Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme tregon se projekti koncesionar i trajtimit të mbetjeve në Tiranë ishte një nismë e kryebashkiakut Erion Veliaj, e cila u kundërshtua nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Pas projektit qëndronin sërish Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Propozimi i Veliajt u prit fillimisht me rrudhje vetullash në qeveri.
Hetimet e Prokurorisë tregojnë se fillimisht ministri Shkëlqim Cani dhe më pas Arben Ahmetaj u bënë barrikadë ndaj propozimit të bashkisë së Tiranës, duke sjellë si rezultat përfshirjen e Ministrisë së Mjedisit në procedura. Bashkë me Ministrinë e Mjedisit, në projekt u përfshi edhe Klodian Zoto.
Ahmetaj kundërshton për muaj me radhë të miratojë këtë projekt si ministër i Financave deri kur vjen një moment kulmor në skandalin e inceneratorit të Tiranës.
Ahmetaj kërkon shkresën e miratimit me shkrim nga qarku Tiranë, sipas modelit financiar që kishte dërguar Ministria e Mjedisit. Më 27 mars 2017, Erion Veliaj i dërgon miratimin Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.
Ahmetaj refuzon ta miratojë derisa Ministria e Mjedisit ia dërgon me email shkresën e dhënies së miratimit nga Erion Veliaj. Ai më pas i hap rrugë procedurës duke u shprehur “pa komente”. Përgjigjja dërgohet 16 minuta më vonë nga Alba Thoma në adresën e emailit të Klodian Zotos.
Sipas hetimit të SPAK, “Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”.
Por është pikërisht kjo shkresë, ku Erion Veliaj merr përsipër të firmosë në emër të të gjitha bashkive të qarkut, që e fundos atë.
“Kontrata koncesionare është një kontratë problematike, pasi që në hyrje të saj thuhet shprehimisht se koncensionari do të furnizohet me mbetje nga të gjitha njësitë përbërëse të qarkut Tiranë, konkretisht Bashkia e Tiranës, Vorës, Kavajës dhe Bashkia e Kamzës, duke cenuar kështu autonominë e këtyre të fundit lidhur me çështjen e mbetjeve urbane, pasi nga asnjë korrespondencë, nuk rezulton që këtyre t’ju jetë marrë pëlqimi për të qenë pjesë e kontratës koncesionare”, tha kryetarja e Komisionit Hetimor parlamentar për këtë çështje, Jorida Tabaku.
Ndërkohë në intervistën e shkurtit të këtij viti, Arben Ahmetaj do shprehej në ‘Opinion’ se firma është e Erion Veliajt.
“Firma është e Erion Veliajt, mund ta pyesnit kryeministrin për Erion Veliajn. Ahmetaj u thotë institucioneve financojini vetë”, tha Ahmetaj.
Kujtojmë se sulmet e medieve të qeverisë ndaj Ahmetajt janë parë si të orkestruara nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.