Sipas analizës së parë statistikore të pavarur, rreth 47.000 burra rusë kanë vdekur në luftën në Ukrainë, e cila filloi në shkurt të vitit 2022.
Agjencia e lajmeve Assocciated Press raporton se mediat ruse Mediazona dhe Meduza, në bashkëpunim me një hulumtues të të dhënave nga Universiteti Tubingen në Gjermani, hulumtuan regjistrin e vdekshmërinë për të vlerësuar numrin e vdekjeve shtesë te burrat nën 50 vjeç midis muajit shkurt të vitit 2022 dhe majit të vitit 2023, krahasuar me vitet paraprake.
Ata analizuan të dhënat e trashëgimisë dhe të dhënat zyrtare të vdekshmërisë për të hedhur dritë mbi koston e vërtetë njerëzore të pushtimit rus të Ukrainës.
Si Moska, ashtu edhe Kievi, nuk japin të dhëna në kohë reale për humbjet ushtarake dhe përpiqen të minimizojnë viktimat e palës tjetër.
Qeveria ruse ka pranuar zyrtarisht vdekjen e pak më shumë se 6.000 ushtarëve, por raportet për humbjet ushtarake janë shtypur në mediat ruse.
Pavarësisht sfidave, Mediazona, Shërbimi rus i BBC-së dhe një rrjet vullnetarësh kanë ndërtuar një bazë të dhënash të vdekjeve të konfirmuara të luftës duke përdorur postime në rrjete sociale dhe fotografi të varrezave në të gjithë Rusinë.
Që nga 7 korriku, ata kishin identifikuar 27.423 ushtarë rusë të vrarë.
Për të arritur një raport më të plotë, Mediazona dhe Meduza morën të dhënat e rasteve të trashëgimisë të depozituara pranë autoriteteve ruse.
Analiza e tyre zbuloi se në vitin 2022 ishin hapur 25.000 më shumë raste të trashëgimisë për meshkujt e moshës 15 deri në 49 vjeç sesa pritej, dhe deri më 27 maj 2023, numri i rasteve ishte rritur në 47.000.
Këto shifra përputhen me vlerësimet e bëra nga agjencitë e inteligjencës së SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat vlerësuan se numri i vdekjeve ruse në luftë ishte midis 35.000 dhe 60.000.
Analiza theksoi gjithashtu mungesën e transparencës në lidhje me viktimat midis fraksioneve të ndryshme të përfshira në konflikt, si kompanitë private ushtarake dhe të burgosurit e rekrutuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
Shkencëtarët e të dhënave pranuan se ekzistojnë pasiguri dhe manipulime të mundshme, veçanërisht në lidhje me ushtarët e zhdukur dhe vdekjet e burrave të moshuar. Megjithatë, ata besojnë se rezultatet e përgjithshme janë të besueshme.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vuri në dukje se Rusia ka përjetuar rreth 400 viktima në ditë për 17 muaj, duke çuar në një krizë në kujdesin mjekësor
Është e rëndësishme të theksohet se analiza nuk përfshin rusët e zhdukur, të cilët nuk njihen zyrtarisht si të vdekur, as nuk përfshin qytetarët ukrainas që luftojnë në njësitë separatiste.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk dha një përgjigje të menjëhershme për analizën.
Mediazona dhe Meduza janë media të pavarura ruse që veprojnë në azil, duke u përballur me kufizime dhe censurë nga qeveria ruse.
Të dyja mediat janë shpallur “agjentë të huaj” nga autoritetet ruse, dhe uebfaqjet e tyre janë të bllokura në Rusi.