Luftëtarët e grupit mercenar rus Wagner, që tani janë në Bjellorusi, mund të paraqiten si emigrantë dhe të hyjnë në Bashkimin Evropian, ka thënë kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.
Sipas tij, Wagneri edhe mund të ndërmjetësojë migrim të paligjshëm nga Bjellorusia në bllokun evropian, veprim që Polonia e përshkruan si “luftë hibride”.
Kryeministri polak ka thënë se rreth 100 trupa të Wagnerit kanë lëvizur afër qytetit Grodni, i cili gjendet afër kufijve të Polonisë dhe Lituanisë.
Disa pjesëtarë të Wagnerit kanë shkuar në Bjellorusi, në kuadër të marrëveshjes për t’i dhënë fund rebelimit të grupit në Rusi, në muajin qershor.
Lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, e ka mohuar më parë që ka provokuar krizë të migrantëve në Evropë, duke i nxitur migrantët që të nisen drejt kufijve të saj me BE-në.
“Tani situata është duke u bërë edhe më e rrezikshme”, ka thënë ai në një konferencë për media, pasi vizitës në një fabrikë armësh në jug të Polonisë.
“Ky është sigurisht një hap drejt një sulmi hibrid ndaj territorit polak”, ka shtuar ai.
Kryeministri polak ka thënë se këtë vit janë regjistruar 16.000 tentime për të kaluar kufirin nga Bjellorusia në Poloni.
Sipas Agjencisë së BE-së për Kufij, në periudhën janar-qershor janë regjistruar 2.312 kalime ilegale të kufirit.
Polonia dhe Lituania kanë vendosur tela gjemborë nëpër vijat e tyre kufitare me Bjellorusinë, për të kufizuar numrin e njerëzve që kalojnë ilegalisht në tokat e tyre.
Ato janë duke e konsideruar edhe mbylljen e tërësishme të kufirit me këtë shtet.rel