Ky qëndrim i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD-VABD) vjen sot për mbarë opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar pas vëzhgimit të ngjarjeve dhe shfaqjes së tendencave dhe reagimeve që kanë përfshirë shoqërinë shqiptare, ku, në drejtim të paditur, largohet zv/kryeministri duke lënë pas gropën me vlerë rreth 420.000 000 € për ekonominë shqiptare.
Trajtimi ynë mendon të ndjekë thellimin në një rruge tjetër të linjës njohëse për të qartësuar disa faktorë dhe cilat janë pozitat në të cilat korrupsioni i lartë shtetëror ka vendosur të ardhmen e Shqipërisë, popullsinë shqiptare dhe kur përballë janë vendosur si asnjëherë në peshore institucionet dhe pushtetet që drejtojnë dhe e qeverisin shtetin shqiptar.
Pas pesë ditësh heshtje, një fjalim i thatë dogmatik që tregon vetminë e një kryeministri.
Drejtësia Shqiptare ndodhet përballë grabitjes shtetërore dhe mosgjetja e vendndodhjes së ish zv/kryeministrit të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Zotit Arben Ahmetaj bashkë me rrethin e mashtruesve dhe projektuesve të grabitjes, sikurse dhe vala e pakontrolluar e krimit dhe e dhunës, varfëria e skajshme dhe taksat që godasin çdo sipërmarrje të pronarëve privatë të vegjël dhe të mesëm në qytet dhe fshat, zierja e të gjitha këtyre nën temperaturat përvëluese të stinës së verës, nuk kanë ardhur kurrë dhe si asnjëherë tjetër në përbërësa për përmasat e një fatkeqësie kombëtare që vjen nga sundimi i një grupi njerëzish që po sjellin shtet-shkatërrim të ri përballë korrupsionit.
A do të pritet pika e vlimit të tyre?
A do të japë Dorëheqjen Kryeministri?
A do të flasë si duhet dhe në kohën e duhur Kuvendi i Shqipërisë?
A do të Punojë Drejtësia?
A do të Qëndrojë Objektive Media?
A do të Ndërgjegjësohet Publiku ?
A do ta përfaqësojë me pjesëmarrje në politikë Rinia Shqiptare Vendin?
… që ky korrupsion të ndëshkohet për të mos u përsëritur më kurrë. Këto janë disa çështje mes të tjerash të shumta që janë fund e krye përshkuese të tranzicionit 33 vjeçar të vendit. Janë çështje që nga koha kur në Shqipëri nisi pluralizmi jo me dy tre parti politike kryesore, por me dhjetra. Është më pas koha kur në Shqipëri u maturua politika me opozitë mes piramidash financiare dhe shpërthime pakënaqësish, aq të zjarrta sa përvetësimi i depove të armëve shpuri në rrezikun e asgjesimit të vendit. Dhe është koha kur sot po duket se këto produkte tranzicioni po i mplakin pas çdo krize politikanët duke riprodhuar një klasë të re politike më afër vetes, që, në të gjithë spektrin e ideve, votën e zgjedhësve të tyre e shohin në shkëmbim të karrierës politike, si një mundësi pasurimi vetëm për vete dhe përfitim interesash dhe meritash vetëm për ata me të cilët mund të ndahet në heshtje pasuria kombëtare e përvetësuar.
Ku është betimi përpara Flamurit dhe përpara Atdheut për të gjithë ju profesionistë të zhurmshëm dhe gojëkyçur të politikës?
Kjo që po zhvillohet në Shqipëri mes pështjellimeve të dy javëve të fundit përbën ndeshjen më të madhe me korrupsionin dhe krimin në pushtet, ku një figurë autokrate dhe i gjithëpushtetshëm mohon çdo përgjegjësi për t’i shpëtuar drejtësisë. Kryeministri me një fjalim prej 16 minutash, pas kësaj mendon se del i larë duke thithur në konflikt mungesën e cilësisë profesionale të politikës.
Heshtja pesëditore e vetë kryeministrit të Shqipërisë hodhi dritë qartë mbi një skemë të mjegullt që mund të nxisë tensionet në Kuvend, aty ku pikërisht opozita është e përçarë dhe aty ku të gjithë në kartonët trengjyrësh (po, jo dhe as as), të thithin energjitë dhe të zhvendosin frikësimin ndaj qeverisë në mbarë opinionin publik dhe të shtetasve.
Pra, krizë pas krize, Shqipëria në vend të shtetformimit modern dhe zhvillimit të demokracisë së ofruar nga bota e zhvilluar, po e lë veten peng të konflikteve të brendshme duke sjellë në qeverisje një klasë politike aq të lidhur mes vetes sa që “pa pritur duket se i ka harruar” premtimet ndaj shtetasve. Një klasë politike që është pirur vetëm pas interesave vetjake, duke e lënë vendin mes përçarjeve të vazhdueshme. Një klasë politike që mirësinë dhe ofrimin e dorës për t’u qasur me vendet e zhvilluara nuk e ndau me shtetasit e vet dhe më së shumti tregoi se asnjëherë nuk është kujdesur drejtpërsëdrejti në formimin e një brezi të ri udhëheqësie për shqiptarët deri sa t’u vijë fizikisht pensioni në politikë.
Pra, shkalla e përfaqësimit në integrimet ndërkombëtare e Shqipërisë ka mbetur vetëm një parullë, një pikatore ekonomike për popullin dhe në portofolin personal një kapital i sukseseve afatgjata politike, ku edhe bëhet kompromis me rotacionin e butë të pushtetit për të ruajtur monopolin mbi një sistem ekonomik të korruptuar, që sot e tregoi vetë se i ka ardhur koha të ndryshojë.
Kemi mbërritur atje ku më nuk mban dhe kjo është “ena me presion” Rama. Tani ka mbërritur kjo enë po i afrohet pikës së vlimit dhe po vazhdon zierjen edhe pse pas pesë ditësh heshtje e më vonë enkas lihet të trazohet në “kazanin mediatik” (turqizma dhe termi i preferuar kryeministror për gazetarët dhe median), për t’i dhënë një tjetër drejtim zhvillimeve të kësaj ngjarjeje pasi ende tymi nuk po del mbi tri vatra djegiesh të mbeturinave në qytetet kryesore të Shqipërisë (Inceneratorët Fier-Elbasan-Tiranë).
Pa i hyrë komentit shfajësues të vetvetes, heshtja pesë ditore dhe fjalimi 16 minutësh mund të quhet Dalja-Rama. Një dalje mes konfliktesh që bart shpërthime krizash dhe synojnë të përpunojnë gradualisht opinionin.
Një dalje e paralajmëruar pas pesë ditësh dhe ku nuk përmendet dëmi financiar prej më shumë se 420.000.000 € dhe rrjedhja e qindra mijëra të tjerave çdo ditë për të ushqyer korrupsionin dhe grabitjen e sapo zbuluar, por kërkohet distancimi i militantëve politik përmes shmangies së përgjegjësisë kryesore.
Do t’ju rendisim një kolazh real gjestesh kryeministrore që janë karakteristika e momentit më të vështirë të karrierës së tij në atë tryezë me daljen16 minutëshe. Vendi ku ai mund të kryqëzohet këtë rradhë jo si fajtor, por si një frikacak që është zhveshur ndër të rralla herë prej arrogancës dhe aty ku ngurtësimi i gjesteve ka zbehur arsyetimin e fakteve të thjeshta. Në këtë tryezë dalje duket plastika më e besueshme e paaftësisë profesionale sot në pushtetin ekzekutiv të tij që, ashtu sikurse në çdo fushë të veprimtarisë, Edi Rama është përpjekur të shtiret dhe nuk rreshti përsëritjet për t’u futur dhe shkuar në majë të qeverisjes së shtetit.
“Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare!
Sot ne votuam një kërkesë të SPAK-ut për të autorizuar arrestimin e një deputeti, i cili ka mbuluar detyra të rëndësishme në qeveritë tona, si ministër dhe zv.kryeministër!
Ky i zyrtarit më të lartë shqiptar që gjer më sot ka përfunduar në rrjetën hetimore të SPAK-ut,…
Të ndërgjegjshëm për gjatësinë e stërmundimshme të kësaj rruge, për telashet e pashmangshme me karakteret e dobëta dhe për kohën që fluturon pa mjaftuar kurrë teksa bregu nga ana tjetër është ende larg.
Po ama të sigurtë, si drita e diellit që shohim, se kjo përpjekje është më e madhja që mund të bëjmë për Shqipërinë europiane të fëmijëve tanë, të cilët nuk do të jetojnë më në një vend me dy drejtësi, një të fortë për të dobëtit dhe një të dobët për të fortët, prandaj kokën lartë dhe vetëm përpara.
Faleminderit!
Ky fragment është kreu dhe fundi i një zig-zage-je ideologjike sa dogmatike aq edhe propagande politike që trazon dhe përçan vlerat kombëtare për shqiptarët brenda Shqipërisë si edhe jashtë kufijve zyrtar, në rajon dhe më gjerë në diasporë, aty ku shqiptarët jetojnë dhe punojnë duke trashëguar vlera të pastra gjuhe, kulture dhe të mbijetesës në liri e të pavarur fatmirësisht larg nga interesat e politikës ndërsyese.
Dalja-Rama, mbetet kulmi i mos ndjerjes së përgjegjësive personale gati 25 vjeçare në pozicionet shtetërore dhe në politikë. Asgjë prej kësaj dalje nuk mund të lexohet nga “sinqeriteti” i tij për të zhvilluar Shqipërinë, dashur partitë e veta apo karrierën. Edi Rama po tregon historinë e vonuar individuale dhe rrethit të vet se mes tranzicionit të fateve që demokracia i solli Shqipërisë sistemi pluralist për shkak të mungesës së drejtësisë së shtetit ligjor i dha pushtet ekonomik të ish përfaqësuesve të diktaturës komuniste armën e korrupsionit për ta plagosur herë pas here Shqipërinë dhe për t’ia bërë të pamundur jetën shqiptarëve përballë krimit të organizuar dhe krimit në pushtet.
Në këto kohë shqiptarët po kalojnë ditë shumë të vështira dhe ju duhet shumë maturi. T’i hapet rrugë drejtësisë dhe të mos ndikohet ajo duke pritur një vendim të shpejtë dhe të pacenuar. Shtetasit shqiptarë pavarësisht bindjeve politike kanë përpara syve të tyre zhvillimin më të madh të historisë së vendit për të provuar vlerën e shtetit të duhur. Shtetasit dhe qytetaria shqiptare pavarësisht bindjeve politike sot duhet të kërkojnë një qeveri që t’i shërbejë familjeve të tyre, ekonomisë dhe zhvillimit të popullsisë shqiptare. Atë që të gjithë dhe pa dallime të jetojnë lirisht, të shprehen lirisht, të besojnë në zot dhe të jenë të sigurtë dhe me dinjitet si komb për zgjedhjen fatit dhe drejtimit modern të Atdheut të tyre.
Dalja-Rama dhe heshtja më pas, qartazi tregojnë humbjen e investimeve më të mëdha të shpenzuara mbi censurën politike nga autokracia me përpjekjen e vazhdueshme për të errësuar dhe mbuluar të vërtetën.
Media shqiptare këtë fitore të pjesshme të saj duhet ta përqafojë në interes të ushqimit të pastër dhe të mbarë opinionit publik për të trajtuar me objektivitet dhe pa anshmëri vetëm të vërtetën. Në këtë mënyrë shqiptarët do të mund të kuptojnë dhe të vlerësojnë më tej se ky kapitull i gjatë i tranzicionit Shqiptar do t’i shpëtojë mbërthimit nga korrupsioni dhe se krimi i organizuar do të bjerë përballë shtetit të së drejtës dhe të atij Atdheu që shqiptarët e ndershëm duan të ndërtojnë, ku; – të gjithë shtetasit janë të barabartë përpara ligjit dhe e respektojnë drejtësinë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
Union des Journalistes Professionells Albaniase de la Diaspora (UJPAD)
Unione dei Gionalisti Professionisti Albanesi di Diaspora (UGPAD)