Shtypi amerikan njofton se gjykatësja e shtetit të Delauerit, Maryllen Noreika, nuk e ka pranuar marrëveshjen mes Hunter Biden-it, djalit të Presidentit Joe Biden dhe Departamentit të Drejtësisë, në bazë të së cilës ai do të pranonte fajësinë për akuzat për mospagim taksash dhe mbajtje të paligjshme të një arme zjarri, në shkëmbim të shmangies së dënimit me burg.
Hunter Biden akuzohet se në vitet 2017 dhe 2018 nuk ka paguar rreth 100 mijë dollarë taksa, për të ardhurat e tij prej më shumë se 1.5 milionë dollarësh.
Po ashtu, ai akuzohet se në tetor 2018, mbajti për 11 ditë një pistoletë pavarësisht se e dinte se ishte përdorues droge. Ai ka pranuar varësinë nga droga pas vdekjes së vëllait të tij.
Republikanët ka vite që e kritikojnë Hunter Bidenin se ka shfrytëzuar lidhjet e të atit për përfitime personale nga bizneset në Kinë dhe Ukrainë, megjithëse hetimet e kryera nga prokurori i shtetit Delauer, David Weiss, i emëruar nga ish presidenti Trump, nuk kanë nxjerrë prova në këtë drejtim.
Republikanët po ashtu e kishin kritikuar marrëveshjen e Departamentit të Drejtësisë me zotin Biden duke thënë se ky departament se po mbante një qëndrim të dyfishtë; duke vazhduar hetimet për ish presidentin Donald Trump dhe arritur marrëveshje me djalin e presidentit.