“Tradhtarit i pikon tradhtia nga çdo pore e trupit të tij”
Zigmund Frojd (Sigmund Freud – 1856-1939)
Pas një drafti sekret, misterioz, për Republikën e Kosovës, të cilin Rama ua pati dërguar Presidentit francez dhe Kancelarit gjerman, pak ditë më parë në internet qe botuar edhe një informacion, sipas të cilit Rama paska dalë me një propozim për zhvillimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë. Në atë informacion thuhet:
“Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel me zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin” (Citohet sipas: “E propozoi Rama, KE mbështet idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë”. Faqja e internetit “Fax Web”. 29 qershor 2023).
Dhe ja çfarë rezultoi pas propozimit të Ramës:
“Presidenti i Këshillit Evropian, Çarls Mishel (Charles Michel), mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre” (po aty).
Vetvetiu shtrohet pyetja:
Mirë Rama që është mik i Vuçiçit dhe, për pasojë, tradhtar i Republikës së Kosovës, po Çarls Misheli si e pranoi një propozim të tillë, fund e krye paradoksal, kur dihet që Çështja Kombëtare e Kosovës u zgjidh ushtarakisht dhe politikisht më 12 qershor 1999 dhe juridikisht me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008? Si është e mundur që Kryepolitikani me shumë peshë i Këshillit Evropian e marrka seriozisht propozim-marrëzinë e Ramës?
S’ka asgjë për t’u habitur me qëndrimin e Brukselit ndaj shqiptarëve. Sigurisht, sepse Brukseli është trashëgimtar i Evropës fishtiane, i asaj Evrope, të cilën Fishta i Madh e pati etiketuar ashtu siç e meritonte – kurva e motit.
Zhvillimi i ngjarjeve të fundit në Republikën e Kosovës nxori në pah ca të vërteta shumë dëshpëruese për fatin e keq që e ka ndjekur pas popullin shqiptar, për shkak të përçarjes tragjike shumëshekullore, të shkaktuar nga mercenarizmi i politikanëve, zeja kryesore e të cilëve ka qenë dhe vazhdon të mbetet tradhtia, nënshtrimi absolut para të huajve. Pikërisht për shkak të përçarjes shumëshekullore, populli shqiptar, në krejt trojet e veta etnike, e ka humbur aftësinë e vetorganizimit dhe ka rënë pre e politikanëve tradhtarë në shërbim të të huajve Pra, kombi shqiptar të keqen e ka pasur dhe vazhdon ta ketë brenda vetes, një e keqe kjo që na ka shkaktuar gjëma të rënda në historinë tonë dhe që të huajt na e kanë yshtur me shumë kënaqësi. Përçarja jonë tragjike ka traditë të lashtë Le të kujtojmë për një çast Gencin e Ilirisë. Kur ai luftonte kundër romakëve, princat e tjerë ilirë bashkëpunonin me romakët. Temën e përçarjes dhe të tradhtisë ogurzezë, që në periudhën e lashtësisë ilire, shkrimtarja e njohur Vilhelme Vranari Haxhiraj e ka trajtuar në një roman fantastiko-historik për fëmijë, me titull “Amanti i Arbërisë”. Botimet “Toena”. Tiranë 2003.
Pyetjes së Amantit, drejtuar Bukuroshes së Durrësit për njerëzit nëse janë ziliqarë, ajo i përgjigjet:
“ – Po, po, kanë smirë për këdo që i shkojnë punët mbarë, mundohen dhe bëjnë të pamundurën që ta shkatërrojnë tjetrin”.
Qëllimin djallëzor të kryetradhtarit Rama, si nismëtar për thirrjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën, e ka zbuluar me shumë profesionalizëm intelektuali me vetëdije të lartë kombëtare, Gani Qarri. Në disa faqe interneti është botuar analiza e tij me titull “Konferenca tradhti e Ramës për ricopëtimin e Kosovës”. Mendoj se kjo analizë duhet të shërbejë si busull orientimi për Kryeministrin, Presidenten dhe Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët duhej ta kishin denoncuar publikisht ”konferencën tradhti të Ramës”, edhe personalisht, edhe me vendim të posaçëm të Kuvendit. Përmes një faqeje interneti, është bërë e ditur se Kryeministri Albin Kurti është “skeptik për idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë” (Faqja e internetit “Radio Evropa e Lirë”. 01 korrik 2023). Këtu nuk është fjala për skepticizëm, këtu është fjala për kundërshtim me vendosmëri burrërore, për një kundërshtim të prerë, si me sëpatën e dardharit. Në këto kushte, Kryeministri Albin Kurti nuk duhet të marrë pjesë në asnjë mënyrë në një konferencë të tillë poshtëruese për Republikën e Kosovës, konferencë, të cilën Brukseli e mbështet me shumë dëshirë. Zhvillimi i asaj konference ka për qëllim copëtimin e Republikës së Kosovës. Prandaj Kryeministri Albin Kurti nuk duhet të shkojë në atë konferencë, nuk duhet të përsëritë gabimin fatal të Ismail Qemalit, i cili, pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912, në vend që të lëshonte kushtrimin, së bashku me 40 firmëtarët, për ngritjen e popullit më këmbë, grumbullimin e mjeteve financiare dhe krijimin e forcave të armatosura për t’u mbrojtur nga bishat serbogreke, përkundrazi, u ngrit e shkoi në Londër për të takuar ministrin e jashtëm anglez, Eduard Grein (Edward Grey – 1862-1933), për t’iu lutur që ujqit evropianë, me ujkun rus në krye, të mos na i copëtonin trojet tona etnike. Kurva e motit trojet na i copëtoi dhe takimet e Ismail Qemalit në Londër rezultuan një vërë në ujë. Ismal Qemali dhe Isa Boletini u kthyen, duke sjellë me vete në çanta shpërfilljet, deri në përbuzje të heshtura, të Eduard Greit. Ky qëndrim nënshtrues ndaj të huajve për Çështjen më Madhore Kombëtare – mbrojtjen e tërësisë territoriale të trojeve tona etnike – ka lënë gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen e popullit shqiptar, i cili, për faj të politikanëve servilë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka krijuar bindjen e gabuar se fatet e kombit tonë i paskan në dorë vetëm të huajt. Kjo bindje shumë e gabuar është e fiksuar edhe në krijimtarinë folklorike, në këngët popullore. Kështu, ansambli “Çipini” ka në repertorin e vet këngën labe, me titull “Trimi luftëtar”. Po citoj vetëm strofën e parë:
Të dy bashkë u nisën,
Ku merrej vendimi,
Ismail Qemali
E Isa Boletini.
Pra, vendimin për fatin e Shqipërisë Etnike duhej ta merrnin të huajt, jo populli shqiptar, i bashkuar rreth një kryepolitikani dhe një kryekomandanti trim të forcave të armatosura.
Për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, dy shtetet shqiptare sot janë më të përçara së kurrë. Kundër kësaj përçarjeje, të krijuar për fajin e rëndë të Ramës, si kryetradhtar i kombit shqiptar dhe si kryeservil i Vuçiçit të Serbisë, e cila Republikën e Kosovës, në kushtetutën e saj fashiste, e konsideron pjesë të territorit të vet, ka ngritur zërin intelektuali i shquar Frank Shkreli, gazetar veteran i “Zërit të Amerikës”. Në një analizë të ditëve të fundit, ai ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka uniteti i shqiptarëve, duke iu sjellë politikanëve në kujtesë Kuvendin e Lezhës të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Lidhjen e Prizrenit. Ai shkruan:
“… në qofë se shqiptarët nuk kujdesen për veten, për interesat e njëri-tjetrit dhe për të mirën e përbashkët afatgjatë si komb, atëherë pse të lodhen të huajt me ne, kur e shohin se shqiptarët nuk kanë as një kompaktësi, as unitet objektivash madhore kombëtare” (Citohet sipas: Frank Shkreli. “Mësimet nga Lidhja”. Faqja e internetit “Fjala e Lirë”. 02 korrik 2023).
Mungesa e aftësive vetorganizuese të popullit shqiptar doli në pah pas propozimit të lartpërmendur të Ramës për zhvillimin e asaj konferencës ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë. Në vend që populli të çohej peshë dhe të mbushte rrugët e qyteteve me protesta të fuqishme kundër tradhtarit Rama dhe Brukselit proserbian, përkundrazi, rri i heshtur si mumje hesapi, duke i lënë vetëm kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani të përplasen me padrejtësinë evropiane. Mungesë skandaloze vetorganizimi treguan ata 15 mijë shqiptarët, të cilët kryetradhtari Hashim Thaçi i dëboi nga shtëpitë e veta në Mitrovicën e veriut më 2 dhe 3 shkurt të vitit 2000, por pas shpalljes së pavarësisë nuk u bënë të gjallë deri sot të çoheshin bashkërisht dhe të turreshin për t’u kthyer në vatrat e tyre, të pushtuara nga serbët, të cilët Franjo Tuxhmani u dha dajakun që meritonin dhe i përzuri nga Kroacia.
Kryeministri Albin Kurti,
një i vetëm trim në luftë
Masat që ka marrë Kryeministri Albin Kurti kundër provokimeve të rënda të bandave kriminale serbe, duhej ta kishin shqetësuar shumë seriozisht Brukselin dhe Departamentin e Shtetit, për ta ndëshkuar Serbinë ashtu siç e meriton. Por, çuditërisht, ka ndodhur e kundërta. Këto dy qendra të rëndësishme të politikës botërore janë rreshtuar në krah të Serbisë, kundër Albin Kurtit dhe qeverisë së tij. Madje atyre nuk u bënë përshtypje absolutisht skenat, kur kriminelët serbë në Mitrovicën e Veriut rrahën 30 policë të KFOR-it, sikur të ishin gomarët e Nastradinit. Për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, kundër Albin Kurtit, ka kohë që ka mprehur shpatën kryeministri i atdheut amë Rama, duke lënë emër në histori si kryetradhtar me damkë.
Le të kthehemi prapa për një çast në histori, te zgjedhjet e 23 qershorit 2013.
Kryeministri Berisha mbajti një qëndrim mjaft objektiv dhe me shumë dinjitet në vlerësimin e rezultateve të zgjedhjeve të 23 qershorit: ai e njohu menjëherë rezultatin e tyre dhe dha dorëheqjen nga të gjitha postet partiake, duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë për humbjen e rëndë që pësoi Partia Demokratike. Në këtë mënyrë, ai bëri vetëm veten përgjegjës për atë humbje të thellë, duke mos ia lënë litarin nëpër këmbë pasardhësit të vet në krye të saj. Por Profesor Berisha, me gjithë gabimet që pati bërë dhe që i pati pranuar publikisht gjatë zhvillimit të foltoreve në mbarë vendin, ka lënë emër në histori me dy vepra shumë të rëndësishme: me Rrugën e Kombit, me dy tunele me një gjatësi prej 11 km, dhe me autostradën Tiranë-Elbasan. me dy tunele me një gjatësi prej 4,4 km.
[Kryetradhtari Rama, sapo u bë kryeministër në vitin 2013, vëllezërve tanë kosovarë u vuri taksën për Rrugën e Kombit].
Pikërisht një javë më vonë, pasi partia socialiste kishte fituar zgjedhjet, gjatë një interviste për gazetën “Le Courrier des Balkans”(Korrieri i Ballkanit), Rama, si kryeministër i ardhshëm, pati deklaruar se “synon të bëjë politikë për të lënë një emër në histori” (Citohet sipas gazetës “Panorama”. 30 qershor 2013).
Dhe tani, çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, është i bindur plotësisht se Rama e ka lënë vërtet një emër në histori, por ky nuk është emër i nderuar në mbarë hapësirat e trojeve tona etnke. Përkundrazi, ky është emri i një tradhtari me damkë, i cili, duke u rreshtuar përkrah serbokriminalizmit gjakatar, ka kryer tradhtinë më të rëndë kundër kombit shqiptar. Fillimisht, në rolin e kameleonit, Rama u hoq e u shtir si mik i popullit shqiptar të Republikës së Kosovës, dikur pati dalë me propozimin për një president të përbashkët dhe për zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta të të dy qeverive. Por sapo krimineli Vuçiç hodhi në tregun politik idenë e minishengenit ballkanik, Rama s’e përmbajti dot vrapin drejt Beogradit, si dikur ati i tij shpirtëror, argati i Titos Enver Hoxha në vitet 1941-1948. Rama të kujton atë fjalën e urtë, në të cilën thuhet:
“Gjarpri e ndërron lëkurën çdo vit, kurse tradhtari çdo ditë”.
Tani Rama, me zejen e tij të tradhtisë kombëtare, ka shkuar aq larg, saqë ka lënë emër të turpshëm në analet e historisë sonë, sepse për Republikën e Kosovës është bërë po aq i rrezikshëm, sa edhe krimineli Vuçiç. Po aq i rrezikshëm është bërë ai edhe për Shqipërinë me tradhtinë ndaj popullit tonë, tradhti kjo, e reflektuar në varfërimin e pandalshëm të shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Çuditërisht. Rama, si kreu i partisë së bujkrobërve socialistë, ka shumë sukses në veprimtarinë e vet tradhtare për shpopullimin e vendit. Ja çfarë deklaronte një djalë i ri para një viti:
“Po iki në Gjermani sepse këtu çdo gjë është katastrofë. Ju bëj thirrje shqiptarëve që të ikin se ka marrë fund ky vend”. Me çantën në krah, ky është mesazhi që qytetari tha për të rinjtë para se të nisej për në Gjermani (Citohet sipas: Youtube. 22 korrik 2022).
Rama do të kishte lënë vërtet emër të nderuar në histori, dhe çdokush nga bashkëkombësit në trojet tona etnike dhe në Diasporë, do të ishte shumë krenar, sikur të ishte rreshtuar vendosmërisht pranë Albin Kurtit, në mënyrë që shteti amë dhe Republika e Kosovës t’u flisnin ndërkombëtarëve me të njëjtën gjuhë dinjitoze. Kështu do të ishte rritur së tepërmi autoriteti i tij jo vetëm në sytë e shqiptarëve, por edhe të ndërkombëtarëve. Por, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Sepse kalorësi i helenizmit nuk mund të vepronte ndryshe. Me flirtet e tij me Vuçiçin, ai dëshmon se është bërë edhe kalorës i serbosllavizmit.
Për të siguruar mbështetje në sytë e shqiptarëve, përkrah Vuçiçit në fushatën e tij kundër Albin Kurtit, Rama, përmes Sorosit, solli për vizitë në Tiranë ish-presidentin amerikan Bill Klinton, i cili, në moshën 77-vjeçare, një muaj e gjysmë para festimit të ditëlindjes më 19 gusht, ndërmori një udhëtim shumë të gjatë. Në ceremoninë e organizuar për atë vizitë, ra menjëherë në sy diçka: ajo ishte një vizitë e privatizuar tërësisht nga Rama, përderisa aty mungonin dy krerët kryesorë e opozitës, të cilët Rama, për turpin e tij, nuk i kishte ftuar. Se çfarë përshtypjesh bëri vizita e Bill Klintonit në Tiranë në radhët e analistëve dhe të publicistëve me dinjitet të lartë personal dhe kombëtar, janë mëse të mjaftueshme këndvështrimet që shprehën në internet intelektualë të tillë të njohur, si Fatos Lubonja, diplomati Agim Nesho, Andi Bushati dhe Armand Shkullaku. Ceremonia që u zhvillua para kryeministrisë shërbeu si një skenë sa humoristike, aq edhe tragjikomike. E quaj tragjikomike, sepse në atë ceremoni u dëshmua para opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar se sa e madhe është përçarja e shqiptarëve. Bill Klintoni ka hyrë në kujtesën e çdo shqiptari dhe në historinë e mbarë kombit shqiptar, si një President i shquar amerikan për aktin e lartë burrëror që kreu, me marrjen e vendimit për bombardimin e Serbisë fashiste në pranverën e vitit 1999, duke vënë në dijeni paraprakisht mbarë popullin amerikan dhe duke çuar në vend porosinë e të Madhes Nënë Tereza. Kombi shqiptar nuk ia harron kurrë Bill Klintonit atë akt burrëror dhe do t’i jetë mirënjohës në jetë të jetëve. Por të duket e pabesueshme kur mendon se si është e mundur që Bill Klintoni, në këtë moshë të nderuar, të bëhet aktor në një skeç humoristik, të parapërgatitur përmes Sorosit, vetëm e vetëm që Rama të gjente mbështetje për sulmin kundër Albin Kurtit. Çdo shqiptar i ndershëm, me vetëdije të lartë kombëtare, është i bindur se Klintoni kishte ardhur në Tiranë jo në rolin e ish-Presidentit, por në rolin e një përkrahësi të Ramës në fushatën që ky ka shpërthyer kundër Albin Kurtit. Veç kësaj, me vizitën e vet, ai kishte si qëllim t’i ngrinte lart aksionet e Ramës, si një “politikan me peshë” në gadishullin tonë. Në fjalimin e vet, Klintoni, i keqinformuar, duke pasur parasysh ngjarjet në Mitrovicën e Veriut, tha: “… ta ndalim këtë marrëzi”. Por marrëzia nuk është produkt i shqiptarëve, ajo është produkt i bandave kriminale serbe, është produkt i Serbisë fashiste, e cila nuk është mjaftuar me gjithë ato gjëma të rënda që i shkaktoi popullit kosovar në vitet ’90, por ka edhe pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Me siguri që Kryeministri Albin Kurti i ka ndjekur me kujdes skenat humoristike që u shpalosën para Kryeministrisë dhe duhet besuar se ai është bërë edhe më i vendosur në qëndrimin e tij burrëror në mbrojtje të tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, pa lejuar kurrën e kurrës krijimin e një shteti serb brenda territorit të saj.
Me nëntitullin “Kryeministri Albin Kurti, një i vetëm trim në luftë”, kam parasysh frontin e trefishtë të sulmeve që ai po përballon, jo vetëm nga ndërkombëtarët dhe opozita proserbe, por edhe nga kryeministri i shtetit amë dhe banda rreth tij. Pra, formacioni i tij politik dhe i presidentes Vjosa Osmani po ndeshen me dy sulme nga jashtë dhe me një sulm nga brenda. Më bëri përshtypje kërkesa e Xhavit Halitit, drejtuar kryeministrit Albin Kurti për të dhënë dorëheqjen. Vajmedet se kush e kërkon këtë dorëheqje! Xhavit Haliti, anëtari i bandës tradhtare të Hashim Thaçit. Jo më pak përshtypje më bëri letra publike e Behgjet Pacollit, drejtuar Kryeministrit Albin Kurti, të cilit i bënte thirrje të dëgjonte zërin e ndërkombëtarëve për plotësimin e tekave shoviniste të Serbisë. Behgjet Pacolli s’mund të veprojë ndryshe se dihet mirë se kush është – i njohur si servil i Beogradit dhe i Moskës, dy armiqve të betuar të kombit shqiptar.
Pendesa e heshtur e ndërkombëtarëve
për bombardimin e Serbisë
në pranverën e vitit 1999
Siç është bërë e ditur, “Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës, të cilat do të komunikohen në këtë javë. Ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment” (Citohet sipas: “Këto janë sanksionet që KE gjatë javës do t’i vendosë kundër Kosovës”. Faqja e internetit “Ora news”. 27 qershor 2023).
Pra, për problemet që kanë lindur në Mitrovicën e Veriut, për shkak të provokimeve të banditëve serbë me mbështetjen e gjithanshme të Serbisë, sipas brukselizmit, “fajtore” na qenka Republika e Kosovës. Nuk habitemi aspak nga ky qëndrim i Komisionit Evropian, sepse këtu e 12 vjet të shkuar qe bërë i njohur publikisht një fakt befasues. Asokohe, Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Lamberto Zannieri (1954), pati deklaruar:
“… pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë”. (Citohet sipas faqes së internetit “Voal”. 16 prill 2011).
Katër vjet më vonë, u vërtetua që Lamberto Zannieri kishte pasur shumë të drejtë. Në mars të vitit 2015, mbarë opinioni publik shqiptar u njoh me një deklaratë skandaloze të një eurodeputeti, një shovinist francez ky në parlamentin evropian, i quajtur Emerik Shoprad (Aymeric Chauprade – 1969). Ky tellall i shovinizmit rusoserbomadh, nga tribuna e parlamentit në fjalë, shprehu tërë urrejtjen e vet për Kosovën, të cilën e etiketoi si “çerdhe të krimit”, duke deklaruar se Parisi na paska bërë, demek, një “gabim historik” me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas këtij shovinisti të regjur me dashurinë përvëlimtare për Serbinë dhe me urrejtjen e papërmbajtur për Kosovën, “Kosova kurrë s’mund të hyjë në Bashkimin Evropian”. Se Kosova, sipas këtij injoranti dhe shpifësi me gramë të madhe, jo vetëm që na qenkej “çerdhe e krimit”, por mbakej përgjegjësi edhe “për spastrimin etnik të serbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare” (Citohet sipas: “Europarlamentari francez: Kosova çerdhe e krimit, njohja e saj gabim historik”. Faqja e internetit “BalkanWeb”. 02 mars 2015).
Eurodeputeti shovinist francez Aymeric Chauprade, nga tribuna e parlamentit evropian, sulmoi edhe NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bombardimin e Sebisë në pranverën e vitit 1999. Me këtë deklaratë, ky eurodeputet shovinist francez, radhitej përkrah skifterëve ushtarakë francezë që i jepnin të dhëna paraprake Beogradit për bombardimet e NATO-s.
Por shqetësim kryesor për mbarë shqiptarët atdhetarë, nuk përbënte deklarata armiqësore e një eurodeputeti francez me një formim kulturor gjysmak. Shqetësim kryesor për ta përbënte heshtja e krejt eurodeputetëve të tjerë, midis të cilëve nuk u gjend asnjë burrë për be që t’i jepte përgjigjen që Aymeric Chauprade meritonte për shpifjet që po nxirrte nga goja në adresë të Republikës së Kosovës dhe për sulmet kundër NATO-s. Pra, etiketimi fishtian i Evropës vazhdon të ketë tingëllim aktual edhe në ditët tona. Qëndrimi që mbajnë ndërkombëtarët, të cilët kanë planifikuar vendosjen e sanksioneve kundër Republikës së Kosovës, s’është gjë tjetër, veçse një pendesë e heshur për bombardimin e Serbisë. Në këtë mënyrë, Brukseli dhe Blinkeni i Departamentit të Shtetit kanë rënë në pozitat e ish-Presidentit Tramp, i cili e ka quajtur turp bombardimin në fjalë. Pikërisht rreshtimi i ndërkombëtarëve në anën e Serbisë është arsyeja kryesore se pse ata nuk vendosin sanksione kundër saj për flakjen nga kushtetuta të nenit, në të cilën Republika e Kosovës figuron pjesë e Serbisë, se pse heshtin për fatin e të zhdukurve me dhunë, për zbulimin e të gjitha varrezave masive, se pse nuk reagojnë për këto varreza që kanë mbetur pa epilog gjyqësor, se pse nuk kërkojnë të ngrihen aktakuza ndaj kriminelëve për vrasjen e të zhdukurve apo ndaj atyre që kanë marrë pjesë në fshehjen e kufomave në territorin e Serbisë, se pse vazhdojnë të heshtin kur deputetja e parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, në një fjalim të mbajtur në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ka folur sërish për situatën në veri, derisa ka thënë se fajtori kryesor është Serbia. Ajo ka deklaruar:
“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët” (Citohet sipas: “Deputetja britanike: Serbia po kontrabandon armë në veri përmes autoambulancave, të njëjtat po dërgohen në kishat ortodokse”. Faqja e internetit “telegrafi”. 04 korrik 2023).
Ky fakt skandaloz dëshmon për dy gjëra:
Së pari, Bashkimi Evropian rri e hesht për veprimtarinë e bandave kriminale serbe në Veriun e Mitrovicës, dhe, në vend që të vendosë sanksione kundër Serbisë, ai sillet ndaj saj si një dado politike. Prandaj ka shumë të drejtë ministria e punëve të jashtme, burrëresha Donika Gërvalla, e cila ka deklaruar:
“Një pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë? Unë mendoj që ajo nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitet për ta garantuar sigurinë. Arsyet janë të qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit” (Citohet sipas: “Kosovë: Ministrja Gërvalla kritikon BE duke nxitur reagime”. Faqja e internetit “DW”. 10 korrik 2023).
Së dyti, kishat serbe në territorin e Republikës së Kosovës janë fole gjarpërinjsh. Se ndryshe s’ka se si shpjegohet që ato shërbyekan si depo amatimesh kundër popullit shqiptar. Normalisht, autoritetet e Republikës së Kosovës, kur zbulohen depo të tilla në mjedise kishash serbe, duhet t’i dëbojnë që andej për në Serbi të gjithë priftërinjtë dhe ato kisha, të kthyera në vatra krimi, duhet të kthehen në pronë shtetërore. Krimi i kishave serbe kundër shqiptarëve edhe në ditët tona, na bën të vijmë në përfundimin se tingëllojnë mjaft aktuale kerkesat e Papa Benediktit XI dhe Papa Klementit V, dërguar mbretit Millutin dhe Stefan Dushanit më 1346, duke urdhëruar që të lirojnë Kishat Katolike, te uzurpuara në territorin e Dardanisë.
Duhet pranuar haptas se Evropa e brukselizmit e ka katandisur Republikën e Kosovës në “geto” të gadishullit tonë: për të gjitha vendet rreth e rrotull saj i ka hequr vizat, kurse për Republikën e Kosovës ka zgjedhur vetëm izolimin. Kjo është faqja e zezë e kurvës së motit, simpatizantes së Serbisë.
Në këtë valë histerie që ka shpërthyer kundër Kryeministrit Albin Kurti, për fat të keq, opozita në Prishtinë dhe qeveria në pushtet në Tiranë, kanë braktisur krejtësisht interesat kombëtare dhe janë rreshtuar në krah të shovinizmit serbokriminal. Një dukuri e tillë tejet e shëmtuar është e papërsëritshme në asnjë vend të botës. Të bën përshtypje shumë të thellë një fakt interesant. Analisti dhe publicisti i shquar Skënder Kapiti, në harkun kohor prej 30 qershorit deri më 09 korrik, ka botuar në internet gjashtë artikujt në vijim, të cilët janë mjaft mbresëlënës në përkrahje të Kryeministrit Albin Kurti dhe të Presidentes Vjosa Osmani (“I sfidoj të gjithë ata që janë kundër Kosovës, dhe që sot janë kundër Albin Kurtit”, “Albin Kurti dhe antiKurtët”, “Ja pse sot jam me Kurtin e Osmanin”, “Kurti dhe Osmani, qëndroni fort, sepse me juve është historia, patriotizmi, e drejta dhe e vërteta”, “Kurti dhe Osmani me dhe për patriotizmin, shqiptarizmin, demokracinë dhe për shtetin e kushtetutën”, “Lufta në Kosovë nuk ka përfunduar”). Në artikullin e parafundit ai thekson diçka tepër shqetësuese:
“Antikurtizmi politik, intelektual, diplomatik dhe mediatik në Shqipëri, vërtetoi dhe zbuloi atë se në Shqipëri deri më sot në 100 vjet në pushtet ka ardhur ajo politikë, e cila është sa më antikosovare… Jo vetëm Edi Rama, por para historisë do të përgjigjet edhe Partia Socialiste, e cila deri më sot jo vetëm asnjë funksionar e as pushtetar i saj, por asnjë anëtar i saj nuk është distancuar dhe as nuk ka kritikuar kryesocialistin Edi Rama për papërgjegjshmërinë ndaj interesit gjithkombëtar shqiptar me projektin e “Ballkanit të Hapur”, projekt tërësisht kundër Kosovës, dhe me të tjera veprime të dëmshme për Kosovën”.
Ky qëndrim kaq dashakeq kundër Republikës së Kosovës nga ana e shtetit amë, të privatizuar nga Rama, dëshmon fare qartë se partia socialiste vazhdon të mbajë në krye një njeri që ndjek gjurmët e Enver Hoxhës në marrëdhëniet me Beogradin. S’mund të ndodhë ndryshe, se kjo parti është trashëgimtare e traditës së partisë komuniste, e cila, që në themelimin e vet, ishte agjenturë jugosllave. Për pasojë, Rama me partinë e vet, me anëtarësi një kope të madhe bujkrobërish socialistë, sot është thjesht një agjenturë në shërbim të serbosllavizmit. Qëndrimi revoltues i Ramës ndaj Kryeministrit Albin Kurti dhe heshtja e plotë e anëtarësisë së partisë socialiste, lexuesin e ndershëm e bëjnë të përsiatë thellë se kjo parti vazhdon traditën e tradhtisë së partisë komuniste në raport me Kosovën, për të cilën biografi i Titos, Vladimir Dedijer (1914-1990), në librin me titull “Kujtime”, të botuar në Beograd në vitin 1949, shkruan shkoqur fare:
“Çështjes shqiptare të Kosovës iu vu vula që në 8 nëntorin e ’41-it”.
Për të gjetur mbështetje në fushatën e vet kundër Kryeministrit Albin Kurti, Rama ka hedhur në sulm kopenë e analistëve. Dhe këta, si tabori i langonjve të rrugës, të ushqyer nga kockat që u hedh Rama, i janë turrur Albinit me një mllef të pështirë. Këta langonj janë të shumtë, por këtu do të bëhet fjalë vetëm për njërin prej tyre, për Baton Haxhiun, të cilin Rama e ka zgjedhur me kohë si njeri shumë të përshtatshëm për ta pasur pranë vetes, sepse është agjent i Beogradit me kohë e me vakt. Pikërisht ky agjenti serb Baton Haxhiu, ka botuar mjaft shkrime kundër Kryeministrit Albin Kurti. Një paçavure që ka botuar në internet, e ka titulluar “Albin Kurti, 10 mite rreth një politikani primitiv” (Faqja e internetit “Ina”. 06 korrik 2023). Ky Baton Haxhiu, ky agjent i regjur i Serbisë, ky tradhtar me damkë i mbarë kombit shqiptar, është kaq i pacipë, saqë as skuqet as zverdhet para publikut mbarëshqiptar për një fakt tepër demaskues, si argat i Millosheviçit. Ky farë burri, ky zvarranik në shërbim të serbosllavizmit, u ngrit e shkoi në Gjykatën e Hagës për të dëshmuar kundër Millosheviçit. Dhe Millosheviçi e zhveshi lakuriq, duke deklaruar:
“Ti ke qenë bashkëpunëtor i jemi, a po ke dëshirë të ta dëshmoj, o Baton?” (Citohet sipas faqes së internetit “Lajme Online” në facebook. 31 maj 2021).
Nëse ky argat i Millosheviçit do të kishte qoftë edhe një miligram burrërie, qoftë edhe një miligram dinjiteti, nuk do të guxonte të dilte nëpër studio televizive. Por ai është i zhveshur tërësisht nga burrëria dhe nga dinjiteti, sepse e ka ngrënë turpin me bukë, sepse i është bërë faqja rrogoz.
Është për të lënë mendjen se si është e mundur që këtë agjent të Millosheviçit e ftojnë si “analist” nëpër studiot televizive të Tiranës. Mirë që shumica dërrmuese e atyre studiove i shërbejnë Ramës me tërë afshin e servilizmit të tyre, po Çlirim Peka nuk e kuptuaka që Baton Haxhiu është ndotës i studios së televizionit “Syri”, si një mjet i informimit masiv me orientim të djathtë?
Gjithë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare, në mbarë trojet tona etnike, të cilët e duan me shpirt Republikën e Kosovës, në këto çaste, kur ajo po kërcënohet krejt padrejtësisht me sanksione nga ndërkombëtarët për krijimin e një shteti serb brenda territorit të saj, Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani duhet t’i shprehin mbështetjen e tyre të plotë me titullin e artikullit analitik të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të intelektualit me brumosje të shkëlqyer nacionaliste dhe të publicistit të talentuar Skënder Kapiti. Artikulli i tij, me titull “Kurti dhe Osmani, qëndroni fort, sepse me juve është historia, patriotizmi, e drejta dhe e vërteta”, është botuar në internet më 06 korrik 2023. Në atë artikull ai shkruan:
“Albin Kurti e Vjosa Osmani kanë meritën e madhe sepse ata futën në politikën shqiptare standardin patriotik, atë që tipari kryesor i politikanit, pushtetarit e shtetarit shqiptar duhet të jetë patriotizmi dhe ndjesia e përgjegjshmëria e lartë para kombit e atdheut kundër korrupsionit, hajnisë e tradhtisë. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani ia grisën maskën patriotike tradhtisë, që maskohet me vellon e patriotizmit, ia grisën maskën tradhtisë politike, intelektuale e mediatike, të cilat akuzojnë patriotizmin dhe patriotët e vërtetë për tradhti”.
Shqiptarët, si komb, njihen në mbarë botën si populli më paqësor. Ata dëshirojnë që me serbët, të cilët janë të ngulur në Kosovë, të jetojnë në harmoni të plotë, prandaj s’është absolutisht e nevojshme krijimi i një bashkësie serbe brenda territorit të saj. Tani nuk është e qartë se kush e kërkon krijimin e asaj bashkësie – serbët e Kosovës apo Beogradi? Mbetet për të dyshuar se një gjë të tillë e kërkon Beogradi, sepse nuk dëshiron që Republika e Kosovës të jetë një shtet i pavarur dhe sovran. Bashkësia e komunave serbe do të ishte një minë me sahat brenda territorit kosovar, sepse “ishujt” e asaj bashkësie, në mos nesër, pasnesër, s’do ta njohin absolutisht autoritetin shtetëror të Prishtinës. Nëse ka serb që nuk e duan bashkëjetesën me shqiptarët, mund të largohen për në Serbi. Por ama drejtësia duhet të vihet në vend: ata serbë që kanë ardhur nga Kroacia apo nga vise të tjera dhe janë vendosur në Mitrovicën e Veriut pas 12 qershorit të vitit 1999, duhet të largohen për në Serbi dhe atje të kthehen ata 15 mijë banorët shqiptarë rrënjës, të cilët kryetradhtari faqezi Hashim Thaçi i dëboi me dhunë më 2-3 shkurt të vitit 2000. Serbët s’kanë pasur, s’kanë dhe s’kanë për të pasur asnjë të keqe nga fqinjësia me shqiptarët. Model në mbarë botën i marrëdhënieve shumë paqësore dhe i harmonisë shembullore të shqiptarëve me minoritetet, janë marrëdhëniet e tyre me minoritetin grek.
Një personalitet i njohur i kulturës serbe, dramaturgu dhe profesori i Fakultetit të Arteve të Dramës në Beograd, Nebojsha Romçeviç, ka deklaruar se nuk beson se Serbia ka pasur udhëheqës më të këqij në historinë e saj. Ai thekson:
“Atë çfarë e kanë të përbashkët, e çka aspak nuk dyshoj, është likuidimi i Serbisë në kuptimin demografik, shpirtëror, ekonomik, politik, ekologjik dhe arsimor. Jam i bindur se serbët në Kosovë jetojnë më mirë sesa serbët në Serbi”, – ka thënë Romiçeviç në një intervistë, dhënë revistës serbe NIN (Citohet sipas: “Shkrimtari nga Beogradi: Serbët në Kosovë jetojnë më mirë se serbët në Serbi”. Faqja e internetit “Express”. 19 dhjetor 2019).
Pra, bashkëjetesa e serbëve me shqiptarët në Republikën e Kosovës nuk është aspak e rrezikuar. Megjithatë, shqiptarët në marrëdhëniet me ta, mirë është të kenë parasysh atë Esenë e famshme të Pjetër Arbnorit, me titull “Udhëzues për të njohur serbët para se të bisedosh me ta”, të botuar në disa faqe interneti dhe në librin e Profesorit Enver Bytyçi, me titull “Shqiptarët, serbët dhe grekët”, f. 348-349.
Feniks, Arizona
13 korrik 2023