Analisti Fatos Lubonja ka komentuar këtë pasdite në rubrikën Opinion në News24 me Ina Qirjon, vizitën e ish-presidentit Bill Clinton. Lubonja tha se këtë vizitë e pa me keqardhje dhe se “i erdhi turp”, teksa shihte se populli e priste sikur kishte ardhur Zoti mbi tokë.
Më tej ai tha se vizita e Clinton i ka shërbyer vetëm Edi Ramës dhe politikave të tij aktuale, lidhur me krizën që po ndodh në Kosovë.
“Kjo vizitë i shërbeu kryeministrit Rama, dhe politikave të tij që në momentin aktual janë të përqëndruara për të kundërshtuar dhe luftuar Albin Kurtin, i cili përfaqëson një pushtet që është në kundërshtim me pushtetin që mban në këmbë Edi Ramën, që janë oligarkia, krimi i organizuar, mediat ku investojnë dhe partnerët ndërkombëtar”, tha Lubonja.
Mesazhet për Kosovën që Clinton dha, Lubonja tha se ky i fundit ju duk i keqinformuar dhe se minimalisht duhej që të kishte trajtuar të dyja palët e konfliktit, pra edhe Serbinë.
“E pash të keqinformuar Clinton, për të mos thënë të keqpërdorur me atë që po ndodh në Kosovë, dhe se kush janë shakatarët e asaj krize. Në këtë konflikt duhej trajtuar dy palët, por kur ke një kryeministër që në vend të mbajë një qëndrim afër Kosovës… ky ka hall ta përdorë duke shfrytëzuar këtë krizë në Kosovë, kur Kurti në thelbin e vet ka një qëndrim të drejtë që duhet mbështetur. U bë sikur erdhi Zoti dhe solli lirinë”, deklaroi ai.
“Nuhata nëpër të, duke parë dhe prezencën e Sorosit, të birit të tij… këta ndërruan rol dhe në vend t’i thonë vetes që kemi gabuar dhe më herët që kemi mbështetur dy lidera autokrat këtej dhe andej, në Shqipëri dhe Serbi, këta ia veshin tani Kurtit dhe e sulmojnë në mënyrë të padrejtë. Gjykoj se Kurti kërkon mbështetje nga shqiptarët tani”, tha më tej Lubonja.
Por, duke marrë parasysh situatën dhe konfliktin aktual në Kosovë, ku ka gabuar Kurti?
“Nëse ka një gabim, është ndoshta një lloj ndërgjegjësimi jo aq i madh se në Kosovë duhet ndërtuar një Kosovë me dinjitet dhe jo që i var shpresat te ndërkombëtarët. Problemin e krijuan srbët që sulmuan në atë mënyrë sa trembën ndërkombëtarët, dhe këta ndryshuan kartë’, tha ai.
Ndërkohë mungesën e liderëve të Kosovës në këtë ceremoni, Lubonja e konsideron si fyerje që iu bë këtij shteti.
“Po ja ishin ata Clinton-ët e vegjël përfaqësues… Ishte një fyerje për Kosovën në të gjitha drejtimet. Nuk e di nëse janë ftuar apo liderë të Kosovës, por duhej thënë. Dyshoj se nuk janë ftuar, sepse ka vendosur Rama se ky është që përcakton gjithçka”, tha Lubonja.bw