Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka insistuar në qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe ka mbështetur planin evropian për shtensionim, u tha pas një bisede telefonike që kryediplomati amerikan zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Siç tha Vuçiq përmes një postimi në Instagram, gjatë bisedës me Blinkenin, ai ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar në veri të Kosovës.
“I thash [sekretarit Blinken] se Serbia sillet seriozisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, por njësitë speciale të Policisë së Kosovës po arrestojnë çdo ditë pjesëtarët e komunitetit serb në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar”, tha Vuçiq.
Siç raportohet, Vuçiq gjatë bisedës me Blinkenin ka theksuar se dorëheqja e katër kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale “janë të një rëndësie kyçe për të ulur tensionet”.
Kjo bisedë telefonike mes Vuçiqit dhe Blinkenit vjen në mes të përpjekjeve diplomatike nga komuniteti ndërkombëtar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, komuna të banuara me shumicë serbe – hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.
Që atëherë, serbët kanë mbajtur protesta.
Kryetarët e rinj u zgjodhën më 23 prill, zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa pjesëtarë të komunitetit serb, nën dyshimet se kanë marrë pjesë në dhunën ndaj ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe ndaj gazetarëve që po raportonin nga veriu.
Zyrtarët në Serbi dhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovës, që gëzon mbështetjen e Beogradit – i konsiderojnë arbitrare këto arrestime.
Komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës që të shtensionojë situatën dhe i ka paraqitur tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi zyrtar po kërkohet që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale. rel