Ndoshta ky është rezultati ynë më i madhe që kemi arritur, ku ADN e shqiptarizmit është tretur në avujt e drogës dhe aventurizmit, të vetë-dashurisë dhe protagonizmit të historisë.
Paraqitja e projektit të Edi Ramës në Bruksel për një zgjidhje për konfliktin Kosovë-Serbi është pjesa tragji-komike e një skenari të shkruar në kafe në Novi-Sad dhe aleancës së dy miqve që do të sundonin Ballkanin për një kohë të gjatë duke shuar konfliktet etnike, kundërshtitë, duke falur krimet dhe genocidin e bërë ndaj popujve të tjerë.
Për më tepër kur shqiptari – kryeministër mund të pranojë me lehtësi të mbrojë dhe interesat serbe, kundër interesave të kombit të tij.
Projekti i Ramës për një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, kur Kosova është e aftë të mbrojë sovranitetin e saj, nuk është një lajthitje e radhës nga mosdija e tij.
Ai përfaqëson interesat e grupimeve politike që duan të bëjnë një kompromis në Ballkan duke përdorur Kosovën për të ribërë historinë dhe rikthyer ‘dinjitetin’ e nacionalistëve serbë që kërkojnë me ngulm që nga Kosova ata duhet të dalin me një situatë win-win.
Projekti i Ramës nuk është projekti i Kosovës dhe Albin Kurtit. Ndryshe nga Rama që vetë-ofrohet për cdo gjë, Kurti me zgjuarsi nuk ka pranuar asosiacionin etnik si model në Kosovë. Kjo politikë e zgjuar negocimi i thotë komunitetit ndërkombëtar se ju po shkelni vetë projektet e tuaja për Kosovën si një vend i lirë, demokratik, dhe multi-etnik.
Modeli i shoqërive multi-etnike në Ballkan ishte siguria për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, në kushtet e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe provokimeve që mund të vinin nga Rusia. Rënia e parimit të shoqërive multi-etnike dhe kërkesa e projekteve ruse-serbe për ta riprojektuar Ballkanin në linja të pastra etnike prish gjithë filozofinë dhe parimet perëndimore për ndarjen e ish-Jugosllavisë.
Duket që ideja e Serbisë së Madhe të Vucic, e ardhur si nga projekti i ndarjes së kufijve apo Ballkani i Hapur, kërkojnë me cdo kusht ta rikthejë Jugosllavinë e re. Dhe kjo nëpërmjet shqiptarëve renegatë që interesat e kombeve i kthejnë në interesa të xhepit dhe pushteteve të tyre.
Kundërshtimi i Kurtit në parim për modelin e propozuar është jo vetëm mbrojtje e sovranitetit të Kosovës por edhe një këmbanë alarmi për ndërkombëtarët që po kundërshtojnë veten e tyre për të përkëdhelur nacionalistët e Vucic.
Në argumentimin e tij Kurti mund të kërkojë që edhe marrëveshja e Ahtisaarit dhe dhënia e 20 vendeve në Kuvendin e Kosovës për minoritetet të rishqyrtohen. Por këtë politikë të hollë dhe bindëse të Kurtit, që Vucic nuk ka argument ta përballojë, e hedh poshtë Rama për tu paraqitur si përfaqësuesi i gjithë shqiptarëve dhe kampioni i paqes në Balkan.
Për Vucicin dhe grupin e interesit të Soros për Ballkanin kjo është zgjidhja më e mirë e servirur për perëndimorët. Vetë Shqiptarët mbrojnë interesat e Serbisë!
Projekti i Ramës nuk ka rëndësi se cfarë përmban por prezenca e tij është e rëndësishme për të dhënë një zgjidhje alternative kundër interesave të shqiptarëve. Faleminderit Edi për kontributin!