Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, do të qëndrojë për dy ditë në Shqipëri, në vizitën e parë në këtë shtet.
Clinton – që viziton Shqipërinë me ftesën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama – do të arrijë në Tiranë pasditen e së hënës.
Një ceremoni për nder të ish-presidentit amerikan do të zhvillohet në orën 19:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë shqiptare, ku do të marrin pjesë edhe qytetarë.
Në këtë ceremoni ish-presidentit Clinton do t’i ndahet “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike”. Gjatë kësaj ceremonie, Clinton pritet t’iu drejtohet të pranishmëve.
Kjo është vizita e parë e Bill Clintonit në Tiranë, ndërkaq 11 vjet më parë Shqipërinë e vizitoi bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, që atëbotë mbante postin e sekretares së Shtetit.
Clinton ishte president i SHBA-së në kohën kur po zhvillohej lufta në Kosovë dhe ai luajti rol kyç që NATO të niste bombardimet ndaj caqeve serbe, që çuan në çlirimin e Kosovës.
Atëbotë, Clinton kishte deklaruar se vendimi për nisjen e bombardimeve ishte marr për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga regjimi i liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Clinton ka vizituar për herë të parë Kosovën në maj të vitit 1999. Ai po ashtu qëndroi në Kosovë më 2009 dhe 2019. Në vizitën e tij të fundit, ai ishte i shoqëruar me ish-sekretaren e ndjerë amerikane, Madeleine Albright. Ata morën pjesë në ceremonitë e mbajtura për 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënohet si Dita e Çlirimit.
Trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999, pas fushatës ajrore të aleancës kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi që zgjati 78 ditë.