Më 30 qershor të këtij viti në kino Millenium u bë përurimi i librit të Xhemal Farkës “Tirona n’gaz”. Ky përurim disi i vecantë u bë nëpërmjet një dokumetari ku u paraqit para publikut të shumtë edhe jeta e shkurtër e Xhemalit, 1913-1948, në shërbim të Atdheut. Si nxitje, sikurse thotë në parathënie të librit mbesa dhe një nga dy pregatitëset e dokumentarit Zenita Farka, ishte Marsida Najdeni, një shkruese e hershme për Tironën dhe intelektualët e saj të persekutuar, e cila në vitin 2018 botoi në faqen ‘Tirona’ shkrimin me titullin që unë kam përzgjedhur edhe për shkrimin tim. Pregatitësja tjetër ishte gazetaria Admirina Peci, e mirënjohur për dokumentarë të kësaj fryme me skenar të spikatur ku kalonte gjithë jeta e Xhemalit që nga rinia e hershme e deri tek pushkatimi nga klika komuniste në vitin 1948.
Rinia.
Xhemal Farka u lind në Tiranë më 21 mars të vitit 1913 në një familje intelektuale. I jati Hamdiu ishte nëpunës në administratë dhe më vonë avokat. Ai u nda nga jeta në moshë të re, por amaneti i tij ishte shkollimi i fëmijëve pasi vlerat e arsimit dëshironte që t’i trashigonin edhe fëmijët e tij. Amanetin e plotësoi jo pa sakrifica nëna Qamile Kanna nga famijla e mirënjohur Harasani, motra e Sheh Dyrrit.
Xhemali pas shkollimit fillor ndoqi dhe mbaroi Gjimnazin e Tiranës. Pastaj vijoi studimet në Institutin Teknik Amerikan ‘Harry Fultz’. Pas mbarimit të shkollës, ai nisi profesionin e dëshiruar të gazetarisë në redaksinë e gazetës ‘Arbëria’ deri në vitin 1937 kur, me mbylljen e gazetës, punoi për disa kohë në Shkollën Bujqësore Amerikane në Golem të Kavajës. Duke mësuar dhe më vonë punuar në institucione amerikane, Xhemali ‘mori’ atje shpirtin praktit të punëve. Kthehet nga Golemi drejt Tiranës me ëndrrat e tij djaloshare.
Publikimet.
Dëshira dhe ëndëra për të shkruar i kishte lindur që i vogël. Këtë e përshkruan bukur në një nga esetë e para që botoi, e cila titullohej’ Gazetari i Vogël’. Shteti Shqiptar i dalë nga një pushtim i gjatë, pa një arsim të trashëguar, pa infrastrukturë, kishte vështirësi të mëdha. Pra dhe varfëri kishte, megjithë përpjekjet e Mbretërisë. Kjo varfëri ishte më e dukshme në fshatarësinë, ku edhe Xhemali ishte më i njohur duke punuar për mbledhjen e folklorit. Gjatë viteve 1936-1937 filloi të botonte në gazetat “Arbëria”, ‘Java’ etj disa ese satirike që i firmoste me pseudonimin ‘Sula i Fajës pri Lanabregasi’. Thotë Zenita: Guximi , stili, humori i hollë që përdorte në kritikën e shrimeve të tij, do t’i jepte Xhemalit popullaritet në shoqërinë e kohës. Xhemali kishte guximin që të satirizonte veset e këqija të personave por edhe politikën e lartë . P.sh. sa satirë ka te esseja – “Pragromi deputetit”:
-Demek, ty, t’u paska mush menja me dalë deputet pa dermon a ? …m’pyti i gjymës telektuali m’Kursal.
-T’gjithë mër vlla ju ka mush menja, pse veç muu?
-Qi t’bohesh deputet .duhet të keshë program se….
-Sa për atë, mës u mërzit zotrrota jote, se midis 58 progrom,,, i imi oësht me xinxife, me fee të gjallë!
Në shkrimin “Amarika m’Shqipnii? Ironizon ata që pasurohen në Shqipëri: Amarika kishte qenë hone ktuna..po no torollakët s’kishim ditë gjo,,,’vin dinjojas e ju morin capën e bukës për goje. Bohen milanera m’Amarikën e Shqipnisë’. Sikurse shikohet këto satira janë të vlefëshme edhe në ditët tona, kur emigracioni nuk ka kufij.
Dialekti i Farkës më duket më i theksuar në dialektin tiranas duke e krahasuar me të Ibrahim Dalliut, të Ibrahim Hasnaj me pseudonimin ‘Cen Qytyku’ e Mustafa Greblleshi me pseudonimin ‘Liu i Cakut”. Pa marë anën e specialistit, them se Xhemali ka hyrë më thellë në studimin e folklorit të Tiranës. Gjuha ka fillue të shtembërohet kot, pa arsye vetëm se neve s’kemi pikë kujdesi kujdesi. thotë ai. Po të shikonte sot Xhemali se ç’po ndodh me përdorimin e fjalëve të huaja pa vend, do kishte çfarë të shkruante.
Grumbullimi i folklorit, i gojëdhanave popullore ka qenë pasion i Xhemalit. Mentori i tij, sikurse del në libër, ka qenë patrioti Sotir Kolea. Në letrat që i shkruante, nga do ku ka qenë ai, tregonte se grumbullimi i fjalëve të urta dhe gojëdhënat i vlerësonte duke i quajtur “filozofia e gjindjes shqiptare dhe bukuria e gjuheës tonë’. Në shkrimet e tij duket qartë ndikimi nga folklori dhe kjo e bën atë origjinal.
Gjëzë e gjëzat e tij dhe të tjerëve mbledhës të folklorit , sikur i kam në vesh, të treguara nga gjyshja ime por edhe më shumë nga një e afërme e shtëpisë Sabije Bimbashi. Fëmijë shumë herë na vinin në gjumë me këto përralla duke përdorur fjalë të mbledhura nga Xhemali me shokë. Folklori i mbledhur është ndarë në libër me kapituj.
Nga mallkimet më kujtohen: Të shplaftë panuklla! Mos e prufsh krytë! T’u qethtë mishi me gërshonë! Të tjera-Mos u ma se je, mos u ma se ke. Ma mirë i rrasht qi t’lëpihesh se sa tule e mish qi t’ngihesh.
Puna dhe pasioni për folklorin vazhdoi edhe gjatë gjithë kohës kur ai ishte jasht Atdheut.
Vitet e Xhemal Farkës deri më 1944.
Xhemali nga shkolla kishte një kulturë anglo saksone, kështu që edhe shkollën e lartë dëshëronte ta vazhdonte në atë drejtim. Dhe rasti është mbret, thonë. Sikurse thotë në dokumentar nipi i tij Hamdiu, që mban emërin e gjyshit, shkrimet e tij thumbuese për mbretërinë kishin rënë në sy të Mbretit. I vëllai i tij Xhemalit, Ibrahimi, ishte oficer ilartë pranë shtabit, Mbreti Zog e thërret Ibrahimin e i thotë që të frenojë të vëllanë në shkrimet e tij. Ibrahimi i përgjigjet se i ka dhënë këshilla edhe më parë por Ai ka kokën e tij.
Atëhere mbreti , ‘’satrapi ZOG,’për ta larguar, i propozon bursë për jashtë shtetit ku ta dëshëronte ai. Dhe Xhemali zgjodhi Universitetin Amerikan të Bejrutit i shtyrë edhe nga udhëheqësi i tij shpirtëror Sotir Kolea, por edhe sepse në Bejrut kishte mjaft shqiptarë. Të mos harrojmë se Bjeruti ishte qytet i zhvilluar dhe quhej Zvicra e Orientit.
Xhemali u nis drejt Bejrutit në vitin 1938. Që në fillimet e tij u mor me studime për shqiptarët në botën arabe që prej Kuprilijve deri te ushtarët e Mehmet Aliut. Në Liban kikshte qenë vali Vaso Pasha, ku ai kishte ndëruar jetë.
Me pushtimin e Shqipërisë, nga Italia fashiste më 1939, iu pre bursa e shtetit. Ftesën për të studiuar në Itali nuk e pranoi. Zemra e tij ishte të kthehej në atdhe ose sa më afër tij. Një organizatë anglo-amerikane kërkonte gazetarë për të punuar në radio. Ai së bashku me prof.Mirash Ivanaj dhe gazetarin Branko Merxhani punoi disa kohë në Jeruzalem. Pastaj nga mbarimi i luftës e transferuan në Bari, ku Xhemali kishte në çdo mbremje emisionin e tij në gjuhën shqipe. Ky ishte gëzim i madh për shqiptarët që, krahas radio Londrës, të dëgjonin edhe nga Bari lajme për zhvillimin e luftës botërore. Por ishte një lumturi për Xhemalin që shqiptarëve të tij t’iu jepte zërin e vërtetë të luftës kundër fashizmit e nazizmit.
Në ato kohë në Bari ishte dhe misioni shqiptar i kryesuar nga Kadri Hoxha që punonte, përveç të tjerave, edhe për t’i kthyer në Shqipëri me qëllime jo të mira shqiparët e Italisë, ku ndër të tjerë ishte edhe Petro Marko.
Në Bari Xhemali takohet me vëllanë e tij Ibrahimin, i cili kishte mundur të largohet në çastet e fundit nga Shqipëria. Ismaili, duke e njohur komunizmin, i thotë të mos kthehet se e pret burgu. Por Xhermali, nga dashuria për Atdheun, për nënën që e kishte rritur, nuk e dëgjoi. Mbi të gjitha ishte arsyetimi: Nuk kam bërë asgjë kundër vendit tim, përkundrazi emisionet në radio kanë qenë pro luftës së aleatëve. Sa patriotë janë gënjyer me këto fjalë! Kështu rrugët e vëllezërve u ndanë. Ibrahimi qëndroi në Itali dhe më vonë u nis drejt SHBA.
Kadri Hoxha u burgos dhe u internua dhe në shënimet e tij kontradiktore nënkuptohet se ai ka këmbengulur te Enver Hoxha për ta quajtur Xhemalin ‘agjent të anglezëve ‘.
Në kujtimet e saj Musine Kokalari shkruan se ‘Xhemali më tregoi se anglezët me sa kish kuptuar nuk ja kanë me të drejtë Shqipërisë. Të nëjtin mendim kishte edhe prof.Ivanaj. Këto thënie të këtyre personaliteteve dëshmojnë se Xhemali nuk mund të ishte agjent i anglezëve.
Kthimi në Atdhe.
Pas shtatë vitesh emigrimi në maj 1945 kthehet i përmalluar në Atdhe, në Tiranën e tij të dashur. I pajisur me kulturë e gjuhë të huaja, Xhemali mezi priste për t’i shërbyer vendit. Në pritje ai ritakohet me miqt e vjetër edhe ata të sapo kthyer si prof.Mirash Ivanaj, Stilian Nosi, tashmë mjek, si edhe Musine Kokalarin. Duke qenë me bindje social-demokrate, Xhemali bëri punën kryesore për hartimin e programit të partisë.
Në verën e vitit 1945, Lef Nosi, nënshkrues i aktit të pavarësisë më 28 nëntor 1912, këkohej nga komunistët. Ai fshihet në familjet e mbesës së tij Kosturi e në familjet Dakli, Floqi etj nga Elbasani. Kohë më parë shoku im i vjetër inxh.Skënder Kosturi më ka treguar historine e arrestimit të xhajës së nënes së Lef Nosit, ku u akuzua edhe Xhemal Farka. U arrestua në hotel Dajti së bashku me Stilian e Vasil Nosin e izraelitin Marko Menahemi. Akuza ishte se kishin fshehur Lef Nosin.
Në dosjen hetimore të Xhemal Farkës janë dy dënime. E para dënohet me dy vjet buurg për fshehjen e Lef Nosit dhe e dyta ku Gjyqi Ushtarak i Garnizonit të Tiranës dt.11-02-1948 ‘Vërtetoi që të akuzuarit kanë kryer krimin e poshtër të tradhëtisë ndaj Atdheut, tue bë pronë atë dhe veten e tyre të agjenturave të huaja.
’Ishin pesë vetë të akuzuar. Pa lidhje me njëri tjerin, dy upushkatuan. Njëri ishte Xhemali. Akuzat ndaj tij nuk u vërtetuan asnjëherë. Për kohën e hetuesisë një shok i qelisë, Nonda Mezini, shkruan në vitin 1995: E njoha në vjeshtën e vitit 1947, në katakombet e burgut të ri të Tiranës. Xhemali vinte nga një familje qytetare tiranase me reputacion të mirëfilltë shoqëror, moral dhe patriotik. E akuzonin për agjent sekret anglo-amerikan, gjë që sigurisht nuk ishte e vërtetë. Xhemali ishte njeri me karakter, i thjeshtë, i çiltër komunikues dhe me shpirt të mirë. Qëndronte me moral të lartë dhe iu jepte kurajo shokëve të tij në torturë. Nuk mendonte kurrë se do të dënohej rëndë. Ndërkohë mori vesh edhe dënimin me vdekje të burrit të motrës, por nuk e lëshoi veten. Kaluam bashkë katër muaj nën tortura fizike dhe shpirtërore. Ndenji me ne tre ditë me pretencën e vdekjes, pa u ligështuar dhe me dinjitet. E morën për të ekzekutuar vendimin dhe nuk u pa më.
Musine Kokalari : Tre muaj më vonë më futën në një qeli nën shkallët që çonin në zyrën e drejtorit. Një nga të burgosurit në oborrin e burgut, më tha se ata po merrnin në pyetje Xhemal Farkën për mua. E kuptova. Ai nuk tha asgjë për mua dhe unë nuk thashë asgjë për të.
Bregu i lumit.
Bregu i lumit të Tiranës ruan mjaft mistere. Në të fshihen eshtrat e qindrave patriotëve të pushkatuar. Ishin varrosur cekët, lumi i ka marrë duke u përzier me valët e Adriatikut. Ka shumë dëshmitarë që duke gërmuar për të marrë zhavor kanë hasur në mbetje njerëzore.
Në dokumentar u përmend shpesh fjala-pa varr, kërkuam varrin. Po, e kërkuan varrin e Xhemalit të afërmit e tij, por nuk e gjetën. I kërkuan ashtu si vjenezja kërkoi varrin e ixh. Selim Zymës ashtu si u kërkua varri i shumë të tjerëve. Ata mbeten pa varr ose varr-humbur.
Po i keni në breg të lumit i thonin te dera e burgut. Atje kërkojini. Lumi i Tiranës po të kishte gojë do të tregonte shumë. Mos ka ardhur apo ka kaluar koha që atje të vihet një përmendore në kujtesë të ‘Varr-humburve’
Botimi i librit për Xhemal Farkën ishte një risi, sepse u shnoqërua edhe me dokumentar ku ishin foto por edhe filmime të jetës, qyteteve ku ka banuar, kujtime të vëllait tij dhe babait të Zenitës Hasanit. Në libër janë edhe korespondenca me patriotin Sotir Kolea nga çdo vend ku ka qenë. Aty janë shkruar dhe miqësitë dhe korrespondenca me personalitete të kohës si Gabriel Meksi, Mirush Ivanaj, vëllezërit Nosi, izraelitin Marko Menahemi, studiuesin erudit Branko Merxhani etj.
E vërteta është se pak është ditur për punën dhe veprën e këtij intelektuali, atdhetari social -demokrat. Libri dhe filmi treguan shumë. Kemi nevojë të kemi sa me shumë libra të tillë. Më shumë filma të tillë. Pse jo edhe për Mustafa Greblleshin, Xhemal Kusin etj. Në përkujtim të veprës së tij dhe të sakrificës së jetës a nuk e meriton ky personalitet emërtimin e një rrugë apo objekt tjetër në Tiranë. Kopertina e librit është vizatuar nga mjeshtri Buron Kaceli.
Dr. Orhan Sakiqi.
Korrik 2023.