnë njëkohësisht reformim të realitetit dhe të mendjes që i jep formë realitetit, dhe atëherë kur në historinë e shqiptarëve kjo ka ndodhur, kemi patur çlirim dhe përparim të çështjes shqiptare; dhe në të kundërt (pra kur është synuar vetëm reformimi i realitetit pa atë të mendjes), e kemi patur çështjen shqiptare të lënë djerrë, siç është shumë pranë këtij rreziku sot.
Ndaj sot, ta ushtrosh çështjen shqiptare do të thotë që sa sa pandërprerë demonstrohet se në kushtet e obstruksionizmit këmbimi i territoreve është zgjidhje optimale (e çkurdisja e obstruksionizmit – mënyra sesi e së cilës, aktualisht e ka kaluar politikën ndërkombëtare në misticizëm – zgjidhja tjetër), kjo e ndih mendjen të rigjejë kuptimin e përhershëm të koncepteve të tilla bazë si lufta, armiku, aleancat, territori, kolaboracionizmi.
Çka vijon, synon të jetë shumë modeste, një përpjekje e tillë.
Mbi luftën
Në të vërtetë qëndrimet e Serbisë gjatë këtyre viteve, që obstruksionin e popullatës serbe brenda Kosovës e kanë shoqëruar dhe mbështetur me deklarata kërcënuese dhe me afrim të ushtrisë pranë kufirit me Kosovën, do të duhej të ishin të mjaftueshme që shqiptarët të dekodonin mesazhin që për serbët Kosova nuk ishte humbur, sepse ata (serbët) nuk kishin humbur një luftë me shqiptarët, por me Nato dhe Shba. Për pasojë lufta për Kosovën duhet ribërë apo mund të ribëhet nga momenti në moment, si një luftë e drejtpërdrejtë serbo – shqiptare. Kësaj gatishmërie të shprehur për luftë të Serbisë, pala shqiptare nuk iu ka përgjigjur praktikisht aspak, duke u fshehur pas juridiksionit të KFOR- it. Kjo pagatishmëri, ky kujdes i pakuptim apo madje kjo moskurajë për t’iu përgjigjur kërcënimit me kërcënim, nuk është gjë tjetër vetëm shprehje e humbjes së marrëdhënies së mendjes shqiptare me luftën, shoqëruar me shpresën e rreme se lufta mund të shmanget, të gënjehet, t’i bëhet hile, mjaft t’mos mendosh apo të përgatitesh për të. Është ky gabim i madh faktori kryesor që ka fuqizuar pozitën e Serbisë dhe fuqinë e saj negociuese dhe ka dobësuar pozitën e Kosovës dhe të fuqisë së saj negociuese.
Vërtet lufta është hile, por kjo do të thotë se në luftë ndryshe se në paqe hilja është e lejuar, pra mund të bësh hile, por nuk do të thotë se mund t’i bësh hile luftës. Pra nuk mund ta shmangësh një luftë që të pret rrugën: ose do ta bësh atë, ose do të dorëzohesh. Jo se nuk mund t’i shmangesh (pra t’i bësh hile), por çmimi për këtë është humbja pa luftë e objektit të synuar nga lufta dhe luftëbërësi. Dhe humbja pa luftë do të thotë praktikisht shkatërrim i mundësive për revansh, rimarrje dhe rikthim.
Në thelb çdo luftë paraprihet përmes një praktike ligjërimore (deklaratë, kërcënim, paralajmërim, me: korrier, letër, delegacion, ndërmjetësues),(që ajo vetë duke paralajmëruar dhunë, është po ashtu dhunë) që nuk ka vetëm vlerë formale, por në fakt shpesh e kushtëzon e madje e zëvendëson luftën. Prandaj çështja e luftës, në thelb është një çështje ku diferenca mes realitetit dhe perceptimit praktikisht nuk ekziston, sepse gatishmëria për luftë (pra refuzimi i hileve të pambarimta për mostakim me të) është diçka që ekziston së brendshmi në mendje e së jashtmi në deklarata, e duke qenë mendja e panjohshme sëjashtmi e deklaratat të papërgënjeshtrueshme tjetërlloj vetëm se me kundërdeklarata, e vetmja mundësi që deklaratat për luftë të agresorit të zhvlerësohen është replikimi e tyre nga pala tjetër, me deklarata të njëjta gatishmërie për luftë. Sepse për palën që kërcënohet me luftë nuk ka rëndësi të dijë se pala kërcënuese e ka vërtetësinë e luftës në mendje apo jo, por të dëshmojë se kërcënimi mjafton të thuhet dhe ndodh (e s’ka kuptim të sillesh sikur kërcënimi ka të bëjë me përmbushjen e aktit që paralajmëron – kjo përmbushje është pikërisht tjetër gjë lufta).
Me këtë replikim, mundet që pala e parë të tërhiqet nga qëndrimet luftëdashëse, e gatishmëria për luftë rezulton e rreme. Apo të vazhdohet me deklarata e kundërdeklarata që ose konservojnë gjendjen ekzistuese, ose herët a vonë prodhojnë realisht luftë. Por në çdo rast më mirë se të humbasësh pa luftë diçka që je paralajmëruar e kërcënuar paraprakisht. Ky është rasti kur që humbja të ndodhë duhet të shoqërohet me harresë, pra të humbësh edhe një pjesë të kujtesës e të ndryshosh në tërësi çfarë ndodh në zonën e tëmenduarit.
Duke qenë se kurrë nuk mund t’i bësh hile luftës, prandaj po ashtu është e pashmangshme të bëhen luftra të shmangshme, pra mjafton që të deklarohet gatishmëria për luftë pa bindje në mendjen e deklaruesit, që pas këtij momenti lufta me të vërtetë të ndodhë. Dhe po ashtu, nëse gatishmëria në mendjen e deklaruesit të luftës është e vërtetë, ka shumë mundësi që lufta të shmanget, pra që të jetë i vërtetë edhe paradoksi i anasjellë, pra që është e pashmangshme të shmangen luftra të pashmangshme. Dhe vetëm pas këtyre dy mundësive, si pjesë e një skeme me tre mundësi, shfaqet mundësia e luftrave të pashmangshme të pamundshme për t’u shmangur. Që do të thotë se vetëm një pjesë e luftrave janë të tilla, pra që nuk mbillen në të rreme, por përkundrazi ndodhja e të cilave shpjegohet përmes domosdoshmërisë së rendit të gjërave.
Fakti që kemi dy lloj luftrash: luftra që në zanafillë kanë qenë të pambështetura tek mendja e luftëdashësit dhe shfaqen si lojë ligjërimore, pra luftra që ndodhin pa u synuar realisht dhe luftra që mbështeten në një gatishmëri të qartë të mendjes, do të thotë paradoksalisht që edhe në mos ndodhshin luftrat e llojit të dytë, do të ndodhin gjithmonë luftrat e inercisë, pra ata të llojit të parë. Dhe që se, pa asnjë ekuivok, luftrat gjithsesi ndodhin, janë të pashmangshme, të bashkëlidhura me natyrën e komunikimit njerëzor (krejt e kundërta e mendimit të rremë dominues, që përderisa ekzistojnë luftra të pasynuara realisht prej mendjes, luftrat janë të gjitha të padomosdoshme, të padëshirueshme, të pashpjegueshme).
Kështu tek luftrat e domosdoshme për të ndodhur bëjnë pjesë edhe luftrat e së keqes, synimi i të cilave është dominimi, dhuna, masakra, duke qenë se si rregull në mendjen e atij që i synon gatishmëria për ta kryer të keqen është e plotë; (mjafton kjo gatishmëri mendore që të kuptohet se ta shmangësh luftën në këtë rast do të thotë t’i hapësh rrugë së keqes dhe të lejosh që njerëzit të dhunohen e dëmtohen e bota të bëhet një vend më i keq. Sepse këto janë të njëjtat luftra, që të shikuara nga perspektiva e palës së sulmuar, janë luftrat që bëhen për vetëmbrojtje apo për të mbrojtur të dobëtit dhe të pamundurit.) E po njëlloj bëjnë pjesë edhe luftrat e inercisë, pra që nisin me një deklaratë të pambështetur nga gatishmëria e brendshme në mendjen e deklaruesit (është e vërtetë që deklarata e replikuar me deklaratë mund të mjaftojë për shmangien e luftës përmes kërcënimit frikësues reciprok, por po ashtu është e vërtetë se po me aq gjasë të konkludojë me luftë për të mbuluar pikërisht këtë frikësim: e tillë është e domosdoshme, sepse është mundësia e fundit për të shmangur riciklimin e pambarimtë të falcifikimit dhe bullizmit).
Mospërgjigjja ndaj deklaratave të luftës së Serbisë, nuk ka rëndësi nëse gatishmëria për luftë e tyre është e rreme apo jo, i lejon Serbisë të futë një parim falcifikimi në raportin e forcave, prej të cilit ajo përfiton gjithë çfarë do edhe pa luftë, kurse shqiptarët dorëzojnë çfarë tashmë kanë, vetëm e vetëm që të shmangin me çdo kusht edhe vetëm dyshimin se ata mund të jenë të gatshëm për ndonjë luftë. Nëse pala shqiptare nuk e ka si opsion luftën kur atë ia sjellin në derë përmes një histerie ciklike, atëherë është thjesht çështje kohe se kur Serbisë do t’i mjaftojë thjesht të zgjatë dorën (pas një marrëveshje të bërë me palët e treta – fuqitë e mëdha) e ta marrë zonën në veri të Mitrovicës.
Të vihet re sesi kryeministri i Kosovës nuk ka bërë asnjëherë kundërdeklarata lufte, por kjo është një hile lufte (sepse sjellja në terren ka qenë adekuate përgjigje e një gjendje lufte) dhe jo një hile luftës.
Të vihet re sesi kryeministri Shqipërisë kur flet për deklaratat e luftës së Serbisë ( jo duke i dënuar por duke i komentuar: “kërcënimet e Serbisë për luftë janë hipotetikisht si të Meksikës ndaj ShBA”) flet si bashkëpunëtor me Serbinë, sipas skemës polic i mirë, polic i keq, pra duke e relativizuar kërcënimin pasi efekti i synuar prej kërcënimit, pra transmetimi i dhunës, ka ndodhur.
Mbi armiqësinë
Duke bashkuar si më lart Inkurajimin pa asnjë ekuivok të detyrimit të shqiptarëve për t’u përgatitur dhe për të gjetur gatishmërinë e brendshme për një luftë të pakërkuar prej tyre, (por të shndërruar në festë prej Serbisë), një luftë pikërisht me sebep popullatën serbe të katër komunave të Veriut, me tezën iniciale që në kushtet e obstruksionizmit, vijimësisë territoriale dhe një shteti amë kërcënues, ky territor të lejohet të shkëputet (e në rastin e posaçëm, të këmbehet medoemos me Luginën e Preshevës në Serbinë e sotme, të banuar nga shqiptarë, paçka se jo këta obstruktivë), duket se jemi në kurthin e një kontradikte të padyshimtë. Mirëpo jo, jemi të ruajtur nga kontradikta: ky këmbim territoresh është opsioni më i mirë në kushtet e obstruksionizmit, në të kundërt kur popullata e huaj në vijimësi territoriale me shtetin mbështetës nuk bën obstruksion, atëherë zgjidhja është trajtimi i tyre me drejtësi dhe mirëkuptim brenda shtetit ekzistues; ndaj në këtë kuptim, kjo gatishmëri për luftë është mundësia e vetme joutopike (e gjithsesi e përafërt) për të çaktivizuar obstruksionizmin. Sepse vetëm nëse një shtet është mjaftueshëm i qartë dhe i sigurtë dhe me çehre të pashantazhueshme , mund të dekurajojë obstruksionet potenciale të popullatave që e përbëjnë (me siguri çdo bashkësi politike është njëfarësoj e përbërë, sepse nuk ekzistojnë bashkësi homogjene).
Por ka edhe një arsye tjetër që spraps kontradiktën në ç’kemi thënë deri këtu.
Armiqësia mes shteteve apo kombeve, nuk është e njëjtë me armiqësinë mes individëve. Kjo e fundit mund të jetë një armiqësi, e cila pavarësisht nga shkaku, herët a vonë, llogarit si cak të saj mundësinë e zhdukjes, asgjësimit të tjetrit – armikut. Dhe kjo është esenca e armikut, ai të mundëson mbërritjen e lumturisë pa ndërmjetësimin e virtuteve: duke ia dalë ta asgjësosh atë (apo ai ty) ndjehet e njëjta plotësi si ai që mbërrin dashurinë e shpirtit binjak.
Mirëpo pragmatika e armiqësisë mes vendeve apo kombeve, është tjetër: është shumë e vështirë nëmos e pamundur, mundësia e zhdukjes së një kombi. Paradoksalisht madje, për këtë arsye, ndërsa midis individëve armiqësia mund të fillojë edhe për arsye të dobëta (sepse secila palë supozon frikën e tjetrit se një çfarëdo incident mund të jetë fatal), mes vendeve vetëm arsye të forta të rendit gjeopolitik si fuqia, dominimi, kontrolli, siguria, shërbejnë si shkaqe për armiqësi (dhe më pas luftë) (thënë ndryshe: ndërsa mes individëve mund të ekzistojë armiqësia pa luftë, mes kombeve mund të ekzistojë lufta pa armiqësi). Po ashtu, një arsye bazike që konfirmon këtë dallim, është fakti që mes individëve disnivelet e fuqisë sado të mëdha, lejojnë që secila palë të ketë mundësi ta zhdukë tjetrën, kurse mes kombeve disnivelet e fuqisë janë përcaktuese dhe vetëm në kushtet kur një vend është shumëfish më i madh e më i fuqishëm se një tjetër, mund të llogaritë si mundësi të fundit asgjësimin e armikut (kombit vocërrak që ka përballë). Prandaj historia e njerëzimit dëshmon si rregull realitete gjeopolitike perandorake ku popuj të shumtë kanë pranuar të jetojnë nën institucionet e atij me të cilin kanë bërë luftë (duke e pezulluar në mos anuluar armiqësinë) kurse vrasjet masive, masakrat apo gjenocidet janë të rralla dhe sporadike.
Ajo që bie në sy në deklaratat serbe të luftës është se edhe nëse nuk tregojnë medoemos luftë, tregojnë doemos armiqësi, që siç thamë është tipike për armiqësinë mes individëve dhe jo kombeve. Dhe kjo përmbysje e panatyrshme dhe e pagjasë është shtrirë në të gjithë regjistrat e mundshëm: edhe kur llogaritin si cak asgjësimin e kombit armik (dëbimi si komb i shqiptarëve prej Kosovës në vitin 1999), edhe kur në mënyrë skizofrenike sillen sikur janë shumëfish i kombeve armiq (shqiptarë, por edhe boshnjakë a kroatë); pra duke mos qenë dot dot një popull perandorak, shtiren si të tillë, duke imponuar administrimin e armiqësisë mes individëve si normale për administrimin e armiqësisë mes vendeve.
Kjo dhe është arsyeja bazë, se përse të bëhesh detyrimisht gati për luftë me Serbinë edhe pse në origjinë e përfytyron si zgjidhje të arsyeshme zhvendosjen e kufirit në veriun e skajshëm të Shqipërisë, nuk do të thotë kontradiktë: me një armik skizofrenik të shkëputur nga ligjësitë e realitetit gjeopolitik dhe logjikës së shëndoshë, duhet të llogaritësh t’i provosh sa herë që do të duhet, se fuqia e tij është përafërsisht e njëjtë me atë të armiqve (në këtë rast të shqiptarëve), e për pasojë çdo armiqësi duhet ta trajtojë si mes kombeve dhe jo individëve. Dhe po ashtu kjo gatishmëri për luftë bëhet e domosdoshme, sepse vetëm kështu mundësohet reciprociteti, pra këmbimi i katër komunave serbe me Luginën e Preshevës.
Dhe po ashtu, përsa që armiqësia është shpallur, ndërsa mes individëve armiqësia mund të mos çojë asnjëherë në luftë, mes kombeve shpallja dhe ripërtëritja e vazhdueshme e shpalljes së armiqësisë, nuk mundet të vazhdojë pa luftë, ajo do të ndodhë medoemos, vetëm në mos njëra prej palëve nuk reagon ndaj armiqësisë së shpallur, pra në këtë po të njëjtin rast: kur lufta humbet pa u bërë, pa u luftuar. Dhe kur lufta ndodh, armiqësia si formë e kësaj lufte, vërtet mund të përdoret për ta shndërruar luftën në hakmarrje e masakër, por po ashtu mund të përdoret për t’u zhvilluar dhe forcuar deri në atë pikë sa paradoksalisht të mos kesh nevojë për masakër, sepse hiperfuqia të lejon të kontrollosh pa luftë mllefin e armikut.
Të vihet re sesi kryeministri i Kosovës nuk ka arritur ta paraqesë këtë armiqësi të Serbisë si thelbin dhe shpjegimin e asaj që po ndodh: qëllimi i Serbisë për ta shndërruar armiqësinë ndaj Kosovës si pjesë të identitetit të vet, nëse nuk ekspozohet siç është shkak i mjaftueshëm lufte, bën që fuqitë e mëdha të shtiren se nuk e shohin dhe i armiqtuari ta pranojë si normale. Do mjaftonte mëshimi tek kjo ligjësi (pra që mes individëve armiqësia mund të mos prodhojë armiqësi, por mes vendeve gjithsesi e prodhon) që ligjërimi i kryeministrit të Kosovës të ishte i paqortueshëm dot nga fuqitë e mëdha.
Ndërkohë që kryeministri i i Shqipërisë me një mosempati të hapur nënkupton që kjo armiqësi duhet toleruar sepse nuk është e vërtetë. Supozimi i tij është që serbët nuk e dinë as vetë që në brendësi të tyre nuk e kanë këtë armiqësi (pra t’u japim kohë deri sa ta zbulojnë këtë, apo ndryshe ” t’ua hamë zemrën me të mirë”)- (përndryshe mund t’na ngelë pishman, nëse si pasojë e kësaj armiqësie të rreme, mundet gjithsesi të nisë një luftë).
Mbi aleancat
Po mirë, si ka mundësi kjo të ketë ndodhur e madje të ketë mundësi sërish të rindodhë, pra kjo skizofreni, ky falcifikim publik i fuqisë dhe statusit të Serbisë, kjo sjellje e një populli të vogël si të jetë popull perandorak, sikur të ketë ndodhur në zbrazëti dhe jo në zemër të rendit gjeopolitik botëror (i cili mund të lejojë çdo gjë në fakt, përveç zbraztësisë? Se vërtet me gjithë ç’mund të bëjnë shqiptarët, kroatët apo boshnjakët, për të njëjtat arsye (siç serbët s’mund t’i imponohen masënjëjtëve), do të jenë vetëm ridimesionime të përkohshme apo ciklike të këtij delirimi gjeopolitik, sepse kjo është për çdo rast çështje e drejtpërdrejtë e fuqive të mëdha, e specifikisht ato prej tyre që janë aleatë të shqiptarëve: si e lejojnë ata pra një falcifikim të tillë? Apo është e vërtetë e kundërta, pra jo thjesht e lejojnë por po e inkurajojnë këtë falcifikim?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve duhet rihedhur dritë mbi natyrën e aleancave mes vendeve dhe popujve. Aleancat janë në thelb automatike (pra në një farë mënyre bëhen vetë) dhe ka vetëm një rregull që i mundëson: armiku i mikut tim është miku im (me një nënrregull: e ndihmoj mikun tim kundër atij që nuk e kam mik). Pra ka natyrë tërësisht pragmatike dhe çfarëdo lidhje tjetër kalon në plan të dytë nëse raporti i interesave e kërkon.
Dhe brenda këtij rregulli nuk ka shumë për të zgjedhur, është e mundshme të bësh aleancë edhe me atë që është më i fortë se ti, edhe me atë që është i përafërt në fuqi, madje edhe me atë që është më i dobët. Me dallimin që kush ka më shumë fuqi ka më tepër mundësi kombinimi dhe më tepër mundësi ta modifikojë e deri braktisë aleancën. Prandaj duhet të kihet parasysh se aleancat kanë limitet e veta (zgjatin aq sa zgjat armiqësia me të njëjtët, apo aq sa nuk janë këmbyer armiqtë) dhe sidomos të brishta janë aleancat mes një pale dukshëm të dobët dhe një pale shumë më të fortë (si rregull, mes një fuqie lokale dhe një perandorie). Për këtë arsye, për një fuqi të madhe nuk ka rregulla (ose e thënë ndryshe s’ka pse t’i njohë rregullat dhe protokollin e tyre, përderisa në origjinë më shumë do të jetë në situatën që do t’i duhet t’i thyejë sesa t’i respektojë), dhe për këtë arsye të dytë, për një palë me fuqi të pakët duhet t’i njohë me themel rregullat, pikërisht sepse sado rrallë, herët a vonë, do të jetë e detyruar t’i thyejë ato; dhe për këtë arsye të tretë, një palë me fuqi të pakët duhet gjithmonë të llogaritë se ç’mundësi ka të mbrojë interesin e vet, në një situatë potenciale ku aleatja e madhe mund ta braktisë, (ose çka në thelb është e njëjta, s’mundet më ta mbrojë).
Dhe ndërsa për luftën thamë se ajo mund të ekzistojë edhe pa armiqësi, po ashtu aleanca mund të ekzistojë edhe pa miqësi. E njësoj si tek lufta, qoftë me armiqësi, qoftë pa armiqësi, dallimi paracaktohet nga fakti nëse bëhet fjalë për palë me fuqi të vogël apo palë me fuqi të madh (një fuqi e madhe lufton për territor dhe dominim dhe jo për mbijetesë dhe sakrificë, pra më së shumti lufton pa armiqësi, në mënyrë pavetore për të përmbushur një potencial, përkundër një fuqie të vogël që duket e destinuar të luftojë përmes armiqësisë); edhe tek aleancat, qoftë me miqësi, qoftë pa miqësi, dallimi vjen nga rendi i fuqisë: një fuqi e madhe bën aleanca pa synuar apo aktivizuar medoemos paraprakisht ndonjë sentiment kolektiv që aleanca të rihet në miqësi, përkundër një fuqie të vogël që duket se është në kërkim të miqësive njësoj si në kërkim të aleancave, a thua se s’mund të bëjë njësoj pa të dyja.
Prandaj një fuqi e madhe, nga vetë kjo fuqi, i ka të pakufizuara mundësitë për aleanca, e nga vetë kjo pakufishmëri ka luksin për aleanca të pakonsumuara prej miqësisë (e luksin tjetër të përfitimit nga sindroma e miqësisë me çdo kusht të aleatëve fuqipaktë). Në këtë kuptim shqiptarët për ShBA janë vetëm një prej aleancave standarde pa miqësi (aleancë e motivuar nga armiqësia e njëjtë me Rusinë), njësoj si një aleancë që po feks dhe mund të konsolidohet me serbët, po ashtu një aleancë pa miqësi. A është e mundshme që një ish – armik të kthehet në aleat?; po, nëse lufta është bërë pa armiqësi; po, meqë aleanca vetvetishmërisht s’ka nevojë për miqësi. Aq më tepër, që për klering mund të ofrojë diçka (si të çlirohej nga një barrë) si miqësia molisëse e shqiptarëve.
Apo kjo lloj aleance hibride (e perëndimit me serbët) vetëm se vijon (nuk është e re) dhe ka vepruar edhe më 1995, ku për klering atëherë kanë shërbyer kufomat jopolitike të 8000 boshnjakëve të Srebrenicës? Gjë që shpjegohet me faktin që Serbia është krejt luajale me fuqitë e mëdha, krejt pa vullnet kundrejt tyre por edhe pa iluzione miqësie, e përkitazi merr përsipër t’i zgjidhë vetë punët e saj me të ngjashmit (fuqipaktët apo fuqinjëjtët), duke mos kërkuar nga aletatët mbështetje, por kohë kritike dhe mbyllje sysh (e në këmbim japin ekuivokë në aleancën me miqësi me Rusinë). Kështuqë nuk bëhet fjalë për zbraztësi, por gjithmonë për të njëjtin rregull: nuk mund t’i bësh hile luftës, sidomos jo duke u fshehur pas aleatëve, sepse për çdo rast lufta do të gjejë një mënyrë të marrë atë që i takon.
Të vihet re sesi në tërësi partitë politike në Kosovë e Shqipëri dhe kryeministri i Shqipërisë, janë krejt të paditur për këtë natyrë të aleancave, duke shpallur që fatet e Shqipërisë dhe ShBA janë të njësuara prej dashurisë dhe jo prej interesit (duke qenë Shqipëria që në origjinë Hirushja dhe Amerika princi, si mund princi të ketë interesa tek një jetime pa krahë, përveç dashurisë; dhe si mund të mos ketë dashuri për të, kaq e urtë dhe vullnetmirë sa është, aq vullnetmirë sa as nuk mund ta dojë veten më shumë nga sa e do princi), deri në pikën që ShBA nuk mund të mos na dojë si veten (apo vetëm ajo mund të na mësojë sesi ta duam veten).
(E mund të jetë edhe shpjegimi që sidomos Evropa – jo si aleate por si ndërmjetëse dhe përtej palëve- dhe ShBA, të kenë kontraktuar si palë Serbinë për t’i dhënë me koncension luftën shfarosëse ndaj muslimanëve të Evropës -boshnjakë e shqiptarë-, por ky shpjegim sado vërtetësi të ketë, vjen si pasojë parasësgjithash i një shkaku tjetër: boshnjakët dhe shqiptarët synuan t’i bëjnë bisht luftës, apo u sollën sikur lufta nuk ekzistonte si opsion gjeopolitik, duke i konfonduar aleancat me miqësitë, ndërkohë që serbët bëjnë krejt të kundërtën duke i tejkaluar armiqtë e vet fuqinjëjtë, në qartësinë e kuptimit gjeopolitik.)
Mbi territorin
Vlera e territorit shtrihet në dy nivele: territori i pastër, pra që s’ka shumë rëndësi në është i banuar apo i pabanuar, pra si hapësirë e kulluar që pengon apo nxit qarkullimin e fuqisë dhe kontrollit; dhe territori i ngarkuar me popullatën indigjene, të cilit territor në këtë rast i llogaritet vlera parasëgjithash, për nga begatia dhe fuqia që garantohen prej kësaj popullate.
Duke patur parasysh edhe këtë dyvlefshmëri të territorit, marrëdhënia e një bashkësie gjeopolitike me territorin, është për më tepër dyllojshe, në varësi të fakti nëse kjo bashkësi në rendin gjeopolitik të forcave, ka peshën e një fuqie të vogël, apo një fuqie të madhe.
Përsa i përket një fuqie të madhe, si rregull me natyrë perandorake, ajo është e interesuar drejtpërdrejt për territorin në vlerën e tij të pastër hapësinore, duke qenë se cilësia e tij kryesore, palëvizshmëria – pazhvendosshmëria absolute, bën që kontrolli mbi të të rritë për të (pra për fuqinë që e kontrollon) kapacitetin për të lëvizur (e për të qarkulluar informacion, mall dhe autoritet, e të zvogëlojë për këdo tjetër, armiq a rivalë, kapacitetin për të lëvizur e për të qarkulluar çfarëdo. Sigurisht që i intereson edhe popullata mbi territor, por si kolateral, pra si burim krahu pune apo mercenarë lufte, e në këtë kuptim posaqë e sundon është e prirur ta paqtojë dhe t’mos e eksitojë pa arsye të qenësishme, duke llogaritur siç thamë që luftën dhe shfarosjen t’i shohë vetëm si plan rezervë dhe jo qëllim në vetvete.
Në të kundërt, një fuqi e vogël, është e interesuar drejtpërdrejt në popullatën mbi (për të cilën popullatë territori është shtrati ku rrjedhin), duke qenë njësoj pazhvendosshmëria e territorit atributi kryesor (edhe në këtë rast) që garanton begatinë, sigurinë dhe identitetin në botë të kësaj popullate. Pra edhe sikur ky territor të përthithë gjithçka që vjen tek ai dhe të mos përçojë asgjë përtej në qarkullimin global, e rëndësishme është që kjo t’i vlejë popullatës së tij.
Mirëpo, që me lindjen dhe dominimin e sistemit themeluar mbi shtetetkomb, ky qëndrim ndaj territorit si kapital me vlerë të lidhur drejtpërdrejt me banorët e tij, është harruar dhe zhvlerësuar. Megjithëse shtetikomb në zanafillë synon mbrojtjen, begatinë, emancipimin dhe zhvillimin e materialit të vet njerëzor, paradoksalisht, në kushtet kur të gjithë shtetet pavarësisht nga fuqia dhe kapaciteti për t’u vetëqeverisur, legjitimohen tek esenca e të qenit një bashkësi politike autentike, territori si pjesë e këtij autenticiteti befasisht shenjtërohet, pazhvendosshmëria e tij njësohet me patjetërsueshmërinë (gjë e pavërtetë, sepse është e panatyrshme, nuk merr në konsideratë që historia s’është tjetër vetëm se një cikël i madh tjetërsimesh territoriale, ku përjashtimet përforcojnë rregullin), deri në pikën që territori konceptohet si një hologram, pra si një ekzistencë në vetvete e informacionit të vetëmjaftueshëm realizuar si ekzistencë simbiotike mes popullatës dhe territorit. Ky barazim mes të dyjave, mjafton si moment inicial, sepse pashmangshmërisht si moment i radhës do të vijë që territori të shfaqet më i rëndësishëm se popullata mbi të, deri në pikën që është popullata që sakrifikohet për territorin dhe jo e kundërta.
Kjo është ndoshta pika e dobët sekrete e sistemit të shtetevekomb: pjesët e popullatave autoktone që historia i ka shpërndarë në mënyrë të tillë që të gjenden nën sovranitetin shtetëror të një kombi tjetër, praktikisht janë të pashpresa: nëse përshtaten me jetën si pjesë e një të tëre që është një komb tjetër, asnjëherë nuk do ta ndjejnë veten si qytetarë të dorës së parë (që në një epokë të shenjuar nga miti i emancipimit përjetohet si një mallkim); nëse në të kundërt refuzojnë të përshtaten, pra bëjnë obstruksion (si rregull mbështetur nga shteti amë), atëherë jeta e tyre çoroditet e bllokohet, e me kalimin e kohës mendja e tyre modelohet nga bindja se territori nën ta është më i rëndësishëm se ata mbi të. Pasojë e këtij obstruksioni është pra kjo çoroditje për ta, por edhe armiqësia dhe tensioni permanent për shtetkombin ku obstruksioni ndodh.