Kancelari i madh vjenez, Meternich, si m’një lojë muzgjesh fundvere, kishte përzier idetë dhe kartat për fatin e Europës.
Dhe njëra prej tyre i dilte përherë në krye si e parathënë. Elegante, e lehtë dhe e sigurtë: ishin sajesat e mëdha perandorake që i admironte për themel të paqes kontinentale. Dhe, logjikisht, duhej të shpërfillte pretendimet vetëjetuese të grupimeve të vogëla etnogjuhësore.
Ndaj, pas mposhtjes së Napoleonit, Kancelari do nismëtonte Aleancën e shenjtë, firmosur në Paris, 1815, mes tri perandorive: Austrisë, Prusisë dhe Rusisë për restaurimin e Europës.
Për restaurimin, por athua dhe paqen e saj?
Vështirë. Vetëm një grimë kohë që, në kalendarin e historisë, s’ishte pos një feksje xixëllonjash.
Pa vonuar shumë “sistemi Meternich” do t’shkërmoqej e binte. Erdhi Ariozofia e një tjetër kancelari me trokun revanshist, viti 1933, dhe Europa do rrëzohej përdhé. Pushtime, të vrarë, kampe, dhoma gasi dhe poshtërim popujsh krejt pranë shuarjes greminore…
Dhe e gjitha në dogmën e një Rendi të ri të sigurisë. Tashmë përtej fantazisë së kancelarit vjenez, sajesa e madhe, me emrin Rajhu i tretë, përfshinte gjithë Europën.
Por dhe kjo ëndërr mortore do rrokullisej në pluhnajë motesh të gjakta. Pastaj, thuase bota s’bënte pa tiraninë e tyre, në rrënojat e saj, lindej gogolshëm një sajesë tjetër e tejhapsirshme: Bashkimi i paanë sovjetik që ndrydhte brenda vetes etni, popuj e nacione historikisht të afirmuar.
Pati, ndërkohë, dhe ca shëmbëllesa më minore jashtë saj. Ishte Çekosllovakia, në Mitteleuropë dhe Jugosllavia, në Ballkan.
Mirëpo sërish, me bekimin e Amerikës që bënte polin e vetëm të mbifuqisë botërore, Gjermania, tani libertare, tetor 1990, do t’bashkohej vetë, por do të ndante popuj të tjerë.
Në të parë, ngjante cinike. Por, jo! Ishin ata që aksidenti historik i kishte dhunuar të vegjetonin nën ombrellën e kombeve hegjemonë: të rusëve më lartë dhe serbëve më poshtë!
Madje, kur nisi e dridhej ngreha serbosllave, Bundestagu i Kohlit miratoi rezolutë të posaçme që porosiste: askush nuk mund të shtrëngojë popujt të bashkëjetojnë kundër vullnetit të lirë.
Tani e vetmja Sajesë e gjerë legjitime, një gjithnajë identitetesh të ndryshme dhe popujsh të lirë është Bashkimi i fismë europian. Ndoshta, ah ç’vegim, një bërthamë e perandorisë së përndritur romake…
Veçse larg iluzioneve të Meternich-ut të hershëm dhe makthit perandorak të serborusëve të vonë.
Iluzioni ose, madje, gënjeshtra nuk mund të bëj asnjëherë të vërtetën alternative.
2.
Në horizont, qoftë dhe nga një sy indiferent parë, sikur duken ca shenja të vjetra.
Dhe, pra, pyetja e ligjshme dyshimtare: rithehet vallë, filozofia, shpirti i Meternich-ut, mbyllur kaherë në lektyra shkollore?
“Palët të respektojnë vijën kufitare administrative”, thanë eksponentë të Nato-s në Prishtinë.
Vini re këtë formulim të ndryshkur! Tani, kufiri me Serbinë është shtetëror apo administrativ?
Nuk di shtete që vuajnë njëj dyllojësie të tillë përjashtuese. Sepse kufiri ose është administrativ ose shtetëror!
Në fakt, është rezoluta 1244 që përcakton mandatin e ushtrive të huaja. Por interpretimet juridike a ftillimet politike të mëpasme, kanë tejkaluar shkronjën dhe frymën e saj.
E para, Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, Hagë, korrik 2010, legjitimoi shpalljen e Pavarësisë. Kryetari i saj, Hiasashi Ovada, do t’betononte se shpallja e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt të 2008, nuk e shkelte të drejtën ndërkombëtare. Madje, as rezolutën 1244, apo dhe vetë kornizën kushtetuese të UNMIK-ut.
E dyta, në Marrëveshjen e mëpasme, Bruksel 2013, palët, Kosova e Serbia, deklaruan vullnetin politik dhe detyrimin ndërkombëtar për t’mos penguar asnjërën palë të anëtarësohej në organizma ndërkombëtarë, përfshirë dhe Bashkimin europian.
Dhe në Europë, siç dihet, integrohen shtetet sovrane, e jo rajonet a prefekturat gjithandej saj.
Përse, ndaj, ende kjo terminologji asnjanëse?
Është ora e fundme t’i tregohet Serbisë vija ku mbaron shteti e sovraniteti i saj dhe fillon shteti e sovraniteti i Kosovës. E tutje akoma: t’i caktohet limiti politik i ndërhyrjes diverzive në veriun q’e turbullon vazhdimisht.
Nëse kështu mbetet, në infuzion euroatlantik të shkallës së lartë, Serbia e Vuçiqit, një mjes të bukur e t’pafaj, do të nxisë rebelimin e rojave të saj në Veri. E, pastaj, në gjurmë të epruvetës së njohur, vjen gjaku, morti dhe, si përfundim i trasuar, shpallja e një Entiteti sfidant serb…
Ndërkaq, në rrjedhë të mandejme, mund hapet ose fleta kronike e njëlloj palestinizimi të Veriut, ose e deklarimit të shkëputjes së tij nga Kosova poshtë Ibrit fatkeq.
3.
Një qasje e re, krejt skofjare, ndaj Belgradit, përmbys pak konceptin e deritashëm gjeopolitik të aleatëve perëndimorë.
Më parë siguria kërkohej mbi vlerat e demokracisë, ndërkohë që tani, me gjasë, ka zënë të kërkohet në regjimet e autokracisë.
Dhe, që skema të plotnohet, në sajesat e mëdha hegjemoniale që kujdestarojnë pushtetshëm mbi kombet e vegjël në hemisferën e hallakatur.
Mirëpo historia, e vjetër dhe e re, dëshmon disfatën e saj: Millosheviqi ishte i forti i Ballkanit, por në vend të paqes mbi idenë hegjemoniale, bëri gjak e varre rretherrotull.
Ashtu si Adolfi para tij dikur dhe Putini pas tij sot, që lanë pas kulturën, idealin dhe modestinë e kancelarit të famshëm vjenez!
Ndaj dhe paqja e hegjemonëve do të jetojë shkurt dhe epilog do të ketë, si ngaherë, vetëm paqen e varrezave…
R.