Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, tha se beson që Kosova gaboi me veprimet e saja në katër komunat në veri të vendit – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut.
“Nuk është më vendimi im, por kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve. Kështu që mendoj që tani kanë bërë një gabim. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët të përpiqen të përfitojnë nga momenti për ta paraqitur argumentin e tyre. Por, duhet ta ndalim këtë marrëzi”, tha Clinton.
Ai tha se Kosova duhet t’u kërkojë serbëve lokalë të marrin pjesë në zgjedhje, gjatë fjalimit të tij gjatë ceremonisë që po mbahet për nder të tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë të Shqipërisë, më 3 korrik.
Serbët lokalë në katër komunat në veri të Kosovës kishin bojkotuar zgjedhjet e mbajtura në prill, duke bërë që kryetarë në ato komuna me shumicë serbe të zgjedhen katër shqiptarë.
Tensionet në këto komuna janë ngritur që nga 26 maji, kur autoritetet kosovare ndihmuan kryetarët e rinj të hyjnë në objektet komunale. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për shtensionim të situatës.
Clinton gjithashtu tha se është i bindur që SHBA-ja është “e angazhuar për lirinë, forcën dhe integritetin e Shqipërisë”, përkundër që nuk ka ndonjë rol në administratës aktuale të SHBA-së.
Ai u shpreh shumë i emocionuar nga falënderimet që mori gjatë ceremonisë.
“Jam pa fjalë. Mendoj që po të kisha një gjykim shumë të shëndoshë, nuk do të thosha asgjë. Jam me të vërtetë pa fjalë”, tha Clinton, në ditën e parë të qëndrimit të tij dyditor në Shqipëri me ftesë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Në këtë ceremoni, ish-presidentit Clinton do t’i ndahet “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike”.
Gjatë fjalimit të tij, Rama tha se ai vetë e ka pasur shembull Clintonin dhe e lavdëroi atë për rolin e tij në përfundimin e luftës në Kosovë.
Rama e quajti fjalimin e Clintonit në mars të vitit 1999, kur lajmëroi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, “një tjetër perlë” dhe tha se ai fjalim ishte “për historinë e Kosovës dhe rajonin tonë, një gur përcaktues i rrugës të së ardhmes”.
Ai gjithashtu theksoi disa nga ndihmat që SHBA-ja, gjatë administratës së Clintonit, ia dha Shqipërisë të sapodalë nga regjimi komunist.
Pas Ramës, në ceremoni morën fjalën disa të rinj me emra të frymëzuar nga ish-presidenti i SHBA-së. Shumica prej tyre ishin nga Kosova dhe falenderuan ish-presidentin amerikan për rolin e tij.
Kjo është vizita e parë e Bill Clintonit në Tiranë, ndërkaq 11 vjet më parë Shqipërinë e vizitoi bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, që atëbotë mbante postin e sekretares së Shtetit.
Clinton ishte president i SHBA-së në kohën kur po zhvillohej lufta në Kosovë dhe ai luajti rol kyç që NATO të niste bombardimet ndaj caqeve serbe, që çuan në çlirimin e Kosovës.
Atëbotë, Clinton kishte deklaruar se vendimi për nisjen e bombardimeve ishte marr për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga regjimi i liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Clinton ka vizituar për herë të parë Kosovën në maj të vitit 1999. Ai po ashtu qëndroi në Kosovë më 2009 dhe 2019. Në vizitën e tij të fundit, ai ishte i shoqëruar me ish-sekretaren e ndjerë amerikane, Madeleine Albright. Ata morën pjesë në ceremonitë e mbajtura për 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënohet si Dita e Çlirimit.
Trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999, pas fushatës ajrore të aleancës kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi që zgjati 78 ditë.