Kryeministri Albin Kurti foli për mediat pas takimit me kryeministrin e Holandës Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel, shkruan Gazeta Express.
Ai tha se ka kërkuar nga dy kryeministrat evropian që të ndihmojnë Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe në BE.
“Gjithashtu kërkova që të na ndihmojnë për sa i përket programit të NATO-s, Partneritetit për Paqe dhe të ecim më tutje drejt marrjes së pyetësorit nga Komisioni Evropian sa i përket anëtarësimit në BE, ku ne tashmë e kemi bërë aplikimin tonë zyrtar”, deklaroi ai.
Më tutje, kryeministri përmendi edhe çështjen e dialogut me Serbinë. Ai tha se dëshirojnë zgjidhje evropiane dhe zbatim të marrëveshjeve.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotësi, pa vonesa dhe pa kushte”, deklaroi kryeministri.
Kurti tha se progresi demokratik i Kosovës është mundësi e mirë për BE-në që të transformojë Ballkanin Perëndimor.
“Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm për shtetin tonë, por edhe BE-në për të shtyrë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Kurti i falënderoi dy kryeministrat evropian për vizitën në Kosovë.
“Në këto kohë të rëndësishme për demokracinë dhe sigurinë e paqenë në rajonin tonë dhe kontinentin tonë. Vendet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat janë gjithmonë e me të afërta. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Holandës dhe Luksemburgut për lirinë dhe pavarësinë tonë, për progresin demokratik dhe ekonomik”, tha ai.