Nga Dashnor Kaloçi
Në mesin e tetorit të vitit 1982, vetëm pak ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehu, ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit, (i cili nga viti 1980 deri në ’82-in, mbajti dhe funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme), sipas porosive të Enver Hoxhës, të dhënë Hekuran Isait, sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së që iu ngarkua posti i ministrit të Punëve të Brendshme, në muajin shkurt të atij viti, menjëherë u krijua një ‘Grup special’, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili do të merrej me: “zbardhjen e veprimtarisë armiqësore dhe agjenturore të grupit të Kadri Hazbiut dhe lidhjeve të tij me poli agjentin Mehmet Shehu”.
Në krye të atij grupi special, që do të ishte nën vartësinë direkte të ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, u caktua Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, i cili njëkohësisht mbante edhe postin e zv/ministrit të Punëve të Brendshme, dhe si ndihmësa të tij, ishin Hasan Ulqinaku dhe Enver Zeneli, të dy funksionarë të lartë të Sigurimit të Shtetit.
Menjëherë me marrjen e detyrës, ‘Grupi special’ filloi nga puna, ku krahas procesit hetimor ndaj Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, si dhe pjesëtarëve të tjerë të atij “grupi armiqësor”, (ku bënin pjesë edhe Nesti Nase, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, Mihallaq Ziçishti ish-gjeneral-major dhe zv/ministër i Brendshëm, Llambi Peçini, ish-shef i sektorit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, Fiqret Shehu, bashkëshortja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, me dy djemtë e saj, Skënderin dhe Bashkimin, Elham Gjika, ish-kryetar i Hetuesisë së Tiranës, Kristofor Martiro, ish-hetues që ishte marrë me hetuesinë ndaj Beqir Ballukut, Gani Kodra, ish-shef i sektorit të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSh-së, etj.), ai grup, u muarr edhe me hapjen e studimin e dosjeve për një sërë ish-kuadrosh dhe funksionarësh të lartë të ish-udhëheqjes së PPSH-së, partiakë dhe shtetërorë, të cilët që nga viti 1945, e në vazhdim, ishin dënuar me burg apo vuanin nëpër internime.
Kjo, bëhej për të “zbuluar e zbardhur veprimtarinë armiqësore të grupit agjenturor të Kadri Hazbiut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, dhe pjesë e këtij hetimi, u bënë edhe disa nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës, ish-anëtarë të Byrosë Politike e ministra, si; Liri Belishova, Bedri Spahiu, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi, Zoi Themeli, Gjin Marku, Maqo Çomo, etj. Në këtë kuadër, një pjesë e madhe e tyre që ndodheshin të internuar, u arrestuan, një pjesë tjetër u thirrën në hetuesi për të deponuar, të tjerëve iu dërguan pyetjet me shkrim, për të dëshmuar mbi ato që u kërkohej etj.
Liri Belishovës, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, (për propagandën, artin e kulturën), e cila që nga viti 1961, ndodhej e internuar (ndërsa bashkëshorti, Maqo Çomo në burgun e Burrelit), në dhjetor të vitit 1982 dhe janar të 1983-it, iu dërguan dy letra nga ‘Grupi special’, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku ishin përpiluar disa akuza dhe disa pyetje, që ajo t’u përgjigjej me shkrim.
Nga dokumenti në fjalë, këto letra drejtuar Liri Belishovës, përkojnë me një situatë tejet të vështirë të familjes së saj, pasi ajo sapo kishte humbur vajzën e vetme, (Drita Çomo, 20 vjeçe, vdiq nga një sëmundje e rëndë në Sanatoriumin e Tiranës), ku asaj i bëhej presion, duke e kërcënuar, me arrestim.
Për më shumë, bëhet e ditur nga ky dokument arkivor që po publikojmë më poshtë, i cili është nxjerrë nga një dosje voluminoze e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), e cili publikohet për herë të parë nga Memorie.al