Zbardhet mbrojtja e avokatëve të Arben Ahmetajt, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e këtij të fundit.
Ndër të tjera në argumentet e avokatëve të Ahmetajt, thuhet se për tre akuzat që ndaj deputetit, “prokurorët i lidhin faktet me hetimin e procedurave për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, por nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të na i parashtrojnë’.
“E di shumë mirë që krahasimet çalojnë, por teksa po shkruanim këtë parashtrim mbrojtës, më erdhi në mendje një ndodhi në Francën e fundshekullit XVIII, kur në Konventë po vendosej fati i Luigjit 16-të. Natyrisht deputeti Ahmetaj nuk është mbreti i Francës, mbrojtjes së të cilit iu dha katër ditë kohë. Mua dhe kolegut Visha na u dhanë vetëm disa orë. Në fund, avokati De Sèze tha: “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë: ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e Revolucionit”, thuhet në mbrojtjen e avokatëve në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Mbrojtja konteston faktet penale të korrupsionit që i atribuohen deputetit dhe kërkon sqarime konkrete rreth veprave kriminale dhe lidhjeve të tij me procedurat për inceneratorët.
Ata theksojnë se hetuesit kanë kaluar në sferën e jetës private dhe financiare të ish-ministrit, duke filluar hetimin e personit në vend të faktit penal.
Po ashtu avokatët kundërshtojnë qëndrimin e prokurorisë për procedurën e negociimit dhe moskonsiderimin e çështjeve teknike në propozimet e shoqërive.
E plotë:
Në datën 10.7.2023, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, u depozitua një kërkesë e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me anën e së cilës kërkohet dhënia e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, si dhe ushtrimin e kontrollit vetjak dhe të banesës së deputetit Arben Ahmetaj. Kërkesa shoqërohet me një relacion, të cilit i bashkëlidhen provat e administruara gjatë hetimeve paraprake në kuadër të procedimit penal të regjistruar ndaj tij.
Në cilësinë e mbrojtësve të zgjedhur nga deputetit Ahmetaj, në pasditen e datës 10.7.2023, na u vu në dispozicion një kopje e kërkesës dhe relacioni shoqërues, i përbërë nga 320 faqe. Mbi kërkesën tonë, në pasditen e djeshme (11.7.2023), na u vunë në dispozicion provat që bashkëshoqërojnë kërkesën dhe relacionin, në kopje elektronike, të cilat kapin një vëllim prej rreth 50 GB.
Pikërisht, në pasditen e djeshme, në orën 16.00, u çel seanca e debatit para Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mungesë të deputetit Ahmetaj. Sqaruam para atij Këshilli, se deputeti ishte në pamundësi të paraqitej, pasi për arsye të ngutshme familjare dhe pa pasur asnjë dijeni se Prokuroria do të paraqiste një kërkesë të tillë, ndodhej jashtë shtetit.
Pasi dëgjuam përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, që lexuan para Këshillit kërkesën e formuluar prej tyre dhe pyetjet e të nderuarve deputetë, për shkak të pamundësisë objektive që brenda një kohe disaorëshe të studionim kërkesën dhe aktet bashkëlidhur saj, kërkuam që Këshilli të garantonte të drejtën e mbrojtjes efektive, pjesë përbërëse e rëndësishme e procesit të rregullt ligjor, duke na dhënë një kohë të arsyshme për të përgatitur mbrojtjen e deputetit Ahmetaj. Këshilli na dha vetëm disa orë kohë, duke e caktuar seancën e radhës në orën 16.00 të datës pasardhëse, një afat gjithsesi i pamjaftueshëm, edhe po të mbajmë parasysh faktin e pohuar në seancë se prokurorisë i janë dashur 2-3 javë për të redaktuar materialin e paraqitur. Gjykojmë se në këndvështrimin e konceptit të “kohës së mjaftueshme për t’u mbrojtur”, barazia e armëve u cenua. Gjithsesi, mbrojtja nuk pati zgjedhje tjetër, ndaj sot jemi para Jush, të nderuar deputetë, për të dhënë argumentet tona, lidhur me bazueshmërinë në fakt dhe në të drejtën të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme.
- Për faktet penale që i atribuohen deputetit Ahmetaj. – Deputeti Arben Ahmetaj ka fituar statusin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, në kuadër të procedimit penal nr. 277/1 – viti 2022, pjesë e procedimit mëmë nr.277/2020, nga i cili është veçuar. Ai hetohet për tre vepra penale:
- Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, sipas nenit 260 të KP (të konsumuar 6 herë);
- Pastrim i produkteve të veprës penale të korrupsionit, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë, sipas neneve 287/II e 25 të KP;
- Deklarim i rremë dhe fshehje e pasurisë dhe interesave private nga persona të zgjedhur, të kryer vetëm dhe në bashkëpunim, sipas neneve 257/a/II e 25 të KP.
Kuptohet që fakti penal kryesor që i kontestohet deputetit Ahmetaj është fakti i korrupsionit, sipas akuzës i konsumuar 6 herë. Pastrimi i produkteve, kuptohet që është fakt penal i derivuar prej tij. Faktet që lidhen me deklarimin e rremë apo fshehjen e pasurisë, përsëri lidhen me faktin penal kryesor, me një pasaktësi në konceptin e konkurrimit të krimeve, që do ta cekim pak më poshtë.
Në këtë kontekst akuzator, që në kontaktin e parë me organin e akuzës, më 22.6.2023, kur z. Ahmetaj u thirr për t’u marrë në pyetje, parashtruam një kërkesë më se të ligjshme, të mbështetur në nenin 34 të KPP: kërkuam që të na shpjegohej thjesht, qartë dhe sak, cilat janë faktet penale të korrupsionit që i atribuohen z.Ahmetaj. E dimë që prokurorët i lidhin këto fakte me hetimin e procedurave për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, por nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të na i parashtrojnë. Nuk arritëm t’i kuptojmë as nga kërkesa e lexuar dje para Jush; urojmë që të keni arritur t’i kuptoni Ju, zonja e zotërinj deputetë, ndonëse jemi shumë skeptikë, megjithë vlerësimin për njohuritë dhe përvojën tuaj.
Arrijmë të kuptojmë që me procedurat e inceneratorëve, në raport me z. Ahmetaj, sipas këndvështrimit të prokurorëve, ka diçka që nuk shkon, por nuk thuhet konkretisht, qartë dhe me saktësi: cili është veprimi apo mosveprimi kriminal i z.Ahmetaj në cilësinë e ministrit përkatës, cila është pasoja kriminale e ardhur, në ç’masë e kanë determinuar këtë pasojë veprimet e ish-ministrit, çfarë pushteti vendimmarrës i lejonte atij ligji për këto procedura, cilat janë këto 6 raste korruptive, janë të veçuara nga njëra-tjetra apo pjesë e një krimi permanent (mendim unik kriminal), sa para ka përfituar ai për secilin episod korruptiv, etj., etj.
Këto pyetje, të mbetura pa përgjigje, na bindin se në veprimet/mosveprimet e ish-ministrit Ahmetaj lidhurt me çështjen e inceneratorëve nuk ka ndonjë fakt të dënueshëm penalisht. Por, ish-ministri ka një problem: fakti, që ai nuk e ka mohuar kurrë, se ka pasur njohje të afërt, të paktën prej vitit 2011 me Mirel Mërtirin, një personazh kyç në këtë çështje. Atëhere, në mendjet e hetuesve zënë vend pyetjet: si ka mundësi që Mirel Mërtiri dhe bashkëjetuesja e tij, e lidhur në biznes me një personazh tjetër – Klodian Zoton, të kenë fituar këto konçensione dhe “miku” i tij Ahmetaj, ministër i rëndësishëm, të mos ketë përfituar asgjë?
Dhe nga ky moment, të favorizuar edhe nga pozita e tij politike vulnerabël, hetuesit i rikthehen nje metode të vjetër hetimi: nuk synohen faktet penale, po fillojnë dhe hetojnë personin! Provat që shoqërojnë kërkesën, demonstrojnë qartë se hetuesit kanë kaluar në sitë të gjithë jetën private dhe financiare të ish-ministrit. Historia e inceneratorëve ka filluar aty nga viti 2014. Ç’punë kanë hetuesit me kompanitë e tij “Hermes” dhe “H-Communications”, me biznesin e tij të filluar 15 vjet më parë, kur ai nuk kishte asnjë funksion shtetëror, ç’punë kanë hetuesit me deklarimin e pasurisë së tij pas zgjedhjes deputet, të ciulat nuk kanë asnjë lidhje me faktin penal që ata pretendojnë se ka ndodhur? Do bëjmë hetime të gjithanshme! – mund të thonë hetuesit.
Ky është problemi, të nderuar deputetë, kjo është çështja. Sistemet që mbështeten tek shteti i së drejtës hetojnë faktet penale, e drejta penale demokratike është “e drejtë e faktit penal”, ndaj në një proces synohet të hetohen ato që ligjvënësi i përcakton, në nenet 149 e vijues të KPP, si “faktet objekt prove”. Hetimet e gjithashme që puntojnë personin na sjellin ndërmend disa remineshenca të së kaluarës, jo dhe aq të largët. E drejta penale demokratike e refuzon teorinë famëkeqe të “së drejtës penale të autorit”, një atavizëm i regjimeve autoritare, që orienton se në mungesë të faktit penal mund të shtrihemi në hetimin e autorit dhe, natyrisht, diçka e paligjshme do të gjendet në jetën e tij. Dhe nuk është aspak çudi që Arben Ahmetaj, në jetën e tij, të ketë lënë ndonjë taksë pa paguar, të ketë bërë ndonjë ndërhyrje që sot quhet ushtrim i ndikimit të paligjshëm, etj. dhe, në fund të kësaj historie, sido që të shkojë hetimi i faktit kryesor,një akuzë mbi shpinë do t’i mbetet, gjithsesi.
Por, le t’u kthehemi edhe njëherë fakteve që, në origjinën e tyre kanë ngjizur këtë hetim të Prokurorisë së Posaçme:
Prokuroria pretendon se (fq.5, par.6 i kërkesës), në cilësinë e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, z.Ahmetaj nëpërmjet vartësit të tij, të ndjerit Zamir Stefani, ka kontribuar në dhënien e konçesionit për inceneratorin e Elbasanit, duke ndjekur procedurën e negociimit pa shpallje paraprake, si dhe duke mos u zbatuar detyrimet e tjera të ngarkuara nga kuadri ligjor në fushën e konçensioneve…
Si qëndron kjo çështje? I ndjeri Zamir Stefani u caktua anëtar i Komisionit për dhënien e konçensionit PPP për inceneratorin e Elbasanit, pas një kërkese me shkrim drejtuar ministrit Ahmetaj nga Ministri i Mjedisit, që ishte autoriteti kontraktor (shkresa 9555 prot., datë 22.9.2014). Ai ishte anëtar i një Komisioni prej 7 vetësh, ku bënin pjesë veç anëtarëve të caktuar nga ish-ministri Koka, edhe një përfaqësuese nga Ministria e Industrisë dhe Energjitikës, si dhe dy përfaqësues nga Bashkia Elbasanit. Cila ishte rruga që duhet të ndiqte ish-ministri Ahmetaj? Të mos caktonte anëtar në këtë Komision? Më tej: si ka kontribuar ai në dhënien e konçensionit? Zamir Stefani një votë kishte në atë Komision? Ka ndonjë provë që ai vepronte nën diktatit e ministrit Ahmetaj?
Sipas prokurorisë, Ministria e Mjedisit me shkresën nr.7975/1, datë 14.11.2014, i ka dërguar ministrit Ahmetaj projekt-vendimin e qeverisë që caktonte si autoritet kontraktues në këtë procedurë Ministrinë e Mjedisit dhe ministri është shprehur parimisht dakord. Kjo shprehje dakordësie, sipas akuzës, përbën fakt penal, sepse procedura me negociim nuk ishte e mbështetur në ligj. I kontestohet, gjithashtu, fakti se “në asnjë moment nuk ka ngritur shqetësimin se cila ishte shoqëria propozuese, paaftësia e saj teknike për kryerjen e një vepre të tillë.” Po pse, akuza penale janë këto të nderuar deputetë?
Vlerësojmë të sqarojmë me dy fjalë sa më sipër: së pari, shprehja “parimisht dakord”, është një qëndrim politik i ministrit Ahmetaj: pra, në kuadrin e politikave qeverisëse të MZHETS, ministri nuk mund të shprehej kundër një projekti që synonte të menaxhonte mbetjet urbane dhe të prodhonte prej tyre energji në qytetin e Elbasanit. Së dyti, ministria që ai drejtonte nuk kishte asnjë detyrim për ndjekjen e procedurave, verifikimin e shoqërisë konçesionare apo aftësive të saj teknike. Së treti, kjo dakordësi në parim nuk prodhoi asnjë pasojë juridike, sepse për shkak të vërejtjeve të disa ministrive dhe enteve që ligji i ngarkonte të jepnin mendim, ky projekt nuk u kthye në vendim të Këshillit të Ministrave.
Këtu gjejmë rastin të ritheksojmë rolin dhe funksionet e MZHETS: ajo u krijua dhe mbeti një ministri pa funksione ekzekutive, ishte thjesht përfaqësuese e pronarit-shtet, por nuk menaxhonte pronat e shtetit, fokusi i saj ishte ndërtimi i politikave ekonomike, në funksion të përmbushjes së programit ekonomik të Qeverisë. Asnjë vendimmarrje për inceneratorët nuk kalonte përmes ministrit Ahmetaj, për sa kohë drejtoi atë ministri, i cili nuk kishte fuqi ekzekutive, as të miratonte dhe as të pengonte.
Në shkurt të vitit 2016, z.Ahmetaj u emërua ministër i Financave, funksion që e ka kryer deri në maj 2017. Mandej, ai është emëruar sërish ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Financave në shtator 2015 (pas shkrirjes së dy ministrive në një të vetme), detyrë që vazhdoi deri në janar 2016, kur u emërua ministër shteti për Rindërtimin.
Duhet të mbajmë parasysh faktin se Ministria e Financave dhe ministri Ahmetaj në këtë detyrë përgjigjej vetëm për monitorimin e konçensioneve në aspektin fiskal, për të ruajtur tavanin e buxhetit për financimin e tyre nën një tavan buxhetor prej 5% të shumës së të ardhurave tatimore të vitit pararendës, pasi financimi i konçensioneve, alokimi dhe rialokimi i fondeve ndikojnë në vlerën e GDP-së. Edhe gjykimin e fizibilitetit të konçensionit e sheh vetëm në aspektin fiskal: ka fuqi apo jo buxheti i shtetit ta përballojë atë. Ndaj, duhet të jetë e qartë, se edhe në këtë detyrë, ministri nuk kishte asnjëlloj vendimmarrjeje nëse do të kishte garë apo, cila do të ishte forma e konçensionit që do të aplikohej dhe cila kompani do të zgjidhej. Ndaj nuk ka asnjë sens juridik që çeljet e investimeve, alokimet apo rialokimet, në bazë të ligjit “Për buxhetin…” të paraqiten si favorizim i shoqërive fituese. Për çeljen e investimit, detyra e ministrit është ta bëjë atë sa më shpejt, pasi është parashikuar në buxhet, kurse alokimet dhe rialokimet e fondeve, ministri i Financave i bën me kërkesë të ministrive të linjës.
Ndaj është absurd pretendimi i prokurorëve, se z.Ahmetaj ka propozuar ndryshime në ligje apo në VKM, për të akumuluar sa më shumë pushtet, në mënyrë që të favorizonte shoqëritë e interesuara për konçensionet! Sikundër parashtruam, në aspektin vendimmarrës për konçensionet të dyja ministritë ku ai ka punuar nuk kanë pasur asnjë pushtet. Ndaj, është absurde dhe shndërrohet në një aktakuzë en block ndaj Qeverisë, pretendimi se ndryshimet për propozime në ligje e akte nënligjore, një veprimtari mirëfilli e politikave qeverisëse, të paraqitet si shkelje me natyrë penale.
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Kjo kërkesë e paraqitur para jush dhe mënyra se si artikulohen dhe përligjen akuza serioze penale, materializon një prirje që duket se fshin kufijtë mes institucioneve, përkatësisht mes juridiksionit penal dhe politikës, sidomos në këtë hetim që pretendon të zbardhë korrupsionin politiko-administrativ, për të cilin akuzohet deputeti Ahmetaj. Por, teoria demokratike na mëson se proceset, përfshi edhe procesin ndaj zotit Ahmetaj shërbejnë për të gjykuar fakte të veçanta, proceset nuk mund të gjykojnë dukuri apo sisteme në kompleksitetin e tyre, nuk mund të gjykojnë vendimmarrjen politike të Qeverisë: kjo detyrë i takon politikës, nuk i takon prokurorisë. Në emër të parimeve të shtetit të së drejtës, Ju kërkojmë me shumë përgjegjësi t’i mbani parasysh këto fakte përpara se të ngrini kartonin për të votuar.
Na lejoni t’iu kthehemi fare shkurt dhe qartë, edhe atyre fondeve që akuza pretendon se përbëjnë drejtpërdrejt ose tërthorazi përfitim të parregullt nga deputeti Ahmetaj (faqe 4 e kërkesës). Për të mos Ju ngarkuar me analiza të panevojshme, po qëndrojmë tek ato më kyesoret, për të argumentuar se si hamendjet i shiten këtij Këshilli si prova të përfitimeve korruptive:
- Pretendohet se Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, në vitet 2016, 2017 dhe 2018, kanë bërë shitje fiktive të disa apartamenteve, të ndodhura në Selitë të Vogël, në kompleksin e ndërtuar nga shoqëria “Sheron SHPK”, duke përfituar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, në mënyrë të tërthortë, shumën prej 440.480 eurosh. Nga përmbajtja e kërkesës nuk kuptohet asgjë, por po të lexosh relacionin arrin të kuptosh se, më 16.11.2015, pas marrjes së lejes së ndërtimit nga KRRT Tiranë, Flamur Shena, Mimoza Shehu dhe Albina Mançka kanë rënë në ujdi të investojnë në ndërtimin e një kompleksi, duke financuar secili përkatësisht 50%, 30% dhe 20% të kostos së ndërtimit. Kanë rënë në ujdi edhe që fitimi në 70% të sipërfaqes së godinave të kompleksit do të ndahet mes investitorëve sipas kontributit investues të secilit. Shkurt, nga ky investim Albina Mançka, ish-bashkëshorte e deputetit Ahmetaj, ka përfituar 860 metra katrore. Prokuroria nuk e konteston këtë fakt evident.
Këto pasuri u janë shitur shtetasve Andi Boni (transaksioni final është mbyllur nga Helidon Begaj), Besmir Prifti dhe Sonila Goxhaj. Ndonëse pasuria e znj.Mançka është krejtësisht e ligjshme, hetuesit fillojnë dhe hetojnë se kush janë personat që kanë blerë. Duke qenë se Andi Boni dhe Helidon Begaj janë ortakë në shoqëri, të cilat kanë pasur marrëdhënie kontraktore dhe kanë kryer ndonjë punë me shoqërinë Integrated Energy, atëhere dilet në përfundimin se blerjet i ka financuar Klodian Zoto!
E njëjta logjikë ndiqet edhe në rastin e pronës së blerë nga Besmir Prifti, i cili del se ka marrë hua nga shoqëria Integrated Tecnology Services (ITS) SHPK dhe përfitimi quhet i marrë, edhe pse kjo kontratë më pas është prishur dhe palët janë kthyer në gjendjen e mëparshme. Për akuzën, shuma quhet e marrë, edhe pse është kthyer mbrapsht!
Në rastin e tretë, në rolin e blerëses është Sonila Goxhaj, e cila ka “fatin e keq” të jetë nëna e fëmijëve të z.Sokol Meqemeja. Ky i fundit ka marrë pjesë në garën për inceneratorin e Fierit, ka fituar bonusin prej 10 pikësh, por në fund fare nuk e ka fituar këtë garë. Në “logjikën” e akuzës, edhe pse garat i trukonte Arben Ahmetaj, edhe pse ai e ka humbur garën dhe duhej të ishte qejfmbetur, përsëri i ka lerë në zemër t’i bëjë një dhuratë 140.000 euro z. Ahmetaj!
Në fund të kësaj resume-je: apartamentet në fjalë kanë qenë apo nuk kanë qenë pronë e znj. Mançka. Katërcipërisht e provuar që po. Atëhere, të nderuar zotërinj deputetë, ku është fakti korruptiv, në rastin kur njeriu përfiton të holla nga shitja e një prone që e zotëron ligjërisht? Po a mundet që me këto pseudoakuza të jepet miratim për arrestimin e një deputeti të Kuvendit?
- Pretendohet nga akuza se Erjola Hoxha, bashkëjetuese nga viti 2022 e deputetit Ahmetaj, ka përfituar nga Klodian Zoto një vilë në Hamallaj. Është e vërtetë se Klodian Zoto e ka porositur këtë vilë, por nuk ka paguar asnjë grosh për t’u bërë pronar i saj. Në kushtet kur ai është tërhequr, kjo vilë është përfituar mbi bazën e një kontrate të rregullt nga z.Gerian Kuka. Ky i fundit, fillimisht ia ka dhënë me qira dhe më pas ia ka shitur Erjola Hoxhës, me fonde plotësisht të ligjshme dhe të justifikuara dhe të transferuara tek shitësi në rrugë bankare. Nëse del emri Klodian Zoto, hetuesve “prifti u duket si korofillak”. Po Klodian Zoto nuk e ka zotëruar kurrë këtë pasuri, ka pasur një ide që ta kishte, por nuk ka financuar; atëhere, si mund të pretendohet që ai ka falur një pasuri që nuk e ka zotëruar ndonjëherë.
- Një situatë e ngjashme është edhe ajo e vilës në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Shoqëria “Inerte” SHPK ia ka shitur një zonje me shtetësi zviceriane, të quajtur Elda Dinaj, e cila ka marrëdhënie të ngushta që nga koha e viteve të rinisë me znj. Mançka. Blrësja ka paguar këstin e parë, me transaksion të rregullt bankar nga Zvicra. Punon në një kompani prestigjoze dhe zotëron fonde për ta mbuluar jo vetëm këtë investim, por dhe investime të tjera të bëra në Shqipëri. Nisur vetëm nga fakti se për mobilimin e kësaj vile dhe mirëmbajtjen e saj interesohej Albina Mançka, atëhere kjo quhet një pasuri e vënë në rruga korruptive.
Në fund, dy fjalë për krimin e parashikuar nga nenet 157/a e 25 të KP. E cekëm shkarazi edhe në seancën e djeshme se krimi i fshehjes së të ardhurave apo i deklarimit të tyre të rremë nga nëpunësit e lartë shtetërorë, nuk mund të konkurrojë me krimin e korrupsionit aktiv, për një arsye shumë të thjeshtë: nuk mundet që ligji t’i kërkojë nëpunësit të korruptuar që të deklarojë në ILDPKPI fondet e siguruara në rrugë korruptive. Është njëlloj sikur të kërkosh që vjedhësi të përgjigjet edhe për moskallëzimin e krimit të vjedhjes! Në kontekstin e akuzave ndaj z.Ahmetaj, ky element teknik nuk ka ndonjë rëndësi të madhe në planin e sanksionit penal. Por ka rëndësi për të kuptuar metodën se si ka lëvizur Prokuroria e Posaçme: niset nga asgjëja, vë nën hetim personin dhe ngre në këmbë një çështje. Mbase mbani mend që çështja fillimisht ishte e regjistruar për shpërdorim të detyrës, sipas nenit 248 të KP. Që në çdo rast, edhe po të mos gjendej asgjë, një shkelje e ligjit e lidhur me një pasojë tekefundit do të mbetej dhe personi i piketuar për t’u hetuar nuk do të mbetej fare pa akuzë.
Për ligjshmërinë dhe procedurën e kërkesës për arrestim. – Pas kërkesës së prokurorisë të paraqitur në seancën e djeshme, nga deputetët e nderuar të dy krahëve politikë, u bë një pyetje e thjeshtë dhe logjike: cilat janë arsyet që ndaj deputetit Ahmetaj të aplikohet një masë e tillë kaq e ashpër? Pse e doni atë patjetër në burg dhe pse pikërisht tani dhe jo më herët?
Përfaqësuesit e akuzës u përgjigjën se këto nuk janë çështje që i takojnë këtij Këshilli, i cili nuk është gjykatë e juridiksionit penal. Në këndvështrimin tonë dhe të së drejtës kushtetuese dhe të procedurës penale, kjo është një përgjigje e dobët, e kushtëzuar nga mungesa e argumentit. Me të drejtë deputeti z.Alibeaj e sqaroi mjaft mirë këtë aspekt të procedurës: ky Këshill dhe Kuvendi nuk janë noterë që vulosin kërkesat e prokurorisë. Nuk janë gjykatë, por në këtë procedurë ato sillen si quasi-gjykatë dhe, natyrisht, në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës dhe 288 të KPP, vigjëlojnë mbi liritë, të drejtat dhe sigurimin e garancive ndaj arrestimit arbitrar të deputetëve.
Për fat të keq, po jetojmë në kohën e një “populizmi gjyqësor” në ngjitje, më i rrezikshëm se populizmi politik, ngaqë i mungon legjitimiteti demokratik: gjithandej flitet për pranga dhe arrestime, askush nuk do t’ia dijë për të drejtat dhe garancitë e individit. Tek ne, për arsye që i dimë mirë, nuk ka një traditë të respektimit të të drejtave dhe lirive në procesin penal. Për fat të keq, kulturat dhe nënkulturat antigarantiste, për shkak të kësaj klime që përmendëm, po zënë vend edhe në një pjesë të së majtës, që ndër dhjetëvjeçarë ka qenë paladine e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të individit. Demonstrohet një siguri absolute mbi rezultatet e arritura nga hetimet, edhe në kërkesën që Ju po shqyrtoni, ndërkohë që në plan të parë duhet të dilte vetëpërmbajtja dhe maturia e gjykimit, e mishëruar aq bukur në fjalën latine “juris-prudentia” – masë dhe vetëpërmbajtje si në vlerësimin e fakteve të procesit, ashtu edhe në zbatimin e ligjit, ngaqë gabimi gjyqësor është gjithmonë një rrezik eminent në hetimet penale. Ndaj merr rëndësi të jashtëzakonshme që pushteti gjyqësor të përmbahet nga garancitë, që guri i qoshes së procesit penal – prezumimi i pafajësisë – të mos mbetet një fjalë boshe, por t’i jepet kuptimi që meriton dhe kjo sot është në dorën tuaj, të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë.
Kështu që ju sot nuk keni zgjidhje tjetër veçse të silleni si një gjykatë e, ndoshta pa dashjen tuaj, por për shkak të detyrës së lartë që kryeni, të bëheni përkohësisht pjesë e “pushtetit të tmerrshëm” gjyqësor, sikundër e quante Montesquieu-ja, pjesë e atij pushteti që vendos mbi fatin e njeriut, të cilit i ka rënë halli të përballet me drejtësinë.
Në kërkesën që keni para Jush, nuk paraqitet asnjë shkak i ligjshëm, që ta bëjë të domosdoshëm, në një shoqëri demokratike si e jona, arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj. Hetimet kanë mëse 3 vjet që kanë filluar, një pjesë e mirë e zyrtarëve të hetuar për të njëjtën çështje ndodhen në përfundim të procesit gjyqësor, provat tanimë janë mbledhur dhe nuk ka dhe as u demonstrua ndonjë fakt që të vejë në rrezik marrjen ose të cenojë vërtetësinë e tyre. Zoti Ahmetaj priste me padurim përballjen me drejtësinë, u paraqit para prokurorëve me thirrjen e parë dhe pranoi të jepte shpjegime të hollësishme për të gjitha akuzat e tyre. Deklarimet e tij po i bashkëlidhim, si pjesë integrale e këtij parashtrimi, edhe për faktin se për arsye shumë serioze familjare, ai nuk pati mundësi të ishte i pranishëm dhe të mbrohej vetë. Deputeti Ahmetaj është i shkarkuar nga të gjitha funksionet ekzekutive, ndaj përmbushen edhe kërkesat e parandalimit të posaçëm – ai nuk ka asnjë mundësi të kryejë krime që lidhen me detyrën. Për këto arsye, mungojnë kushtet dhe kriteret që parasheh ligji për të zbatuar ndaj tij, si një extrema ratio, masën e arrestit në burg.
Kërkesa që Ju po shqyrtoni nuk duhet të miratohet edhe për shkak të një precedenti të vendosur nga Kuvendi në të ashtuquajturën “çështja Tahiri”. Ai hetohej për fakte penale shumë të të rënda se ato që i kontestohen deputetit Ahmetaj – trafikim i narkotikëve në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal – e, megjithatë, ai nuk u vendos në kushtet e arrestit në paraburgim. Të gjithë jeni dëshmitarë të rënies së akuzave, të ngritura me aq bujë ndaj tij. I mbeti vetëm akuza “e pashmangshme” e shpërdorimit të detyrës, barka e shpëtimit ku hovin të gjitha prokurorët për të shpëtuar nderin, në rastin e akuzave të pamatura ndaj funksionarëve publikë.
Kërkesa për arrestim pasohet nga kërkesa për të lejuar kontrollin personal dhe të banesës së deputetit Ahmetaj. Kjo kërkesë na duket pa asnjë sens juridik: aktet e kërkuara janë akte surprizë, ato nuk e realizojnë dot qëllimin për të cilin kërkohen, në rast se kryhen pasi personi që kontrollohet është vënë në dijeni të këtij qëllimi.
Me këtë kërkesë Prokuroria e Posaçme duhet të vinte para Jush në fillim të muajit mars 2023, kur pa autorizim nga Kuvendi, hetuesit e BKH-së u urdhëruan të kontrollonin banesën e znj. Erjola Hoxha, e cila ishte banesa bashkëshortore, ku ajo jetonte bashkërisht me deputetin Ahmetaj. Si prokuroria, ashtu edhe Gjykata e Posaçme që autorizoi kontrollin, kanë qenë të ndërgjegjshme për lidhjen e tyre në bashkëjetesë; pra, duke vendosur të kontrollonin banesën e znj. Hoxha, ato ishin të ndërgjegjshme që po kontrollonin banesën e deputetit Ahmetaj pa mandat kontrolli, në cenim të Kushtetutës dhe të ligjit procedural.
Sot, kjo kërkesë rituale për kontrollin e banesës nuk e korrigjon dot pakushtetutshmërinë e aktit të kryer disa muaj më parë, duke dhunuar vullnetin e sovranit. Kjo është një arsye më tepër, që organi ligjvënës të mos e pranojë këtë kërkesë të Prokurorië së Posaçme.
Të nderuara zonja e zotërinj deputetë,
E di shumë mirë që krahasimet çalojnë, por teksa po shkruanim këtë parashtrim mbrojtës, më erdhi në mendje një ndodhi në Francën e fundshekullit XVIII, kur në Konventë po vendosej fati i Luigjit 16-të. Natyrisht deputeti Ahmetaj nuk është mbreti i Francës, mbrojtjes së të cilit iu dha katër ditë kohë. Mua dhe kolegut Visha na u dhanë vetëm disa orë. Në fund, avokati De Sèze tha: “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë: ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e Revolucionit.” Sot, në këtë sallë, nuk besojmë se jemi në situatën kur liria e deputetit Ahmetaj, duhet të njëjtësohet me fundin e “revolucionit gjyqësor” të Prokurorisë së Posaçme. Ajo është ende në moshë të hershme, në kuptimin më të mirë të fjalës, dhe ka shumë kohë ende përpara për të kontribuar për zbatimin e ligjshmërisë në këtë vend, natyrisht, pa harruar se po aq e rëndësishme është që drejtësia të bëhet duke garantuar të drejtat dhe liritë e personit, i pafajshëm apo fajtor qoftë ai.
Të shtrënguar nga koha e kufizuar, u përpoqëm të përmbledhim në pak faqe një fjalë mbrojtjeje kaq të rëndësishme. Mbase është rasti t’i kërkojmë ndjesë deputetit Ahmetaj për këtë punë të nxituar: bëmë aq sa mundëm, nuk bëmë dot aq sa janë fuqitë tona. Gjejmë rastin t’Ju kërkojmë përunjësisht, të nderuar deputetë, që të votoni me mendje, por edhe me zemër. Ne nuk besojmë se prangat mund ta bëjnë këtë vend më të mirë. Në dorën tuaj nuk është vetëm fati personal i deputetit Ahmetaj: është rasti të tregoni se për organin që mishëron sovranitetin e popullit, janë shumë të rëndësishme liria dhe të drejtat e njeriut.
Ju faleminderit. Av. Ardian VISHA Av. Henrik LIGORI