Ka marrëveshje e marrëveshje. Dimë që pas një konflikti ndëretnik është shumë e vështirë të rikonstruktohet një shoqëri multietnike. Dhe kjo e ka një shpjegim, ku së pari do të veçoja ngurtësimin e roleve të palëve. Është gati e paperceptueshme që liderët e luftëtarëve kundërshtarë historikë me bindje të thella secili për nacionalitetin e vet, të ulen e të bisedojnë. Nuk kanë motive. Mungesa e këtyre motiveve afatgjata e vizionare i pengon aq shumë, sa në vend që të ecin përpara mbeten në vend duke bërë llogaritë e asaj që shkoi. E kësisoj humbasin atë që është më e rëndësishme, Kohën. Kohën për të riparuar dëmet e këtij konflikti, Kohën për të rikonstruktuar të menduarit e thellë e vizionar. Kjo tabllo komplikohet edhe më tej kur në mesin e saj dalin edhe dyshimet për vetë bashkëpunëtorët duke aluduar për bashkëpunim me palën tjetër, kundërshtare. Dëshira për të zbuluar të vërtetat e fshehura me kujdes, energjia që harxhohet për të etiketuar ekzastësisht bashkëpunëtorët e palëve, (kjo vlen për të dy kampet e konfliktit), e ngurtëson edhe më shumë dialogun. E sigurisht nuk duhet harruar as ana emocionale e cila në shumë raste bëhet mbizotëruese. Janë të afërmit e viktimave të luftës të cilët nuk mund të falin. Dhe e gjithë shoqëria e cila nuk harron. Ky qëndrim shkon deri aty sa nuk merret parasysh as qëndrimi dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve. Tregu i ideve mbetet kështu jashtë territorit të Kosovës. Edhe ata liderë që janë në krye nuk arrijnë të ofrojnë ide dhe zgjidhje e në këtë mënyrë zgjidhet mënyra më e thjeshtë dhe e shpejtë, importimi i tyre prej ndërkombëtarëve. Por edhe në këtë rast, ngurtësimi real i palëve e vështirëson të kuptuarit, e aq më shumë të zbatuarit të rekomandimeve të këtyre ndërkombëtarëve. Në fakt në këtë rast nuk duhet të harrojmë as edhe një politikë që ndiqet nga gjeopolitika ndërkombëtare për shtete në formim e sipër sikur është rasti i Kosovës. Fjala e saj del në plan të dytë, sepse të huajt i japin prioritet për nxitjes së thellë mes palëve të partive kundërshtare brenda të njëjtit nacionalitet. Ideja është që duke u konfliktuar fuqishëm mes vetvetes, shoqëria do të arrijë një kompaktilitet të besueshëm pasi të shuhen konfliktet dhe puna të marrë një drejtim të caktuar duke respektuar dëshirën e shumicës. Është një metodë që ndiqet në politikën e përbotshme, le të kujtojmë Egjyptin, Sirinë etj,. Shoqëria në këtë mënyrë angazhohet aq shumë drejt këtij objektivi sa që në një farë mënyre multietniciteti del në plan të dytë. Kjo ka kundërpërgjigjen e vet, sepse ndërkohë që palët dominuese, në rastin tonë, shqiptarët, janë të zënë me veten duke u zënë për turli gjërash, palët e tjera e kanë rastin të ripozicionojnë veten në këtë shoqëri dhe të fillojnë të forcojnë pozitat. Impakti i këtij qëndrimi është i menjëhershëm.
Marrëveshja u krye. Pyetjet që më shqetësojnë janë: a është kjo marrëveshje e qëndrueshme? A është kjo marrëveshje e zbatueshme? A është kjo marrëveshje ajo që i duhej Kosovës? A është teksti i saj i vetmi tekst adekuat për Kosovën? A është gjithëpërfshirëse kjo marrëveshje? A është kjo marrëveshje “Hapu Sesam!” për të gjitha problemet që mbart shoqëria kosovare? A është kjo marrëveshje rruga e vetme drejt Paqes e Zhvillimit Kombëtar?
Ambiciet e mëdha nga njëra anë, me kufizimet dhe pikat delikate që i kushtëzon ky moment në anën tjetër, janë elementet që bënë kombinimin e veçantë të kushteve, që gjithësesi u kushtëzuan nga momenti historik. Por këtu qëndron edhe vështirësia e realizimit të kësaj marrëveshjeje. Për arsyet që i cekëm më lart, pra, ngurtësimi i palëve në konflikt dhe mungesa e ideve (kupto: institucionale!), por edhe nga faktorë të tjerë prej të cilëve po përmend faktin delikat të përbërjes multietnike mund të jetë potencialisht një rrezik për moszbatimin praktik të saj. Janë disa momente që më çojnë në këto mendime:
Së pari, konceptimi i gabuar i synimit të lartë. Vendosja e “unit” në marrjen e vendimeve mund të sjellë devijim në të perceptuarit e rëndësisë jetike të kësaj marrëveshjeje dhe të arrijë në përfundime dhe vlerësime të gabuara të situatës, sikur është humbja e orientimit drejt prioriteteve. Sigurisht që kjo shoqërohet me favorizime të njërës parti, ose tjetrës, në varësi të përkatësisë së primarit.
Së dyti, turbullimi dhe hezitimi i strukturave udhëheqëse drejt paraqitjes transparente të të gjitha qëllimeve tek qytetarët gjithashtu përbën një rrezik potencial. Qëllimi në fakt është aty, të gjithë atdhetarët e ndershëm e kanë atë qëllim të pakmprometueshëm nga asgjë dhe është i thjeshtë: Kosova të jetë një shoqëri që nuk ka qenë asnjëherë, e Lirë dhe Demokrate. Por mjetet drejt këtij qëllimi janë ato me të cilat abuzohet. Po sjell në kujtesë Konferencën e Lidershipit të majit të 2012, në Prishtinë, e organizuar nga FPU, Federata Universale e Paqes dhe Qeveria e Kosovës, në të cilën u vërejt se “retorika pa fakte dhe hipotezat që kurrë nuk kthehen në teza, janë mjetet më të rrezikshme që mund të përdoren për manipulimin e opinionit qytetar”. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse e largon qytetarin nga e vërteta dhe krijon tek ai paragjykime e stereotipe të gabuara, reprocitet e varësi gjithashtu po aq të gabuar.
Së treti, mungesa e unitetit të brendshëm por edhe të jashtëm që importohet së brendshmi. Fjala është për aleancat e ndryshme mes palëve, që janë të ndryshueshme dhe jo shumë të qarta e duke qënë të tilla krijojnë terren për të sfumuar qëllimin e parë. E kemi cekur edhe më parë vendosjen e interesave të ngushta vetanake të cilat pos të tjerash e miklojnë dhe e zhvillojnë mungesën e unitetit kombëtar, ndërkohë kur shqiptarëve më shumë se kurrë u duhet pikërisht kjo, uniteti kombëtar. Mungesa e këtij uniteti sjell situata në të cilat mund të kemi disa zotër shtëpie në një shtëpi ku asnjeri nuk mund të ketë më shumë kompetenca se tjetri, dhe asnjëri nuk e toleron tjetrin.
Krijimi dhe zhvillimi i shtetit kushtëzohet nga dhjetra faktorë njëri më i rëndësishëm se tjetri dhe ku secili kërkon impenjimin e vet, kohën e vet, dëshirën, vullnetin e mbi të gjitha të perceptuarit e identitetit kombëtar si një kërkesë e brendshme, e jo si një përcaktim i jashtëm. Në këtë mënyrë rikonstrutojmë këtë shtet si të vetmin për veten tonë. Në esencë ky shtet ekziston si një e drejtë e nacionalitetit tonë përkundër edhe qëndrimeve politike gjysmake.