KANDIDATI I RI.
Ç’THUHET PËR TË DHE VOTIMIN E ARDHSHËM?
Për të zënë vendin bosh të kryetarit të asaj pjesë të ndarë të Partisë Demokratike, ndërkaq dhe zyrtare, hodhi kandidaturën e tij të beftë qytetari Gjergj Hani, anëtar i thjeshtë i saj, me premtimin për bashkim, për të ecur në rrugën e rimëkëmbjes të së Djathtës politike shqiptare, por dhe të Shqipërisë.
Menjëherë pas tij, me një befasi tjetërlloj, shpalli kandidaturën për kryetar dhe Lulzim Basha, kryetari i dorëhequr me të drejtë për shkak të humbjeve dhe ndarjes dhe përgjegjësive ndaj tyre.
Tani janë ballëpërballë kandidati i parë, i panjohuri Gjergj Hani, por që parashtron ide, filozofinë e munguar të PD-së, sipas tij, me apelin për të zbuluar gabimet, fajet dhe papërgjegjshmëritë që u arrit deri këtu, “në këtë derexhé” thotë ai dhe që të dënohet e shkuara e keqe e përbashkët për të ardhmen normale, më të mirë, po të përbashkët, teksa kandidatura e dytë, i mirënjohuri Lulzim Basha, po kërkon rikthimin e tij, për të bërë ato që s’u bënë dot dhe me të në krye ndër disa legjislatura.
Duket sikur kandidati i dytë derën e ka të hapur dhe rrugën të shtruar dhe të lehtë, që të rivijë atje ku e kishte lënë, me ata që nuk e kanë lënë dhe e mirëpresin, me po atë zyrë dhe brohërima në gjysmë partinë, me ato struktura dhe përvojë humbjesh dhe me atë armiqësi të vonë, por të pandreqshme me pararendësin e tij, teksa zgjedhjet për kryetar të 29 korrikut i shohin si një formalitet, gati festiv, “Basha e ka të sigurtë fitoren”. Të kujt? Të vetes?… Përse? Është tmerrëisht e pamjaftueshme, madje e padobishme.
Ndryshe është me kandidatin e parë, befasuesin Gjergj Hani, që thotë se nuk ka rëndësi nëse nuk fiton, “nuk jam për vete, të fitoni ju, idealet tona, prosperiteti i vendit”. Dhe është i vetëm, pa struktura elektorale e zyrë e financë, pa asnjë lloj mbështetje, madje dhe shfaqja e tij është parë me mosbesim, edhe me dyshim: kush është ky?
Një qytetar yni, bashkëvuajtës yni. 16 vjeç na e sollën në burgun e tmerrshëm të Qafë Barit se donte të arratisej, donte lirinë e tij, me besimin se do ta gjente në Perëndim. E kapën mu në kufi në Pogradec dhe e dënuan me 10 vjet burg nga gjykata ushtarake, gjyqtar ishte deputeti i mëvonshëm i PS, Spartak Braho, ndërsa karakteristikën që u kërkua për atë si nxënës në gjyq, e kishte përgatitur mësuesja e tij, Anita Braho, bashkëshortaja e gjyqtarit. Ajo kishte shkruante shkëlqyer për nxënësin e saj, Gjergj Hani. E çuditëshme dhe e bukur! Që atëhere e dha të çarën e parë, mësuesja është me të, ligji kundër…
Gjergji lirohet nga burgu me një amnisti, por në qytetin e lindjes, në Durrës, nuk i japin as shkollë e as punë, por pritën të bëhej 18 vjeç që ta dënonin përfundimisht, sërish në burgun e Qafë Barit, etj, etj. Shëmbet Muri i Berlinit, bie perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri ndryshoi, Gjergj Hani del dhe ikën në Itali, punon në një gazetë me vokacion të djathtë në Napoli, etj e mbas 20 vjetësh kthehet në Atdhe. Tani që të sjellë idetë Perëndimore, kulturën konservatore, qendresën dhe besimin, qoftë dhe aq sa mund të zgjojë dhe një i vetëm. Dhe:
1- U hap opinioni çoroditës a çoroditja e opinionit, ndoshta dhe vetvetiu, që kandidati i parë është vënë me marrëveshje për kandidatin e dytë, se i dyti e ka të sigurtë, po i duhet i pari, që të jetë, si të thuash, i përligjur, siç është bërë dhe herët e tjera, kështu thonë e nuk fyhet e nuk indinjohet askush…
E pabesueshme për mua që Basha do ta donte një fitore mashtruese..
2- Jo në biseda kafenesh, por në studiot televizive, në intervistat me Gjergj Hanin po i thuhet hapur, që dhe nëse nuk je në një marrëveshje me atë, të dytin, e ke të kotë, ti nuk fiton, as të njohin dhe as ke përvojë, kush ta jep votën ty(?!).
Vota nuk është për të, por për idetë e tij dhe rimëkëmbjen.
3- Madje shkohet deri atje, që të thuhet açik, që edhe sikur të votojnë për ty, gjë që nuk ndodh, sipas parashikimit të Kasandrave mediatike, ata, mëtonjësi tjetër, partia, i kanë të gjitha mjetet që të nxjerrin fitues atë tjetrin, të dytin. (?!?)
E pabesueshme them prapë për një Parti Demokratike! E rëndë për një epokë demokratike! Për një popull të lirë. E keqja pranohet si të jetë një nen, zakon, si normalitet.
Gjergj Hani vështron i pahutuar. E di. Edhe buzëqesh lehtë. Thotë dhe s’ka gjë, kam ardhur të bëj timen, t’ju them…
Ndërkaq për intervistën e tij serioze me gazetarin Muç Nano unë shkruajta një koment:
Një gazetar që pati mirësinë të dëgjojë, Nano i durueshëm në profesionin e tij dhe Gjergj Hani i shkëlqyer, i qartë në ide dhe në shpirt, filozofi i munguar i gjendjes, udhërrëfyes modest, por siperan ndaj atyre që e rrethojnë: ai e di rrugën, po e tregon…
Dhe s’duhet lënë vetëm. Ndërgjegjja qytetare, përgjegjësia e gazetarit, investiguesve të së vërtetës, ta vërtetojnë atë që thuhet dhe thonë, të nxjerrin proven, që të mos mbetet si thashethem, nëse s’është. Studioja televizive duhet të jetë institucion i informimit të të vërtetave dhe, nëse do të ndodhë ashtu siç parashikojnë, nëse nuk e ndalin dot, duhet apeli qytetarëve që së bashku me ata të ngrihen kundër krimit elektoral, padrejtësisë së lartë, ta denoncojnë dhe në Institucionet e Drejtësisë, në Spak, nëse është për këto çështje vërtet, në Bruksel, në Hagë.
Ç’është kjo gjëndje dhe realitet ku më seriozisht dhe më me emocion merren spektaklet bjerrakohëse të tipit “Big Brother” dhe jo realiteti spektakolar njeribjerrës, ku “Big Brother-at” dalin nga ekranet dhe duan të sundojnë të gjithën mbi të gjithë? Ndaj dhe përhapet kjo ftymë mosbesimi dhe status quo-je, që shkon keq e më keq, teksa mediat vërtet mund të bëjnë krejt tjetër dhe shumë, jo disinformim, por informim, pse jo dhe formim në dobi të popullit të tyre.
ZËRI YNË
I GJERGJ HANIT
Unë jam i prirur dhe i besoj asaj që Gjergj Hani thotë, ashtu bindshëm, me qytetari, i qetë, i hapur, me filozofi të kuptueshme, me shqetësimin e shumëve, me dashuri Biblike e urtësi Kurani, që kërkon të sjellë dhe pse jo të mos e prijë, ndryshimin dhe rimëkëmbjen, sfidë ndaj kësaj gjendjeje dhe realitet të amullt, kundër politikës në vetvete, të shkëputur nga realiteti dhe gjendja, që si rrjedhojë i ka lënë dhe si të tilla, ndotjes morale të mjedisit ideologjik, që kërkon të startojë aty ku dhe është, në PD-në e tij. Me tagrin e një qytetari të zakonshëm, që e konsideron të rëndësishme pjesëmarrjen në shqetësimet aktuale të përbashkëta, unë bëra dhe këtë koment në rrjetet sociale, pas shfaqjes së Gjergj Hanit si kandidat:
“Një zë i veçantë, që vjen nga humnera, nga vuajtja e madhe, nga burgjet politike, me ëndrrën e lirisë, të demokracisë, i qartë, me mendim dhe vizion, me besim, jashtë strukturave dhe zyrave, por me dëshirat, aspiratat dhe idealet e demokratëve të shumtë e të thjeshtë, të qytetarëve, që kërkon të kemi moralin e munguar në politikë, të rimëkëmbë një të djathtë politike në shërbim të një realiteti pa urrejtje, të drejtë, jo retorik, të punës begatuese të gjithsecilit për një Shqipëri normale, të frymës dhe kulturës Perëndimore, të një Shqipërie EuroAtlantike… Dëgjojeni!”
Për rivalin e tij të njohur nga të gjithë, nuk kam shkruar gjë, se ai e ka treguar vetë rrugëtimin e tij si politikan, lider, kryetar bashkie, ministër i disahershëm dhe kryetar i Partisë Demokratike, vazhdues i liderit historik të saj, Sali Berishës, deri në ndarjen me të, pas shpalljes së vonë “non grata” nga DASH, Departamenti i Shtetit Amerikan, me akuzë të parë “minimin e demokracisë”? A do ta bënte Lulzim Basha këtë ndarje me të kaluarën, që është dhe e tij, pyet kandidati për kryetarin e ri të PD-së, Gjergj Hani, po të mos ishte kjo ndërhyrje drastike nga jashtë, nga SHBA, aleatit jetik i Kombit tone? Dhe përgjigjet po vetë që jo. Dhe i ka vënë vetes këtë mision: shkëputjen e PD-së, dhe jo vetëm të saj, nga e kaluara rrënimtare. Ky ishte dhe misioni i themelimit të së parës parti opozitare, Partisë Demokratike, 33 vjet më parë, në dimrin 1990 dhe sot ndodhet në gjendjen më të rëndë e më të vështirë të saj, na thotë Gjergj Hani me fjalën dhe shkrimet e tij, Ky është realiteti, që sigurisht duhet të përjetohet me dhimbje nga e gjithë shoqëria, së pari nga anëtarët e PD-së dhe simpatizantët e shumtë, dhëmbje therëse siç është për Gjergj Hanin, që e sheh me sy kritik. Opozita në demokracitë normale e të kultivuara është pushteti moral i një vendi, dihet, ndërkaq nuk harrohet që PD-ja është dhe partia e ndryshimeve të mëdha, e kalimit të vendit nga sistemi diktatorial socialist në sistemin demokratik, të tregut të lirë, pra, në kapitalizëm dhe Gjergj Hani mendon dhe e vuan që PD-ja i ka braktisur idealet e fillimit, ato për të cilat dhe u themelua dhe i shkuam nga pas, edhe ne, që dolëm nga burgjet politike e kampet e përqëndrimeve, që sipas Gjergj Hanit, nuk ka të përndjekur, por kundërshtarë, jo ish të burgosur, por të burgosur politikë, jo ish pronarë, por pronarë, se “ish”-i është, jo “ish komuniste”, por komuniste. Ndërkaq ka që i gëzohen hapur apo fshehurazi apo paturpshëm këtij rrënimi nga lart e që punojnë për këtë antiarritje, që është ndërkohë dhe rrënim moral lart i vetë pozitës dhe e gjithë, – karikaturë e demokracisë, – duhet bërë e qartë se nuk i shërben shëndetit të vendit, kështu ngulmon dhe Gjergj Hani. Tranzicioni postdiktatorial kaq i lodhshëm, bipolarizues, i shtimit të ndërtimeve, rrugëve, betonizimeve, turizmit, lirsië, ikjeve, por dhe varfërisë në shumicë dhe i pasurimit të shpejtë, por dhe i dyshimtë i një pakice, tjetërsimit tashmë të demokracisë, avitja e praktikave të lëna dhe formave të kamufluara të burokracisë totalitariste, etj, duhen ndalur, bën apel Gjergj Hani dhe beson në në forcën që kërkon të drejtojë. Fillon me moralin në politikë, për rrjedhojë dhe në të gjithë kapilarët e veprimtarive jetike të një vendi, i lënë pasdore nga partitë, pozitë dhe opozitë. Keqardhja politike e Gjegj Hanit dhe, për fat jo vetëm e tij, por e një shumice të madhe, është e thukët, një pozitë pa opozitë, që ndërsjelltas kërkojnë rrënimin fatal të njëra-tjetrës. Opozita nuk funksionon si duhet, kur është e copëzuar, grindjet brenda vetes, është e paqartë tani dhe kërkon kuturu marrjen e pushtetit, pa nënkuptuar pushtetin e ligjeve, të parimeve të demokracisë dhe të lirisë, në fund të fundit të mirëqenies ekonomike dhe shpirtërore. Parësore është lidhja tërësisht me BE dhe SHBA, çështja kombëtare, dy shtete shqiptare në Ballkan, ndërveprimet, strategjitë, etj. Duhet hierarkia e vlerave dhe rendi i detyrave dhe angazhimi qutetar. Nëse këto nuk janë aktive, madje me një diplomaci agresive, por thjesht i dorëzohen apatisë, indiferences ose shqip mënjanësisë, një (mos)keqardhje kombëtare jashtë nesh si retë mbi popullin, vërtet do të thosha se gjendja është më dramatike, zvetënimi dhe mosbesimi gjeneral nga politikëbërja dhe politikëbërësit e të gjitha kaheve dhe dekadave. Në klasën politike, të krijuar tashmë, ajo pjesë që merr pushtetin, pra e njërës parti, duket se instalon ethshëm vetveten dhe simetrinë e vet, partinë tjetër, opozitën, që e do për sfond dhe sa më të dobët, mundësisht të zhbëhet dora-dorës, por dhe të bëhet, aq sa i duhet lojës dhe përdor mbetjet e saj për të përligjur kriminalisht sundimin me oligarkë e vazhdues e trashëgimtarë nostalgjikë të regjimit. Jo thjesht si gjak, por si mendësi dhe frymë urrejtjeje. Marrshimi mbrapsht!
HERËT APO VONË APO JASHTË KOHE?
Kanë filluar takimet në bazë, siç quhet me gjuhë partiake, të dy kandidatëve, Gjergj Hani dhe rivalit ë tij, Lulzim Basha. Pra ata po shkojnë nëpër rrethe të flasin me demokratët që do të votojnë për kryetarin e ri në PD zyrtare, po sa reale është, do ta tregojë e nesërmja. Gjergj Hani shkon në takime pa grup, pa shoqërues, vetëm me bashkëshorten, pa asnjëlloj mbështetje partiake, elektorrale, me makinën e tij që mbush rrugëm me bezninë nga xhepi i tij, me idetë e tij, me moralin e tij, me vuajtjen e tij, është njëri nga ne që kërkon të bëjë atë që do të donin shumica a të gjithë dhe takimet, sipas tij, janë sipas një formati të paracaktuar nga Partia, jo fort të volitëdhme për të, që nuk ka qenë pjesë e forumeve, grupimeve apo klaneve të interesave të tyre. Në rrjetet sociale unë sërish kam bërë komentin tim: Gjergj Hani po sjell vetveten, një prurje kritike e munguar, por e duhur. Idealist, me principe dhe real, ku pesimizmi është një arsye për ndryshim, me këmbët në tokë, kur shumëçka është e zhytur në llumin e gabimeve, fajeve dhe të korrupsionit, te mashtrimit dhe të përçarjes dhe talljes së trashë me realitetin, që na sundon, duket dhe nga vetë media, gati sharlatane, e kapur nga interesat oligarkike dhe mediokriteti mërzitës i vetvetes. Ai është bërë më i njohur dhe po ngjall interes të rëndësishëm. E përsërisim, pas zhgënjime të rënda, humbjeve të njëpasnjëshme dhe ndarjes së PD-së, ai ndjeu thirrjen e brendshme, jo që të konkurojë ndokënd, por të plotësojë boshllëkun e krijuar, moral dhe në ide e në veprim, mosbesimin apo lëvizjet e mbrapshta. Konkurenti i tij i sprovuar erdhi më pas, të rimarrë vendin që la bosh. Gjergj Hani do që t’u tregojë anëtarëve si askush tjetër më parë në PD, por dhe gjithë vendit që pse u arrit këtu e çfarë duhet bërë për të dalë, jo vetëm Partia dhe e djathta, por së bashku. Sërish si askush tjetër në fjalën e tij ka besim, Në themelet e Bashkimit Europian është kultura e krishterë dhe në Kushtetutën e SHBA është doktrina e lumturisë, kjo frymë është dhe në kumtet e tij. Paqe, pa urrejtje, pa hakmarrje, me drejtësi duke parë përpara, pa harruar… T’i shkojmë nga pas. Unë sërish kam komentuar: Nëse do të humbet vizioni i Gjergj Hanit, ka për t’u humbur një mundësi e rrallë shprese, thirrja e hapur per moralitetin në politike, për rimëkëmbjen e një ideali dhe platforme zanafillëse të së djathtës, të paqena qartazi, por të deshiruara turbull nga mungesat e kultures se saj dhe përvojat. Gjergj Hani së paku kërkon të zgjojë ndergjegjet dhe përgjegjësitë duke ofruar ndërkohë pikërisht këtë vizion, prandaj duhet mbështetur per t’u kthyer në një realitet ecja nëpër këtë rrugë. Si kthesë dhe si ndryshim. Ndryshe demokracia e vendit është ende më e rrezikuar… 29 Korriku erdhi, nuk jemi herët, por vonë… mbase me dekada. Gjergj Hani sapo nisi të shkruajë kështu një kronikë të re në të djathtën e re, libër politik i historisë së tanishme. Nga e kaluara dhe përvoja të marrim vlerat dhe arritjet dhe dinjitetin. Gjergj Hanin nuk dua t’ja kundërvë kurrkujt, gjithkush që bëri atë që mundi, pararendësit e tij duhet ta mbështesin, kjo do të ishte e arsyshmja. Nëse do votoni kryetar Gjergj Hanin, çdo demokrat i thjeshtë ka votuar vetveten e tanishme. Nëse jemi në kohën e sistemit që ëndërruan dhe deshën martirët dhe vuajtën të persekutuarit e shumtë burgjeve dhe internimeve dhe e dëshiruan qytetarët e një vendi të mbyllur, kundër të cilit u ngritën së pari studentët, rinia, të gjithë, që t’i besojmë se jemi në të tashmen e tyre, pse të mos jetë lider i kësaj ëndrre një që vjen nga ajo ëndërr, nga ajo vuajtje e madhe, që tashmë i ka këputur prangat që vinin mendjes dhe telat me gjemba shpirtit, Gjergj Hanit, për të sjellë sa më parë nga e ardhmja që e duam bashkë…