Në fund të qershorit, revista amerikane “NEUROSURGERY” me impaktin më të lartë në SHBA dhe globalisht, botoi artikullin mbi historinë dhe gjendjen aktuale të neurokirurgjisë në Shqipëri.
Odisea e specialitetit më të ri të kirurgjisë që lindi në SHBA me Harvey Cushing shekullin e shkuar reflektohet në Shqipëri në fillimet e viteve 1930. Në këtë artikull pasqyrohet e dokumentuar që neurokirurgjia fillimet e saj i gjen pas inaugurimit të Spitalit “Mbreti Zog I” në 1 shtator 1932. Me ftesën e Mbretit dhe interesimin e Ambasadorit të SHBA Bernstein një grup profesorësh hebrenj nga Evropa Qendrore u instaluan në Shqipëri për t’i shpëtuar holokaustit të nazisteve. Duke i besuar profesor Wilhelm Schlessinger nga Viena kur fillon punën në Tiranë në 1934 ai e cilëson spitalin një strukturë moderne të kohës sipas OBL(Osterreich Biographie Lexicon).
Në këtë kohë, vjen në Shqipëri neurokirurgu gjerman profesor Walter Lehmann nga Frankfurti, i cili ishte specializuar në Harward te Harvey Cushing, themeluesi i neurokirurgjisë si specialitet. Duke qenë se Amerika kishte refuzuar në atë periudhë shumë tentativa të kirurgëve dhe profesorëve gjermanë hebrenj këtë fat e pësoi dhe profesor Lehmann, i cili zgjodhi Shqipërinë pas ftesës që mori nga Mbreti Zog. Me shpërthimin e LIIB në vazhdim qëndrimi i SHBA-së ndaj hebrenjve u bë më mikpritës, megjithëse një farë antisemitizmi persistoi deri në vitet 1960.
Profesor Lehmann me familjen përpara se të vendosej në Shqipëri në 1935, kishte shkruar 61 artikuj shkencorë dhe dy libra. “Grundzuge fur Neurochirurgie”, “Parimet e Neurokirurgjisë”, që mbetet libri i parë për neurokirurgjinë botuar në gjuhën gjermane. Ai ishte njëkohësisht neurokirurg dhe shef Shërbimi përpara largimit nga Gjermania. Stafi i krijuar në Spitalin e Tiranës me kujdesin e Mbretit Zog u kompletua gradualisht nën drejtimin e dr. Sabri Tefikut. Në periudhën në fjalë, deri në pushtimin fashist, kanë shërbyer në këtë Spital profesorë e mjekë hebrenj, si prof. Wilhelm Schlessinger, sëmundje të brendshme, dr. Helena Schlessinger, mjeke laboratori, prof. Hoche kirurg, prof. Demmer, kirurg, dr. Quastler radiolog, dr. Quastler, gruaja pediatre, dr. Nobel, dr. Kalmari ftiziatër.
Sipas kartelave të pacientëve shqiptarë të hetuara pranë AQSH-së dhe QSUT-së, prof. Lehmann ka kryer operacione në kokë, kolonë dhe nerva i asistuar nga dr. Frederik Shiroka dhe profesor Besim Zyma. Prof. Lehmann që ishte njëkohësisht këshilltar i Mbretit Zog në emër të këtij grupi figurash i propozoi atij hapjen e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë në 1938 sipas burimeve të historianëve seriozë të mjekësisë shqiptare, Fejzi Hoxha, Kadri Kerciku dhe Xhavit Gjata. Me largimin e tyre, kjo ide u fshi me pushtimin e vendit dhe deri ne vitet 1960 operacionet neurokirurgjikale u kryen nga asistentet e Lehmanit, kirurgë italianë, rusë, kineze dhe kryesisht shqiptare.
Në 1964, hapet nga profesor Xhelal Kurti Klinika e Neurokirurgjisë me 20 shtretër, një sallë operacioni me instrumentet që kishte lënë prof. Lehmann. Për 25 vite, ai drejtoi e ngriti shërbimin kombëtar të neurotraumës, kirurgjinë eklektike të tumoreve të trurit, palcës deri në aneurizmat. Me pas, klinikën e drejtoi për pak vite pasi u largua shpejt nga jeta prof. Arian Xhumari, i cili zhvilloi anestezinë dhe mikrokirurgjinë në kohën e vështirë të tranzicionit të regjimeve. Neuroradiologjia e neuroanestezia ishin të prapambetura në teknologji pavarësisht përpjekjeve të dr. Vangjush Anastasit dhe anestezistes dr. Myzejen Zepishtaj.
Me rënien e murit të Berlinit, instalimi i demokracisë bëri të mundur rritjen e nivelit shëndetësor, strukturës, infrastrukturës dhe edukimit.
Autori i këtij shkrimi dhe atij të botuar në SHBA, drejtoi për 27 vite shërbimin e neurokirurgjisë që mori formën e një departamenti me 40 shtretër, tre salla operacioni, që u zgjeruan në shërbime të integruara duke krijuar kushtet ku pacientët të mos kishin më nevojë që për kurim të merrnin rrugët jashtë vendit. Struktura e ngritur ndihmoi pacientët kosovarë në periudhën e vështirë përpara dhe pas pavarësisë. Gjithashtu, ajo shërbeu si qendër edukimi për formimin e neurokirurgëve nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Me departamentin në 1996, u krijuan kushtet dhe autori, dekan i Fakultetit te Mjekësisë, hapi për herë të parë shkollën shqiptare të neurokirurgjisë, pjesë e ciklit të tretë. Neurokirurgët e parë që u diplomuan ishin Fatos Olldashi, Ardit Lame Artur Xhumari, Elvis Dervishi. Të tjerë si Bart Thaci, Gentian Toshkezi, të cilin autori e dërgoi për një vit në Paris u larguan pa e përfunduar specializimin për në SHBA. Me pas, u diplomuan neurokirurget e para femra, duke kaluar mesataren e disa vendeve të rajonit.
Kontribut i veçantë i prof. Adrian Osmanlliut në neurokirurgji në katër dekada u pasqyrua me arritje të konsiderueshme. Krijimi i departamentit në rritje eksponenciale të fuqisë intelektuale i dha mundësinë autorit të zgjedhë studentët më të mirë, pa konkurs. Më pas, në sajë të relacioneve të privilegjuara me kolegët e tij, autori ka dërguar për specializime e diplomime neurokirurgët e nxënësit e tij në Itali, Francë, Austri, Suedi, në qendrat më të mira terciare evropiane sipas listës se mëposhtme:
Dr. Llambi Leka cum Laude dërgohet në Marsejë për një vit, qëndron dhe katër vite të tjera, por për arsye shëndetësore kthehet dhe mbetet një nga neurokirurgët e edukatorët shembullorë.
Dr. Emil Azdurian referohet një vit në Paris, u mbështet njëkohësisht nga komuniteti armen, megjithëse premtues largohet për në SHBA.
Dr. Kita Sallabanda Diaz dërgohet për tre muaj në Suedi për radiokirurgjinë, më pas vazhdon studimet në Spanjë dhe karriera e tij ngjitëse dhe kontributet e tij janë tashmë të njohura ndërkombëtarisht.
Prof. Arsen Seferi pasi kishte kryer personalisht më parë një vit në Zurich, dërgohet dhe kryen specializimin dhe doktoraturën në “La Sapienza”, Romë, në 9 vite duke krijuar kirurgjinë e epilepsisë dhe rritjen e standardeve të kirurgjisë së tumoreve dhe vaskulare.
Prof. Ridvan Alimehmeti dërgohet fillimisht në Suedi e më pas në Milano, ku për 8 vite kryen specializimin dhe zhvillon kirurgjinë funksionale, të nervave periferike dhe qendrën e mikrokirurgjisë eksperimentale.
Prof. Gentian Kaloshi cum Laude me dy diploma dhe të ekonomisë dërgohet tre vite në Paris zhvilloi neuronkologjinë në nivelin e botimeve të papërsëritshme në atë fushë, largohet në Kanada.
Prof. Artur Xhumari dergohet per dy vite ne Paris zhvillon kirurgjine pediatrike i mbeshtetur nga Kita Sallabanda Diaz realizuan unitetin e radiokirurgjise e radioterapise ne kuader te departamentit.
Dr. Ardit Lame dërgohet një vit në Paris dhe zhvillon kirurgjinë e kolonës.
Dr. Elvis Dervishi dërgohet fillimisht një vit në Paris dhe vazhdon pesë vite doktoraturën në Universitetin “Paris Diderot”. Në kthim, zhvillon endoskopinë.
Dr. Florian Dashi dërgohet për dy vite në Paris për neurofiziologji e neuromonitorim, më pas zhvilloi neurofiziologjinë mbi nivelet rajonale.
Dr. Mithat Demneri dërgohet një vit në Paris për neuroanestezinë, në sajë të të cilit u realizua kirurgjia zgjuar.
Neuroradiologjia dhe neuroradiologjia intervencionuese njohën një zhvillim mbas viteve ’90 kur u bë e mundur që të futen mjetet si “CT MRI skaner angiografia”, duke rritur nivelin diagnostik dhe bërë të mundur trajtimin endovaskular në rastet me aneurizma, keqformime, trombektomi etj.
Pa kontributin e prof. Gjergji Vretos, i formuar dy vite në Paris, Neë York dhe dr. Arben Rroji e dr. Eugen Enesi të formuar në Itali e Paris niveli sotëm nuk do të ishte arritur.
Ky almanak neurokirurgësh në QSUT “Nene Tereza”, bërthama e neurokirurgjisë shqiptare, me kontribute, bënë të mundur që aktiviteti të rritet deri në 1400 operacione në vit me standardet e kohës dhe kulmohet me reportazhin e kirurgjisë zgjuar realizuar në Tiranë në faqen e parë të “The New York Times” në 2016.
Shërbimi i Neurokirurgjisë në Spitalin Ushtarak hapet në 1972 me dr. Agim Kolasi. 20 shtretër dhe një sallë operacioni mbuloi nevojat për neurotraumatologjinë kraniale spinale tumore etj. Më pas, u drejtua nga dr. Perlat Hodo.
Ndryshimi i regjimit transformimet në qendër universitare me infrastrukturën nën drejtimin e dr. Fatos Olldashi, më pas morën një zhvillim të fuqishëm, duke krijuar një pol të ri të neurokirurgjisë me standardet evropiane dhe njohje botërore.
Grupi i Spitalit Amerikan, “Hygea”, ofrojnë shërbime neurokirurgjikale ku një departament mbulon të gjithë gamën e interventeve neurokirurgjikale endovaskulare të standardizuar. Ky grup ka hapur mendësinë dhe të një bashkëpunimi ndërkombëtar në interes të pacientëve shqiptarë dhe të huaj, duke shtuar kapacitete profesionale kur ato mungojnë.
Shërbimi më i ri i neurokirurgjisë rajonale funksionon në “Memorial Hospital” Fier, i pajisur në infrastrukturë me dy neurokirurgë shqiptarë të asistuar me turq.
Në artikull paraqiten strukturat dhe infrastruktura e shërbimeve neurokirurgjikale në rang vendi, që në kontekst të rajonit përmbushin nevojat nisur nga GDP dhe mesataret evropiane. Shifra 0.517 neurokirurg për 100 000 banorë mbetet e ulët ne rajon, ndërsa pajisjet diagnostikuese janë nëe mesataren e rajonit. Interesant mbetet fakti që në rajon megjithëse fondet për kërkim janë shumë disproporcionale, duke pasur pesë vende të BE-së me fonde konsistente. Botimet e neurokirurgjisë shqiptare janë te shumta ne 5 top revistat e specialitetit me impakt faktorin më të lartë sipas “PubMed” dhe “Google scholar”. Botimet e cituara janë më shumë në sajë të faktorit human, se sa atij financiar të PIB dhe tejkalojnë vendet e BE-së të rajonit në raport me financimin e tyre. Ky fakt i financimit asimetrik tregon motivimin e neurokirurgëve shqiptare për ekzistencë në raport me dimensionin e vendit dhe të nënfinancuar.
Në artikull të dhënat e Shqipërisë nga vend me të ardhura të ulëta përpara 1990, në vend me të ardhura sipër klasës së mesme reflektohen në nivelin shëndetësor dhe në neurokirurgji. Por, kërkesat në rritje për shërbim më të mirë krijojnë kufizimet e veta për arsye të rivlerësimit të buxheteve për të mbajtur dhe ndjekur standardet e BE-së ku në aspirojmë. Neurokirurgjia mbetet specialitet me kosto të larta që vazhdojnë të rriten që duhet të shkojnë paralel me kurbat e mësimit të protokolleve që ndryshojnë mesatarisht çdo dy-tre vite. Shëndetësia falas ka kosto, por pa kostifikim me ICD-10 faturim në dalje të pacientit, gjë që vështirëson qëndrueshmërinë dhe rritjen buxheteve. Megjithatë, përfshirja në dy shoqatat evropiane e botërore “EANS ËFNS” kulmoi ne maj 2022 me organizimin e “TC EANS”, ku morën pjesë për një javë 250 neurokirurgë nga gjithë kontinenti. Meritë e përpjekjeve të prof. Ridvan Alimehmetit dhe dr. Fatos Olldashit.
Ky artikull u pranua për botim si shembull global që të tregojë se edhe vendet e vogla nëse integrohen në bashkësi, duke ndjekur standarde mund të zhvillojnë kapacitetet e tyre kur zgjedhin sistemin e duhur në ketë rast, demokracinë.
Figurat e neurokirurgëve të huaj që kanë kontribuar në ngritjen e neurokirurgjisë shqiptare janë skalitur në granitin e memorialit që iu dedikohet në QSUT “Nënë Tereza” në shërbimin e neurokirurgjisë.
*Mentor Petrela IFAANS, WANS. profesor i universiteteve dhe konsulent Francë.