Sipas saj, janë dy arsye pse BE-ja nuk është në gjendje të ofrojë siguri: nuk ka vullnet politik dhe ka shumë mospajtime brenda unionit.
“Jemi rreshtuar për rreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ (tigër prej letre) në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka shtuar se tani ka një qëndrim të ri të fuqive të Unionit Perëndimor, që ngjason me atë të viteve kur në Evropë ka pasur luftëra, përfshirë atë të fundit në Kosovë, teksa ka shtuar se Evropa nuk ka asnjë histori suksesi në tentimin për t’i parandaluar këto luftëra.
“Tani ka një qëndrim të ri të fuqive të Unionit Perëndimor, i cili është i ngjashëm me atë të viteve 2014, 1939, 1991, 1992, 1999, ku nuk ka asnjë histori suksesi të Evropës në përpjekjet për të parandaluar luftën. Ne kemi nevojë për një strategji të re dhe njerëz të rinj që përpiqen të gjejnë një mënyrë më të mirë. Ndryshe nga të tjerët, ne nuk po përpiqemi ta përdorim BE-në si arkë. Jemi më shumë për vlera evropiane sesa për para evropiane”, ka thënë ajo.