Koreja e Veriut hapi tapetin e kuq për ministrin rus të mbrojtjes, raportoi media shtetërore koreane të mërkurën. Delegacionet nga Moska dhe Pekini do të marrin pjesë në ngjarjet e përvjetorit të Luftës Koreane, duke u bërë vizitorët e parë të huaj të njohur që nga mbyllja e kufirit të Koresë së Veriut shkaku i pandemisë COVID-19.
Kryeqyteti Phenian do ta festojë të enjten 70-vjetorin e nënshkrimit të armëpushimit të Luftës Koreane të 27 korrikut 1953, që i dha fund armiqësive të hapura dhe shënohet si Dita e Fitores në Veri.
Himni kombëtar rus u lëshua në të gjithë Aeroportin Ndërkombëtar të Phenianit, në pritjen që përfundoi “në një atmosferë të ngrohtë mirëseardhjeje” për ta përshëndetur Sergei Shoigun të Moskës dhe delegacionin e tij të martën në mbrëmje, tha Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KPNA).
“Flamujt e Republikës Popullore Demokratike të Koresë dhe të Federatës Ruse po valëviteshin në shtizat e flamujve dhe rojet e nderit të Ushtrisë Popullore Koreane (KPA) u rreshtuan në stacionin përpara terminalit”, raportoi KCNA-ja.
Shoigu u përshëndet nga Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Veriut, Kang Sun Nam, dhe fotot e realizuara nga gazeta zyrtare Rodong Sinmun tregonin qindra ushtarë me uniformë të KPA-së, të rreshtuar në aeroport, duke mbajtur pankarta me të cilët përshëndetnin rusët.
Koreanët e Veriut shprehën “mbështetjen e tyre të plotë” për ushtrinë dhe popullin rus, “të cilët po luftojnë për të mbrojtur të drejtat sovrane, zhvillimin dhe interesat e vendit të tyre”, shtoi KCNA-ja.
Rusia, një aleat historik i Koresë së Veriut, është një nga disa vendet me të cilat ajo mban marrëdhënie miqësore.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka qenë i palëkundur në mbështetjen e tij për pushtimin e Ukrainës nga Moska, përfshirë, thotë Uashingtoni, përmes furnizimit me raketa.
Leif-Eric Easley, një profesor në Universitetin Ewha në Seul, tha se vizita nuk kishte gjasa të rezultojë në ndonjë marrëveshje armësh apo përparim diplomatik, duke e quajtur atë “një shfaqje simbolike të solidaritetit në një përvjetor lufte”.
Fakti që ministri rus i mbrojtjes fluturoi drejt Phenianit kur vendi i tij është në luftë ishte “shumë domethënës”, tha Park Won-gon, një tjetër profesor në Universitetin Ewha.
Për kinezët dhe rusët, prania e tyre mund të dërgojë një “mesazh të fortë të unifikuar” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtoi ai.