E përditshmja konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) ka botuar të shtunën një koment në të cilin thekson se krizat në veri të Kosovës dhe në Bosnjë-Hercegovinë, ku lideri i serbëve Millorad Dodik po përpiqet të shpërbëjë këtë vend, janë të ndërlidhura mes tyre.
Sipas FAZ, Serbia po teston kufijtë se sa larg mund të shkojë. Beogradi nuk ka hequr kurrë dorë nga “Serbia e Madhe”. Ky projekt tani mban vulën e një nocioni tjetër, atë të “botës serbe”. Ky formulim jo rastësisht është huazuar nga modelet ruse.
“Frankfurter Allgemeine Zeitung” nënvizon se Serbia aktualisht është duke e furnizuar Ukrainën me armë, prandaj BE dhe SHBA-të nuk janë të gatshme t’i bëjnë presion Beogradit. Qeveria e Kosovës, sipas FAZ, nuk po i lexon si duhet shenjat e kohës. Raportet me SHBA-në, mbrojtësen më të rëndësishme të projektit të shtetësisë së Kosovës, kanë arritur pikën më të ulët.
Kjo gazetë supozon se raporti me SHBA-të mund të riparohet ndoshta lehtë nëse në Prishtinë do të kishte pak fleksibilitet. Në Uashington dhe Bruksel ekziston pikëpamja se pakicës serbe në Kosovë duhet t’i lejohet themelimi i një bashkësie të komunave për të vetëqeverisur jetën e përditshme. Paraardhësi i kryeministrit Albin Kurti, i akuzuari për krime të luftës Hashim Thaçi, ka nënshkruar një marrëveshje për themelimin e bashkësisë së komunave serbe.
Gazeta thekson se pranimi i asociacionit të komunave serbe është i vështirë për Kosovën, sepse Prishtina me të drejtë mund të pyesë se çfarë fiton Kosova si kundërshpërblim nëse edhe njëherë i zgjeron të drejtat, edhe ashtu të mëdha, të pakicës serbe. Shqetësimet në Prishtinë se asociacioni mund të paraqesë rrezik për shtetin ashtu si republika e serbëve në Bosnjë, sipas FAZ, janë të tepruara. Pakica serbe në Kosovë numerikisht nuk e ka fuqinë ta shkatërrojë shtetin kosovar.
BE, sipas gazetës gjermane, duhet ta pyesë veten nëse masat e paralajmëruara ndaj Kosovës janë proporcionale. Të kërcënosh Kurtin me sanksione dhe ta lësh Dodikun, njeriun më të afërt të Putinit në Europë, të papenguar në çmontimin e Bosnjës, është qasje jo e bindshme.
Po ashtu qortimet e buta vetëm e trimërojnë Aleksandar Vuçiçin të ndërsejë huliganët e tij kundër ushtarëve të NATO-s. Po ashtu jo të gjitha kritikat ndaj Prishtinës janë të bazuara. Kurti disa herë është treguar i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen e negociuar mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Vuçiç ka refuzuar sepse ka pak arsye të frikësohet.
Paralajmërimi se ai po e rrezikon “perspektivën europiane” nuk funksionon, sepse ai e di se BE nuk ka oreks për pranimin e anëtarëve të rinj. Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të arrihet së shpejti. Kur Greqia dhe Maqedonia e Veriut e zgjidhën “konfliktin për emrin”, kjo nuk u arrit falë BE-së, por falë qeverive në Athinë dhe Shkup, të cilat vërtet dëshironin një pajtim.