Uashingtoni pretendon se duke i bërë elozhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, po e largon atë prej Moskës dhe kështu po krijohet një front i përbashkët kundër regjimit të Putinit. Por faktet dëshmojnë të kundërtën. Çdo lëshim ndaj Beogradit ose mosdhënie llogarie për veprime provokuese e inkurajon Kremlinin.
Zyrtarët rusë përllogarisin se Perëndimi do të vazhdojë të lëshojë pé për të shmangur dhunën, ndonëse politika e qetësimit ka më shumë gjasa të çojë në konflikt të armatosur.
Moska e konsideron Ballkanin Perëndimor si pasuri strategjike, që zgjeron shtrirjen e saj gjeopolitike dhe që minon institucionet euro-atlantike. Nxitja e mosmarrëveshjeve kontribuon si në turbullimin e rajonit ashtu edhe në ndarjet e përgjigjeve të ndërkombëtarëve.
Moska gjithashtu kërkon të diskreditojë SHBA-të dhe të ulë ndikimin e tyre (në rajon), përmes krijimit të aleatëve që varen nga mbështetja diplomatike ruse dhe korrupsioni financiar. Për të përmbushur këto objektiva strategjikë, Moska ndihmon duke promovuar nacionalizmin ekspansionist të Serbisë.
Duke mos pranuar të kritikojnë publikisht autoritarizmin e Vuçiçit dhe kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës, SHBA-ja e ka ngritur atë në statusin e përçarësit kryesor rajonal të Moskës. Javët e fundit, Beogradit i është lejuar të vendosë ushtrinë e tij përgjatë kufirit të Kosovës, të kërcënojë me ndërhyrje të armatosur kinse për të mbrojtur pakicën serbe, të mobilizojë huliganë për të sulmuar paqeruajtësit e NATO-s, zyrtarët e Kosovës dhe gazetarët lokalë si dhe të rrëmbejë policë të Kosovës.
Në vend që t’i bëjnë presion Beogradit duke i vendosur sanksione të rënda diplomatike dhe ekonomike, për trazirat, të dërguarit e Perëndimit, kryesisht, kanë fajësuar qeverinë në Prishtinë. Ata nuk arrijnë të kuptojnë se të sulmosh Kosovën se ka zbatuar kushtetutën e vet në të gjithë territorin e saj i shërben dobësimit të shtetit dhe është në interes të Moskës, pasi kështu humbin rëndësinë vite e vite promovimi të demokracisë dhe të shtetndërtimit amerikan.
Rreth 15,000 serbë në katër komunat veriore të Kosovës, nga një popullsi totale serbe prej më pak se 100,000 vetash, bojkotuan zgjedhjet komunale të Prillit 2023. Si rezultat, kandidatët shqiptarë dhe boshnjakë etnikë u zgjodhën me pjesëmarrje të ulët vendore.
Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se zgjedhjet ishin në përputhje me kërkesat kushtetuese të Kosovës, por, më pas, kur Beogradi nxiti dhunë, u tërhoq, duke pretenduar se rezultatet nuk ishin një zgjidhje politike afatgjatë.
Gjithashtu, Uashingtoni akuzoi Prishtinën se kishte provokuar trazira, në vend që të drejtonte gishtin nga burimi i vërtetë i përplasjeve, pra bandat e paguara nga agjencitë e sigurisë së Serbisë. Rezultati përfundimtar ishte nxitja e veprimeve të mëtejshme antishtetërore dhe largimi i vëmendjes nga e vetmja zgjidhje afatgjatë: njohja reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ambasadori amerikan në Prishtinë madje deklaroi se Uashingtoni do të zbatojë sanksione kundër Kosovës pas trazirave serbe, duke përfshirë anulimin e pjesëmarrjes së Prishtinës në stërvitjen ushtarake të NATO-s “Defender Europe 2023”. Me fjalë të tjera, politikëbërësit amerikanë e përjashtuan Kosovën nga një ombrellë sigurie që Moska dëshiron ta çbëjë.
Ambasadori po ashtu ka pohuar se SHBA-të do të ndërpresin të gjitha përpjekjet për të ndihmuar që Kosova të njihet nga pesë shtetet e mbetura të BE-së dhe do të ndalojnë procesin për integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Ndërsa Komisioni i BE-së i dhuroi Moskës planet për pezullimin e fondeve, të vizitave të nivelit të lartë dhe çfarëdo veprimi në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Kosovën.
Presioni i diplomatëve perëndimorë ndaj Prishtinës për të krijuar një Asociacion të Komunave Serbe do të gërryejë më tej autoritetin e qeverisë dhe do të rrisë përfshirjen e Beogradit në përçarjen e institucioneve të Kosovës. Kjo do të hapë një tjetër shteg për Moskën në rajon, të ngjashëm me atë të entitetit të Republikes Serbe në Bosnje-Hercegovinë.
Uashingtoni dhe Brukseli gjithashtu do i japin dorë projektit “Bota Serbe” duke mos marrë parasysh, në shumicën e rasteve, të drejtat civile dhe të pakicave jashtë Kosovës. Gati 100,000 shqiptarë përbëjnë shumicat e mëdha në dy komuna në luginën e Preshevës, por kanë shumë më pak të drejta se serbët në Kosovë dhe janë gjithnjë e më shumë subjekt i presioneve të qeverisë (serbe).
Duke e përqendruar politikat e SHBA-ve në Serbi, me një kosto të paguar nga fqinjët e saj, Uashingtoni po përsërit gabimet që ka bërë me Rusinë. Duke qetësuar Moskën në kurriz të Kievit dhe duke dështuar të sigurojë frenimin ushtarak ose anëtarësimin në NATO të Ukrainës, Uashingtoni inkurajoi pushtimin e saj nga Rusia.
Një skenar i ngjashëm po shpaloset tani në Ballkanin Perëndimor, ku Kosovës dhe Bosnjes i bëhet presion të heqin dorë nga sovraniteti i tyre.
Vuçiç mund të lejojë që rezervat e vjetra të municionit të dërgohen në Ukrainë për të qetësuar Uashingtonin, por ai tallet, vazhdimisht, me zyrtarët amerikanë nepërmjet lidhjeve të tij me Rusinë. Ai dërgon rregullisht ministrat e vet për t’u takuar me homologët e tyre rusë, nënshkruan marrëveshje energjetike e marrëveshje të tjera ekonomike dhe lejon që Serbia të përdoret si qendër për mbledhjet e inteligjencës ruse dhe luftërat e informacionit antiperëndimor.
Ndërkohë, Uashingtoni injoron lidhjet e korruptuara kriminale të Vuçiç dhe as nuk mundet ta kritikojë atë për marrëdhëniet e tij të ngushta me kriminelët e luftës që sundojnë në Rusisë.
Politika të tilla të gabuara thjesht do ta inkurajojnë Kremlinin që të vërë në lëvizje Vuçiç për të destabilizuar më tej rajonin.
https://gazetadita.al/analiza-e-bugajskit-ne-dita-uashingtoni-i-ka-ndezur-driten-jeshile-rusise-ne-ballkan/