Nëse u hidhje një sy mediave të qeverisë këto ditë, të krijohej ideja se sapo kanë zbuluar se një bandë kriminale po terrorizon zonën e Krujës.
Por qëllimi nuk ishte për t’iu bashkuar zemërimit të opinionit publik, por për të treguar se udhëheqja nuk e dinte dhe tani pritet të marrë masa.
Si në çdo diktaturë, duhet treguar se vetëm AI nuk e di se çfarë ndodh. Në fakt, banda e Rrajave është ngritur, rritur dhe fuqizuar gjatë kësaj dekade në pushtet të Edi Ramës.
Ata kanë kryer krimet më monstruoze në vend me lejen dhe me dijeninë e pushtetit, pasi Ramës i duhen për votat dhe jo vetëm.
Kulmi arriti kur mediat e Ramës, ku spikat fletushka e Mero Bazes, publikuan të gjitha krimet e bandës Rraja, ashtu siç i kishte rrëfyer oficeri i policisë, Emiljano Nuhu, duke nisur nga dhuna mbi Xhisiela Malokun e deri te kërcënimi ndaj drejtorit të policisë vendore.
Vetëm me dy dallime të forta në funksion të propagandës.
E para, në atë kohë këto media ishin në sinkron me Ramën, i cili e quante Nuhun një horr, dhe kërcënonte se do e ndiqte këmba, këmbës.
E dyta, në atë kohë Nuhu përmendi Taulant Ballën si kryebandit të bandës së Rrajave. Kjo provokoi akoma më shumë mediat qeveritare që mbrojnë Ballën.
Këtë herë, edhe pse pranuan çdo gjë që kishte thënë Nuhu, fshinë emrin e Ballës kudo.
Në atë kohë, Balla deklaronte se Nuhu ishte paguar 10 mijë euro për të njollosur bandën e nderuar të Rrajave.
Qëllimi i mediave të Ramës ishte të mbulonin atë që po përflitej se ministri i familjes Bled Çuçi ishte shkarkuar në ajër si ministër i Brendshëm dhe në vendin e tij do vinte pikërisht kumbari i Rrajave, Taulant Balla.
Duhej krijuar ideja se Rama ishte revoltuar me Rrajat, kur në fakt po gradonte shefin e tyre.
Një farsë skandaloze me qëllime tronditëse. syri.net