Historia e fshatit mes ujërash që vuante thatësirën e çezmave. Si u shmang epidemia e kolerës në vitet ‘80
Bedo Resuli: Ju tregoj ngjarjen legjendë të ujësjellësit të Fushëbardhës
Porosia e Adil Çarçanit dhe Llambi Gegpriftit për të sjellë ujin nga lartësitë e shkëmbinjve të thepisur
Ishin vitet ’82 –’83 kur në fshatin e thellë malor të Fushëbardhës, kishte shpërthyer një kantier i ri pune. Ky kantier ndërtimi i ujësjellësit të fshatit, i ishte shtuar atij të Minierës së Fosforiteve të ndodhur në kodrat përballë fshatit dhe, punimeve të drejtorisë së gjeologji – minierave.
Çuditërisht, pamvarësisht se banorët e këtij fshati ishin mësuar tashmë me punë dhe kantiere të zhurmshme për vetë kapacitetet minerare që mbanin malet e tij, ai kantier i ndërtimit të ujësjellësit përjetohej shumë ndryshe në çdo familje. Të gjithë jetonin me punimet e tij.
Kishte njerëz që çonin tuba çeliku me kafshë në majat e thepisura të lartësive të shpatit ku ishte pikasur burimi që do tu çonte ujin në shtëpitë e tyre, por kishte edhe të tjerë që trasportonin me krahë këto tuba në lartësit ku nuk shkelnin kafshët. Kishte njerëz që vareshin me litar në greminat e honeve të Piriut që i thonin dhe… , kishte të tjerë që çanin shkëmbin me varre dhe qysqi siç i quanin punëtorët veglat e tyre të punës së përditshme për të hapur vadat e kalimit të ujit.
Ishte një histori e që përjetohej përditë si ngjarje në kufijtë e legjendës. Çdo ditë flitej për sakrifica ekstreme dhe për ndodhitë e përditshme që lindnin gjatë procesit të punës, të cilat në të vërtetë ishin nga më të pabesueshmet.
Përfundimi ishte më shumë emocionant.
E vërteta është se në atë fshat u bë e munduar ajo që nuk mendohej. Pikërisht nga lartësitë e grykave të kryemajës me hone dhe përrenj të të quajturit Piri, ku shkelte vetëm dhia dhe derri i egër, ata ndërtuan një ujsejllës që kalonte mes shkembinjsh, rrëpirash, greminash e deri në rrugë me taban, për të përfunduar pas më shumë se 4 km udhëtim në çdo shtëpi fshati,
Ishte viti ’83, kur të detyruar nga rreziku ekstrem i shpërthimit të një pandemie shfarosëse prej ujit ekzistues, autoritetet e kohës u detyruan të ndërtonin këtë vepër deri diku të pabesueshme, të cilin e gëzojnë sot. Ai ujësjellës prej 40 vitesh kënaq dhe freskon me ujin e tij qelibar jo vetëm fshatarët e Fushëbardhës por edhe turistët e përditshëm nga gjithë Europa dhe më gjerë që shkojnë me shumicë gjatë peligrinazhit të tyre në fshatin piktoreskt të Fushëbardhës.
Bedo Resuli, një nga kuadrot e vjetër të Minierës së Fosforiteve që funksiononte me zhurmë në Fushëbardhën e atyre viteve, ishte ndërkohë ideatori dhe kontributori kryesor për miratimin dhe zbatimin e atij projekti në dukje i parealizueshëm, sot në moshën 84 vjeçare rrëfen për publikun e gjerë ngjarjet e atyre dy viteve që për shkallën e sakrificës dhe guximeve gjatë punimeve, i shndërruan në histori legjende.
Zoti Bedo. Ju jeni një prej të moshuarve të fshatit Fushëbardhë të Gjirokastrës, i cili ndër shumë legjenda dhe histori nga më fantastiket deri te më të pabesueshmet, ka dhe historinë e ndërtimit të një ujësjellësi nga majat më të larta dhe më të largëta për të cilin brezat e tanishëm po bekojnë me shpirt brezin tuaj që arriti të bëjë atë kryevepër. Falë sajë ai sot vijon të jetë një fshat nga më të populluarit dhe më tërheqësit në zonën e krahinës së Kardhiqit.
Tashmë ai fshat është kthyer në një antraksion turistik për vetë kushtet jo vetëm klimaterike dhe gjeografike që ka, por edhe pikërisht se është fshati që ka mundësuar në çdo shtëpi ujin e rrjedhshëm nga çezmat, ujin qelibar apo ujin që të shëron si i thonë banorët e fshatit.
Ju keni qenë një nga kontribuesit kryesor të ndërtimit të asaj vepre që ngeli e përjetshme në fshatin shumëshekullor.
Mund të më thoni se si ka lindur ajo ide për një ujësjellës që për kohën dukej i pamundur, dhe pse filloi pikërisht në atë vit, pra ne vitin 1981 të kthehej në realitet?
Na Fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës, fshat me tradita dhe fshat goxha i madh si numër shtëpish dhe banorësh, në ato vite, pra para viteve ’80, kishte një problem shumë të madh për të cilin të gjithëve u duket e pabesueshme, madje edhe vetë fshatarëve që jetonin në Fushëbardhë. Ky problem ishte furnizimi i fshatit me ujë të pijshëm. Pra ishte shumë problem uji i pijshëm.
Si ka mundësi? Një fshat që ishte nën ujë si i thonë fjalës me një burim -çezëm madhështore që ngrihej në qendër të fshatit e ndihmuar dhe nga shumë burime të tjera, që të thuhet se ka pas problem ujin e pijshëm?
Këtu qëndron çudia më e madhe e problemit sepse megjithëse ishte nga të rrallët fshatra që ishte shtrirë në një territor që e zinte uji i rrjedhsshëm, pra ishte fshat nën ujë siç i thonë, aq më shumë që mespërmes tij përshkohej nga një lumë dhe disa përrenj e burimesh, e vërteta është se problemi i ujit të pijshëm u kthye në një shqetësim shumë të madh jo vetëm për banorët dhe autoritetet e fshatit por edhe për pushtetin drejtues në rrethin e Gjirokastrës.
Ku merrej uji i pijshëm nga banorët në kohën për të cilën flet? Pra para se të ndërtohej ajo kryevepër – legjendë e ujësjellësit për të cilin flasim, i cili mundësoi të sillte ujin e pijshëm nga lartësit e majave për kilomtera të tëra mes shkembinjsh dhe pjerrësish të pashembëllta?
Fshati në atë periudhë, pra para viteve ’80 -83 kur u bë ujësjellësi, që me të vërtetë është i famshëm siç e thoni ju, ka qenë aty te 200 apo dhe më shumë shtëpi dhe që përbëhej me rreth një mijë banorë.
Ishin disa burime ku merrej ujë, siç ishin Ferrëza e famshme që merrte ujë rreth 60 për qind e banorëve të fshatit, apo “Burimi i Belle” siç i thonin fshatarët, “Kroi i Kërpaçe”, “Burimi i Ahmetit” , “Burimi i Goroqipit” … etj.
Po përse lindi shqetësimi i ujit për të cilin më folët ma lartë derisa brenda fshatit Fushëbardhë si asnjë fshat tjetër i krahinës apo më gjerë, nuk kishte kaq ujë?
Kjo ka të bëjë me Ferrëzën. Burimi tip çezme që ngrihej madhështore në mez të fshatit,saktësisht anë lumit karakteristik stinor dhe që ishte burimi që ishte trashëguar në breza aq sa identifikohej qendra e fshatit. Ferrëza ishte burimi kryesor i ujit të pijshëm në fshat. Përtej banorëve që kishin burimin e tyre ishte burim uji edhe për nxënësit e shkollave apo për të gjithë fshatin për vetë faktin se ishte në qendër. Mirëpo erdhi një moment dhe kjo çezëm tip burimi, u kthye në shqetësim për shëndetësinë e rrethit.
Pse?
Ferrëza siç të thashë ndodhej anë lumit stinor që përshkonte mes për mes fshatin duke bërë që të mblidhte shumë mbeturina apo pisllëqe që nga lagjet e kreut të tij deri sa mbërrinte pranë burimit të saj. Sëmundjet e herëpashershme infektive që paraqiteshin në ambulancë detyruan shëndetësin të kontrollonte ujërat e fshatit. Pas analizave të shpeshta që iu bë nga Drejtoria e Higjenës së Rrethit Gjirokastër në atë kohë, uji i Ferrëzës rezultoi të ishte jo i mirë, madje një ujë që të shkaktonte sëmundje ifektive. Pra kishte ujë të infektuar. Dhe kjo problematikë sa vinte dhe bëhej më shqetësuese kryesisht në kohën e beharit kur shteronin përgjithësisht ujrat.
Pse ndodhte kjo?
Siç jua shpjegova, kjo ndodhte sepse Ferrëza ishte në një pozicion nën nivel të lumit të rrjedhshëm që vinte prej kreut të fshatit apo nga zona e Shurit apo “Gropa e Zhulit” siç i thoshnim. Lumi që përshkonte fshatin nga kreu i tij bënte që banorët përgjatë tij, të lanin vazhdimisht rroba apo të hidhnin herë pas here mbeturina në të, pasi ishte një lumë i rrjedhshëm kryesisht stinor që u kalonte shtëpive përfund baçeve apo avllive të tyre. Kjo sillte ndotjen e vazhdueshme të tij. Pikërisht ky lumë, i cili edhe në kushtet e thatësirës, pamvarësiht se reduktohej maksimalisht sa ngelej një rrëke, bënte të mundur ndërhyrjen në burimin e Ferrëzës, gjë që përcillte ndotjet aty.Pikërisht kjo sillte infektim të madh të ujit.
S’kishte mundësi tjetër në filtrimin e këtij uji, përveç asaj zgjidhje që dukej në atë kohë bërja e një ujësjellësi në kufijtë e pamundësisë për distancën, terrenin dhe impenjimin ?
Iu bënë disa herë analiza në kushtet e ndryshme të motit, të stinëve dhe në çdo rast tjetër.
Dhe rezultoi me probleme?
Rezultati ishte për herë e më shumë shqetësues. Uji ishte një infeksion i gjallë. Po vritej fshati. Ishim në rrezikun e një pandemie të tmerrshme. Një tifoje, kolere apo diçka tjetër të ngjashme që do kërkonte jetë njerëzish.
Ky shqetësim i tmerrshëm, siç thash u ngrit me shumë alarm dhe nga Drejtori i Higjenës së rrethit, i cili nga ana e tij, kërkoi të uleshim urgjentisht si drejtues për të gjetur zgjidhje të re.
Ky fakt ju çoi në mendimin deri diku absurd për kohën për ndërtimin e një ujësjellësi imagjinar?
Po. Pikërisht ky shqetësim na bëri të meditonim tepër të impenjuar. U konsolidua ideja që Ferrëza shumëshekullore, që kishte pritur dhe përcjellë në çezmën e saj breza të tërë, baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshët tanë, nuk duhet të funksionoj më. Të paktën në këto kushte dhe në këto situata nuk do behej fjalë të lejohej fshati të merrte ujë. Duhej zgjidhje. Siç të thashë nuk ishte shaka kur të mendoje që një mijë banorë rrezikonin tifon a ndonjë kolerë apo pandemi tjetër që do të kishte pasoja katastrofike
Pra kjo ishte koha që u shtrua për zgjidhje?
Pikërisht. Jemi në vitet ’80, kur kjo çështje jo vetëm u shtrua për zgjidhje por duhej zgjidhur patjetër pasi e kundërta do të ishte me pasoja katastrofike për çdo familje të fshatit.
Po a u ndërtua së pari një ujësjellës që vinte nga Haraca që i thonë Fushëbardhëasit?
Po e vërtet është. Para se të ndërrmerrnim këtë angazhim deri në kufijtë e pamundësisë, në fillim u bë një ujësjellës që vinte nga Haraca që i thonë aty, një lartësi dominuese në fshat ku uji vjen nga thellësia e burimeve të krijuara prej galerive kërkimore të ndërrmarrjes së gjeologjisë në zonën e Lëmëthit
Po pra. Dhe pse duhej të ngrihej gjithë ai demarsh për një vepër lëgjendë?
E vërteta është se ai ujë ishte ujë shumë i pastër dhe shumë i mirë që grumbullohej në depon e Haracës apo kodrës mbi Camaj siç quhej vendi i kësaj depoje, po kishte një të keqe shumë të madhe se ishte ujë i pakët dhe nuk i plotësonte mjaftueshëm nevojat e gjithë fshatit.
Pra nuk mjaftonte?
Aspak. Uji me orar. Duhej mbyllur dhe hapur depoja sipas orëve dhe sërish nuk plotësonte kërkesat e një fshati me një madhësi të tillë banorësh.
Dhe si vijuat?
U hodh dhe duhej të zbatohej ideja që fshati duhej të merrte ujë. Se ku, si dhe nga do merrej një dreq e dinte, por ajo që dihej ishte se aty duhej ujë. Kjo dihej dhe duhej. Pra duhej ujësjellës për ujë të bollshëm. Kaq dihej dhe kjo do behëj. Kjo kishte rëndësi.
Për këtë nëpër maja, kodra dhe male përreth fshatit filluam dhe vijuam me intensitet kërkimet për burim në sasi që të plotësonte gjith nevojat që kishte fshati për ujë.
Kush e bënte këtë kërkim? A kishit specialist në mbështetje?
Shefi i higjenës së rrethit, rekomandoi madje urdhëroi, të ndërpritej përdorimi i ujit të Ferrëzës. Kështu që ne si fshat dhe si kooperativë, na duhej të kërkonim specialistë inxhinierë të këtij profili.
Dhe kë morët?
Kërkuam inxhinier në Sektorin Urbanistik të rrethit ( Gjirokastër ). U shtruam zyrtarisht problematikën dhe ata vendosën në dispozicion për këtë punë inxhinier Agron Doracin për të cilin mund të them fjalët më të mira.
Kur erdhi Inxhinier Agroni, sygjeroi që të vinte dhe shefi i tij inxhinier Niko Panajoti.Pra duhej të kërkonim zyrtarisht pjesmarrjen edhe të inxhinier Nikos.
Ashtu u bë. Në dispozicion të kërkimeve dhe që do të vijonin punën deri në fund të projektit ishin siç të thashë edhe dy inxhinierët Agron Doraci dhe Niko Panajoti të cilët me përkushtimin, pasionin dhe sakrificat e tyre u kthyen në heronj të kësaj vepre. Ata vinin që nga Gjirokastra për të ndjekur këto problematika madhore që dolën për fshatin në atë periudhë.
Në këtë kohë e pikasët burimin aktual që e ktheu atë gryk – honi në kantier pune dhe gjallërie?
Vijuam kërkimet e nisura kudo. Në të quajturin “Krua i Kalit”, “Lëmëth”, “Qafdardhë”, “Bidërgjon”, … etj. Pra kudo në kodrat dhe lartësitë e majave rreth fshatit ku kishte damar uji. Ndërkohë që filluam edhe kërkime të tjera në zonën e Piriut.
Në Piri e gjetët ?
Po. Piriu ishte një zonë e ndodhur në mes malesh të lartë në rrëzë të një humntere që ishte si një zonë e pashkelur nga kushdo. Pra një hon i thellë që për të mbrritur aty duhej të shkoje mes shpatesh të thepisur dhe shkëmbinjsh, por që ishte një distancë prej mbi 4 km larg nga fshati.
Ai ishte burimi i përshtatshëm?
Po, po. S’kishe as një mundësi tjetër. Aty në atë grykë ku shkonte vetëm dreri dhe derri i egër. Në ato rrëpira të thepisura shkëmbinjsh dhe greminash, e cila ishte një distancë shumë e madhe nga fshati u gjend uji. Pra u gjend burimi i kërkuar. Vetëm ai mund ti plotësonte nevojat e fshatit.
Dhe vendosët?
Jo, jo. Kurrësesi jo menjëherë. Prandaj duket legjendë. Përveç se duhej punë shumë për të saktësuar ujin nëse ishte i duhuri apo jo, dukej e pamundur se bërja e tijë kërkonte një fond, fuqi punëtore dhe bazë matëriale të tillë që arrihej vetëm nëse angazhohej udhëheqja më e lartë e shtetit të kohës.
Udhëheqja më e lartë po më thua?
Po po udhëheqja më e lartë. Dhe fakti që u angazhua personalisht Kryeministri Adil Çarçani dhe Ministri i Minierave Llambi Gegprifti, ishte mënyra e vetme që u realizua.
Po më thonit se dhe pasi gjetët burimin pamvarëisht se ndodhej në vendin që shkonin vetëm gjuetarët e derrave, nuk kishit vendosur akoma se duhej të ishte ai burim?
Burimi u gjet. Uji ishte i shkëlqyer. Sasia e tij ishte shumë i bollshëm por duhej konterolluar prurjet në çdo kohë, si në dimër ashtu dhe në pikun e thatësirës dhe kjo kërkonte matje dhe rimatje disa vjeçare.
S’ju kuptova, pse disavjeçare?
Për sasinë dhe cilësinë të cilat duhej të ishin të pandryshueshme në çdo kohë dhe në çdo stinë, pasi nëse do të bëhej, do të hidheshin miliona e miliona lekë dhe bazë materiale, ndaj duhej saktësuar mirë nëse ishin burime të përhershme dhe cilësore.
Mos e ekzagjeeroni situatën?
Aspak. Po jua ritheksoj se nëse do shkoje në qeveri të kërkoje miliona dollar materiale dhe fonde për një vepër të kësaj natyre të sillje ujin nga grykat e thepisura të maleve në distancë 4-5 km larg,duhej studim dhe jo në fund të rezultonte burim i shteruar sipas stinëve. Prandaj kjo kërkonte matje disavjeçare, apo të paktën dy vjeçarë dhe preventiva të qarta dhe të plota.
I vijuat ?
Patjetër që po. Ishim shum të vendosur. Fshatin nuk do ta linim kurrsesi pa ujë. Ishim shumë të angazhuar se do shkonim deri në qeveri (siç ndodhi) dhe do ta realizonim. Kështu që dhe analizat dhe matjet i bëmë në çdo stinë dhe çdo muaj për rreth dy vjet, derisa u bindëm që ai do të ishte burimi i fshatit Fushbadhë. Pra ai që është sot burimi kryesor që u çon në çdo shtëpi atë ujë kristal dhe kurativ.
Rezultoi i përshtatshëm do të thoni?
Pikërisht. Ai burim, pra burimi i Piriut siç i thonë dhe sot, rezultoi se ishte një burim me ujë shum të pastër dhe më kryesorja ishte që kishte mjaftueshëmri për nevojat e bollshme të fshatit.
E përmendët disa herë fjalën aventurë nëse e sillje ujin nga ai burim, ndërkohë që në të vërtet u bë realitet.
Ishte aventurë se nuk ishte e thjeshtë të angazhoje një sipërmarrje të tillë nga shteti për një investim të atyre përmasave për një ujësjellës, ndërkohë që quhej “legjendë” dhe quhet “Legjenda e Ujsellësit të Fushëbardhës” se ndërtimi i sajë në kushtet e tilla në maja dhe shpate të thepisura ishte deri diku i pamundur.
Dhe nëse angazhohej shteti?
Shteti të jepte vetëm fondet dhe bazën materiale edhe nëse do bindej për veprën. Punën do ta bënim ne. Mendo që do hapje vada dhe kanale në shpate rrëpirash dhe greminash dhe do të çoje aty tuba çeliku me madhësi 6-7 metro dhe të mendoje se me se do ti trasportoje në rrugë sorkadhesh dhe si do ti saldoje në kushtet e largësive 4-5 km larg energjisë elektrike. Prandaj dukej e pamunduar. Por ajo që ishte kryesore në këto momente që u gjet burimi , u përcaktua ai pasi iu bënë analizat dhe matjet disa vjeçare, duhej preventimi dhe duhej impenjimi i vendosur për të bindur autoritetet më të larta të shtetit për mbështetje.
Po? Si vijuat?
Përfundimi dihet. Në ato momente si u konkludua përfundimisht se ai fshat ndërrimin e ujit të pijshëm e kishte një domosdoshmëri jetike pasi duhej të shmangej nga një infeksion masiv që mund ti shkaktonte burimi i Ferrëzës në atë kohë, në bashkëpunim edhe me drejtorin e higjenës së rrethit, u vendos që të fillohej ndërtimi i një ujsjhellësi të ri për fshatin.
Nga e filluat?
Fillimi kishte nisur prej dy vjetësh që kur kërkonim burimin për sasinë dhe cilësin e prurjeve në çdo stinë.
Tashmë nga viti 1981, duhej të vijonim me matjet për preventivat dhe të mendonim për depon dhe rrugëkalimin ndërkohë që vijonim akoma të monitoronim cilësinë dhe sasinë ditore dhe mujore të burimit të përcaktuar.
Thatë që burimi ishte larg?
Lëre, lëre mos e fol. Ishte shumë, shumë larg. Siç ta thashë “Gryka e Piriut”, ndodhej mes majash të larta në krye të një honi të thellë dhe që zgjaste 4-5 km. E di çdo të thotë 4-5 km rrugë të kalonte mes shpatesh me shkëmbinj dhe mes gremine?! Të mendoje se ku dhe si duhej bërë trasporti i tubave të çelikut që ishin 6-7 metrone, ku dhe si duhej bërë saldimi i tyre ku s’kishte as korent as gjë dhe kooperativa i kishte mundësitë të kufizuara. Pa lëre pastaj të mendoje për punën e krahut që duhet të bënte fuqia punëtore duke hapur kanale dhe vada aty ku shkelnin vetëm këmbët e dhisë së egër në honet dhe rrëpirat e Piriut. Që në të vërtetë kur erdhi dita e punimeve një vit më mbrapa, janë varë njërezit me litarë në buza greminash për të punuar me qysqi dhe me varre, ndërkohë që ishte i detyrueshëm dhe një tunel, pasi në disa vende pjerrësia shkëmbore dhe lartësia e greminës ishte ekstreme.
Ishte problem dhe projekti?
Por në këto momente që po të flas, kur u vendos që do bëhej ujësjellësi, duhej preventivi shumë i saktë dhe i qartë me të cilin do të shkonim te autoritetet më të larta të shtetit për të miratuar projektin.
Kjo kërkonte dhjetra e qindra orë pune. Duhej bërë matje dhe rimatje në çdo pikë të skicimit të rrugëkalimit për të ndjekur prurjet optimale me qëllim planizimin e saktë të ujësjellësit.Pra thënë shkurt duhej bërë materializimi i gjithë veprës për të shkuar lartë për miratim.
Ju kuptoj shumë qartë zoti Bedo. Për të dalë më konkretisht, kush i ndoqi këto projekte?
Ta shpjegova në fillim të kësaj bisede që inxhinierët e parë që erdhën në këtë burim ishin Niko Panajoti dhe Agron Doraci. Ata erdhën nga Sektori i Urbanistikës së Rrethit Gjirokastrë dhe do të asistonin në të gjithë procesin deri në fund të punimeve. Ishte marrë seriozisht nga kushdo ndërtimi i një vepre të tillë kaq të domosdoshme për fshatin,
Ajo që do të veçoja ishte fakti që u mendua që për këtë ujësjellës të kontribonte apo ta bënte ndërrmarrja e Minierës së Fosforiteve që ishte në fshat.
Si mund ta bënin puntorët e Minierës?
Po Miniera kishte kapacitetet më shumë. Kishte punëtorët dhe fondet e nevojshme. Rëndësi kishte të bëhej ujësjellësi se dhe punëtorët e minierës ishin djem apo banorë të fshatit kryesisht. Kjo do justifikohej se minierës për veten e vetë i duhej një linjë uji në ndërrmarrje për të punuar motokompresorët dhe mjete të tjera të elektromekaniikës së punës, kështu që ishte e justifikuar. Po ashtu mundësinë e punëtorëve e kishte pasi shumë punëtorë po dilnin tepër se nuk kishin front pune në minierë dhe për të mos i pushuar kjo do të ishte mundësi e mirë për ta. Pra ekzistenca e minierës në fshat i lehtësonte gjërat.
Kaq thjesht?
Jo aspak thjesht. Kjo kërkonte një miratim të plotë nga vetë Ministri i Industrisë dhe Minierave, Llambi Gegprifti.
Duhej miratim nga Ministri ?
Pa tjetër. Përveç miratimit të projektit nga autoritetet më të larta të kohës siç ishin Kryeministri i vendit, për angazhimin e ndërrmarrjes së minierës në këtë punë kolosale kërkohej miratimi i Ministrit përkatës Llambi Gegprifti.
Si e siguruat? Mundeshit ju si përfaqësi e fshatit të kontaktonit me autoritetet më të larta të kohës? Çfarë statusi kishit juve që mund të trokisnit në këto dyer?
Unë isha shef i kuadrit të ndërrmarrjes së minierës. Në këtë mënyrë kisha një derë të hapur për të takuar Llambi Gegpriftin.
Kë derë?
Kisha derën e Kryeministrit Adil Çarçani, i cili për fatin tonë të mirë ishte bashkëfshatari ynë dhe njihte personalisht pjesën më të madhe të fshatit se aty ishte rritur.
Po?
Ishte viti 1982. Ishte përfunduar saktësisht dhe plotësisht projekti. Kishin dalë volumet e punës dhe ishte saktësuar çdo shpenzim me shumë kujdes. Pas kësaj unë mora projektin në dorë dhe u nisa për në Tiranë. Kërkova takim personal me kryeministrin Adil Çarçani. E dija që do më priste pasi me fshatin ai kishte një lidhje shpirtërore shumë të madhe, ndërkohë që unë njihesha dhe personalisht me të.
E takuat?
Po. Siç e prisja takimi u bë pa shumë sorollatje. Pas kërkesës sime më njoftuan orën dhe datën e takimit me kryeministrin. U takova në zyrën e tij. Ja përcolla me shumë saktësi shqetësimin mbi situatën e fshatit me ujin e pijshëm, i cili rrezikonte ndonjë pandedmi ekstreme në rast se nuk do të zgjidhej ai problem. E vërteta është se ai më dëgjoi me shumë durim dhe e pash që u shqetësua së tepërmi. Më tha që “Ky ujësjellës duhet të bëhet dhe do të bëhet. Për këtë e keni menduar shumë mirë që Drejtoria e Minierës në fshat të marrë përsipër ndërtimin e këtij ujësjellësi, pasi vetëm ajo do të mund ta realizoj këtë mundësi”.
E njifte Piriun Adil Çarçani?
Po si se njihte. Ai aty ishte rritur. I kishte shkelur me këmbë çdo gur e shkurre në ato anë.
Dhe çfar bëri ai pas kësaj?
Aty për aty, mori në telefonin e zyrës vetë Ministrin Llambi Gegpriftin. Bisedoi me të për situatën e fshatit Fushëbardhë dhe i tha se kishte në zyrë shefin e kuadrit të minierës së Fushëbardhës. I tha se edhe ai ( Pra Adili ) ishte i mendimit që këtë punë ta bënte miniera, e cila edhe vetë kishte nevoj për një linjë uji dhe se vetëm miniera mund të siguronte tubot e çelikut dhe materiale të tjera që do të nevojiteshin për këtë vepër të madhe. Ndërkohë e mbylli telefonin duke i thënë Ministrit se do ta dërgonte në zyrën e tij shefin e kuadrit të minierës, të cilin e kishte dhe të njohur personal – i shpjegoi ( pra mua), për të firmosur miratimin e projektit për zbatim dhe për të detajuar punët.
U gëzuat shumë pas kësaj mbështetje?
Po fluturoja nga gëzimi. Dola nga kryeministria dhe u nisa menjëherë për te Ministria e Industrisë dhe Minierave ku më priste vetë ministri, Gegprifti.
Të priti menjëherë?
Po po. I tha Kryeministrit që e pres tani. Le të vijë menjëherë.
Po?
Kishte lënë porosi që të përcillesha menjëherë në zyrën e tij sa të mbrrija. Për pak minuta isha përballë tij.
Ishit i emocionuar?
Patjetër. Llambi Gegprifti në atë kohë ishte figur e spikatur në shtetin tonë dhe ministër me shumë emër të madh. Por sa u takova pashë që edhe ai nga sa i kishte shpjeguar kryeministri ishte goxha i shqetësuar për situatën e fshatit si të ishte vetë banor i tij.
Ndoshta nga që i la porosi Kryeministri?
Kjo ishte njëra anë, por pash te ai edhe anën njerëzore kur mësoi se fshati rrezikohej nga një pandemi nëse do vijonte të merrte ujë për përdorim të pijshëm në çezmën aktuale . Nuk ishte e thjeshtë të hapej një kolerë apo një tifo se përlahej nga vdekja gjysma e fshatit. Ferrëza ishte ndotje e gjallë. Ishte tmerr.
Kështu që Llambi Gegprifti u ul me mua kokë më kokë dhe më dëgjoi me një vëmendje të habitshme. Donte të dinte çdo detaj të punës sonë që nga kërkimi i burimit deri të përgatitja e projektit dhe planizimi i situacionit të tijë. Kërkoi shpjegime për çdo zë punimesh dhe detaje të veçanta të veprës për të cilin kërkonim miratimin e tij për tu bërë nga miniera.
Pas kësaj ai u dakordësua maksimalisht. Madje u fut në rrugën e zgjidhjes dhe të shumë problemeve që ne nuk dinim si do të zgjidhnim.
Për shembull?
Ai tha që do të firmoste që këto punime të kryheshin nga ndërrmarrja e minerës. Kjo siguronte dhe vijimin e punës së shumë puntorëve. Pastaj na tha se tubot e çelikut për të cilat ne na kishte humbur mendja se ku mund ti gjenim, ai na sygjeroi ti merrnim në Ndërrmarrjen e Naftës në Fier, pasi vetëm ajo kishte rezerva me tuba çeliku të atyre cilësive dhe përmasave që kërkonte projekti ynë. Për këtë, një kontribut të madh, apo si të thuash gjetja e tyre është merit personale e Pajtim Bellos, i cili në atë kohë ishte Zëvendës Ministër i Energjitikës.
Pra mund të quhet se është ujësjellës i bërë si të thuash kryesisht nga Adil Çarçani dhe Llambi Gegprifti?
Po ashtu mund të thuash se nëse sdo të binin ata dakord as që bëhej fjalë të fillonte. Që të firmoste Llambi Gegprifti do të thoshte që Minierës së Fushëbardhës ti shtohej në mënyrë të mënjëhershme fondi i plotë i lekëve për vëllimin e të gjitha punimeve dhe për blerjen e të gjitha materialeve dhe paisjeve që nevojiteshin.
Po ashtu ndërsa kishim miratimin e Adli Çarçanit dhe Llambi Gegpriftit do të thoshte që të na mirëprisnin në çdo ndërrmarrje që do të kërkonim mbështetje për specialist specifik ( ashtu siç ndodhi ), dhe për materiale apo elementë të tjerë të ndërtimit të veprës.
Pra pas prezantimit tuaj para ministrit të Minierave u arrit impenjimi i tijë.
Siç ta shpjegova dhe po e ripërsëris sërish meqenëse e ke paksa merak mbështetjen që na u dha nga Tirana apo nga qeveria e kohës, projektin dhe të gjith problematikën e veprës e diskutuam me shumë hollësi me Llambin, dhe ai si pyeti shumë për çdo detaj të punimeve deri në përfundim dhe për të gjithë elementët e preventivave dha urdhër që të fillonte puna me punonjësit e Minierës. Kjo do të thoshte që me zbatimin e këtij projekti të merrej ndërrmarrja e Minierës së Fosforiteve të Fushëbardhës.
Ishte si një detyrim për Minierën e cila po ndryshonte destinacionin e profilit të punimeve të sajë?
Siç e thamë dhe më lartë vendi ku të do ndërtohej ky ujësjellës ishte shumë i vështirë, por ne si Sektor Miniere, ishim të përgatitur për këtë punë. Kishim mjetet e nevojshme dhe fuqinë e mjaftueshme puntore, ndërkohë që pas miratimit nga Ministri na u vendosën dhe fondet në dispozicion.
Fola për profilin e punës së minierës, vetëm se kjo mundej ta realizonte iu ngarkua asaj ?
Kjo është kryesorja, se vetëm Miniera me kapacitetet e saj dhe mbështetjen e Ministrisë dhe të vetë Adil Çarçanit dhe Llambi Gegpriftit mund ta realizonte këtë vepër. Ndërkohë ju’a shpjegova se kjo ishte dhe një vepër edhe në funksion të minierës pasi vetë ajo kishte nevojë për një linjë uji, kryesisht për elektrokompresorët e saj dhe për mjete të tjera elektromekanike, gjë që e realizonte vetëm pas ndërtimit të këtij ujësjellësi, pasi ujësjellësi i Haracës nuk e plotësonte dot këtë kërkesë të Minierës, sepse ai nuk ja dilte dot të furnizonte fshatin.Prandaj quhej punë brenda funksionit të minierës sepse ajo po punonte për ujin që e kishte nevojë të vetën. Në fund të fundit një minierë kishte shumë nevojë për një linjë uji, jo vetëm për përdorim të saj, por kishte kompresor që e kishin të domosdoshëm funskiomin e tyre me ujë.
Sigurisht puna e punëtorëve të Minierës u mbështet dhe nga Kooperativa bujqësore.
U mbështet nga Kooperativa?
Po po. Kooperativa ka dhënë një kontribut goxha të madh në mbështetje të punës sonë. Kryetar i Kooperativës në atë kohë ishte Banush Norra, i cili shprehte gadishmërinë për çdo kërkesë tonën në drejtim të mbështetjes së punëtorëve tanë në procese të ndryshme të punimeve.
Konkretisht?
Kooperativa ka ndihmuar shumë sidomos në fazën e trasportit të mjeteve. Për këtë një vlerësim të madh merr Kryetari i saj, në atë kohë, Banush Norra.
Në këto momente filluat ndërtimin?
Fillimisht na duhej të gjenim tubat për të cilat të fola dhe më lartë dhe që ishin baza kryesore materiale. Këto siç të thashë me ndërhyrjen e fuqishme të bashkëfshatarit tonë, në atë kohë Zëvendës Ministër i Energjitikës, i cili ndërhyri jo vetëm zyrtarisht pasi ndërkohë kishte marrë edhe porosi nga Adil Çarçani, por ai në të vartetë në atë kohë bëri dhe një angazhim shoqëror dhe shumë insistues duke u telefonuar miqve dhe shokëve të tij, në atë kohë kuadro të rëndësishëm në Drejtorinë e Naftës në Fier, ku pas shumë peripecive dhe mundimeve u arrit të siguroheshin tubat.
Çfarë tubash do të gjenit për të cilat duhej ndërhyrja e zëvendës ministrit?
Në Fier gjetëm tubat që do të përballonin volumin dhe presionin e nevojshëm të ujit. Ato, me sa mbaj mend ishin tuba çeliku me një gjatësi 6 metroshe, diametër 110 mm dhe trashësi 4 mm. Dhe nuk ishin pak por tuba që do të shtriheshin në një gjatësi lineare deri 4-5 km.
I Bletë?
Patjetër. Por s’ishte problemi i blerjes sesa ti gjeje. Kështu që u kalua dhe kjo pengesë. Tubat mbrritën në fshat.
Pas kësaj do fillonin punimet?
Pikërisht në këtë moment që mbrritën tubat mund të themi se ishim gati për të filluar pa e ditur që do na dilnin pengesa nga më të vështirat deri në ato që quhej rrezik serioz i jetës. Por gjithsesi në këtë moment filluam. Kishin kaluar plot 2 vite me këto kërkime, projektime, matje e rimatje, preventiva dhe llogaritje deri te miratime e sqarime dhe në vitin 1982 filloi puna. Volumi i punimeve dhe projekti i zbatimit iu dorëzuan Gëzim Veliut i cili do të drejtonte punimet në terren.
Çfarë ishte Gëzimi në atë periudhë?
Gëzim Veliu ishte brigadier në minierë. Iu caktuan punëtorët, mjetet, puna që do të bëhej, skicat dhe çdo gjë tjetër dhe duhej të ndiqte çdo ditë punën. Ai mori në dorëzim punën dhe çoi njerëzit duke filluar menjëherë.
Sa punëtor u caktuan të punonin nga miniera në atë front?
Po, u caktuan aty te 20 punëtorë.
Ju thatë se ishit shefi i kuadrit apo i personelit siç quhet sot. Gëzim Veliu ishte brigadier. Kush ishin drejtuesit e tjerë ?
Drejtori i ndërrmarrjes në atë kohë ishte Mato Mema. Kryeinxhinier ishte Maksi Çarçani. Maksi kishte qenë më parë drejtor por kaloi kryeinxhinier për të bërë stazhin e Partisë, siç bëhej në atë kohë. Po ashtu vlen të përmend për kontributin e madh që dhanë në këtë vepër edhe sepecialist të tjerë të këtij profili në ndërrmarrjen e minierës që ishin Afron Bime dhe Kosta Malo. Ndërkohë që këtij ekipi siç u shpreha më lartë i’u bashkuan dhe Ing. Agron Doraci dhe Niko Panajoti, të cilët nuk ju ndan punës në asnjë moment dhe në asnjë vështirësi, ndërkohë që detyroheshin të vinin në punë që nga Gjirokastra.
Filloi me normalitet puna?
Çfarë normaliteti thua. Që në momentet e fillimit madje që në ditët e para pamë se problemet nuk paskëshin të sosur pasi menduam se tashmë që siguruam dhe lëndën e parë, pra tubat, do të ecte normalisht puna.
Pse?
Që në ditët e para së pari duhej të çoheshin tubat në vend. Por nëse e ke të qartë se për ku bëhet fjalë, menjëherë e kupton se ishte një sakrific ekstreme. Nuk e di si menduam ato ditë, por u tensionuam shumë. Tubat ishin 6 metroshe prej çeliku, të cilat kishin një peshë shumë të madhe. Transporti i tyre pa rrugë makine ishte të paktën 4 km. Mendo që dhe nëse do ti trasportoje me kafshë duhej të ngjiteshin kafshët në lartësi dhe do lëviznin në shpate dhe thepisje. Ishin 4 km në rrugë malore që ishte një tmerr.
Si e zgjidhët?
Si do ta zgjidhnim, veçse me trasport me mushka. Ishte e vetmja mundësi. Ajo që mendonim ishte të gjenim një punëtor që kishte mushkën e përshtatshme për të bërë këtë lloj trasporti pasi në çdo rast ishte e rrezikuar se mund të binte në gremin me gjithë tuba dhe të rrezikohej jo vetëm kafsha por edhe jeta e njeriut. Duhej të gjendej një mushkë dhe dikush që ta merrte përsipër këtë lloj trasporti. E thënë më saktë që të ngarkonte dy tuba të kësaj gjatësie dhe të kësaj peshe dhe ti çonte në mal dhe në lartësitë e humbëtirave të Honit dhe Piriut siç quhen ato vende, ishte guxim dhe stërmundim i madh. Por për saktësi doja të shtoja se edhe nëse e arrinim trasportin me kafshë pune, nuk do realizohej deri në vend.
Nuk ju kuptova.
Kafshët e punës me ngarkesën e tubave nuk mund të shkonin deri në vend por dhe nëse arrihej ky trasport do të bëhej pjesërisht me kafshë dhe pjesërisht me krahë nga punëtorët. Dhe kështu u bë. Në këtë mënyrë nuk u trasportuan vetëm tubat e çelikut por edhe bombolat e oksigjenit që do ti gjenim më vonë pas problemeve të reja, të cilat ishin gjithashtu shumë të rënda.
Dhe zgjidhja?
Këtë punë kaq të vështirë e mori përsipër punëtorja e brigadës Fatime Çarçani, e cila me mushkën e sajë personale do të bënte trasportimin e tubave fillimisht.
Pse thoni fillimisht?
Se siç e përmenda më mbrapa do të na duhej oksigjen për saldimin e tyre dhe kjo bëhej vetëm me bombola të mëdhaja që ishin shumë të rënda dhe që do të duhej të trasportoheshin ashtu si dhe tubat e çelikut.
U Realizua?
Puna e Fatimes ishte e madhe. Vështirësit ishin nga më të ndryshmet. Duhej trasportim në rrugë mali nga fshati në Piri, gjë që si thonë shaka. Por falë sakrificave dhe përkushtimit të saj dhe të të gjithë punëtorëve të cilët punonin edhe me krahë kryesisht aty ku nuk shkonte dot mushka, ajo detyrë u krye me shumë saktësi dhe fal zotit pa ndo një pasojë, pasi rreziku ishte prezent në çdo moment. Por problematikat e kësaj vepre kaq të madhe që në dukje tashmë e shikojnë si diçka të zakonshme nuk kishin të mbaruar.
Për çfarë problematike e keni fjalën?
Problemi i saldimit të tubove të çelikut. Sepse tham që duhej të trasportoheshin e cila ishte një histori dhe legjendë më vete pasi sa herë u rrezikua mushka të binte bashkë me tubat apo puna e krahut të atyre njerëzve heronj të atyre kohëve. Por pas disa kohësh, kur kjo punë mbaroi dhe punëtorët filluan gërmimin e kanaleve dhe të vadave në shpate shkëmbi dhe rrëpira greminash apo në mes shkëmbinjsh që u dilnin në segmentin Qafdardhë– Piri. Ndërkohë, paralelisht me këtë proces, shtrihej dhe tubacioni prej burimit deri në Qafdardhë së pari. Pasi segmenti i dytë ishte Qafdardhë- Goroqip dhe në fund në fshat. Pikërisht këtu u ndeshëm me të papriturën dhe problematikën e radhës.
Që ishin ?
Si do të saldoheshin tubot. Nuk mund të krijohej ujësjellësi pa saldimin e tyre. Kuptuam që ishte një proces pothuajse i pamundur.
S’ju kuptoj. Proces i pamunduar?
Po po. Ju’a shpjegova, kishe të bëje me tubo të një gjatësie 6 metroshe me diameter 110 mm dhe trashësi 4 mm që do të saldoheshin në vend siç ishin shtrirë aty në lartësit e greminës që në çdo moment mund të dilte situata nga kontrolli për ndonjë aksident, pasi gremina ishte shumë e konsiderueshme.
Dhe?
Saldimi duhej bërë me energji elektrike, pra me korent. Problemi ishte se si do të shkonte korenti 4 apo 5 km larg? Si do saldonim në majë të malit apo në maja të Piriut apo Qafdardhës siç quhej vendi i punës? Ja këto pyetje i bënim vetes dhe të tjerëve. Ky ishte ai “ çekani” që na godiste për ditë në kokë sa na cfiliste mëndjen.
Dhe si e gjetët rrugzgjidhjen?
Ai shqëtësim na hëngri kohë dhe nerva derisa e zgjidhëm.
Për se ju hëngri kohë një problem që nuk besoj se është i madh?
Po fillimisht morëm specialist të fushës së energjisë. Kishim një specialist shumë të mirë në fshat. Ishte i iterrnuar në fshat, por ishte duarartë në fushën e elektricitetit dhe të motorrave. Ky quhej Stefo Petro.
Nuk ju dha zgjidhje dhe Stefo Petro?
Stefon e kërkova unë. Shkuam me ditë të tëra gjatë gjithë rrugës ku do të shkonte linja e ujësjellësit dhe i treguam dhe tubat që kërkonin saldim për ngjitje. I kërkova të na ndihmonte për ti bërë derman si i themi ne andej problemit të energjisë se s’kishim si ti saldonim në majë të malit pa energji elektrike.
Dhe çfar ju tha Stefua?
Stefua si e pa me vëmendje çdo pëllëmbë të atij itenerari 5 kilometërsh dhe si e pa të pamundur marrjen e energjisë nga fshati, sygjeroi që të bëhej një mulli energjie në çdo 100 m apo më shumë.
Si, si e thatë këtë?
Stefoja ngriti idenë që të ndërtonim nga një mulli të vogël meqenëse kishte zona me ujë në çdo segment të vogël, ndoshta në 100 m, të cilët do të shërbenin për prodhimin e energjisë dhe të saldonim tubat.
Për prodhim energjie në vend po fliste ?
Na rekomandonte që të bënim mullinj me ujë që të krijonte mundësinë që të fitonim energjinë për të salduar tubat të cilat ishin zjarrdurues dhe me sensor të trash. Për këta mullinj apo mikroçentrale si mund ti quash do të na ndihmonte Stefo që ti bënim.
Dhe e refuzuat?
Po ça të bënim? Kjo ishte aventurë. Të bënim një mulli energjie për të salduar një apo dy tuba dhe të iknim diku më tej të bëhim një mulli tjetër. Kjo ishte më shumë se aventurë. Ishte qesharake.
Dhe si vepruat?
Unë kisha më shumë përgjegjësi dhe e shikoja bërjen e mullinjve si të pamundur. Pra siç e shikon puna në këtë etapë vazhdon me shumë vështirësi.Inxhinierët e Gjirokastrës që përmenda më lartë, Agron Doraci dhe Niko Panajoti, por edhe Stefo Petro ( kur refuzuam idenë e mullinjve) rekomanduan se zgjidhja optimale do të ishte që këto tubo të saldoheshin me Oksigjen. Oksigjeni vinte me bombolla të lëvizshme. Tubat kishin seksion të trashë prej 4 mm dhe diametër të gjerë 110 mm, ndërkohë që duronin dhe nxehtësinë.
Pra kjo gjë bëhej vetëm me Oksigjen. Këtë përfundim arritët?
Pikërisht. Por kjo kishte problematikën e vetë brenda. sepse do na duheshin shumë e shumë bombola oksigjeni për të salduar 4 km linear tuba në çdo 6 m që ishte gjatësia e tyre.
Mundët ta zgjidhnit?
Ndaj quhet një vepër – legjendë se askush nuk besoj ta mendoj se sa kemi sakrifikuar jo vetëm fizikisht por me procedura burokratike dhe sfilitje të tepërta edhe për materiale që në atë kohë ishin pothuajse shumë të pakta, madje dhe ato i gjeje vetëm në institucionet më speciale.
Dhe si i gjetët?
Mësova se këto bombolla oksigjeni mund të gjendeshin vetëm në magazinën e spitalit të Gjirokastrës “Omer Nishani”.Magazinieri i këtij spitali ishte një i njohuri im.
Pra çdo punë kryhej me njohje personale ?
Po po patjetër. S’kishte rrugzgjidhje tjetër përveçse të konsumoje dhe të shfrytëzoje miqtë dhe shokët personalë. Pra në magazinën e spitalit u mësua se kishte bombola. U takova me magazinierin dhe ai më tregoi saktë. Duhej ndërhyrje nga lartë për ti marrë. Të paktën nga autoritetet më të larta të rrethit të cilët duhej të jepnin miratimin për t’u marrë këto bombola për një destinacion tjetër.
Pra nga për të sëmurët do të përdoreshin për saldim të tubove?
Po.
Dhe ju’a dha këtë miratim udhëheqja e rrethit?
Patjetër që na i dha. Pasi dihej që për këtë ujësjellës kishim mbështetjen personale të Kryeministrit Çarçani dhe të ministrit Gegprifti. Kështu që na i lehtësonin shumë gjërat. Kryesorja është që magazinieri na tregoi dhe na udhëzoi se si mund ti merrnim bombolat e magazinës së spitalit.
I morët?
Patjetër që i morëm. U mbushën disa makina dhe u shkarkuan në fshat. U vendosën në ruajtje speciale. Por edhe këto bombola duheshin trasportuar. Ishin shumë të rënda dhe trasporti i tyre ashtu si dhe tubat ishte histori dhe sakrific më vete.
Dhe e arritët?
Po po. Patjetër. Tashmë e kishim eksperiencën e trasportimit të tubave. Dhe këto u trasportuan me kafshët e punës. Pra i trasportoi me mushkë Fatime Çarçani e cila kishte trasportuar edhe tubat e çelikut. S’kishte rrugëzgjidhje tjetër. Por bëhej edhe trasport me krahë nga vetë punëtorët.
Trasport me krahë në shpate të thepisura dhe në rrugë bagëtish?
Gazogjeni që përdorej për prodhimin e acetilenit, trasportohej gjith kohën me krahë. Këtë trasport e siguronim me punonjës të minierës.
I mban mend emrat e ketyre punëtorëve që trasportonin me krahë për këtë vepër të fshatit të tyre?
Patjetër që i mbaj pasi në atë kohë e përjetonim me shumë stres dhe emocion çdo minutë dhe çdo sekondë të procesit të punës. Këta punëtor ishin Ibro Golemi dhe Limoz Onjea. Një periudhë kohe ndihmoi dhe Mero Onjea.
Si e bëenit transportimin e gazogjenit?
Gazogjeni trasportohej boshë. Pastaj para se të fillonte punën, furnizimi me ujë për realizimin e prodhimit të acitilenit, e bënin dy vajza nga Zhulati, të cilat ishin Teknike – Gjeologe pranë minierës.
Si quheshin?
Ato quheshin Merjeme Korro dhe Albana Capa.
Kishit specialist për saldimin me oksigjen pasi di që është një proces shumë i specifikuar?
Edhe ky ishte një problem i vëçantë që na doli në atë kohë. Madje problem jo më pak se të tjerët që të citova gjatë kësaj bisede kaq interesante pasi më zgjove dhe më bëre të përjetoj shumë kujtime. Konkretisht konfirmuam procedurën që do vijonim me saldimin me oksigjen dhe kërkesa e inxhinierëve ishte për këtë lloj saldimi ashtu siç u sorollatëm dhe me insistim siguruam bombollat e oksigjenit, tashmë dilte puna e saldatorit specialist.
Pra nuk mund ta bëntë kushdo saldator?
Absolutisht jo. Kërkonte specialist të mirfillt për këtë lloj saldimi. Prandaj vrisnim mendjen dhe lodheshim sa andej këndej nëpër ndërrmarrje të rrethit nëse do të ishte ndonjë saldator i këtij specialiteti, pasi vepra që do ndërtohej ishte kolosale për mundësitë tona. Do saldohej me oksigjen 4 km tubacion dhe kjo nuk ishte shaka. Aq më shumë që ky lloj procesi kërkonte edhe guxim se do punonte në kushte të vështira të terrenit me tuba që kishin një peshë goxha të madhe dhe një gabim i vogël të kushtonte edhe jetën. Ndërkohë që specialisti duhej të ishte edhe profesonalisht shumë lartë për atë proces pune pasi kerkohej nje centrim preçiz i tubit dhe saldim shumë i imët për të mos pasur as një problem. Dhe koha na dha të drejtë në fakt se dhe sot e kësaj dite, fshati konsumon ujin e atij ujësjellësi dhe deri sot kur ka kaluar më shumë se 40 vjet nga inagurimi, nuk ka pasur asnjë problem. Pra që të mos e largojmë çështjen për të cilin flasim, si konkluzion në atë moment të procesit të punës lindi problemi i një specialisti për të realizuar këtë saldim që kërkonte përgjegjësi.
Dhe si e zgjidhët?
Në këtë kohë në Gjirokastër ndërtohej Pallati i Sportit. Dhe si ndërrmarrje që kishte marrë përsipër kryerjen e punimeve ishte ndërrmarrja NMI Tirana ( Ndërrmarrja Mekanike Insdustriale e Tiranës ), e cila merrej me ndërtimet industriale në gjithë Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë kishte edhe specialist të mirë për realizimin e këtij procesi pune. ( Saldimi me oksigjen).
Dhe?
Fillimisht nëse kishte specialist të përshtatshëm apo jo do të saktësohej si të shikonin punën në terren dhe llojin e saldimit ashtu si dhe tubat e çelikut. Për këtë me ndërhyrjen e inxhinierit Agron Doraci, i cili siç thashë së bashku me Niko Panajotin ishin instaluar si të thuash pranë projektit tonë dhe zbatimit të tij, i’u kërkua ndërrmarrjes së “NMI Tirana”, për të dërguar disa ditë një specialist saldimi me oksigjen për procesin e punës sonë në ujësjellës. Shansi ynë i madh ishte se në brigadat e specialistëve të montimit të kapriatave të këtij pallati ishte dhe një saldator i pantetuar për saldimin me oksigjen. Madje shansi akoma më i madh ishte se ky saldator që e mbanin si shumë të aftë, dhe ashtu ishte në të vërtetë, ishte nga zona jonë. Ishte pikërisht nga Golemi i Gjirokastrës.
Pra ishte nga fshatrat komshi me Fushëbardhën?
Po po. Me këta ne ishim si bashkëfshatarë.
Po çfar ndikonte kjo në një punë shteti?
Sepse specialisti e dashuronte më shumë punën dhe kishte motiv më shumë kur kontribonte për një vepër të bashkëfshatarëve dhe të njohurve të tij. Megjithëse atij nuk i mungoi pasioni, vullneti dhe përkushtimi dhe këtë e tregoi qysh në fillim.
Kush ishte ky?
Realizmi i saldimit dhe garantimi i cilësisë së tij u bë nga Daut Roshi.
Pra fillimisht erdhi pa procesin e punës në vend?
Po. Ai erdhi dhe e bëri me këmbë gjithë itenerarin dhe pa me sytë e tij çdo pëllëmbë të vendit duke filluar nga greminat e Piriut ku do ti duhej të punonte e deri në Qafdardhë që ishte puna e terrenit shumë të vështirë duke vijuar më tej deri në Goroqip. Ai preku me dorë çdo tub dhe pa çdo bombol oksigjeni të siguruar nga ne me aq mund.
Konkluzioni i tijë pas verifikimit?
Dauti në fund deklaroi se këtë punë mund ta realizonte shumë mirë, pra me cilësinë e kërkuar.
Do vinte menjëherë?
Duhej këmbëngulur për ta lënë ndërrmarrja të lirë. Rëndësi kishte që Daut Roshi deklaroi se e bënte punën shumë mirë dhe ishte gati të sakrifikonte në situata pune të vështira dhe të siguronte cilësinë maksimale. Madje ai deklaroi se më keni në dispozicion gati kur të doni natën dhe ditën në çdo kohë. Por tani duhej të lihej i lirë nga ndërrmarrja pasi ajo do ta paguante se ashtu ishin rregullat atëhere.
Ky ishte punonjës i një ndërrmarrje specilistësh që punonte në gjithë Shqipërinë?
Pikërisht. Ky ishte pantetuar apo çertifikuar posaçërisht për këtë proces pune dhe vetëm ky mund ta bënte. Por tani na duhej që ndërrmarrja e vetë, e cila gjithashtu kishte goxha punë, duhej ta linte në dispozicionin tonë deri në fund të punimeve.
E arritët?
Patjetër. Ishte një nga sfidat tona në rrugën e gjatë të ndërtimit të një ujësjellësi. Për këtë gjë, përvëç se biseduam me drejtuesit e ndërrmarrjes e konsumuam drejtpërdrejtë dhe me Kryeministrin Çarçani, prej të cilit kishim mbështetje të jashtëzakonshme pasi dhe ai gëzohej sa dhe ne për këtë ujësjellës që po bëhej për bashkëfshatarët e tij.
Takuat sërish Adil Çarçanin vetëm për një saldator?
Po po. Nuk ishte thjesht një saldator por një specialist i jashtëzakonshëm që kontribonte në vepra në gjithë Shqipërinë. Vetëm ai do ta këpërcente këtë hallkë procesi që doli në vazhdim të përpjekjeve tona. Kështu me ndërhyrjen e Adil Çarçanit në dispiozicion të ekipit tonë të shkëlqyer dhe kaq të përkushtuar, u shtua dhe Daut Roshi. Madje do shtoja se gjatë gjithë punës sonë dy vjeçare deri në përfunduim të ujësjellësit Daut Roshi vinte në punë përditë me këmbë nga fshati Golem ku banonte. Kjo do të thoshte që ai bënte çdo ditë dy orë ardhje dhe dy orë shkuarje dhe nuk u lodh apo ankua asnjë herë. Ashtu siç edhe dy inxhinierët Doraci dhe Panajoti që vinin nga Gjirokastra. Pas kësaj filloi dhe procesi i shumpritur i saldimit të tubave të trasportuar nëpërmjet bombolave të oksigjenit të sjella nga Gjirokastra. Paralelisht punëtorët e drejtuar nga Gëzim Veliu ishin duke punuar me vegla krahu si dhe kur e kërkonte situata, duke bërë trasport në vendet që nuk kalonte mushka e cila sillte matërialet nga fshati.
Çfar bënin me punë krahu puntorët?
Hapnin kanal, punonin në shkëmb dhe në greminë. Shtrinin tubot, sillnin bombolat etj etj. Ishte një proces shumë i vështirë, por duhej bërë dhe ata e bënë jo vetëm saktë, por me shumë devotshmëri. Të gjithë punonin me përkushtim që të mos dështonte saldimi i tubacionit. Për shkak të terrenit malor, me shkmbinj dhe gremina që siç jua përmenda edhe më parë, mund të sakrifikohej dhe vetë jeta. Vështirësitë kaloheshin një e nga një. Dhe puna e filluar po merrte formë. Administrata e ndërrmarrjes ndihmonte rregullisht për kapërcimin e problemeve teknike të përditshme.
Sa vjet mori ndërtimi që nga dita e fillimit të punimeve pas sigurimit të materialeve?
Ishte një punë që mori dy vjet vetëm ndërtimi, përveç pengesave të pafundme që duhej të kalonim që në fillimet e konstatimit të ujit të ndotur. Vetëm ndërtim vepre ishin dy vjet punë.
Thatë dhe Kooperativa Bujqësore ndihmonte?
Po po edhe kooperativa. Në atë kohë drejtohej nga Banush Norra. Nuk na u kursye me as gjë për çfar kërkese benim. Por kryesisht në ndihmë për trasport me fuqi puntore.
Pra pas kaq e kaq vështirësish, që filluan që në gjetjen e burimit, te përpilimi i projektit dhe preventivave të volumeve të punës, te takimi me Adil çarçani dhe Llambi gegpriofti, te gjetja e tubove, të bombolave të Oksigjenit dhe trasportimi i tyre dhe gjetja e specialistit saldator për oksigjen dhe pas një pune në front për më shumë se dy vjet, ai ujësjellës u përfundua. Nuk e di nëse isha i saktë në këto përshkrime?
Po shumë i saktë. Me këtë rast doja të kujtoja edhe njëherë me respekt Adil Çarçanin dhe Llambi Gegpriftin që na i mundësuan këtë vepër të cilën e konsideroj si dhurat të tyre. Falenderoj inxhinierët Agron Doracin dhe Niko Panajotin që nuk ju ndan punës në asnjë moment dhe në as një vështirësi, pamvarësisht se vinin në punë që nga Gjirokastra. Falenderoj po ashtu Daut Roshin për të cilin të fola me hollësi më lartë. Falenderoj Gëzim Veliun dhe të gjithë ata që kanë kontribuar me aq pasion për të kapërcyer pengesat e përditshme. Kujtoj me mirënjohje të veçantë të ndjerin Maksi Çarcani, Kosta Malon e të tjerë të cilët janë shumë dhe i kam në mëndje çdo moment.
Dhe sot fshati Fushëbardhë ndër të tjera ka dhe një ujësjellës shumë të mirë që vijon të çojë ujin qelibar të Piriut në shtëpit e fshatit. Cila është porosia apo meraku yt në këto momente për këtë ujësjellës?
Puna që përmendëm me gjithë ato vështirësi të paimagjinueshme, u bë e sigurt dhe shumë e mirë aq sa ujësjellësi që nga viti 1983 kur është përfunduar, nuk ka pësuar asnjë herë ndonjë dëmtim. Por ka qenë dhe vijon të jetë vazhdimisht në funksion.Kjo për faktin se u bënë dhe u realizuan të gjitha kërkesat e proceseve të punës për një cilësi absolute.
Porosia apo meraku juaj?
Ai ujësjellës duhet të mirëmbahet nga pleqësia e fshatit dhe të mos lejohen të bëhen në të ndërtime pa lejen e kryeplakut apo autoriteteve të Ujësejllësit të Bashkisë. Nëse bëhen dhe konstatohen raste ndërhyrje, duhet bërë denoncim në organet përkatëse. Kjo për faktin se ajo vepër e bërë me aq mund duhet ti shërbejë fshatit tani dhe brezave që do të vijnë.
Faleminderit zoti Bedo për këtë rrëfim kaq interesant.
Faleminderit juve që më dhatë mundësinë për të folur mbi ato kujtime sakrificash, por që të bëjnë krenar dhe për tu thënë brezave të tanishëm që ta ruajnë me fanatizëm çdo vepër që trashëgohet në respekt të djersës që është derdhur nga baballarët e tyre.